Agnès Varda
Agnès Varda | |
|---|---|
![]() | |
| Lindi | 30 maj 1928 (98 vjeçe) Ixelles, Belgjikë |
| Profesioni | Regjisore, kineaste, aktore, fotografe |
| Vite aktiviteti | 1951–vazhdon |
Vepra të shquara | Cleo de 5 a 7, La Pointe Courte, Sans toit ni loi |
| Fëmijë | Rosalie Varda Mathieu Demy |
Agnès Varda (Ixelles, Bruksel, 30 maj, 1928 - Paris, 29 mars 2019) ishte kineaste franceze, pjesë e brezit të regjizorëve me qendër në Paris që u quajtën Vala e re (La nouvelle vague), vepra e së cilës është vlerësuar me shumë çmime kinematografike qoftë për vepra të caktuara ashtu edhe për karrierën e saj të gjatë.
Biografia
Varda ishte njëra nga pesë fëmijët e një babai grek dhe një nëne nga jugu i Francës, por me banim në Bruksel. Emri i saj i vërtetë është Arlette, siç e tregon ajo, për shkak se u ngjiz në qytetin e Arlit. Në vitin 1940 familja u zhvendos në fshatin peshkatar të Setës afër Montpelierit në jug të Francës, fillimisht për shkak të bombardimeve të Brukselit gjatë Luftës së Dytë Botërore.[1]
Ajo mori pjesë në jetën teatrore të jugut të Francës në rini, derisa u regjistrua në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris.
Varda bënte pjesë në atë grup të atij brezi kineastësh i cili mblidhej në bregun e majtë të Senës, së bashku me Jacques Démy (1930-1990), Chris Marker (1921-2012) dhe Alain Resnais (1922-2014). Ajo ishte autore e njërit prej filmave pararendës të Valës, La pointe courte (1955), film i xhiruar në Setë, montazhier i të cilit ishte Resnais.[2]
Megjithëse mjaft produktive dhe e vlerësuar si kineaste dhe fotografe, Varda njihet kryesisht për dy filma artistikë, Cléo de 5 à 7 (Kleoja nga pesa në shtatë, 1962, çmimet Mèlies dhe FIPRESCI) dhe Sans toit ni loi (Pa strehë e pa ligj, në disa vende përkthyer si "Endacakja", 1985, çmimi Luani i Artë në Festivalin e Venecias), dhe për dokumentarin Les plages d'Agnès (2008, çmimi César në Francë).
Prej vitit 1968 deri në 1970 ajo u zhvendos me të shoqin, regjisorin Jacques Demy, në Los Anxheles, ku iu bashkëngjitën jetës kulturore avangardë të qytetit dhe grupit të artistëve përreth Andy Warholit, duke takuar dhe Jim Morrisonin[3][4].
Ajo ka bërë tre dokumentarë kushtuar Demy-së, regjisor që njihet për filmat e tij muzikorë. Ka edhe shumë filma me metrazh të shkurtër, dhe njihet gjithashtu si fotografe. Në dokumentarin autobiografik Plazhet e Agnesit, ajo zbuloi se Demy-ja pati vdekur nga komplikacionet që i pat sjellë sëmundja e AIDS-it, një fakt i mbajtur fshehur deri atëherë.[5][6][7]
Dokumentari i saj Visages, villages (Fytyra, vende, 2017)[8][9][10], me gjasa filmi i saj i fundit[11] e bëri, në vitin 2018 dhe në moshë 89-vjeçare, kandidaten më të moshuar për marrjen e çmimit Oskar,[12] dhe i dha çmimin për dokumentarin më të mirë (L'oeil d'or) në Festivalin e Kanës në vitin 2017[13][14].
Varda ka marrë dy herë urdhërin e Legjionit të Nderit nga shteti francez, i është dhënë çmimi i César për karrierë më 2001, Palma e karrierës në Festivalin e Kanës në 2005 dhe çmimi Oskar i karrierës në 2017.[15][16]
Vdekja
Varda vdiq nga kanceri në Paris më 29 mars 2019, në moshën 90 vjeçare.[17] Ajo u varros në varrezat e Montparnasse-it në kryeqytetin francez më 2 prill.[18]
Referime
- ↑ Biografia e Agnès Vardës në AlloCiné.
- ↑ Tina Hassania, French director Agnès Varda is more than a meme, Toronto Globe and Mail, 14 shkurt 2018
- ↑ Biografia e Agnès Vardës në gala.fr
- ↑ Sheila Heti, Agnès Varda Arkivuar 3 shkurt 2018 tek Wayback Machine, The Believer Magazine, tetor 2009
- ↑ Dan Callahan, A Lioness and Her Love: The Beaches of Agnès, Revista Slant, 1 korrik 2009
- ↑ Marie-Noëlle Tranchant, Agnès Varda : «Les souvenirs sont comme des bulles qui remontent», Le Figaro, 17 dhjetor 2008
- ↑ Richard Williams, Agnès Varda: 'Memory is like sand in my hand', The Guardian, 24 shtator 2009
- ↑ Jordan Hoffman, Agnès Varda, people person, creates a self-referential marvel, The Guardian, 19 maj 2017
- ↑ Owen Gleiberman, ‘Visages Villages’, Variety.com, 26 maj 2017
- ↑ Richard Brody, Agnès Varda and JR’s “Faces Places” Honors Ordinary People on a Heroic Scale, newyorker.com, 10 tetor 2017
- ↑ Eric Kohn, Agnes Varda Tells Us Why ‘Faces Places’ Could Be Her Last Film, Indie Wire, 5 tetor 2017
- ↑ French director Agnès Varda, 89, becomes oldest ever Oscar nominee, The Daily Telegraph, 23 janar 2018.
- ↑ Corentin Pallancini, L’Œil d’or du meilleur documentaire remis à Agnès Varda pour Visages, Villages, Allo Ciné, 27 maj 2017
- ↑ Cannes: prix du meilleur documentaire à Agnès Varda et JR Arkivuar 15 shtator 2017 tek Wayback Machine, Le Parisien, 27 maj 2017
- ↑ Cécile Cartonne, Tout ce que vous ne savez (peut-être) pas sur Agnès Varda, L'Yonne Republicaine, 8 shtator 2009
- ↑ Chandler Levack, Agnès Varda Goes from Film Buff to Filmmaker, faqja e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Torontos (TIFF), 27 tetor 2017
- ↑ "Chu, Henry; Keslassy, Elsa (29 Mars 2019)" (në anglisht).
- ↑ "Funerali i Agnes Varda në Paris".
{{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri|language=(Ndihmë!)
