Aleks Buda
Aleks Buda | |
|---|---|
![]() Busti i Aleks Budës në Tiranë | |
| Lindi | Aleks Buda 7 shtator 1910 Elbasan, Ottoman Albania |
| Vdiq | 7 korrik 1993 (82 vjeç) |
| Profesioni | historian |
| Të afërm | Athina Buda (sister), Pirro Dodbiba (nephew), Niko Dodbiba (nephew), Bardhyl Dodbiba (nephew), Henrieta Dodbiba (niece), Klara Buda |
| Familja | Buda |
| Nënshkrimi | |
Aleks Buda (Elbasan, 7 shtator 1910 – Tiranë, 7 korrik 1993) ka qenë akademik, personalitet i histografisë dhe i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe kryetar i parë Akademisë së Shkencave e Shqipërisë. Kur u kthye në Shqipëri nga studimet e papërfunduara në Austri, u përfshi në FNÇ, pas çlirimit u emërua drejtor i Bibliotekës Kombëtare, u zgjodh anëtar i parlamentit, anëtar i Institutit të Shkencave. Ndonëse as nuk e përfundoi shkollimin, por as ishte i orientuar për studimet historike, Buda është rasti më i shquar i politikan-historianit shqiptar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si pasojë e punës së tij mbi etnogjenezën sipas syzeve marksiste-leniniste.[1]
Biografia
Lindi në Elbasan më 7 shtator 1910, i biri i farmacistit Dhimitër (Taq) Buda, i cilësuar si “veprimtar i lëvizjes kombëtare”.[2] Dhimitër Buda ishte delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit, në Kongresin e Elbasanit, firmëtar në shpalljen e pavarësisë së Elbasanit dhe deputet, përfaqësues i këtij qyteti, në dy legjislaturat e para të parlamentit të parë shqiptar, një ndër financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit.
Mësimet e para, Aleksi i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes, “Liria”. Pa kryer klasën e dytë vijoi mësimet në “Scuola elementare maschile” në Lecce të Italisë, pas mbarimit të të cilës në vitin1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkoi për studime në Austri. Në Salzburg vazhdoi mësimet në “Volkschule” dhe më pas në Bundesgymnasium-Salzburg deri në vitin 1929. Ndoqi studimet në Universitetin e Vjenës, në Institutin Ballkanistik (1930–1935) ku studioi për filozofi-filologji me profesorë të njohur si Karl Patsch, Robert Reininger dhe Norbert Jokl. U ushtrua në terrenin e vështirë të albanologjisë, duke përvetësuar në mënyrë kritike veprat e shkollës gjermano-austriake, Thunmann, Fallmerayer, Hann, Hopf, Jireçek, Šufflay, Jokl, Stadtmüller, Nopcsa, Praschniker, Patsch etj.[3]
Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokin, Qemal Butkën etj.
Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri ku punoi, si arsimtar në gjimnazin e Tiranës, kurse në vitin 1940 u transferua në Liceun e Korçës. Në fund të vitit 1941 shkoi në Itali në Universitetin e Padovës pranë profesorit të njohur Carlo Tagliavini për t’u kualifikuar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme ballkanike dhe të shqipes, por pas një viti u kthye në atdhe, për shkak të luftës. Përsëri punoi si arsimtar në gjimnazin e Tiranës ndërkohë që u lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare.
Pas luftës filloi punë si drejtor i Bibliotekës Kombëtare[4] ku është kujdesur për të marrë në dorëzim të plota koleksionet e bibliotekave private të Mithat Frashërit, Lef Nosit dhe të personaliteteve të kohës, të cilët ishin larguar nga vendi ose u ishte konfiskuar pasuria. Falë këmbënguljes së tij në vitet 1945-1946, fondi i pasuruar i Bibliotekës Kombëtare numëronte 100.000 vëllime, me përmbajtje krejt të veçantë në llojin e vet. Kështu u arrit të krijohej bërthama e njërës prej bibliotekave albanologjike më me vlerë[5] edhe nën përkushtimin e Aleks Budës, si njohës dhe studiues i literaturës shkencore-artistike evropiane e botërore. Pas vdekjes, nga familjarët u janë dhuruar Bibliotekës Kombëtare dhe Bibliotekës së Akademisë mijëra libra, mbledhur me pasionin e bibliofilit.[6]
Në vitin 1946, filloi punë në Institutin e Shkencave me detyrën e përgjegjësit të seksionit të historisë, sociologjisë dhe ekonomisë, ku ndihmoi në hapjen e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë etj. Fitoi përvojë si pedagog i historisë që në fillimet e Institutit pedagogjik dyvjeçar. U bë një nga studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i krijuar në vitin 1955. Punoi aty 17 vjet, ku veç aktivitetit të tij si historian arriti të përgatisë breza historianësh, një plejadë të tërë studiuesish në sektorin më të vështirë, të Mesjetës.[7] Me krijimin e Universitetit të Tiranës në vitin 1957, Aleks Buda ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë, duke dhënë ndihmesë të madhe në hartimin e programeve dhe teksteve të historisë. Viti 1972, një vit i veçantë për jetën shkencore në Shqipëri, njëherazi edhe për Budën: U themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të asamblesë, të hapur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë.
Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë më 7 korrik 1993.
Karriera profesionale
Aleks Buda është një nga themeluesit e historiografisë moderne shqiptare i cili me vizionin e tij kontribuoi në studimet ndërdisiplinore për trajtimin e historisë së Shqipërisë, në një kohë kur mungonin studime të thelluara.[8]
Buda ideoi dhe konceptoi veprën kolektive “Historia e Shqipërisë”(vëll. I ,1959, vëll. II, 1965), vepër krejt e re si nga gjerësia e trajtimit, kriteret shkencore të ndërtimit dhe vështrimit të procesit historik. Është bashkautor dhe bashkëredaktor i botimit të ri të “Historisë së Shqipërisë (vëll.II, 1984), bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar”, (vëll. II 2002). Ai ka dhënë ndihmesë të çmuar (si kryeredaktor) në udhëheqjen shkencore të “Fjalorit Enciklopedik shqiptar”.[9]
Ai kishte një vështrim tërësor të historisë, që ngërthente gjithë fazat dhe të gjithë komponentët e saj.[10] Tri Konferencat Albanologjike përgjatë viteve 1962, 1968 dhe 1978, Kuvendet e studimeve Ilire në vitet 1972 dhe 1986, Konferenca e studimeve etnografike në vitin 1976, Konferenca mbi formimin e popullit shqiptar, gjuhës dhe kulturës së tij në 1982-shin, ndërmarrje shkencore ndërkombëtare të përmasave të pamenduara më parë, të gjitha mbajnë veçanërisht vulën e Budës si ideator, autor e udhëheqës shkencor.
Buda konsolidoi studimet për Gjergj Kastriot Skënderbeun duke u distancuar nga “mitizimi heroik” dhe trajtuar figurën Skënderbeut me analiza të mirëfillta shkencore historike, trajtuar si udhëheqës shteti brenda kontekstit social-ekonomik të Mesjetës evropiane. Ai shtroi nevojën e periodizimit të historisë së shek. XIV-XV për përcaktimin e shkallës së zhvillimit ekonomik dhe vendin që zë një personalitet i shquar në histori. Edhe në hartimin e një vepre bibliografike për heroin tonë kombëtar, ku duhej kombinimi i punës së një ekipi të tërë, “kriteret për përgatitjen për botim të Bibliografisë për Skënderbeun u paraqitën kryesisht nga Buda.[11][12]
Vepra
Veprimtaria kryesore e tij ishte studimi i historisë, veçanërisht në fushën e historisë mesjetare shqiptare dhe të Rilindjes Kombëtare.[13] Ai është bashkautor dhe redaktor përgjegjës i tekstit të “Historisë së Shqipërisë. vëllimi I” dhe autor i disa studimeve për periudha të ndryshme të historisë së Shqipërisë, sidomos për atë të “Skënderbeut” për etnogjenezën e popullit shqiptar si dhe autor i shumë shkrimeve publicistike. Buda ka shkruar edhe hyrjen 18-faqesh të botimit të veprës së Marin Barletit, "Rrethimi i Shkodrës", e cila u përthye nga Henrik Lacaj dhe u botua në Tiranë në vitin 1962.
- Aleks Buda, “Shkrime Historike” vëll. I, AShSh, Instituti i Historisë, T. 1986
- Aleks Buda, “Shkrime Historike” vëll. II, AShSh,Instituti i Historisë, T. 1986
- Aleks Buda, “Shkrime Historike” vëll. III, AShSh, Instituti i Historisë, T. 2003, ISBN: 99927-1-651-7
- Aleks Buda, “Shkrime Historike” vëll. IV, AShSh, Instituti i Historisë, T. 2000, ISBN: 99927-1274
- Aleks Buda “Studime Historike”, ASHAK, botime të veçanta LXVI, libri 20, Prishtinë, 2006, ISBN9951-413-40-4
- Aleks Buda, “Studime për Skënderbeun”, Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, T. 2018, ISBN978-9928-141-89-7
Nderime
- Çmim i Republikës i shkallës së parë (1959)
- Mësues i Popullit (1977)
- Urdhër i Lirisë kl. I (1980)
- Das grosse goldenes Ehrenzeichen” Medalja e madhe e artë, Kryqi i Komandantit të klasës së parë, akorduar nga Presidenti i Austrisë (1990)
- Titulli “Qytetar nderi” (2002, pas vdekjes) nga Këshilli i qarkut të Elbasanit
- Urdhër “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nga Presidenca e Shqipërisë (2016, pas vdekjes)
- Emrin e tij e mbajnë disa shkolla dhe rrugë; busti i tij është vendosur përpara ndërtesës së Akademisë të Shkencave
Referime
- ↑ Bezha, Anastas (2021). "The Trajectory of the Albanian Historiography: Between the Austrian Albanologie (Volkskunde) and the Communist Albanologie (National-Stalinism/Etnographiya)". Mediterrán tanulmányok (në anglisht). 31: 133.
- ↑ Elbasani – Enciklopedi. Elbasan: Botimet Sejko. 2003. fq. 81.
- ↑ Xhufi, Pëllumb (7 korrik 2003). "Duke kujtuar Aleks Budën". Gazeta Panorama.
- ↑ "E kujtojmë Aleks Budën/ Historiani i shquar dhe kryeakademiku i parë i ASHSH". ObserverKult. 7 korrik 2025.
- ↑ Haxhimihali, Tatjana (2014). Aleks Buda- Kujtime 2. Tirane: AShSh. fq. 10.
- ↑ "Ekspozitë "In memoriam" akademikut Aleks Buda". Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. 12 korrik 2023.
- ↑ Thëngjilli, Petrika (2012). Aleks Buda dhe brezat e rinj të historianëve. Tiranë: AShSh. fq. 182.
- ↑ Frashëri, Kristo. Mbi kriteret metodologjike studimore të Historisë së Shqipërisë, Aleks Buda –Një jetë për albanologjinë. Tiranë. fq. 13.
- ↑ 50 vjet Akademi e Shkencave e Shqipërisë. 1972–2022. fq. 112.
{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Formati i datës (lidhja) - ↑ Xhufi, Pëllumb. Aleks Buda dhe mjedisi kulturor dhe atdhetar i formimit të tij, Aleks Buda-Një jetë për albanologjinë. fq. 42.
- ↑ Biçoku, Kastrati, Kasem, Jup (1977). Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Bibliografi (1454 -1835).
{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Emra të shumëfishtë: lista e autorëve (lidhja) - ↑ Malltezi, Luan (ASA). Aleks Buda -Studime për Skënderbeun. Tiranë. fq. 30.
{{cite book}}: Shiko vlerat e datave në:|date=(Ndihmë!) - ↑ "Aleks Buda, Bibliografia personale për periudhën 1945-2018". Cobiss.
