Aleksandër Pogaçe

Aleksandër Pogaçe (1943–2016) [1] ishte aktor shqiptar. Lindi në Fier më 16 tetor. Ishte biri i aktorit të humorit të Estradës së Fierit, Nestor Pogaçe. Mbaroi Shkollën e Lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” në vitin 1964. Filloi punë si aktor [2] në Teatrin e Vlorës, më pas në teatrin e Fierit dhe të Gjirokastrës.

Gjatë veprimtarisë së tij [3] të gjatë skenike në këto teatro krijoi figura artistike të spikatura, duke kontribuar në ngritjen e nivelit të shfaqjeve. Ai u dallua për përkushtimin dhe si shembull i një pune këmbëngulëse, serioze dhe plot pasion.

Stili i tij i interpretimit prirej më fort drejt një loje emocionale, me shpërthime të befta, si edhe me theksime të rrafsheve ironike e cinike, të gjendjeve të dyfishta dhe të shpotisë, si në shfaqjet “Lavirja e denjë për respekt”, “Pas dyerve”, “Filomena Marturano” etj.

Mori pjesë me role të rëndësishme në 9 filma, ndër të cilët: doktori te “Mëngjese të reja” (1980), togeri Franc te “Dëshmorët e monumenteve” (1980), Peteri te “Kërcënimi” (1981), Shtajneri te “Thesari” (1981), Reshiti te “Një emër midis njerëzve” (1983), Faruçio te “Guri i besës” (1986) dhe Theofani te “Botë e padukshme” (1987). Ka interpretuar gjithashtu në mjaft regjistrime televizive.

U nda nga jeta më 16 mars 2016.


Burimet

  1. ↑ https://www.botasot.info/kultura/526606/ndahet-nga-jeta-aktori-aleksander-pogace/
  2. ↑ https://www.dailymotion.com/video/x84vw0q/
  3. ↑ https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/video-profile-star-of-the-stage-aleksander-pogace/