Anuela Ristani
Anuela Ristani është aktualisht Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës[1], pas arrestimit të kryetarit Erion Veliaj më 10 shkurt 2025. Ajo lindi në Tiranë më 13 tetor 1982.
Shkollimi dhe Karriera
Studimet e shkollës së mesme i nisi në gjimnazin e përgjithshëm "Ismail Qemali" në Tiranë dhe i përfundoi në Minesota të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ristani është diplomuar në Administrim Biznesi dhe Studime Evropiane nga Universiteti Amerikan në Bullgari dhe zotëron Master në Administrim Biznesi dhe Komunikim Strategjik nga Universiteti i Mizurit në Kolumbi, SHBA. Në vitin 2002, së bashku me studentë të tjerë shqiptarë që studionin jashtë vendit krijoi Rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë, një rrjet i cili orientonte të rinjtë shqiptarë që donin të kontribuonin për vendin e tyre pas kthimit nga studimet apo në distancë.
Përvoja e saj profesionale ka qenë e lidhur fillimisht me zhvillimin e biznesit për kompani ndërkombëtare të sapovendosura në Shqipëri dhe më pas e fokusuar në strategji komunikimi dhe marketing.
Në vitet 2008-2010 si eksperte në Bankën Botërore ka drejtuar projektin për reformimin dhe modernizimin e sektorit financiar në Shqipëri duke fituar përvojë në politikbërje dhe hartim legjislacioni.
Anuela Ristani iu bashkua administratës publike në vitin 2014 si Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Rinisë, ku punoi për ngritjen e RYCO (Regional Youth Cooperation Office) si dhe hapi qendrat e para rinore në qytetet kryesore të Shqipërisë.
Ajo u emërua në postin e Drejtores së Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, pozicion që mbajti përgjatë katër viteve të mandatit të parë të Kryetarit Veliaj.[2]
Referime
- ↑ "E fundit/Anuela Ristani komandohet në krye të Bashkisë së Tiranës". CNA. 11 shkurt 2025. Marrë më 13 gusht 2025.
- ↑ "Nënkryetarët - Bashkia Tirane". Marrë më 2025-08-13.
{{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri|language=(Ndihmë!)