Bysheku

Bysheku ndodhet në jug të qytetit të Elbasanit, në luginën e lumit Shkumbin, në fshatin Shushicë të komunës me të njëjtin emër, rreth 4 km larg nga qyteti i Elbasanit. Është një pikë turistike me burime të shumta ujore, ku veçohet një burim karstik, me prurje 70 litra në sekondë që del rrëzë një shkëmbi gjigant.[1] Me rrepet shekullore është një nga pikat historike e turistike më të bukura të Elbasanit dhe një nga vendet më të preferuara tradicionalisht nga elbasanasit për piknik. Vendasit e quajnë veten me fat që natyra u ka dhuruar një pasuri kaq të çmuar. Shushica është një nga fshatrat e përfshirë në projektin zhvillimor “100 fshatrat”.[2]

Fshati i Shushicës në të cilën gjendet Bysheku, përmban dhe atraksione të tjera me vlera turistike, si p.sh.: një degëzim i rrugës së vjetër “Egnatia”, që bën lidhjen me fshatin Fushë – Buall. Vende të tjera interesante për t'u vizituar janë: Pylli i Zabelit dhe Kisha e Shën Thanasit.

Në ditët e sotme në këtë zonë ka një zhvillim të madh të bujqësisë, vreshtarisë dhe blegtorisë.[3]

Historiku

Bysheku njihet në kronikat turke me emrin Buzurshek. Në regjistrin kadastral të viteve 1431 – 1432, të mbajtura nga Perandoria Osmane, në këtë fshat ishin regjistruar 280 shtëpi. Në shekullin e XV, në Byshek janë zhvilluar dy beteja të rëndësishme kundër pushtuesve osmanë. Një në dimrin e viteve 1432-1433, midis Gjergj Arianitit dhe ushtrisë osmane të komanduar nga Ali bej Evrenozi, që përfundoi me një fitore të shqiptarëve. Kjo fitore bëri bujë, pasi ishte fitorja e parë e një ushtrie ballkanase, pas humbjes së betejës së koalicionit në Fushë-Kosovë. Beteja e dytë u zhvillua në prillin e vitit 1467, midis ushtrisë së Skënderbeut dhe forcave ushtarake të udhëhequra nga Sulltan Mehmeti II, që ishin drejtuar për të rrethuar Krujën për të tretën herë. Beteja ishte e përgjakshme dhe të dyja palët patën humbje.[4]

Festa e Byshekut

Në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit bëhet festa e Byshekut. Festa zhvillohet me këngë e valle, ku marrin pjesë muzikantë dhe kërcimtarë nga zona e Elbasanit të cilët performojnë për banorët dhe vizitorët e Byshekut të cilët marrin pjesë. Ushqimet tradicionale janë gjithashtu pjesë e festimeve të kësaj dite, festë e cila vazhdon deri pasdite vonë.

Shiko edhe

Referime

  1. ↑ Belegu, Kreshnik; Çiftja, Hektor (2012). Elbasani turistik Guidë - Atouristik guide to Elbasan. Tiranë: Shtëpia botuese "Erik". fq. 106. ISBN 978-99956-36-49-4.
  2. ↑ "Byshek – Bashkia Elbasan". elbasani.gov.al. Marrë më 25 shtator 2023.
  3. ↑ "Byshek – Bashkia Elbasan". elbasani.gov.al. Marrë më 24 mars 2024.
  4. ↑ Bashkia e Qytetit (2003). Elbasani-Enciklopedi. Sejko. fq. 87.