Elbasani (1922)
Elbasani është gazetë e përjavshme politike, shoqërore dhe letrare.[1] U botua në Elbasan me drejtor intelektualin Ahmet Hostopalli. Numri i parë doli më 25 nëntor 1922. Qarkulluan 52 numra deri në 26 tetor 1925. Gazeta ka patur dy faqe. Numri i parë i saj ka dalë në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe në numrin e dytë të saj, të datës 28 nëntor 1922, të gjitha shkrimet i dedikohen shpalljes së pavarsisë. Në këtë gazetë kanë dhënë kontribut me shkrimet e tyre personalitete të kohës, si: Ndre Mjeda, Haki Stërmilli, Ahmet Gashi, Aleksandër Xhuvani, Nikollë Ivanaj, Dhimitër Berati, Shefqet Daiu etj.[2]

Programi
Në programin e saj ishte e përcaktuar qartë përkrahja e qytetërimit i cili, siç shkruhej në numrin e parë të saj, duhej të ishte i vërtetë, i natyrshëm e i dobishëm dhe duhej të mbështetej në traditat dhe shpirtin e kombit. Ndër idetë bazë për të ardhmen ishin drejtësia dhe kushtetutshmëria.
Përmbajtja
Artikujt e kësaj gazete pasqyronin gjëndjen politike, shoqërore dhe ekonomike të kohës. Në to trajtohej çështja e ruajtjes së pavarësisë dhe të bashkimit kombëtar.
Të tjera
Në fondin e bibliotekës publike "Qemal Baholli" Elbasan gjenden të gjithë numrat e kësaj gazete.