Erson Zymberi

ZYMBERI, Erson (1983 - )

Erson Zymberi, Paris 2019

Erson Zymberi është regjisor. U lind në Gjilan. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Studimet për Regji Teatri (2006) i kreu në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinë. Poashtu, kreu studimet postdiplomike në programin master të Teatrit Eksperimental (2014), nën udhëheqjen e prof. Bekim Lumit. Si student, me shfaqjen e tij “Tuneli” (Teatri Dodona, Prishtinë, 2005), në Festivalin “Skena UP”, shpërblehet si “regjisori më i mirë i festivalit”. Me shfaqjet e tij është prezentuar në shumë festivale dhe teatro vendore si dhe evropiane, duke u shpërblyer edhe me çmime për regjizurën e shfaqjeve të tij dhe jo vetëm. Ka bërë regjinë e shfaqjeve: “Kumbara” (Teatri i Gjilanit,  2007), “Sex, rrena dhe pata t’egra” (Teatri i Gjilanit, 2008), “Gjithçka 1.5” (Teatri ODA, 2008),  “Rekuiem” nga Mehmet Kraja (Teatri i Gjilanit, 2010), “Pacienti i Dr. Frojdit” (Teatri i Gjilanit 2012), “Koloneli Zog” (Teatri Profesionist i Gjakovës, 2014), “Ufo-t” nga Bashkim Hoxha(Teatri i Gjilanit, 2015), “Gishti” nga Doruntina Basha (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2015), “Ana dhe Zefi” (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2018), “UN Inspektori” (Teatri “Adriana” – Ferizaj, 2019), "Të vdekurit mbajnë zi për atdheun" nga Beqir Musliu (Teatri Kombëtar i Kosovës, 2021), “Bobi Vatson bie nga kati i nëntë por nuk vdes plotësisht” nga Jeton Neziraj (Teatri Dodona - Prishtinë, 2021), "Burrnesha” (Qendra Multimedia, 2022) "Antigonat” (Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë, 2023) “Fluturimi mbi teatrin shqiptar” (Teatri Shqiptar – Kumanovë, 2023) “Fluturimi mbi folenë e qyqes” (Teatri “Adriana” – Ferizaj, 2024), “Djali” (Anamour / Teatri i Gjilanit, 2024), “Jam unë Ajo” (Bon Production / Teatri i Gjilanit, 2024), etj.

Ka fituar Çmimin Kombëtar për Regjinë më të Mirë të Vitit me shfaqjen "Djali" (27 mars 2025, Çmimet Vjetore të Teatrit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit)[1]

Ka qenë regjisor i serialit të famshëm televiziv “O’ sa mirë” për disa sezona (2017, 2019 dhe 2020), regjisor i serialit televiziv për fëmijë “O’ sa mire KiDS” (2018), regjisor i serialit televiziv “Sha je be tu folën?” (2020).

Ka qenë po ashtu Drejtor Artistik i Teatrit të Gjilanit (2008) dhe më vonë Kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjilanit (2014). Ka qenë bashkëthemelues dhe udhëheqës i Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës (2018-2019). Është anëtar i komitetit të Eurodram dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK).

Që nga viti 2018, udhëheq Teatrin e Gjilanit si Drejtor i Përgjithshëm i këtij institucioni.

  1. "Erson Zymberi fiton çmimin kombëtar për 'Regjinë më të mirë' në fushën e teatrit për vitin 2024". www.kultplus.com. Marrë më 2025-03-27.