Ferit Hoxha
Ferit Hoxha | |
|---|---|
![]() Hoxha në vitin 2013 | |
| Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme | |
Titullar | |
| Në detyrë 6 mars 2026 | |
| Kryeministri | Edi Rama |
| Paraprirë nga | Elisa Spiropali |
| Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara | |
| Në detyrë 26 tetor 2021 – shkurt 2024 | |
| Presidenti | Ilir Meta Bajram Begaj |
| Paraprirë nga | Besiana Kadare |
| Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara | |
| Në detyrë 5 gusht 2009 – 1 tetor 2015 | |
| Presidenti | Bamir Topi Bujar Nishani |
| Paraprirë nga | Adrian Neritani |
| Pasuar nga | Besiana Kadare |
| Përfaqësues i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO | |
| Në detyrë mars 2018 – tetor 2021 | |
| Ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Evropian | |
| Në detyrë 2024–2026 | |
| Të dhëna vetjake | |
| U lind më | 22 shkurt 1967 (59 vjeç) Koplik, Shqipëria |
| Nënshtetësia | Shqiptar |
| Shkollimi | Universiteti i Tiranës |
| Punësimi | Diplomat |
Ferit Hoxha (lindur më 22 shkurt 1967 në Koplik) është diplomat shqiptar dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme që nga marsi i vitit 2026. Ai ka shërbyer dy herë si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në periudhat 2009–2015 dhe 2021–2024, si dhe si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO dhe Bashkimit Evropian.[1]
Biografia
Ferit Hoxha lindi më 22 shkurt 1967 në Koplik. Ai përfundoi studimet në Universiteti i Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega gjuhë dhe qytetërim francez.[2]
Më pas ndoqi formime të specializuara në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, përfshirë studime në Institutin Holandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Clingendael” në Hagë, në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Maryland, si dhe programe të tjera mbi menaxhimin dhe negociatat ndërkombëtare.[3]
Karriera diplomatike
Hoxha iu bashkua shërbimit diplomatik shqiptar në vitin 1991. Në vitet e para të karrierës u mor me marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vitin 1995 shërbeu si këshilltar në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ndërsa në periudhën 1996–1998 ishte drejtor për marrëdhëniet shumëpalëshe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.[4]
Në vitet 1998–2001 ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel, si dhe ambasador në Belgjikë dhe Luksemburg. Në periudhën 2001–2006 ishte ambasador i Shqipërisë në Francë, ndërsa mbuloi edhe akreditime të tjera diplomatike nga Parisi.[5]
Nga viti 2006 deri në vitin 2009, Hoxha shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Gjatë kësaj periudhe ai mbajti edhe funksione koordinuese në nisma ndërkombëtare, përfshirë Aleancën e Qytetërimeve dhe Procesin e Barcelonës – Bashkimi për Mesdheun.[6]
Përfaqësues në Kombet e Bashkuara
Në gusht 2009, Hoxha u emërua përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, detyrë që e mbajti deri në vitin 2015. Gjatë këtij mandati ai përfaqësoi Shqipërinë në institucionet kryesore të OKB-së dhe në proceset shumëpalëshe ndërkombëtare.[7]
Në vitin 2021 ai u rikthye në Nju Jork si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, duke pasuar Besiana Kadarenë. Gjatë këtij mandati, Hoxha drejtoi delegacionin shqiptar në periudhën kur Shqipëria ishte për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022–2023.[8]
Gjatë anëtarësisë së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, ai shërbeu dy herë si president i Këshillit të Sigurimit, në qershor 2022 dhe në shtator 2023.[9]
Ambasador në UNESCO dhe Bashkimin Evropian
Pas përfundimit të mandatit të parë në OKB, Hoxha shërbeu si drejtor i përgjithshëm për çështjet politike dhe strategjike në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Nga marsi 2018 deri në tetor 2021, ai ishte ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë UNESCO në Paris.[10]
Në vitin 2024, pas përfundimit të mandatit në OKB, ai u emërua ambasador i Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian në Bruksel. Ai e mbajti këtë detyrë deri në vitin 2026, kur u emërua ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.[11]
Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Më 6 mars 2026, Ferit Hoxha mori detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama, duke pasuar Elisa Spiropalin.[12]
Dekorime
Ferit Hoxha është vlerësuar me tituj dhe dekorime të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë titullin “Grand Officier de l’Ordre du Mérite” të Republikës Franceze dhe “Ufficiale dell’Ordine della Stella d’Italia” nga Republika Italiane.[13]
Shih edhe
Referime
- ↑ "Ferit Hoxha". Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (në anglisht). 4 mars 2026. Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "H.E. Ambassador Ferit Hoxha". Ambasada e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian (në anglisht). Marrë më 29 prill 2026.

- ↑ "H.E. Mr. Ferit Hoxha". United Nations Department of Economic and Social Affairs (në anglisht). Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "Ferit Hoxha - Ambassador of Albania to the United Nations". Utah Valley University (në anglisht). Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "New Permanent Representative of Albania Presents Credentials". United Nations (në anglisht). 26 tetor 2021. Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "Ferit Hoxha". Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (në anglisht). 4 mars 2026. Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "Ferit Hoxha". Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (në anglisht). 4 mars 2026. Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "H.E. Ambassador Ferit Hoxha". Ambasada e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian (në anglisht). Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "Ferit Hoxha". Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (në anglisht). 4 mars 2026. Marrë më 29 prill 2026.
- ↑ "H.E. Ambassador Ferit Hoxha". Ambasada e Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian (në anglisht). Marrë më 29 prill 2026.
_(cropped).jpg)