Fjetja e Hyjlindëses
Fjetja e Hyjlindëses Mari është një Festë e Madhe e Kishës Ortodokse Lindore, Ortodokse Orientale dhe e Kishave Katolike Lindore (me përjashtim të kishave Siriane Lindore). Në këtë ditë besimtarët festojnë "fjetjen" (vdekjen) e Marisë Hyjlindëse[1] dhe ngritjen e saj në qiell. Festa e Fjetjes së Hyjlindëses festohet më 15 gusht, datë e cila për kishat që përdorin kalendarin Julian korrespondon me 28 gushtin e kalendarit Gregorian. Kisha Apostolike Armene nuk e feston në një datë të caktuar, por të dielën më të afërt me 15 gushtin. Në Kishat Perëndimore, festa përkatëse njihet si Ngjitja në Qiell e Marisë, me përjashtim të Kishës Episkopale Skoceze, e cila tradicionalisht e ka quajtur Fjetja e Virgjëreshës së Bekuar Mari.
Shkrimet kanonike kristiane nuk e regjistrojnë vdekjen apo Fjetjen e Marisë. Hipoliti i Tebës, një autor i shekullit të 7-të ose të 8-të, shkruan në kronologjinë e tij (të ruajtur pjesërisht) të Dhjatës së Re se Maria jetoi 11 vjet pas vdekjes së Jezusit, duke vdekur në vitin 41 pas Krishtit.[2]
Përdorimi i termit “fjetje” shpreh besimin se Virgjëresha vdiq pa vuajtje, në një gjendje paqeje shpirtërore. Ky besim nuk mbështetet në asnjë bazë biblike, por pohohet nga tradita e shenjtë ortodokse. Disa shkrime apokrife dëshmojnë për këtë mendim, megjithëse as Kisha Ortodokse dhe as të krishterët e tjerë nuk u japin atyre autoritet biblik. Kuptimi ortodoks i festës pajtohet me mësimet romano-katolike, dhe ishte besimi mbizotërues brenda Kishës Perëndimore deri në fund të Mesjetës, kur besimi paksa i ndryshëm në Ngjitjen trupore të Marisë në qiell filloi të fitonte terren. Papa Piu XII e shpalli këtë të fundit dogmë të Kishës Katolike në vitin 1950.[3]
Referime
- ↑ Hyjlindëse apo Perëndilindëse (greqisht: Θεοτόκος- Theotokos) është një titull i Marisë, i cili përdoret shpesh në krishterimin lindor, që do të thotë "Ajo që lindi Perëndinë".
- ↑ Rainer Riesner (1998). Paul's early period: chronology, mission strategy, theology. Wm. B. Eerdmans. fq. 120. ISBN 9780802841667. Marrë më 2011-08-20.
{{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri|language=(Ndihmë!). - ↑ "Apostolic Constitution of Pope Pius XII Munificentissimus Deus Defining the Dogma of the Assumption" (në anglisht). 1950-11-01. Arkivuar nga origjinali më 2019-11-29.