Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK)

Logoja e FLOSS Kosova

Free Libre Open Source Software Kosova (FLOSSK) është një organizatë jofitimprurëse në Kosovë që promovon dhe mbështet përdorimin e softuerit të lirë dhe me burim të hapur (Free/Libre and Open Source Software – FLOSS).

Themelimi

Nisma për krijimin e FLOSSK-ut filloi në vitin 2009 me iniciativën e James Michael DuPont, i cili kontaktoi disa persona në Kosovë për organizimin e një konference mbi softuerin e lirë dhe me burim të hapur. Në mars 2009, me qëllim organizimin më të strukturuar të aktiviteteve, u themelua zyrtarisht organizata.

Pas disa muajsh përgatitjesh, në gusht 2009 u organizua konferenca e parë për softuerin e lirë dhe me burim të hapur në Kosovë, e njohur si Kosova Software Freedom Conference (SFK 2009). Në këtë konferencë morën pjesë ligjërues ndërkombëtarë.

Projekte dhe angazhime

Organizata është përfshirë në iniciativa të ndryshme që lidhen me:

  • promovimin e sistemeve operative GNU/Linux;
  • lokalizimin e softuerëve në gjuhën shqipe (përfshirë menaxhimin e lokalizimit të OpenOffice.org në shqip);
  • promovimin e projekteve si OpenStreetMap;
  • organizimin e ligjëratave, punëtorive dhe takimeve komunitare.

FLOSSK ka bashkëpunuar gjithashtu me organizata dhe institucione arsimore brenda dhe jashtë Kosovës për organizimin e konferencave dhe aktiviteteve rajonale, si Software Freedom in the Balkans Conference (FreeSB 2010).

FLOSSK është kapitull kombëtar i organizatave OpenStreeMap Foundation dhe OSGeo.

Aktivitetet dhe konferencat

Në vitin 2010, FLOSSK organizoi edicionin e dytë të konferencës, Software Freedom Kosova 2010 (SFK 2010), të mbajtur në shtator në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës. Ndër folësit e ftuar ishin Peter Salus, Rob Savoye, Leon Shiman, Mikel Maron etj.

Një nga aktivitetet e veçanta të organizuara nga FLOSSK ishte ligjërata e mbajtur më 4 qershor 2010 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga Richard Matthew Stallman, themelues i lëvizjes për softuer të lirë dhe i Free Software Foundation.

Përveç konferencave vjetore, FLOSSK ka organizuar aktivitete të ndryshme, përfshirë shënimin e Software Freedom Day në disa qytete të Kosovës, prezantime publike, takime komunitare dhe krijimin e grupeve lokale në qytete të ndryshme.

Më 2022 FLOSSK ishte nikoqir i DebConf, konferencës vjetore globale të komunitetit Debian ndërsa më 2023 të FOSS4G, konferencës vjetore të komunitetit të OSGeo-s.

Komuniteti

FLOSSK funksionon si komunitet i hapur i vullnetarëve dhe organizon takime periodike. Organizata mban gjithashtu kanale komunikimi në internet, përfshirë forume diskutimi dhe rrjete sociale, për koordinimin e aktiviteteve dhe përfshirjen e anëtarëve të rinj.

Lidhje të jashtme

- FLOSSK - faqja zyrtare