Gazeta 55

Gazeta "55" është gazetë e përditshme e pavarur që botohet në Shqipëri.
Gazeta “55” është një gazetë e përditshme e cila botohet në Tiranë që prej tetorit të vitit 1997. Numri i saj i parë është botuar më 18.10.1997 dhe aktualisht është në vitin e shtatëmbëdhjetë të botimit. Gazeta “55”, është pronë e botuesit të njohur, Fahri Balliu. Kryeredaktor i gazetës është Ilir Nikolla. Gazetarët që merren kryesisht me lajmet e politikës dhe aktualitetit janë Leonard Quku dhe Lavdrim Lita, ato të ekonomisë dhe sociales, Mina Hysa, Dossier-i Kastriot Dervishi, Kultura mbulohet nga Flori Slatina dhe Eriona Gorica dhe sektorët e rajon/botës nga Agim Popoci dhe Redi Agolli. Peshën kryesore të gazetës e përmbajne editorialet, politika dhe aktualiteti. Redaksia gjëndet në rrugën “Medar Shtylla”, pranë Komunës së Parisit, (Tiranë).
Ideologjikisht, është një organ i afërt me Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe si rrjedhojë njihet për “kritikat” dhe këndvështrimet shpesh-herë radikale ndaj partive të tjera politike, kryesisht të majta.
Sipas burimeve të vetë gazetës “55”, printon rreth 4.500 kopje në ditë të cilat shpërndahen në mbarë vëndin. Arsyeja pse themeluesit e kanë emërtuar pikërisht me një numër, 55, është për shkak të nenit 55 të Kushtetutës së ish Republikës Popullore të Shqipërisë, e cila përshkruante krimet rreth agjitacion-propagandës. Neni 55: “Ndalohet krijimi i çfarëdo organizate me karakter fashist, antidemokratik, fetar dhe antisocialist. Ndalohet verpimtaria dhe propaganda fashiste, antidemokratike, luftënxitëse, si edhe nxitja e urrejtjes kombëtare e racore”. Profili i gazetës është anti komunist, ku shpesh kritikohen edhe figura ish-komunistësh të cilët kanë qënë pjesë e aparatit të mëparshëm shtetëror në Shqipërinë e para viteve 90’.
Gazeta “55” reflekton një frymë të djathtë në editorialët dhe në dhënien e lajmeve, shpesh duke u kritikuar, nga misionet vëzhguese në vendin tonë për mos mbajtjen e paanshmërisë në përcjelljen e informacionit.
Gazeta është e ndarë në katër seksione:
- Të rejat: përfshihen lajmet ndërkombëtare, kombëtare, politike, të biznesit, të teknologjisë, shkencore, të shëndetësisë, të sportit dhe sociale.
- Opinione: përfshihen editorialet, oped, komente ndaj editorialeve e të ngjashme.
- Pjesë të posaçme: përfshihen artet, filmat, teatrot, (kryesisht për epokën komunsite)
- Dosier: përfshihen dokumente dhe të dhëna historike të panjohura më parë për lexuesin shqiptar, (kryesisht për epokën komuniste dhe Mbretërinë Zogiste)