Hysen Biza
Hysen Biza lindi në qytetin e Elbasanit, më 1 nëntor të vitit 1920 dhe u nda nga jeta në 6 gusht të vitit 1993, në moshën 73-vjeçare. Shkollën fillore e kreu në shkollën e Tebojës, kurse shkollën e mesme e ndoqi në Normalen e Elbasanit. Karrierën e tij të gjatë artistike e filloi pikërisht në shkollën Normale, në vitin 1936, me dramën “Romaducët“, ku spikati për talentin e tij. Që nga ai moment mori jetë veprimtaria artistike e aktorit mirënjohur elbasanas, Hysen Biza. Ai u aktivizua edhe gjatë shërbimit ushtarak, me teatrin e Amsamblit të Ushtrisë ku luajti krahas aktorëve të shquar të skenës shqiptare si: Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka e të tjerë. Këtu hodhi dhe bazat e aktrimit duke punuar me regjisorë të njohur si Pandi Stillo e Sokrat Miho. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak më 1947 e deri në vitin 1955 punoi në grupin amator të Shtëpisë së Kulturës, ku krahas lojës së tij si aktor, ai vuri në skenë dhe shumë pjesë si regjisor. Më 22 shtator 1955, me krijimin e Estradës profesioniste në Elbasan, Hyseni u bë menjëherë pjesë e saj, duke mos u shkëputur për 21 vjet rrjesht, duke luajtur në 8 pjesë si: skeçe, parodi, kuplete, pantomima etj, transmeton ‘aktoretshqiptare.info’.
Del në pension në vitin 1976, por nuk hoqi dorë nga karriera e tij, të cilën e vazhdoi edhe për 15 vite të tjera, në teatër dhe estradë. Për vlerat artistike që paraqiste tek publiku gjatë gjithë karrierës së tij si aktor, më 27 nëntor 1992 iu dha titulli “Artist Merituar”. Ndër rolet e tij më të spikatura përmendim: Jonuzin tek drama “ Vëllezërit”, në rolin e tregtarit Hasanit tek drama “Shpagimi “, Xhetin magazinierin te “Vera e vitit 1978“, pijanecin simpatik te komedia “Turneu“, Mahmutin te sken’ e Ministrave, një nga skenat më të realizuara te komedia “Sa shumë gjethe të thata“etj. Ai mori pjesë edhe në kinematografi tek filmi “Ndërgjegja“ , “Një natë Nëntori” etj. Do të mbahet mend gjithmonë për shprehjen proverbiale “Hof t’shof “.[1]
Biografia
Hysen Biza u shfaq në skenë për herë të parë me dramën “Ramaducët” të Shkollës Normale dhe e mbylli jetën e tij në skenë me shfaqjen e suksesshme “Shumë gjethe të thata atë vjeshtë” të Astrit Çermës. Dhe pse kishte debutimin e parë në teatër, arriti të dalë me sukses në sajë të pasionit dhe ajo më kryesorja talentit të tij që spikati me forcë qysh në fillim. Djali i tij, Fetahu, sot është angazhuar në ndërtimin e historisë së teatrit “Skampa”, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe babai i tij. Ai ka realizuar mbi 40 role në teatër e sa e sa role në estradë duke kaluar një jetë në skenë. Shpesh u nënvlerësua dhe iu dhanë edhe role dytësore për shkak të “biografisë së keqe”, por interpretimi i tij binte në sy dhe të gjithë do ta mbajnë mend “Dajë Cenin”në role shumë të dashura, që edhe pse ishte i ri, mori titullin e respektit nga të gjithë, qysh në teatrin amator të qytetit e deri në ndërrimin e sistemeve.
Hysen Biza do të angazhohej qysh në fillim kur ishte student i Normales. Jeta artistike e kësaj shkolle nuk u ndal as në kohën e luftës. Më pas ai vazhdoi gjatë gjithë rrugëtimit të tij duke u bërë pjesë e grupeve artistike ku do të vazhdonte detyrimin ushtarak. Në vitin 1945 Hyseni fillon shërbimin ushtarak në Fier. Edhe pse kishte kaluar afër nëntë vjet nga debutimi i tij i parë në skenë, pasioni për këtë art nuk u shua, përkundrazi, ai filloi më me dëshirë e pasion aktivitetin e tij, duke ngritur grupin amator të brigadës. Shkruan skeçe, komedi me një akt si “Ja po vijnë partizanët” me temë nga lufta. Luan pjesë me një akt si “Cani Hoxhë”, “Mulla Beqiri”, “Fytyra e Ballistit”, si dhe komedinë me dy akte “ Lulo Pupreka” që e vuri vetë në skenë. Kjo e fundit pati shumë sukses si në brigadë, ashtu edhe në qytetin e Fierit, ku u shfaq disa netë radhazi për spektatorët e rregullt. Në të gjitha pjesët që vuri në skenë, ai luante edhe vetë. Edhe në division nuk qëndroi gjatë. Atë e bënë pjesëtar të ansamblit artistik të ushtrisë, të përbërë nga një bërthamë e mirë aktorësh, një pjesë e të cilëve sot janë aktorë të nderuar, si: Violeta Manushi, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Aleko Skali, Jovan Trako, etj.[2]
Estrada
Më 22 shtator 1955, me vendim të Këshillit të Ministrave të atëhershëm, ngrihet në Elbasan estrada profesioniste. Hyseni bëhet anëtar i trupës së estradës. Në premierst e para të estradës u trajtuan problemr të veçanta të qytetit dhe të fshatit. Me kalimin e kohës Estrada me përvojën e fituar fitoi zhdërvjellësi në hapjen e problemeve. Në shfaqjen e premierave “Rendi i ditës” , “Gjurmët e Kohës” dhe “ Korrespondentët na shkruajnë”, trupa bëri një hap tjetër përpara përsa i përket prekjes së problemeve të kohës. Në skeçin “Koha s’lidhet me litar” Hyseni dha me mjeshtëri të rrallë xhandarin tipik të regjimit të kaluar dhe shumë të veçantë nga figurat e xhandarëve që kemi parë deri më sot. Hysen Biza ka pasur një vesh të mprehtë muzike duke plotësuar kështu edhe një kërkesë tjetër të aktorit të estradës, për interpretimin e kupleteve që është shquar veçarësisht tek ai “Vrava lala gishtin – obobo, shko tek doktori merr tre ditshin – obobo”. Ka shërbyer edhe si regjisor i estradës profesioniste për gati dy vjet dhe ka vënë me sukses disa numra të estradës.
Operetat
Hyseni ka marrë pjesë edhe në operetën “Trembita” që u vu në skenë në vitin 1954 dhe tek “Vajza e Portokallave” vu në skenë në vitin 1962, ku ka krijuar figura interesante, ku vlen të përmendet ajo e Kryematrapazit në “Vajza me Portokalla”. Pas një pune me pasion, Hyseni nxori në skenë një matrapaz sa interesant, aq edhe të urryer, sa që publiku mezi priste ta shikonte fundin e kësaj fytyre, e këtij “vampiri” siç e kishte përcaktuar edhe vetë Hyseni këtë rol. Aq i realizuar ishte ky rol, saqë Hyseni kur dilte nga shfaqja, spektatorët nuk e thërrisnin më me emrin e personazhit që interpretonte (Rrapush), por “Dyrri”, një matrapaz që e njihte tërë qyteti…
Teatri
Pasi punoi për rreth njëzet vjet në estradën profesioniste, Hyseni në vitin 1973 bëhet pjesë e teatrit profesionist të qytetit për të na dhënë figura akoma më të bukura në këtë gjini. Edhe këto nuk janë pak, por afërsisht dhjetë e mbi të gjitha vlejnë të përmenden:
- Plaku tek “Familja e madhe” e Sheri Mitës
- Suloja tek “Hakmarrja e madhe” e Astrit Çermës, prefekti tek
- “Prefekti” i Besim Lëvonjës,
- Jonuzi (plaku Lab) tek “Vëllezërit” të Miliano Stefës,
- tregtarin Hasani tek “Shpagimi” i Ilir Bezhanit,
- magazinieri Xheti tek “Vera e vitit ‘78” e Bahri Myftarit,
- postieri tek “Në prag të jetës” e Fahri Balliut.