Iptida

Iptidaje ishin shkolla fillestare të një niveli më të ulët arsimor të cilat funksionuan gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Termi osman iptidai rrjedh nga fjala arabe ibtidā’, që do të thotë "fillim" ose "nisje", dhe përdorej për të treguar shkollat fillestare (iptidai mektebi), ku fëmijët mësonin bazat e leximit, shkrimit, aritmetikës dhe njohuritë fetare islame. Këto shkolla ishin të përhapura kryesisht në mjedise rurale dhe funksiononin si institucione bazë për arsimin elementar, shpesh duke u zhvilluar në ambientet afër ose pranë xhamive ose në godina të thjeshta të ngritura nga komuniteti.[1]

Vështrim

Mësimi në shkollat iptidai kryhej kryesisht në mënyrë tradicionale, ku mësuesi (zakonisht hoxha / mualimi) diktonte dhe nxënësit përsëritnin mësimin me zë të lartë. Nuk kishte një program të rregulluar dhe cilësia e arsimit ndryshonte në varësi të mësuesit dhe vendndodhjes së shkollës. Këto institucione shërbenin si përgatitje për ata që dëshironin të vazhdonin mësimet në një shkollë të tipit ruzhdia (shkollë e mesme e hershme) ose në një medrese për studime fetare më të avancuara.

Me shpalljen e Republikës së Turqisë në vitin 1923 dhe reformat arsimore që pasuan, u ndërmorën masa për modernizimin dhe laicizimin e sistemit arsimor. Në kuadër të këtyre reformave, shkollat iptidai u mbyllën plotësisht dhe u zëvendësuan nga një sistem i standardizuar arsimor publik, i frymëzuar nga modelet evropiane, ku arsimi fillor u bë i detyrueshëm dhe i njëjtë për të gjithë nxënësit, pavarësisht prejardhjes ose vendbanimit të tyre.

Për shkak se ato ishin të përhapura edhe në hapësirën shqipfolëse në Ballkan, ekzistenca e tyre është pasqyruar edhe në kulturën tradicionale muzikore shqiptare, si p.sh. "Iptida du me fillu",[2] "Iptida për të parën herë",[3][4] ose "Iptida moj lulja e arit (allit)".[5]

Shih edhe

Referime

  1. ↑ Nurja, Ermal (2022-12-27). "Tabela arsimore të shkollave publike (fillore dhe të mesme) në Shqipëri (1890-1910) – Dokumente mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët". Marrë më 2025-04-02.
  2. ↑ News Pulse (2015-08-08), Naile Hoxha - Iptida du me fillu, marrë më 2025-04-02
  3. ↑ "Tekste këngësh shqipe të muzikës popullore dhe argëtuese/17 - Wikibooks". sq.wikibooks.org. Marrë më 2025-04-02.
  4. ↑ "Teksti i këngës Iptida Për T'parën Herë nga Këngë Shkodrane". teksteshqip.com. Marrë më 2025-04-02.
  5. ↑ Iptida moj lulja allit (feat. Antonio Zefi & Rudina Ciko) (në anglisht), marrë më 2025-04-02