José Antonio Kast
.jpg)
Hoze Antonio Kast Rist (Santiago, 18 janar 1966) është një avokat dhe politikan kilian i djathtë, themelues dhe udhëheqës i Partisë Republikane.[1]
Ai rrjedh nga një familje me origjinë nga emigrantët gjermanë.[2] Kast e filloi karrierën politike në Bashkimin Demokratik të Pavarur (UDI), ku ishte këshilltar në Buin nga viti 1996 deri në 2000, si dhe deputet i distriktit në Rajonin Metropolitan nga viti 2002 deri në 2018. Në vitin 2016 ai u largua nga UDI-ja dhe në vitin 2019 themeloi Partinë Republikane.[3]
Ai kandidoi për president tre herë: në vitin 2017 (vend i katërt), në vitin 2021 (kaloi në raundin e dytë, por humbi ndaj Gabriel Boric) dhe në vitin 2025, ku fitoi në raundin e dytë më 14 dhjetor me mbi 58 % të votave kundër Jeannette Jara, duke u bërë kështu presidenti i zgjedhur.Fitorja e tij, më e gjera që nga rikthimi i demokracisë, u bazua në premtime për luftë të ashpër kundër kriminalitetit, kontroll të rreptë të migracionit dhe rimëkëmbje ekonomike.[4]
Ideologjikisht konservator, ai mbron vlerat tradicionale, kundërshton abortin dhe martesat e të njëjtës gjini, ka shprehur admirim për disa aspekte të regjimit të Pinochet dhe përshkruhet si ultradjathtas ose ekstremist i djathtë. Është i martuar me Pía Adriasola që nga viti 1991 dhe ka nëntë fëmijë. Ai do të marrë detyrën presidenciale më 11 mars 2026.[5]
Burim i të dhënave
- ↑ Chile, BCN Biblioteca del Congreso Nacional de (2020). "José Antonio Kast Rist. Reseñas biográficas parlamentarias". bcn.cl (në spanjisht). Marrë më 2025-12-20.
- ↑ "El origen del clan de los Kast en Chile". Interferencia (në spanjisht). 2019-06-15. Marrë më 2025-12-20.
- ↑ Sallaberry, Juan Pablo (2025-12-15). "Cómo en 10 años Kast llegó a La Moneda y convirtió a Republicanos en principal fuerza política". Ex-Ante (në spanjisht). Marrë më 2025-12-20.
- ↑ Chavarría, Paula Escobar (2025-12-15). "La amarga derrota de Jara". La Tercera (në spanjisht). Marrë më 2025-12-20.
- ↑ Alonso, Juan Francisco (2025-12-18). "Qué es Schoenstatt, el movimiento ultracatólico al que pertenece el presidente electo de Chile, José Antonio Kast, y cuál es su presencia en América Latina". BBC News Mundo (në spanjisht). Marrë më 2025-12-20.