Kodeksi i Justinianit

Kodeksi i Justinianit (Codex Justinianus)

Kodeksi i Justinianit (latinisht: Codex Justinianus)[1]  është një pjesë e Corpus Juris Civilis, kodifikimi i ligjit romak i urdhëruar në fillim të shekullit të VI të erës sonë nga Justiniani I, i cili ishte një perandor romak lindor (bizantin)Kostandinopojë. Dy njësi të tjera, Digest dhe Institutes, u krijuan gjatë mbretërimit të tij. pjesa e katërt, Novellae Constitutiones (Kushtetutat e Reja, ose Novelat), u përpilua jozyrtarisht pas vdekjes së tij, por tani mendohet gjithashtu si pjesë e Corpus Juris Civilis.[2] Në këtë kodeks gjejmë të dhëna edhe për Ilirinë dhe ilirët.


Krijimi

Justiniani I i paraqitur në një mozaik në kishën e San Vitales në Ravena, Itali

Menjëherë pasi Justiniani u bë perandor në vitin 527, ai vendosi që sistemi ligjor i perandorisë kishte nevojë për rregullime. Deri atëherë kishin ekzistuar tre kode të ligjeve perandorake dhe ligjeve të tjera individuale, shumë prej të cilëve binin ndesh me njëri-tjetrin ose ishin të vjetruar. Codex Gregorianus dhe Codex Hermogenianus ishin përmbledhje jozyrtare. (Termi "Codex" i referohet aspektit fizik të veprave, duke qenë në formë libri, dhe jo në rrotulla papirusi. Kalimi në kodeks ndodhi rreth vitit 300 pas Krishtit.)[3]


Codex Theodosianus ishte një përmbledhje zyrtare e Teodosit të II.[3] Në shkurt të vitit 528, Justiniani shpalli Constitutio Hac quae necessario, me anë të së cilës u krijua një komision prej dhjetë anëtarësh, për të shqyrtuar këto përmbledhje të mëparshme si dhe ligjet individuale, për të eliminuar çdo gjë të panevojshme ose të vjetëruar, për të bërë ndryshime sipas nevojës dhe për të krijuar një përmbledhje të vetme të ligjeve perandorake në fuqi.[4] Komisioni drejtohej nga prefekti pretorian, Joan Kapadokiani[5] dhe përfshinte gjithashtu Tribonianin, i cili më vonë do të drejtonte projektet e tjera të Corpus Juris Civilis.[6]

Komisioni e përfundoi punën e tij në 14 muaj dhe përpilimi u shpall në prill 529 nga Constitutio Summa.[7] Megjithatë, kjo përmbledhje nuk i eliminoi të gjitha konfliktet që kishin lindur gjatë viteve në jurisprudencën romake dhe kushtetutat në Kod do të përdoreshin krahas mendimeve kontradiktore të juristëve të lashtë. “Për zgjidhjen e të gjitha rasteve do të mjaftojë citimi i kushtetutave të përmendura të Kodit Tonë, me mendimet e interpretuesve të lashtë të ligjit”.[8]

Justiniani u përpoq t'i harmonizonte këto mendime kontradiktore, duke nxjerrë "Pesëdhjetë vendimet" e tij dhe duke miratuar ligje të reja shtesë. Kjo do të thoshte se Kodi i tij nuk pasqyronte më ligjin e fundit perandorak. Kështu, Justiniani urdhëroi një përmbledhje të re për të zëvendësuar të parin, Kodeks që u botua në vitin 534.[9] Nuk ka ekzistuar asnjë kopje e botimit të parë të Kodit; ka mbetur vetëm një fragment i një indeksi të përmbajtjes në një papirus egjiptian.[10] I njohur si Codex Repetitae Praelectionis, ky botim i dytë i Kodit u botua më 16 nëntor 534 dhe hyri në fuqi më 30 dhjetor.[11]

Kodiku përbëhet nga dymbëdhjetë libra: libri 1 ka të bëjë me ligjin kishtar, burimet e ligjit dhe detyrat e zyrave më të larta; librat 2–8 mbulojnë të drejtën private; libri 9 trajton krimet; dhe librat 10–12 përmbajnë të drejtën administrative. Struktura e Kodit bazohet në klasifikimet e lashta të përcaktuara në edictum perpetuum (edikti i përhershëm), ashtu si ai i Digest.


Rizbulimi

Në Perëndim, Kodiku i Justinianit ishte kryesisht i humbur, ose në shumë vende nuk qe kurrë i pranishëm, për shkak të shtrirjes së kufizuar perëndimore të territoreve bizantine. Versioni latin i njohur sot u restaurua me kujdes gjatë shumë shekujve. I vetmi dorëshkrim i njohur që dikur përmbante të gjithë Kodikun latin është një palimpsest veronez i shekullit të VI ose të VII; tani janë vetëm fragmente.[12][13]


Brenda shtëpisë së tij, në Perandorinë Bizantine, kodi u përkthye në greqisht, e cila do të bëhej gjuha qeverisëse, dhe u përshtat në shekullin IX si Bazilika. Duket se Kodi Latin u shkurtua në Mesjetë, në një "Kodeks Përmbledhës", me mbishkrime që u hoqën dhe u bënë shumë ndryshime të tjera.[14]

Dikur rreth shekullit të VIII ose të IX, tre librat e fundit të Kodit u ndanë nga të tjerët dhe shumë ligje të tjera në nëntë librat e parë, përfshirë të gjithë ata të shkruar në greqisht, u hoqën.[15] Versione thelbësisht të plota të Kodikut të Justinianit u rivendosën rreth fundit të shekullit XII-të dhe humanistët e shekullit XVI, shtuan ligjet e shpallura fillimisht në greqisht.[16] Paul Krüger, një jurist gjerman, krijoi versionin modern, standard të Kodikut në vitin 1877.[17]

Përkthime në anglisht

Deri në shekullin e XX, Kodiku nuk pati përkthime në anglisht. Në vitin 1932, do të botohej pas vdekjes, përkthimi në anglisht nga Samuel Parsons Scott, i të gjithë Corpus Juris Civilis (CJC).[18] Fatkeqësisht, Samuel P. Scott përdori botimin e CJC të vëllezërve Kriegel dhe jo atë të Theodor Mommsen, Paul Krüger, Rudolf Schöll dhe Wilhelm Kroll, i cili pranohet si më i besueshmi dhe përkthimi i tij u kritikua ashpër.[19][20][21] Duke rishikuar veprën e Scott-it, studiuesi i së drejtës romake, W. W. Buckland, shkroi se Scott "...kishte në dispozicion një latinitet adekuat dhe ka prodhuar një version të shkruar në një anglishte, që mund të lexohet me kënaqësi. Por duhej shumë më tepër se kaq, prandaj vepra nuk mund të thuhet se i plotëson këto kërkesa të mëtejshme."[22] 

Përafërsisht në të njëjtën kohë që Samuel P. Scott ishte aktiv, gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Uajomingut, Fred H. Blume, po përkthente Kodin dhe Novelat, duke përdorur versionin standard të Mommsen, Krüger, Schöll dhe Kroll.[23] Ndërsa kjo nuk u shtyp gjatë jetës së tij, në vitin 2005 përkthimi i tij i Kodit dhe i Novelave u botua në faqen e internetit të Kodit të Justinianit të Shënuar.[24] Një përkthim i ri në anglisht i Kodeksit, bazuar te Blumi, u botua në tetor të vitit 2016.[25]

Shiko edhe

Referime

  1. Patrick, David; Geddie, William (1923). Chambers's Encyclopaedia: A Dictionary of Universal Knowledge (në anglisht). Vëll. 3. W. & R. Chambers, ltd. fq. 324.
  2. Shiko përgjithësisht, Honoré, 2003
  3. 1 2 Jolowicz, 1972, fq. 463
  4. Jolowicz, 1972, fq. 479.
  5. Caroline Humfress (2005). "Law and Legal Practice in the Age of Justinian". përmbledhur nga Michael Maas (red.). The Age of Justinian (në anglisht). fq. 161–163.
  6. Honoré, 2003, supra note 1
  7. Honoré, 2003, supra note 1 at 803
  8. Humfress, supra note 5 at 165, që citon Constitutio Summa.
  9. Honoré, supra note 1 at 804.
  10. Wolfgang Kunkel, An Introduction to Roman Legal and Constitutional History (J. M. Kelly përkth. bot. i 2-të. 1973) fq. 166.
  11. Jolowicz, 1972, supra note 2, fq. 494.
  12. Jolowicz, 1972, supra note 2, në fq. 495
  13. Stephen L. Sass (1963). "Research in Roman Law; a Guide to the Sources and Their English Translations". Law Library Journal (në anglisht). 56: 210–225.
  14. Charles M. Radding; Antonio Ciaralli (2007). The Corpus Iuris Civilis in the Middle Ages: Manuscripts and Transmissions from the Sixth Century to the Juristic Revival (në anglisht). fq. 133–168. Jep një përshkrim të hollësishëm të përcjelljes së kodit në këtë periudhë.
  15. A. Arthur Schiller, Roman law, Mechanisms of Development (1978), fq. 37.
  16. Jolowicz, 1972, supra note 2, në fq. 496.
  17. Krueger, Paul (1877). Codex iustinianus (në latinisht). Apud Weidmannos.
  18. The Civil Law duke përfshirë Dymbëdhjetë Tabelat, Institutes të Gaius, Rregullat e Ulpianit, Aktet e Justinianit, dhe Constitutiones të Leonit..., 17 vëllime. (1932).
  19. Timothy G. Kearley (2008). Justice Fred Blume and the Translation of Justinian's Code (PDF) (në anglisht). University of Wyoming.
  20. J. D. Miller; Timothy Kearley (2013). A selective English translation of Kroll's Preface to Novels (PDF) (në anglisht). University of Wyoming.
  21. Theodor Mommsen; Paul Krüger; Rudolf Schöll; Wilhelm Kroll (red.). Corpus Iuris Civilis: Justinian’s Body of Civil Law (në anglisht dhe latinisht). Y. Lassard & A. Koptev. Arkivuar nga origjinali më 6 prill 2013.
  22. W. W. Buckland (1932–1933). "Book Review". Tulane Law Review (në anglisht). 7: 627–629.
  23. Shiko Timothy Kearley, 2008, supra note në fq. 18.
  24. "Blume and Justinian". Uwyo.edu (në anglisht). Marrë më 26 tetor 2016., për diskutime të mëtejshme të veprës së Scott, Blume dhe Clyde Pharr mbi përkthimin e ligjit romak shiko Timothy G. Kearley. "From Rome to the Restatement: S.P. Scott, Fred Blume, Clyde Pharr, and Roman Law in Early Twentieth-Century". Law Library Journal (në anglisht). 108 (1): 55–76., gjithashtu Timothy G. Kearley (2022). Roman Law, Classical Education, and Limits on Classical Participation in America into the Twentieth-Century (në anglisht). Fort Kollins, KO: Veterrimus Publishing.
  25. Lua error te Moduli:Citation/CS1 te rreshti 1763: attempt to index field '?' (a nil value).

Bibliografia

Lidhje të jashtme