Lakmia

Piktura e 1909-tës Adhurimi i Mamonit, përfaqësimi i Dhiatës së Re dhe personifikimi i lakmisë materiale, nga Evelyn De Morgan.

Lakmia[1] (latinisht: avaritia) është një dëshirë e pakontrolluar për rritjen e përftimit ose përdorimit të përfitimit material (qoftë ushqim, para, tokë ose pasuri të gjalla/të pajetë); ose vlera shoqërore, si statusi ose fuqia. Lakmia është identifikuar si e padëshirueshme gjatë gjithë historisë së njohur njerëzore, sepse krijon sjellje-konflikt midis qëllimeve personale dhe shoqërore.

Natyra e lakmisë

Motivimi fillestar për lakminë (ose qëllimi i saj) dhe për veprimet që lidhen me të mund të jetë nxitja e mbijetesës personale ose familjare. Në të njëjtën kohë, ajo mund të shoqërohet me synimin për t’u mohuar ose penguar konkurrentëve mjetet e mundshme për mbijetesë dhe mirëqenie bazë, apo mundësitë e ardhshme; prandaj lakmia mund të jetë tinëzare ose tiranike dhe të ketë një ngarkesë negative. Nga ana tjetër, qëllimi mund të jetë mbrojtja ose një reagim kundërveprues ndaj pengesave të tilla që kërcënojnë të vendosen nga të tjerët.

Mendimi ekonomik modern shpesh e dallon lakminë nga interesi vetjak, madje që në veprat e tij më të hershme, dhe i kushton përpjekje të konsiderueshme përcaktimit të kufirit midis këtyre dy nocioneve. Nga mesi i shekullit XIX, i ndikuar nga idetë fenomenologjike të Hegelit, mendimtarët ekonomikë dhe politikë filluan ta përkufizonin lakminë, të mishëruar në strukturën e shoqërisë, si një dukuri negative dhe pengesë për zhvillimin e shoqërive. Keynes shkroi: “Bota nuk qeveriset nga lart në mënyrë të tillë që interesi privat dhe ai shoqëror të përputhen gjithmonë. As nuk drejtohet nga poshtë në mënyrë të tillë që, në praktikë, ato të përputhen.” Të dyja këto pikëpamje vazhdojnë të ngrenë pyetje themelore në mendimin ekonomik të sotëm.

Weber-i argumentonte se fryma e kapitalizmit ndërthuri një filozofi të lakmisë me ngjyrim utilitarist. Weber-i gjithashtu shprehet se, sipas etikës protestante, “Pasuria është, nga pikëpamja etike, e keqe vetëm për aq sa përbën tundim për përtaci dhe për një shijim mëkatar të jetës; ndërsa fitimi i saj është i keq vetëm kur synimi është që më vonë të jetohet me hare dhe pa brenga.”

Si koncept psikologjik laik, lakmia është një dëshirë e tepruar dhe e pakontrolluar për të fituar ose zotëruar më shumë nga sa i nevojitet një personi. Shkalla e kësaj teprie lidhet me paaftësinë për të kontrolluar riformulimin e “dëshirave”, pasi nevojat e dëshiruara të jenë plotësuar. Ajo karakterizohet nga një dëshirë e pangopur për gjithnjë e më shumë, por edhe nga pakënaqësia me atë që personi zotëron aktualisht.

Erich Fromm-i e përshkroi lakminë si “një gropë pa fund që e shteron njeriun në një përpjekje të pafundme për të kënaqur nevojën, pa arritur kurrë kënaqësinë”. Prirja e një individi për të qenë lakmitar mund të konsiderohet si një tipar personaliteti që mund të matet. Përmes matjeve të tilla, është konstatuar se lakmia lidhet me sjelljen financiare — si në kuptimin pozitiv të fitimit, ashtu edhe në kuptimin negativ të huamarrjes dhe kursimit më të vogël —, me sjelljen joetike, si dhe lidhet në mënyrë negative me mirëqenien.

Shiko edhe

Referime

  1. ↑ https://fjalorthi.com/Lakmia. {{cite web}}: Mungon ose është bosh |title= (Ndihmë!)