Luljeta Dano
Luljeta Dano lindi në Fier, më 1 prill 1967. Është shkrimtare, skenariste e disa filmave dokumentarë që trajtojnë tema të antropologjisë kulturore, si dhe ka publikuar e mbajtur kumtesa në konferenca shkencore mbarëkombëtare, që trajtojnë dukuri të ndryshme etnologjike.
Për krijimtarinë letrare dhe kontributet në etnokulturë është vlerësuar me Çmime Letrare dhe mjaft Çertifikata Mirënjohjeje nga institucione edhe organizata:
Në konkursin e shpallur për romanin mbarëshqiptar Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, nga shtëpia botuese “Buzuku”, Prishtinë - 2000, i jepet Çmimi i Dytë për romanin “Orët e shahut”.
Fiton Çmimin e Dytë për dramën historike “Plakonjat”, në konkursin e organizuar nga shtëpia botuese “Buzuku”, Prishtinë - 2005 për dramën shqipe me pjesëmarrjen e autorëve nga trojet mbarëshqiptare.
“Nëntë trojat”, merr çmimin kombëtar “Lasgush Poradeci” të librit poetik më të mirë të vitit 2007, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sportit, me motivimin: “Risi për trajtimin me ndjeshmëri befasuese të motiveve mitologjike dhe ekzistenciale”.
Nga Albanian Worldwide Awards 2024, organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës, L. Danos i jepet çmimi i nderit dhe trofeu “Bright Mind” për kontributin e saj njëzetëvjeçar në ideimin, promovimin dhe realizimin e kauzës së Xhubletës, si një kryevepër e trashëgimisë kulturore shqiptare që tanimë gëzon dy statuse të larta dhe të mbrojtura: si Kryevepër e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare, nga Ministria e Kulturës, (2013), si edhe dijebërja e saj është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Jomateriale Botërore në mbrojtje urgjente nga UNESCO, si trashëgimi në rrezik, (2022).
Romani në dorëshkrim “NJOHJA, një udhë më e gjatë se Rruga e Qumështit”, nga L. Dano është nominuar në veprat më të mira për Çmimim Letrar KADARE, në konkursin e organizuar nga UETPRESS, dhjetor 2024.
L. Dano është autore në antologjinë e tregimit të përzgjedhur nga autorët shqiptarë të letërsisë bashkëkohore: Shqipëria tregon, Botimet K&B, 2010, si dhe në antologji të ndryshme të poezisë shqipe.
Në vitin 1999 themelon dhe drejton “Fondacioni TRE MARIAT”, organizatë e shoqërisë civile me fokus mbrojtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe eco - sistemit, që ka si projekt kryesor: “Qendra Antropologjike XHUBLETA”, qysh nga viti 2009.
Botime
- Lodër e dashurisë : poezi - 1990
- Sipas flokëve të plakave. Muzikë në makinë : poezi dhe tregime - 1994
- Moti : poezi të shkruara 10-29 korrik 2000 - 2000
- Xhindet në kodrën e Jakovit : tregime me gjasë romani - 2000
- Zoti Do dhe zonja Re : poezi - 2000
- Nusja e kthyer : poezi - 2000
- Orët e shahut : letër me gjasë romani - 2000
- Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike : simbolikë - 2007
- Nëntë Trojat : poezi - 2007
- Casa-Casino : roman - 2016