Maks Velo

Maks Velo (31 gusht 1935 – 7 maj 2020) ishte një arkitekt, shkrimtar dhe piktor shqiptar. Vepra dhe krijimtaria e tij janë ekspozuar në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Jeta e hershme

Maksi lindi në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri në qytetin e Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.

Angazhimi profesional

Pallati me kuba në Tiranë, i projektuar nga Maks Velo.

Pas specializimit, ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Në vitin 1963 me stolin e famshëm të Parkut të Liqenit, Velo shënon skulpturën e parë moderne, e më pas projekton godina për të cilat do të flitej gjatë si ajo e ATSH-së në vitin 1971, shkolla “Emin Duraku”, ish-hotel “Arbana”, ish kinema “Pionieri në vitin 1973.[1]

Në arkitekturën e Tiranës, vepra për të cilën Velo do të njihej gjatë ishte pallati me kuba, i ashtuquajtur sot si “Pallati Kadare”, që do të mbizotëronte si një projektim i veçantë për jetën e vakët arkitektonike të asaj kohe.[1]

Persekutimi gjatë regjimit komunist

Maks Velo u arrestua në vitin 1978 dhe u dënua me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, pasi u denoncua nga ish-gruaja, vjehrra dhe miqtë e tij.[2] Ndër akuzat ndaj tij ishin përdorimi i gjuhëve të huaja, leximi i literaturës së ndaluar, ndikimi nga filozofia perëndimore, si dhe formalizmi në art, një devijim që regjimi e konsideronte të rrezikshëm.[3] Burgimin e vuajti në burgun famëkeq të Spaçit.

Mbi 200 veprat të tij u shkatërruan pas burgimit. Shumë projektime të tij nuk u realizuan, si projekti modern për ndërtesën e Muzeut Historik Kombëtar, apo dekoracionet e bakrit të rrahur për interierët e hotel “Vollgës”.[1]

Ai u lirua nga burgu në janar të vitit 1986.[3]

Krijimtaria

Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", "Jeta ime në figura", "Klubi Karavasta" etj.[2] Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.

U nda nga jeta në Tiranë në 7 maj 2020 në moshën 84 vjeçare.[4][5]

Shiko edhe këtë

  • Lista e piktorëve
  • Fjalori i termave të Pikturës


Referime

  1. 1 2 3 "Speciale/ Rrëfimi i rrallë i Maks Velos për djalin, burgun në Spaç dhe vuajtjet e familjes! (VIDEO) - Shqiptarja.com". shqiptarja.com. Marrë më 2025-05-07.
  2. 1 2 ""U ankua për dhëndrin dhe të bijën, se ata e trajtojnë shumë keq, bile edhe e rrahin"- Tragjedia e arkitektit Maks Velo, që u spiunua nga vjehrra austriake: Është një tip borgjezi që…". www.panorama.com.al. 2025-05-07. Marrë më 2025-05-07.
  3. 1 2 Besnik (2025-05-07). "Del në dritë dosja hetimore e Maks Velos, historia me dokumenteve". Euronews Albania (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-05-07.
  4. //abcnews.al/e-fundit-vdes-ne-moshen-84-vjecare-maks-velo/
  5. //top-channel.tv/2020/05/07/nderron-jete-maks-velo/