Mamica Kastrioti

Mamica Kastrioti

Mamica Kastrioti ishte një princeshë shqiptare e shekullit XV nga dera e Kastriotëve. Ajo njihet si motra e vogël e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Busti i Mamicës në Muzeun Kombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" në Krujë.

Jeta

Mamica lindi në pjesën e parë të shekullit XV, e ishte fëmija i fundit i princit feudal Gjon Kastriotit dhe bashkëshortes së tij Vojsava Tripalda. Ajo kishte katër vëllezër më të mëdhenj (Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji) si dhe katër motra më të mëdha (Mara, Jella, Angjelina dhe Vllajka). Detajet e jetës së saj të hershme janë të paqarta.

Mendohet që i është përkushtuar kujdesit së prindërve të saj deri në vdekjen e tyre. Kur Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë28 nëntor 1443 Mamica ishte e pamartuar dhe mbështeti kryengritjen e vëllait të saj. Pas mbledhjes së Besëlidhjes së Lezhës2 mars 1444, Skënderbeu synoi ta martonte motrën e tij me Muzakë Topinë, trashëgimtarin e zotërimeve të Topiajve. Mirëpo, Muzakë Topia ishte i martuar me Zanfina Muzakën e derës së Muzakajve, dhe së bashku kishin dy fëmijë. Pas trysnisë së Skënderbeut, Muzakë Topia pranon ta marrë Mamicën për grua, dhe divorcon Zanfinën, gjë që shikohet nga shumica e fisnikërisë, sipas Gjon Muzakës, si "një veprim i mallkuar nga vetë Zoti".

Dasma e Mamicës dhe Muzakës u krye më 26 janar 1445 në Muzakianë (diku midis Durrësit dhe Tiranës). Në prani ishin shumica e anëtarëve dhe mbështetësve të Lidhjes së Lezhës, të cilët sollën dhurata për çiftin e ri. Megjithatë, atmosfera e festës u përkeqësua prej një përleshjeje midis Lekë Zaharisë dhe Nikollë Dukagjinit, të cilët të dy donin dorën e Jerina Dushmanit, Princeshës së Pultit. Komandantët e Skënderbeut, Vrana Konti dhe Vladan Gjurica u përpiqen të ndërhynin, por të dy u plagosën ndërkohë që ushtarët e princave iu bashkuan zënkës. Sipas Barletit, beteja përfundoi me 105 të vdekur dhe 200 të plagosur, ndërkohë që Lekë Zaharia për pak vrau Nikollë Dukagjinin përpara se të ndërhynin sërish Vrana Konti dhe Vladan Gjurica. Beteja do të ishte një zhgënjim ndaj reputacionit të Skënderbeut dhe do të krijonte një armiqësi midis Zaharisë dhe Dukagjinit që me kalimin e kohës u përshkallëzua në Luftën Shqiptaro-Venedikase.

Muzakë Topia dhe Mamica ishin të martuar për 10 vite, dhe gjatë asaj kohe patën 6 fëmijë. Në korrik të 1445, Muzakë Topia u vra në Rrethimin e Beratit nga forcat osmane, dhe Mamica trashëgoi gjithë zotërimet e tij. Kjo la Petrelën, kryeqendrën e Topiajve dhe një ndër kalatë e rrjetit të mbrojtjes së Krujës, të pambrojtur ndaj sulmeve turke. Megjithatë, Mamica, sipas Barletit, ishte "një drejtuese mendjemprehtë dhe e aftë që ia kalonte për nga aftësitë shumë udhëheqësve meshkuj në beteja". Ajo u ngjit në pozicionin e komandates së forcës ushtarake të Petrelës dhe zmbrapsi ushtrinë osmane në disa raste, duke prirë në beteja si kalorëse në të drejtën e saj. Nën drejtimin e saj, Petrela dhe Krraba qëndruan nën pushtetin arbëror dhe forcat e Skënderbeut mund të lajmëroheshin para kohe për ndonjë ushtri osmane që po përparonte drejt Krujës.

Nuk është e ditur se kur Mamica ndërroi jetë, por duke qënë se nuk përmendet ndër shoqërueset e Donika Kastriotit, bashkëshortes së Skënderbeut, gjatë emigrimit të saj në Itali, mendohet se të ketë vdekur para se vëllai i saj dha jetë nga malaria në janar të vitit 1468.

Paraardhëse e Toptanëve

Toptanët ishin një familje fisnike e Shqipërisë së Mesme, veçanërisht Tiranës, që lulëzuan gjatë shekujve të pushtetit osman. Disa anëtarë të familjes, përfshirë dhe Esad pashë Toptanin, e konsideronin fisin e tyre si pasardhës të Topiajvemesjetës, ide e përkrahur nga ngjashmëria e emrave, rajoni i njëjtë ku sundonin, dhe nga përfshirja e një luani në stemën e Toptanëve, simboli kryesor i Topiajve. Sipas Fuat bej Toptanit, gojëdhënat e shekullit XIX thonin se i pari i Toptanëve, Ali bej Toptani, kishte lindur më 1478 dhe ishte biri i tretë i Tanush Topisë dhe Mamica Kastriotit, por ishte rritur në Rajcë nga një jeniçer përpara se të bëhej qeveritari i Krujës.

Megjithatë, kjo gojëdhënë nuk përputhet me historinë në disa pika. E para, bashkëshorti i Mamicës nuk ishte Tanushi, por Muzakë Topia. Së dyti, ai vdiq në 1455, e kështu nuk mund të ketë pasur fëmijë me Mamicën në 1478, sidomos kur ajo vetë kishte vdekur para atij viti. Së treti, pinjolli i parë i Toptanëve, Ali bej, përmendet për herë të parë më 1650, dhe dihej që ishte me origjinë nga Rajca.

Familja

Mamica Kastrioti martoi Muzakë Topinë më 26 janar 1445, dhe së bashku patën gjashtë fëmijë:

  • Jella Topia, martoi Andrea Muzakën, birin e Gjin Muzaka II
  • Gjon Topia, përmendur nga Gjon Muzaka
  • Gjergj Topia, gjithashtu përmendur nga Muzaka
  • një bijë e panjohur
  • dy djem të panjohur

Shiko gjithashtu

Literatura

  • Rrahmani, Bashkim (November 20, 2020). The State of Scanderbeg
  • Anamali, Skënder (2002). Historia e popullit shqiptar në katër vëllime Vol. I
  • Noli, Fan Stylian (1945). George Castrioti Scanderbeg (1405-1468)
  • Pritchett Post, Susan E. (1998). Women in Modern Albania
  • Elsie, Robert (2003). Early Albania A Reader of Historical Texts, 11th-17th Centuries
  • Marino, Ettore (June 12, 2018). Storia del popolo albanese Dalle origini ai giorni nostri
  • Lezi, Tim (May 2011). Scanderbeg, General of the Eagles
  • Francione, Gennaro (2003), Skenderbeu: Një hero modern
  • Hodgkinson, Harry (1999), Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero
  • "Church of St. Anthony in Cape Rodon - Eu4Culture"
  • Gloyer, Gillian (2008). Albania The Bradt Travel Guide
  • Karl Hopf (1873). Chroniques Gréco-Romaines