Muzika ambientale

Muzika ambientale (anglisht: ambient music) është zhanër i muzikës i cili thekson tonin dhe atmosferën në vend të strukturës tradicionale muzikore apo ritmit. Shpesh duke tingëlluar "paqësore" dhe duke mos pasur kompozim, ritëm, apo melodi të strukturuar, muzika ambientale përdor shtresa teksture të zërit që mund të shpërblejnë si dëgjimin pasiv ashtu edhe atë aktiv, dhe të inkurajojnë një ndjenjë qetësie ose meditimi. Zhanri ngjall një cilësi "atmosferike", "vizuale", apo të "rezervuar". Mund të përfshihen zëra natyralë, dhe disa vepra përdorin tinguj të zgjatur apo të përsëritur, si në muzikën drone. Duke pasur elemente të asocuara me muzikën new-age, instrumentet si piano, instrumentet me tela dhe flauta mund të imitohen nëpërmjet sintisajzerit.
Zhanri filloi në vitet 1960 dhe 1970, kur instrumente të reja muzikore po prezantoheshin në treg më të gjerë, si sintisajzeri. U paralajmërua nga muzika e mobiljeve e Erik Satie dhe stileve si musique concrète, muzika minimaliste, muzika dub xhamajkane dhe muzika elektronike gjermane, por u emërua dhe u popullarizua nga muzikanti britanik Brian Eno në vitin 1978 me albumin e tij Ambient 1: Music for Airports; Eno u shpreh se muzika ambientale "duhet të jetë e injorueshme aq sa është edhe interesante", sidoqoftë, në vitet e hershme, kishte artistë që ishin pionirë të zhanrit, si Tangerine Dream, Klaus Schulze, Wendy Carlos, Kraftwerk, etj. Zhanri përjetoi ringjallje përgjatë fundit të viteve 1980 me prominencën e muzikës house dhe techno, duke krijuar një kult ndjekësish gjatë viteve 1990.
Muzika ambientale nuk ka arritur sukses të madh komercial. Megjithatë, ajo ka arritur një masë mirënjohjeje gjatë viteve, sidomos në Kohën e Informacionit. Për shkak të stilit të saj relativisht të hapur, muzika ambientale shpesh merr ndikime nga shumë zhanre tjera, si muzika klasike, muzika avant-garde, muzika eksperimentale, folk, jazz, dhe world, ndër të tjera.