Neopaganizmi shqiptar

Neopaganizmi shqiptar paraqet paganizmin modern në trevat e banuara me shqiptarë, i cili edhe pse me ndikim të kufizuar, përfaqëson një përpjekje për t’u kthyer te rrënjët e traditave dhe besimeve të lashta. Ky fenomen, i ndikuar nga kërkimi i identitetit kulturor dhe trashëgimisë historike, mbetet i lidhur më shumë me individë dhe grupe të vogla, që shpesh ndjekin praktika të frymëzuara nga paganizmi i lashtë. Në një rajon ku traditat monoteiste kanë dominuar për shekuj, neopaganizmi ofron një alternativë të rrallë, që përqendrohet në respektin për natyrën dhe trashëgiminë kulturore.[1][2]

Rrënjët historike dhe kulturore

Para ardhjes së feve monoteiste (abrahamike), popujt e lashtë të Ballkanit, përfshirë këtu para së gjithash ilirët, praktikonin një sërë besimesh politeiste që adhuronin perënditë e natyrës, forcat e qiellit dhe tokës. Lidhur me këtë Jeronim de Rada mes tjerash thot: "Zotat e paganizmit kanë të gjithë emra që rrjedhin nga rrënjët shqiptare. Është e qartë pra se për kultin e Perëndisë dhe natyrës duhet t’u referohemi Pellazgëve. Pas transformimit të zotit të vetëm në një perëndi shumëformëshe dhe antropomorfe ata ndoqën idhuj, të cilët kishin emra të përkryer shqiptarë, që shprehnin simbolet e tyre".[3]

Këto besime janë ruajtur pjesërisht në traditat gojore, zakonet dhe simbolet kulturore, si Gjarpri i Shtëpisë, i cili ende konsiderohet mbrojtës në disa zona rurale. Një tjetër shembull është koncepti i "Besës," që, megjithëse më vonë u integrua në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ka rrënjë në një ndjesi të lashtë të nderit dhe detyrimit shoqëror. Një rast i ngjashëm është edhe Lisi shekullor i cili të kujton Lisin e Dodonës së lashtë aq sa edhe Pemën e shenjtë.

Festat dhe praktikat rituale, si Darka e Lamës ose Festa e Grurit për të shënuar fundin e korrjeve, Dita e Verës, pastaj Buzmi ose përdorimi i simboleve si kryqëzimi i këmbëve për të larguar energjitë negative, janë gjithashtu mbetje të traditave të lashta. Edhe tradita e njohur si Gjama e Burrave ka gjithashtu elemente të theksuara pagane.[4] Këto elemente tregojnë për një lidhje të thellë me natyrën dhe ciklet e saj, të cilat përfaqësojnë shtyllat e neopaganizmit.

Lidhur me këtë ide është edhe shprehja, Feja e shqiptarit është shqiptaria e cila përfaqëson një koncept që e vendos identitetin kombëtar mbi çdo ndarje fetare, duke u përqendruar te përkatësia dhe uniteti i shqiptarëve si popull. Kjo ide lidhet me neopaganizmin shqiptar në kuptimin që lëvizjet neopagane shpesh synojnë të rikthejnë besimet dhe simbolet e lashta vendase, duke i parë ato si thelbësore për ruajtjen e kulturës dhe shpirtit kombëtar. Neopaganët shqiptarë i qasen trashëgimisë ilire dhe dardane si një burim origjinal të identitetit shpirtëror, duke e konsideruar atë si një formë të pastër të shqiptarisë, e cila nuk është e ndikuar nga fetë e mëvonshme monoteiste. Në këtë kontekst, shqiptaria bëhet një lloj "feje" në vetvete, duke promovuar një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët historike, kulturore dhe shpirtërore të popullit shqiptar.

Gjithashtu vërehet një lidhje mes kanuneve shqiptare dhe paganizmit modern. Në këtë kuptim, kanunet shqiptare (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut,[5] Kanuni i Dibrës,[6] Kanuni i Labërisë,[7] Kanuni i Bendës,[8] Kanuni i Malësisë, etj.) përfaqësojnë një trashëgimi të lashtë shoqërore ku ligji, morali dhe drejtësia burojnë nga rendi natyror dhe nga zakoni i trashëguar, shumë përpara ndikimit të feve monoteiste. Në to ruhen qartë shtresa pagane si nderimi i të parëve, shenjtëria e shtëpisë, vatrës dhe tokës, si edhe ideja se nderi, besa dhe përgjegjësia personale janë vlera të lindura nga jeta komunitare dhe jo të imponuara nga doktrina fetare. Këto elemente bëjnë që kanunet shqiptare të jenë një urë mes botës para-kristiane dhe identitetit shqiptar të mëvonshëm, një arkivë e gjallë që ruan dhe përcjell etikën dhe botën shpirtërore iliro-arbërore. Paganizmi modern i sheh këto shtresa si gjurmë të një bote shpirtërore të lashtë e të pasur dhe përpiqet t’i rikthejë në mënyrë simbolike, jo për ti zbatuar kanunet si ligj, por për ti lexuar si ligj natyror të një kohe dhe si dëshmi të vazhdimësisë kulturore. Betimet mbi gurin, malin apo diellin, shenjtëria e vatrës dhe rëndësia e gjakut, fisit dhe gruas interpretohen si shenja të një morali autokton që i ka rezistuar kohës për shekuj me radhë.

Faktorët e neopaganizmit

Disa nga faktorët kryesor që kanë kontribuar në rigjallërimin e interesimit lidhur me traditat e lashta pagane, në këto dekadat e fundit, mes tjerash janë:

  • Kërkimi i identitetit: Në një botë të globalizuar, shumë shqiptarë kërkojnë të rilidhen me rrënjët e tyre kulturore, duke rikujtuar të kaluarën e lashtë dhe të pasur.
  • Ndërgjegjësimi për trashëgiminë kulturore: Interesi për historinë dhe mitologjinë ilire ka nxitur rigjallërimin e disa praktikave dhe besimeve të harruara.
  • Distancimi nga institucionet fetare tradicionale: Për disa individë, neopaganizmi ofron një qasje më personale dhe shpirtërore ndaj jetës, pa kufizimet dogmatike të organizimeve tradicionale fetare.
  • Lidhja me natyrën: Në kohët moderne, lidhja me natyrën dhe mjedisin shihet si një mënyrë për të kundërshtuar efektet e urbanizimit dhe shkatërrimit mjedisor.

Praktikat dhe ndikimi

Praktikat e neopaganëve shqiptarë edhe pse jo shumë të përhapura, janë të larmishme, duke përfshirë mes tjerash:

  • Adhurimin e perëndive të natyrës: Solsticet dhe ekuinokset janë momente të rëndësishme që festohen për të nderuar ciklet e natyrës.
  • Herbalizmi dhe ritualet modeste: Disa individë përqendrohen në mjekësinë natyrore dhe ritualet për shërimin shpirtëror.
  • Nderimi i paraardhësve: Aty këtu mund të vërehet se kryhen ceremoni për të nderuar paraardhësit dhe për të kërkuar urtësi dhe mbrojtje nga ta.

Ndikimi i këtyre praktikave është më i dukshëm në zonat rurale dhe në individë që janë të lidhur ngushtë me natyrën, kulturën dhe folklorin tradicional. Institucione të tilla si muzetë dhe të tjera të ngjashme kanë filluar të dokumentojnë këto tradita, duke dokumentuar dhe ruajtur një trashëgimi të rëndësishme kulturore.

Sfidat dhe perspektiva

Pavarësisht këtij rigjallërimi, neopaganizmi përballet me disa sfida në trojet shqiptare:

  • Mungesa e njohurive të detajuara: Informacionet rreth besimeve ilire janë fragmentare dhe shpesh të bazuara në interpretime.
  • Ndikimi i feve tradicionale: Integrimi i besimeve të lashta në kuadrin e krishterimit dhe islamit shpesh lë pak hapësirë për praktika të pavarura pagane.
  • Modernizimi dhe globalizimi: Këto procese mund të largojnë vëmendjen nga traditat lokale, duke bërë të vështirë ruajtjen e tyre.

Megjithatë, rritja e ndërgjegjësimit dhe interesit për këto besime si pjesë e trashëgimisë kombëtare tregon se neopaganizmi ka një rol të veçantë në pasurimin e identitetit kulturor shqiptar. Ai jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e traditave, por gjithashtu frymëzon brezat e rinj të lidhin të kaluarën me të tashmen në mënyrë kuptimplote.[9][10][11][12][13]

Shih edhe

Referime

  1. Qazimi, Azem (2008). Fjalor i mitologjisë dhe demonologjisë shqiptare: të kremte, rite e simbole. Plejad. ISBN 978-99956-706-1-0.
  2. Tirta, Mark (2004). Mitologjia ndër shqiptarë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë - Instituti i Kulturës Popullore, Dega e Etnologjisë. ISBN 978-99927-938-9-3.
  3. "DOSSIER/ Kongresi ndërkombëtar i popujve të lindjes, Jeronim De Rada: Gjuha shqipe superiore ndaj çdo gjuhe klasike, thesar i çmuar për shkencën". Gazeta Tema. 2017-10-24. Marrë më 2026-05-15.
  4. "VIDEO/ ABC Story: "Gjama e Burrave", si mbijetoi te shqiptarët riti pagan". Marrë më 2024-11-20.
  5. "Kanuni i Skanderbegut". Bukinist. Marrë më 2025-12-18.
  6. Martini, Xhafer (2016). Kanuni i Dibrës: trashëgimi etnojuridike. Botimet M&B. ISBN 978-9928-172-77-8.
  7. Argjiroja (2017-05-01). "Kanuni i Labërisë, trashëgimi që vjen nga Iliria" (në anglishte amerikane). Marrë më 2025-12-18.
  8. Ferra, Ferik (2010). Kanuni i Bendës: Kanuni i Krahinës së Bendës. Ombra GVG. ISBN 978-99956-38-74-0.
  9. https://www.gazetatema.net/2020/10/21/beselashtet-ringjallja-e-paganizmit-mes-shqiptareve
  10. "ATP | Albanian Third Position". albanianthirdposition.com (në anglisht dhe shqip). Marrë më 2024-11-20.
  11. "FORUMI PAGAN SHQIPTAR". zojsi.albanianforum.net. Marrë më 2024-11-20.
  12. "Moikom Zeqo: Hyjnesha Dardania". Zemra Shqiptare. Marrë më 2024-11-20.
  13. "Katër fe, një popull pagan!?". Telegrafi. 2014-01-13. Marrë më 2024-11-20.