Saranda Bogujevci
Saranda Bogujevci është politikane dhe aktiviste shqiptare për të drejtat e njeriut, e njohur për angazhimin e saj në jetën publike dhe përvojën si e mbijetuar e luftës në Kosovë më 1999. Ajo ka shërbyer si deputete dhe Zëvendëskryetare e Kuvendit të Kosovës, ndërsa aktualisht ushtron detyrën e Ministres së Kulturës dhe Turizmit të Kosovës. Është dalluar për kontributin në promovimin e drejtësisë, kujtesës kolektive dhe ndërgjegjësimit për krimet e luftës.[1]
❏ Fëmijëria dhe formimi i hershëm
Saranda Bogujevci | |
|---|---|
![]() | |
| Lindi | Podujevë, Kosovë |
| Profesionet | Politikane, aktiviste për të drejtat e njeriut |
Saranda Bogujevci u lind më 12 qershor, 1985 dhe u rrit në Podujevë.[2] Fëmijëria e saj karakterizohej nga një ambient i mbushur me dashuri familjare, lojëra me bashkëmoshatarët dhe një jetë shoqërore aktive. Megjithatë, realiteti politik i Kosovës në fillim të viteve 1990 ndikoi drejtpërdrejt në jetën e saj. Pas largimit të të atit nga puna si elektricist, familja u detyrua të emigrojë në Suedi, ku qëndroi për rreth një vit e gjysmë. Edhe pse përjetoi një ambient më të sigurt dhe kushte më të mira arsimore, kthimi në Kosovë e përballi sërish me vështirësitë e sistemit paralel arsimor dhe me realitetin e tensionuar politik. Pas kthimit në Podujevë,[3] Bogujevci vazhdoi shkollimin në kushte të improvizuara, karakteristike për sistemin arsimor shqiptar në Kosovë gjatë viteve 1990.
❏ Lufta e Kosovës dhe trauma personale
Jeta e saj ndryshoi rrënjësisht gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Si shumë fëmijë të asaj kohe, ajo përjetoi frikën dhe pasigurinë e konfliktit, por edhe një ngjarje tragjike që do të shënonte gjithë jetën e saj. Në mars të vitit 1999, forcat serbe kryen një sulm ndaj familjes së saj në Podujevë, ajo i mbijetoi 16 plumbave, dhe humbi 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë një sulmi brutal të ushtrisë serbe, gjatë luftës së vitit 1998-1999, në Kosovë.[4] Ajo u dërgua për trajtim në spitalin e Prishtinë, ku përjetoi jo vetëm vuajtje fizike, por edhe presion psikologjik, përfshirë detyrimin për të fshehur të vërtetën mbi rrethanat e plagosjes. Kjo periudhë përbën një nga kapitujt më të dhimbshëm të jetës së saj, por njëkohësisht edhe bazën e angazhimit të saj të mëvonshëm për drejtësi dhe të vërtetë.
Pas përfundimit të luftës, falë ndërhyrjes së forcave britanike të KFOR dhe një rrjeti ndërkombëtar mjekësor, Bogujevci u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar për trajtim mjekësor të specializuar. Ajo u vendos në Manchester, ku kaloi një periudhë të gjatë rehabilitimi fizik dhe përshtatjeje sociale.[5]
❏ Edukimi
Ajo u integrua në sistemin arsimor britanik, duke vazhduar shkollimin e mesëm dhe më pas studimet në fushën e artit, medias dhe dizajnit grafik. Më tej, ajo studioi “Interactive Arts” në vitin 1999 në [3]Manchester Metropolitan University dhe është në përfundim të studimeve Master në Drejtësi Tranzicionale, të Drejtat e Njeriut, Ligj dhe Rend në Akademinë e Gjenevës.[6]
❏ Angazhimi shoqëror dhe artistik

Ajo është artiste dhe aktiviste, e njohur për angazhimin në organizatën "Manchester Aid Kosovo," ku ka realizuar projekte të rëndësishme në Podujevë, përfshirë krijimin e "Parkut të Paqes." Ajo është bashkë-artiste, së bashku me kushërirët e saj Fatosin dhe Jehonën, të ekspozitës "Bogujevci // Histori Vizuale," e cila ka pasur sukses të jashtëzakonshëm në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi.[6]
Ekspozita “Bogujevci/Visual Stories” përbëhet nga katër instalacione: “Dhoma e ndenjës”, “Pema familjare”, “Dhoma e spitalit” dhe “Dhoma e gjykimit”, ku shikohen pamje origjinale filmike, intervista, fotografi dhe objekte personale. Ekspozita, përveç karakterit të saj dokumentar, mund të shihet edhe si një përgjigje artistike ndaj brutalitetit dhe dhunës, si dhe si një reagim i virtytshëm i shpirtit njerëzor kundër krimeve të luftës, sipas organizatorëve.[7]

Saranda Bogujevci, bashkë me tre kushërinjtë e saj, u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan përpara një gjykate serbe, për mizoritë e kryera nga forcat serbe, të udhëhequra nga Slobodan Millosheviç.[1] Në vitin 2003, ajo u nderua me çmimin ndërkombëtar për Kurajo Morale "Anna Frank" në Britani.[6]
❏ Kthimi në Kosovë dhe karriera politike
Në vitin 2014, Saranda Bogujevci vendosi të kthehet përfundimisht në Kosovë, me synimin për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit. Ajo fillimisht u përfshi në jetën institucionale si drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, ku fitoi përvojë në menaxhimin publik dhe bashkëpunimin me komunitetin artistik, [3] nën udhëheqjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Si deputete në legjislaturat VI dhe VII, ajo ka qenë anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe e Grupit të Grave Deputete.[6]
Në legjislaturën e fundit, Saranda Bogujevci shërbeu si Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe Kryesuese e Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke avancuar të drejtat njerëzore dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.[8] Aktiviteti i saj politik është i fokusuar në drejtësinë tranzicionale, të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e shoqërisë civile, si dhe në ushtrimin e detyrës së Ministres së Kulturës të Kosovës.
❏ Referencat
- 1 2 Dosja.Al, Historia e veçantë e Saranda Bogujevcit… nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, 29 mars 2021. https://dosja.al/shistoria-e-vecante-e-saranda-bogujevcit-nga-sulmi-me-16-plumba-ne-trup-te-nenkryetare-e-kuvendit-te-kosoves
- ↑ Saranda Bogujevci https://metriku.com/saranda-bogujevci
- 1 2 3 Oral History Kosovo: Saranda Bogujevci (intervistë, 2018). https://oralhistorykosovo.org/saranda-bogujevci-2/#_ftnref1
- ↑ Daily Sabah, Saranda Bogujevci, survivor of Kosovo massacre takes on newest challenge – politics, 2017. https://www.dailysabah.com/balkans/2017/08/02/saranda-bogujevci-survivor-of-kosovo-massacre-takes-on-newest-challenge-politics
- ↑ Real storyhttp://news.bbc.co.uk/1/hi/programmes/real_story/3150617.stm
- 1 2 3 4 Saranda Bogujevci.https://www.vetevendosje.org/voto116/sarandabogujevci13
- ↑ Tirana Times, Bogujevci survivors, Homage to Kosova war victims through art, 2012. https://www.tiranatimes.com/bogujevci-survivors-homage-to-kosova-war-victims-through-art_113277/
- ↑ Shaban Maxharraj, Saranda Bogujevci merr detyrën e ministres së Kulturës dhe Turizmit, KOHA.net, 12 shkurt 2026. https://www.koha.net/kulture/saranda-bogujevci-merr-detyren-e-ministres-se-kultures-dhe-turizmit
- Artikuj të cunguar
- Biografi
- Biografi shqiptare
- Shqiptarë të Kosovës
- Politikanë të Lëvizjes Vetëvendosje
