Shkolla e mesme Dhaskal Todhri

Shkolla e mesme "Dhaskal Todhri
Vendndodhja
Elbasan

Shqipëria
Të dhëna
LlojiShkollë publike
Themeluar më1966


Shkolla e mesme "Dhaskal Todhri" është gjimnaz në qytetin e Elbasanit i cili u themelua në vitin 1966 si rezultat i bashkimit të disa shkollave të mesme.[1]

Historia

Shkolla u hap më 1 shtator 1966 me rreth 460 nxënës nga bashkimi i disa klasave të shkollave 12-vjeçare: “Qamil Guranjaku”, “Jeronim De Rada”, “ Jorgji Dilo” dhe “Qemal Stafa”. Ky ishte viti i parë që shkollat e mesme dolën më vete, duke u shkëputur nga sistemi 12-vjeçar. Historiku i kësaj shkolle është mjaft i pasur dhe një pjesë e mirë e tij është dokumentuar me shumë kujdes në Muzeun e shkollës i cili është krijuar, fillimisht, me nismë të drejtorit të kohës, Zeqir Sarja, në vitin 1981, me rastin e 25-vjetorit të shkollës.

Gjimnazi “Dhaskal Todri” është një nga gjimnazet elitare të vendit dhe prej disa vitesh i renditur në 10 vendet e para në Shqipëri për rezultatet në PMSH, ndërsa viti shkollor 2017-2018 e renditi në vendin e 5-të dhe gjimnazin më të mirë në të gjithë qarkun e Elbasanit.[2] Nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë një numër i konsiderueshëm nxënësish të cilët me karrierën e shkëlqyer shkollore, profesionale dhe politike, kanë kontribuuar për vendin dhe botën. Nxënësit dhaskalistë janë fitues ndër vite të Olimpiadave Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ndërsa 31 nxënës janë vlerësuar me Medalje të Artë. Stafi ndër vite numëron 14 drejtues dhe shumë mësues, disa prej të cilëve janë nderuar me Tituj Nderi.

Projekte shkollore

Shkolla “Dhaskal Todri” është përfshirë në shumë projekte kombëtare që i kanë paraprirë zbatimit të reformave dhe ndryshimeve kurrikulare, si rrjedhojë e proceseve transformuese demokratike, si të shoqërisë, ashtu dhe arsimit si fushë e rëndësishme. Në vitin 2015, shkolla u bë pjesë e projektit të MAS për klasat digjitale, ndërsa në vitin 2022 u bë pjesë e projektit “Inteligjenca artificiale për të rinjtë”, në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet MAS dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Edhe në vitin shkollor 2024-2025, për të tretin vit radhazi, vazhdoi projekti i Inteligjencës Artificiale, ndërsa risi ishte projekti RYCO Superschools, financuar nga BE dhe BMZ dhe implementuar nga GIZ dhe RYCO.

Gjimnazi “Dhaskal Todri”, për vitin shkollor 2024-2025, vendosi partneritet me gjimnazin “Sveti Sava”, Beograd, Serbi dhe realizoi një shkëmbim kulturor 2-javor. Ky shkëmbim u cilësua i suksesshëm, u vlerësua Best Partnership dhe projekti vazhdon edhe në vitin shkollor 2025-2026.

Gjatë vitit 2022-2023 shkolla “Dhaskal Todri” është bërë pjesë e Programit Art, Zeje dhe Sport, sipas Udhëzimit të ministrisë me 2 kurse JOM, kursin e Teatrit dhe kursin ESD. Gjithashtu, për të katërtin vit aplikohet nisma ShQK me 5 klube.

Shih edhe

Referime

  1. ↑ "Theodhor Haxhifilipi, i njohur edhe si Dhaskal Todh'ri". forumi shqiptar. 3 korrik 2006.
  2. ↑ Popja, Fatmir (3 shkurt 2019). "Gjimnazi "Dhaskal Todri" shpallet ndër 5 më të mirët e Shqipërisë".