Shtëpia shkollë
Shtëpia shkollë është një shtëpi apo ndërtesë private që u transformua në një shkollë të improvizuar për mungesë të qasjes në shkolla të rregullta. Në Kosovë (atëkohë krahinë e Jugosllavisë), këto ishin kyçe gjatë viteve të 1990-ta nën okupimin e qeverisë serbe, kur mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar dhe arsimtarët e nxënësit u dëbuan nga shkollat e tyre. Rreth 3000 ndërtesa u shndërruan në shkolla të improvizuara gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që nxënësit të vijojnë mësimin në shqip.[1]
Historia
Zgjerimi i aspektit mësimor në Kosovë ngriti një shqetësim te qeveritarët serbë. Kjo ndodhi veçanërisht pas vitit 1974, me miratimin e Kushtetutës së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, ku sanksionohej aplikimi i barabartë i gjuhës shqipe me atë serbokroate. Shqiptarët e Kosovës u orientuan drejt ngritjes e konsolidimit të institucioneve autonome politike, ekonomike dhe kulturore të krahinës. Për të ndryshuar zhvillimin e gjendjes arsimore të Kosovës, ndërmerren një varg masash që synonin rrënimin e arritjeve të shënuara në lëmin e arsimit.[2] Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, e cila udhëhiqej nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, shpallën kërkesën që autonomia e Kosovës të ngritet në nivel të Republikës si kërkesë nacionaliste, irredentiste, separatise, kundërrevolucionare. Kjo solli si pasojë heqjen e autonomisë në vitin 1989. Me heqjen e autonomisë, Kosova humb fuqinë ekzekutive mbi arsimin.[3]
Si burim kryesor të "indoktrinimit iredentist dhe seperatist shqiptar" u konsideruan:
- planet dhe programet mësimore në gjuhën shqipe,
- tekstet mësimore në gjuhën shqipe dhe literatura shkollore,
- arsimtarët shqiptarë,
- organizimi pedagogjik i shkollës, dhe
- bashkëpunimi i institucioneve arsimore dhe shkencore të Kosovës me ato të Shqipërisë.
Me rastin e dëbimit në forma të dhunshme të nxënësve dhe të arsimtarëve nga hapësirat dhe objektet e tyre shkollore, qëllimi i shtetit Jugosllav ishte që shqiptarët nëpërmjet diskriminimit dhe segregacionit të denigroheshin si popull, drejt shtypjes graduale e deri në asimilim të tërësishëm.[4] Kështu, si rrjedhojë inspektorët shqiptarë të arsimit dhe nëpunësit e Pleqësisë së Arsimit të Kosovës, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët të të gjitha shkollave janë zëvendësuar me serbë. Si pasojë e kësaj 17 mijë mësues kanë mbetur pa të ardhura. Autoritetet serbe kërkonin që dokumentacionet dhe aktet administrative shkollore të shkruhen dhe të ligjërohen në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik, edhe pse alfabeti i shqiptarëve është alfabet latin.[5]
Organizimi i mësimit
Që nga viti shkollor 1991/92, e deri në mars të vitit 1999, nxënësit e mbi 70 shkollave fillore, nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e shkollave të larta dhe të fakulteteve ndjekën mësimin në shtëpi private.[4] Ky ishte një akt i guximshëm, po edhe i rrezikshëm i personave që lironin shtëpitë e tyre, shkaku i dënimeve apo burgosjeve që mund t’i përballeshin nga qeveria serbe.[6] Tërë semestri i parë u përball me negociatat për të gjetur shtëpi private që mund të strehonin nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët.[7] Sa i përket planeve dhe programeve në bazë të cilëve do të punonin, mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme kishin planifikuar që në klasat I, II, V dhe VI të shkollës fillore dhe në klasët e para dhe të dyta të shkollave të mesme të punonin me ato plane e programe të hartuara nga Pleqësia e Arsimit të Kosovës, ndërsa klasët e tjera do të punonin me planet dhe me programet e vjetra mësimore, të miratuara në vitin 1987.[4]
Sistem i ngjashëm ishte dhe me Universitetin e Prishtinës, procesi mësimor vijoi në shtëpi private, e pastaj në lokale. Zakonisht një fakultet i tërë përqendrohej në një lagje.[4] Fakulteti i Mjekësisë ishte pjesa e parë e universitetit që ndjeu ndikimin e represionit të ri shtetëror. Largimi i pedagogëve nga Fakulteti i Mjekësisë filloi në gusht të vitit 1990 dhe vazhdoi me largimin e pedagogëve të tjerë në vitin 1991. Fillimi i vitit akadmik 1991-1992, filloi me bllokimin e hyrjes së Fakultetit nga policia. Deri në fund të vitit 1991, 984 mësues dhe punonjës të tjerë shqiptarë ishin shkarkuar. Rektori serb i viteve 1991-98, Radivoje Papović, i referohej universitetit si 'kjo fabrikë e së keqes”. Të ndaluara nga çdo ndërtesë shtetërore, 13 fakultetet e Universitetit të Prishtinës dhe shtatë kolegjet e trajnimit shoqërues duhej të mbështeteshin në 250 ndërtesa private.[8] Sa i përket pagave, në fillimet e para, punëtorët e arsimit punonin pa pagesë. Në vitin 1993, punëtorët e arsimit filluan të marrin një pagesë prej 20 markash gjermane, e cila u rrit në vitin 1997 në 150-160 marka gjermane për arsimin fillor dhe të mesëm, dhe 180 marka gjermane për arsimin e lartë.[9]
Kushtet e mësimit
Procesi mësimor zhvillohej në kushte jo të favorshme të punës për mësim. Standardi i dhomave ishte i parashikuar për një numër personash të vogël për kontekst familjar dhe privat, ishin sallonet apo dhomat e ndejës ku mbaheshin zakonisht orët mësimore. Mungesa e energjisë elektrike ishte e madhe, sidomos nëpër fshatra. Ngrohja nuk ishte e mjaftueshme dhe stabile, meqë ngrohja nuk ishte qendrore, por klasike me thëngjill apo dru, dhe temperaturat varionin herë te ulëta, e herë të larta.[4] Shumë klasave u mungonin sipërfaqet e shkrimit për nxënësit; në disa e vetmja pajisje ishte një drejtkëndësh i zi i pikturuar në mur për të shërbyer si dërrasë. Fillimisht, disa nuk kishin karrige apo stola, megjithëse me kalimin e viteve, prindërit prireshin të bënin disa përmirësime në pajisje.[8]
Reagimi i institucioneve
Kontribute në masë të konsiderueshme kishin dhënë edhe instuticionet shtetërore, profesionale dhe shkencore përgjatë kohës që punonin në shtëpi private.
Pleqësia e Arsimit në Kosovë, që hynte në kuadër të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, e pas Drejtoratit të Arsimit, ishte kompetente për arsim, kundërshtoi vendimet e organeve shtetërore të Serbisë. Këto të fundit i kishin mohuar gjitha kompetencat Pleqësisë së Arsimit në Kosovë, që kishte të bënte me miratimin e planeve dhe programeve dhe botimin e teksteve dhe mjeteve mësimore. Enti Pedagogjik i Kosovës në vitin 1990 hartoi planet dhe programet e reja për të gjitha nivelet e sistemit të arsimit parauniversitar. Si dhe, organizoi debate e hartoi politika zhvillimore me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së sistemit të arsimit në Kosovë.[4]
Shtëpia botuese Libri Shkollor gjatë viteve 1994-1999 bëri kthesë të rëndësishme në kuadër të lëndëve shoqërore. Në periudhën e lartëcekur botohen mëse 70 tituj tekstesh të përbashkëta me autorë nga Shqipëria dhe Kosova.
E radhës ishte Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), e cila ishte themeluar në shkurt të vitit 1990. Objektivi ishte i ngjashëm si institucionet e tjera, ruajtja dhe vazhdimësia e sistemit të arsimit në gjuhën shqipe. Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë gjatë viteve të 1990-ta, dha kontribut të jashtëzakonshëm duke mbështetur arsimin dhe punëtorët e arsimit me ndihma financiare, si me veshmbathje, ashtu edhe me ndihma financiare.[4]
Galeria
Shtëpia e Fehmi Aganit, e përdorur si shtëpi shkollë
Shtëpia shkollë e familjes Hërtica në Prishtinë
Shtëpitë shkolla të familjes Mërnica në Vushtrri
Shih edhe
Referime
- ↑ "Shtëpitë Shkolla". Shtëpitë Shkolla. Marrë më 2025-05-28.
- ↑ Gjeçovi, Xhelal (2009). Historia e popullit shqiptar, vëllimi IV (në Gjuhë shqipe). Tiranë: Toena. fq. 353-397.
{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) - ↑ Gashi, ZIjadin (2022). Shtëpitë Shkolla në fotografi, (në Në gjuhën shqipe). Prishtinë: Shtypshkronja Blendi. fq. 15.
{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) - 1 2 3 4 5 6 7 Shatri, Bajram (2010). Arsimi shqip në Kosovë: 1990-1999 (në Në gjuhëm shqipe). Prishtinë: Shtëpia botuese “Libri shkollor”.
{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja) - ↑ Gazeta Bujku, Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë, 3 shtator 1991.
- ↑ "Historia e shtëpive-shkolla, në Kosovën e kohës së Millosheviqit (Video)". Telegrafi.com. 2016.
- ↑ Ekonomia online, Historitë e ndritshme kosovare: Shtëpitë shkolla, 26.01.2019.
- 1 2 Howard Clark, Civil Resistance in Kosovo, (United Kingdom: Pluto Press, 2000), 101.
- ↑ Krasniqi, V dhe Limani, M.,Women and Gender in the Last Two Decades of XX Century in Kosovo, (Prishtinë: forumZFD, 2023), 33.