Via Candavia

Autori që i ka përmendur në veprën e tij malet e Kandavisë ka qenë Plini Sekundi, i cili, në librin “Historia e natyrës”, shkruante se “malet e Kandavisë (ndodhen) shtatëdhjetë e tetëmijë hapa nga Dyrrahu”.[1]

Një autor tjeter që ka kaluar nëpër Kandavi dhe ka shkruar për të, ka qenë filozofi i madh romak Ciceroni. Në letrën që Ciceroni i shkruante një miku të tij, ai dëshmonte se kishte kaluar, apo do të kalonte nëpër Kandavi: “…Në qoftëse ti nxiton, sidoqoftë do të më arrish, sepse unë ... do të kaloj pa u ngutur nëpër Kandavi…” [2].

Gjatë Luftës Civile që u zhvillua në Romë, ndërmjet Cezarit dhe Pompeut, u përfshi edhe Kandavia në luftën, për shkak sa ajo u bë arenë e luftimeve dhe e kalimit të ushtrive romake nëpër territorin e saj. Cezari shkruan se ushtria e Pompeu, për të shkuar në Maqedoni, duhej të kalonte nëpërmjet Kandavisë: “Por, duke qenë se Cezarin e pengoi Apollonia që të merrte rrugën e drejtë, Pompeu me anë të Kandavisë u drejtua për në Maqedoni” [3]. Cezari na jep edhe një informacion interesan për Kandavinë, atë të një vendbanimi tjetër kandav, që quhej Heraklea (ose Sintika), e cila ishte nën vartësinë e Kandavisë dhe që nuk është e identifikuar ende. “Domitit, shkruan Cezari, iu desh të largohej prej këndej për mungesë të ushqimeve dhe të shkojë në Heraklea (Sintika), që është nën vartësinë e Kandavisë...” [4].

Gjeografi i famshëm i antikitetit, Strabonis, në veprën e tij “Geographica”, duke përshkruar vendet e Ilirisë antike, flet edhe për Kandavinë, për të cilën shkruan se: “Buzë rrugës që shkon për në Kandavi janë liqenjt rrotull Lyhnidit që kanë vende të mjaftueshme për të kripur e për të tharë peshq…” (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tirane 1965, faqe 160).

Por burimet e autorëve antikë nuk flasin për banorët e Kandavisë, se kush ishin dhe si quheshin. Emëri i banorëve të Kandavisë na vjen nga një tjetër burim i rëndësishëm, nga një mbishkrim i një objekti arkeologjik. Në vitin 1916 arkeologu austriak Kamilo Prashniker zbuloi në banesën e një qyteti në Mali të Zi një fragment arkitektonik që i përkiste një tempulli antik. Objekti kishte në faqen kryesore të tij një mbishkrim, në të cilin ishte shkruar përkushtimi: “Diana augusta kandaviensis”, d.m.th., “Diana, mbretëresha e kandavëve”. Prashniker mendon se ky mbishkrim “duket se lidhet me Kandavinë, malësia mes Skampa (Elbasani) edhe Lychnidus (Ohër), që sot njihet Mali i Polisit”. (K. Prashniker, A. Shober: Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, Tiranë 2003, faqe 2-3). Ky është një zbulim i rëndësishëm për historinë e lashtë të Shqipërisë, pasi dokumenton emrin e një fisi ilir, siç është ai i kandavëve.

Referime

  1. (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tiranë 1965, faqe 165).
  2. (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tiranë 1965, faqe 81)
  3. (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tirane 1965, faqe 83)
  4. (Po aty, faqe 83)