Vladimir Jani
Vladimir Jani |
|---|

Vladimir Jani (4 qershor 1921- 15 Gusht 2001) ishte nje piktor shqiptar me titullin "piktor i popullit"
Jeta dhe arsimi
Vladimir Jani lindi më 4 qershor 1921 në Shkodër, në një familje me origjinë shkodrane dhe malazeze. Ishte djali i dytë i Pjetër Janit dhe Zllatana Joketić. Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në Gjimnazin Françeskan “Illyricum” në Shkodër, ku u dallua herët për prirjet e tij në vizatim dhe pikturë.
Në vitin 1939 filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Beograd, por për shkak të një sëmundjeje të rëndë u detyrua t’i ndërpriste dhe të kthehej në Shqipëri. Në vitin 1940 vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence, nën drejtimin e piktorit italian Felice Carena. Studimet i përfundoi në vitin 1943, vit në të cilin u kthye në Shkodër për të ushtruar veprimtarinë e tij artistike.[1]
Veprimtaria pedagogjike
Në periudhën 1946–1949, Vladimir Jani u emërua nga Ministria e Arsimit për të punuar në Berat, ku themeloi kursin e parë të pikturës në Shtëpinë e Kulturës. Ai konsiderohet mësuesi i parë profesionist i bazave të vizatimit dhe pikturës në këtë qytet pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe në Berat, ai kishte në kursin e tij të pikturës nxënës që më vonë do të bëheshin figura qendrore të artit shqiptar, si "Piktori i Merituar" Sotir Capo.[2]
Pas kthimit në Shkodër, nga viti 1950, punoi si mësues vizatimi në disa shkolla të qytetit. Në vitin 1952 mori drejtimin e kursit të pikturës në Shtëpinë e Kulturës së Shkodrës, ku dha mësim për disa dekada. Kontributi i tij në ngritjen dhe drejtimin e këtij kursi është dokumentuar edhe në ditarët kinematografikë zyrtarë të kohës, siç është kronika e Kinostudios "Shqipëria e Re" e vitit 1962, ku ai shfaqet duke udhëhequr studentët e tij.[3] Përgjatë kësaj veprimtarie, ai formoi artistë të shumtë që do të linin gjurmë në artin kombëtar, ndër të cilët dallohet edhe piktori i njohur Smajl Lulani, i cili e ka vlerësuar Vladimir Janin si mësuesin e tij të parë. Gjatë viteve 1960–1971 drejtoi gjithashtu rrethe pikture për të rritur dhe nxënës në institucione të ndryshme kulturore të qytetit.
Veprimtaria artistike
Vladimir Jani mori pjesë në ekspozita personale dhe kolektive në Shqipëri dhe jashtë saj. Ekspozita ku ai u paraqit me dy punime per here te parë ishte në vitin 1943 në Shkodër, ndërsa në vitin 1945 mori pjesë me dy vepra në ekspozitën e parë zyrtare të arteve figurative të hapur pas lufte në Tirane.[4] Ai mori pjesë rregullisht në ekspozitat kombëtare të arteve figurative në Tiranë në vitet 1952, 1954, 1959, 1960, 1974 dhe 1976.
Në vitin 1960 ekspozoi në Moskë, ku një nga veprat e tij iu dhurua muzeut të arteve të qytetit. Në vitin 1964 mori pjesë në Bienalen e Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1961, 1987, 1992 dhe 1994 hapi ekspozita personale në Shkodër dhe në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, me titullin “Autobiografia e Qytetit tim”. Kontributi i tij në artin kombëtar u nderua edhe në vitin 2004, kur Posta Shqiptare, me rastin e 50-vjetorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, emetoi një pullë postare zyrtare me riprodhimin e njërës prej pikturave të tij.[5] Vepra e tij vazhdon të ekspozohet në ngjarje të rëndësishme kulturore përkujtimore edhe pas vdekjes, siç ishte ekspozita kolektive e Marsit 2025 në Tiranë, ku krijimtaria e tij u shfaq krah emrave të mëdhenj si Ibrahim Kodra.[6]
Veprat e tij trajtojnë kryesisht peizazhe urbane, natyrë të qetë dhe tema nga jeta e përditshme, me fokus të veçantë te qyteti i Shkodrës. Një pjesë e konsiderueshme e krijimeve të tij janë blerë dhe janë bërë pjesë e fondeve të përhershme të muzeve kombëtarë. Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë ka në koleksionin e saj 11 vepra, mje nga te cilat eshte vepra "Nxënësi im" (1954, vaj mbi karton, 21 x 29 cm),[7] si dhe "Natyrë e qetë" (1958, vaj në kompesatë).[8] Ndërsa Galeria e Arteve Shkodër ka në pronësi të fondit të saj 15 vepra të piktorit, përfshirë këtu vepren e njohur "qeramikat" [9]
Botime
- Simon Rrota (Monografi), botuar nga Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, 1963. Kjo monografi e shkurter i kushtohet jetës dhe veprës së piktorit të njohur Simon Rrota. Botimi vlerësohet për vlerat e tij dokumentare dhe sot gjendet në fondet e disa prej bibliotekave të rëndësishme kombetare dhe ndërkombëtare, si në: Bibliotekën Kombëtare Tirane, Bibliotekën Kombëtare të Francës (Paris), në Bibliotekën e Universitetit të Çikagos (SHBA), në bibliotekat arbëreshe në Itali (Besa), e të tjerë.[10]
Vlerësime dhe tituj
- 1979 – U dekorua me Urdhrin “Naim Frashëri”, Klasi I.
- 1992 – U nderua me titullin “Piktor i Popullit”.
- 2003 – U shpall “Krenaria e Shkodrës” (pas vdekjes).
- 2012 – U shpall “Qytetar Nderi i Shkodrës” (pas vdekjes).
Trashëgimia
Vladimir Jani konsiderohet një figurë e rëndësishme dhe me ndikim në historinë e arsimit artistik dhe të artit pamor shqiptar të shekullit të XX. Veprat e tij ruhen në institucionet më të larta kulturore të vendit dhe shërbejnë si një dokumentim me vlerë i peizazhit dhe jetës shqiptare.
Burime
- ↑ Anna Lattanzi, "Renzo Collura, l'artista siciliano innamorato dell'Albania", Albania Letteraria, 14 mars 2023
- ↑ Kastriot Dervishi, "Sotir Capo, piktori i shquar beratas", DashArt.al, 19 gusht 2024.
- ↑ Kinostudio "Shqipëria e re", "Zhurnal Nr. 9, 1962, Suzhet 6", Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), 1962.
- ↑ Galeria e Kombetare e Arteve, "Katalogu i Ekspozitës së Parë, Tirane 1945 (Faqe 4)", Instagram zyrtar.
- ↑ Colnect Stamp Catalog, "Stamp: Still Life by Vladimir Jani (Albania, 2004)", Colnect.
- ↑ Nostalgji, "Nostalgji para e pas '90-ës", DashArt.al, 15 mars 2025.
- ↑ Galeria Kombëtare e Arteve, "Vepra 'Nxënësi im' (1954) nga koleksioni i GKA", Instagram zyrtar.
- ↑ Galeria Kombëtare e Arteve, "Vepra 'Natyrë e qetë' (1955) nga koleksioni i GKA", Instagram zyrtar.
- ↑ Galeria e Arteve Shkodër, "Vepra Qeramikat (1966) nga fondi i GA Shkodër", Instagram zyrtar.
- ↑ WorldCat, "Simon Rrota (Book, 1963) by Vladimir Jani", WorldCat Global Catalog.