Xhevdet Mehqemeja
Xhevdet Mehqemeja ishte një jurist dhe intelektual Beratas, me aktivitet të gjerë patriotik dhe politik, qe shërbeu si kryetar i Bashkisë së Beratit në 1924. I lindur në Berat në një prej "oxhaqeve" të njohura të qytetit, ai përfaqëson brezin e intelektualëve të formuar në Stamboll që kontribuan në ndërtimin e institucioneve të shtetit të ri shqiptar.
Prejardhja dhe arsimimi
Xhevdet Mehqemeja lindi rreth vitit 1890 në Berat, brenda familjes Mehqemeja, një nga "oxhaqet" të qytetit që për shekuj përbënë elitën administrative dhe kulturore lokale. Në fillim të shekullit të XX, ndoqi studime të larta për jurisprudencë në Stamboll, ku u diplomua në Universitetin e Stambollit, në Fakultetin e Drejtësisë.
Veprimtaria patriotike
Në Janar 1914, Mehqemeja mori përsipër detyrën e hapjes së shkollave shqipe në rrethin e Fierit, në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës për shtrirjen e arsimit kombëtar dhe konsolidimin e vetdijes kombëtare që rrezikohej nga fqinjët armiqësorë që kishin pushtuar territoret vendase gjatë luftës ballkanike, si dhe mobilizimet separatiste në Shqipërinë e mesme. Pas vonesave në qytetin e Fierit, ai hapi më 20 Janar 1914 shkollën e parë shqipe në fshatin Peshtan të Madh (një vendbanim me rreth 200 shtëpi në zonën e Fierit).
Në një korespondencë për gazetën «Përlindja e Shqypniës» (datë 1 Shkurt 1914), Mehqemeja dokumentoi hapjen e shkollës dhe vështirësitë e punës atdhetare, duke shënuar: "[...] vonimi i hapjes së shkollës në Fier, më preu guximin të shkruaj edhe për të tjera gjëra". Ky veprim e vendos atë në rrafshin e mësuesve kombëtarë të brezit të parë të shtetit shqiptar.
Aktivizmi politik (1920–1944)
Nënprefekt i Fierit (1920–1922)
Pas Pavarësisë, Mehqemeja hyri në administratën civile si nënprefekt i Fierit, duke qenë një nga administratorët e parë të kësaj prefekture në vitet e konsolidimit të shtetit.
Kryetar i Bashkisë së Beratit (1924)
Xhevdet Mehqemeja mbajti detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Beratit gjatë vitit 1924. Ky mandat përkoi me "Lëvizjen e Qershorit" dhe qeverinë e Fan Nolit, me të cilin Mehqemeja ndante të njejtin ideal. Pas rrëzimit të qeverisë së Nolit dhe kthimit të Ahmet Zogut në fund të vitit 1924, situata politike u ndërlikua për Mehqemenë. Dokumentet e kohës regjistrojnë se Mehqemeja u arratis jashtë vendit, duke u etiketuar pjesë e rrymës së "Fanolistëve" (mbështetësve të Fan Nolit që emigruan). Listat zyrtare të Ministrisë së Brendshme të viteve '30 e shënojnë atë si "avokat nga Berati" që më vonë "ka ardhë falë" (u amnistua dhe kthye në Shqipëri).
Gjyqtar në Peqin (1926)
Pas kthimit në atdhe, sipas dokumenteve Arkivi Qendror i Shtetit e regjistron atë si gjyqtar në Gjykatën e Paqes së Peqinit në vitin 1926 (AQSH, F. 156, V. 1926, D. 742).
Anëtar i Asamblesë Kushtetuese (1939)
Me pushtimin italian të Prillit 1939, Mehqemeja, si shumë intelektual të formuar në periudhën e shtetformimit shqiptar, u gjend përballë një dileme ekzistenciale. Më 12 Prill 1939, ai u emërua anëtar i Asamblesë Kushtetuese të thirrur nga pushtuesit, organ që formalisht shpalli rrëzimin e Mbretërisë së Zogut dhe ofroi kurorën shqiptare Mbretit Viktor Emanueli III të Italisë.
Anëtar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist (1942)
Më 18 Prill 1942, u emërua anëtar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist.
Në kontekstin e okupacionit, strukturat e tilla përbënin instrumente të kontrollit kolonial, por njëkohësisht shërbenin si mburojë administrative për të parandaluar kaosin total. Për intelektualë si Mehqemeja, të formuar në kontekstin politik të periudhës 1920-1939, zgjedhja për të mbajtur një funksion publik, edhe nën kontrollin e pushtuesit, reflekton tragjedinë e një brezi që kishte investuar jetën në ndërtimin e shtetit të pavarur shqiptar kundrejtë përgjegjësisë shoqerore.
Angazhimi Publik në Berat (1935–1939)
Gjatë viteve '30, Mehqemeja ruajti praninë në jetën publike beratase, veçanërisht në fushën e kulturës dhe kujtesës kombëtare. Në Dhjetor 1935, me rastin e përurimit të Lapidarit të Dëshmorëve të Kombit në Berat (monumentit të parë të këtij lloji në Shqipëri, kushtuar atdhetarëve të rënë në luftë), ai publikoi një artikull të rëndësishëm në revistën «Minerva».
Në këtë shkrim, ai sintetizonte një koncept të thellë të ndjesisë kombëtare: "Njerëzit vdesin, por idealet për të cilët luftojnë herojt e një kombi ushqehen dhe rriten me gjakun e dëshmorëve". Ky tekst, pjesë e fjalimit të tij përurues në ceremonitë përkujtore për Çerçiz Topullin dhe Muço Qullin (1936), dëshmon për një vazhdimësi në ideale.