Afrim S. Gashi

Afrim Gashi
Lindi26 dhjetor 1977
Vdiq3 gusht 1998
Përkatësia
Vitet e shërbimit1997–1998
GradaLuftëtar
NjësiaBrigada 113
KomandatZona Operative e Drenicës
Betejat / luftëratLufta e Kosovës
MirënjohjeHero i Kosovës (pas vdekjes)

Afrim S. Gashi (26 dhjetor 1977 – 3 gusht 1998) ishte luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë Luftës së Kosovës. Ai veproi në kuadër të Zonës Operative të Drenicës dhe ra në luftime në vitin 1998. Në vitin 2017 u shpall Hero i Kosovës.

Jeta dhe arsimi

Afrim Gashi lindi më 26 dhjetor 1977 në fshatin Kryshec, Skenderaj.[1] Arsimin fillor e kreu në fshatin Polac, ndërsa shkollën e mesme teknike e përfundoi në Llaushë, në shkollën që sot mban emrin “Anton Çetta”.

Në vitin 1997 u regjistrua në Degën e Gjuhës Angleze në Universitetin e Prishtinës. Për shkak të mbylljes së institucioneve arsimore nga autoritetet serbe, mësimi zhvillohej në ambiente private.

Aktiviteti në UÇK

Me intensifikimin e veprimtarisë së UÇK në rajonin e Drenicës, Afrim Gashi ndërpreu studimet dhe iu bashkua UÇK-së. Fillimisht u sistemua në pikën luftarake në fshatin Llaushë e quajtur "Gulinovi", nën komandën e Jetullah Gecit.

Më vonë u inkuadrua në njësitin “Shigjeta” të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, pjesë e Zonës Operative të Drenicës. Në qershor 1998, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, u dërgua përkohësisht në Zonën Operative të Dukagjinit, ndërsa më pas u kthye në Drenicë, ku mori pjesë në aksione luftarake.[2]

Vdekja

Më 3 gusht 1998, gjatë një përballjeje me forcat serbe në afërsi të Manastirit të Deviçit, Afrim Gashi ra në luftime pas disa orësh rezistence. Për shkak të intensitetit të luftimeve dhe sulmeve të pandërprera, bashkëluftëtarët nuk arritën ta tërhiqnin trupin e tij nga vendi i rënies.

Varrosja dhe nderimet

Në tetor 1998, me ndërmjetësimin e OSBE-së, trupi i Afrim Gashit u tërhoq dhe u varros më 10 tetor 1998 në varrezat e fshatit Kryshec, Skenderaj.

Ai u shpall dëshmor i luftës së Kosovës. Familja e tij ka marrë mirënjohje nga strukturat e UÇK dhe organizata të dala nga lufta. Më 24 korrik 2017, me vendim të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Afrim Gashi u dekorua me urdhrin Hero i Kosovës.[3][4]

Referime

  1. ↑ "Afrim Sadri Gashi (26.12.1977 – 3.8.1998)". Radio Kosova e Lirë (në serbo-kroatisht). Marrë më 17 janar 2026.
  2. ↑ "Afrim Sadri Gashi (26.12.1977 – 3.8.1998)". Radio Kosova e Lirë (në serbo-kroatisht). Marrë më 17 janar 2026.
  3. ↑ "Dëshmori Afrim Gashi dekretohet me urdhrin "Hero i Kosovës"". Bota Sot (në serbo-kroatisht). Marrë më 17 janar 2026.
  4. ↑ "Dëshmori Afrim Gashi dekretohet me urdhrin "Hero i Kosovës"". Lajmi.net (në serbo-kroatisht). Marrë më 17 janar 2026.