Ag Apolloni

Ag Apolloni
Born13 qershor 1982
NationalityShqipëria shqiptar
EducationUniversiteti i Prishtinës
GenreProzë, poezi, dramë, kritikë
Years active2009-sot
Notable works
Notable awardsÇmimi "Katarina Josipi" (2016)[1]

Ag Apolloni (13 qershor 1982) është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe janë nderuar me shumë çmime. Nga viti 2008, ai është profesor në Universitetin e Prishtinës. Ndërsa ka qenë i ftuar si profesor edhe në Charles University në Pragë dhe në Harvard University në Cambridge, Massachusetts.

Jeta

Ag Apolloni ka lindur më 13 qershor 1982 në Kaçanik, Kosovë. Ai ka ndjekur shkollën fillore dhe gjimnazin në qytetin e tij, duke i përfunduar ato në vitin 2001. Në vitin 2005, ai përfundoi me sukses studimet në Dramaturgji dhe Letërsi në Universitetin e Prishtinës, kurse në vitin 2008, mori titullin Master i Shkencave Filologjike. Në vitin 2012, mori titullin Doktor i Shkencave Filologjike.

Që nga viti 2008, Ag Apolloni është profesor në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2020, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë atij iu dha shtetësia shqiptare.

Veprimtaria

Apolloni ka punuar si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta ditore dhe revista letrare e kulturore . Në vitin 2010, ai e riaktivizoi revistën më të vjetër letrare në Kosovë, Jeta e Re, e cila ishte themeluar në vitin 1949 dhe ishte ndërprerë në vitin 2006.

Në vitin 2013, Apolloni themeloi revistën kulturore Symbol, përmes së cilës realizoi intervista me intelektualë, shkrimtarë dhe artistë të shquar. Ndër të ftuarit e tij ishin Linda Hutcheon, Jonathan Culler, Rita Dove, Gottfried Helnwein, D. M. Thomas, Javier Cercas, Ann Jefferson, Stephen Greenblatt, Stanley Fish, David Damrosch, John Kerrigan etj. Ai e drejtoi këtë revistë për dhjetë vjet (2013–2023) dhe gjithashtu bashkëpunoi me shumë gazeta dhe revista letrare. Përveç kësaj, ai themeloi dhe drejtoi dy shtëpi botuese: OM (2012–2019) dhe Bard Books (2019–2024).

Veprat

Ag Apolloni ka filluar të shkruajë në vitin 2003. Në një kafene kishte dëgjuar një histori lufte për një kriminel që kishte koleksionuar sytë e viktimave të tij dhe kjo histori e kishte tronditur aq thellë sa që për këtë e kishte krijuar një monodramë brenda nate. Gjatë studimeve ka mbajtur një ditar poetik, të cilin në vitin 2009 e ka botuar me titullin “Zomb”. Ndërsa, në vitin 2013 boton romanin “Ulurima e ujkut”, ku, nëpërmjet formës postmoderne, kombinon dhimbjen me tërbimin. I provokuar nga përvojat personale, mllefi i madh në këtë roman shpesh merr përmasa planetare. Autori nuk kursen askënd, ai kritikon të gjithë: veten, familjen, shoqërinë, kombin, botën dhe Zotin. Pas këtij romani, shkruan novelën “Zazen” si një homazh për një shok të tij, i cili, pas mbarimit të studimeve në Degën e Filozofisë, në pamundësi për të gjetur punë në vendlindje, i mllefosur me të gjithë, kishte vendosur të zhdukej dhe, pas disa ditësh, ishte gjetur i vdekur në një humnerë. Derisa dramat e Apollonit provokojnë frikë dhe mëshirë, ndërsa poezitë e tij e transformojnë jetën intime në art, proza e tij është ankim dhe tërbim. Kurse, në studimet “Parabola postmoderne” (2010), “Paradigma e Proteut” (2012) dhe në kritikat e botuara nëpër periodikë, shihet një tendencë për të hapur shtigje të reja kërkimi.

Zomb

"Zomb" (2009) është libër me madrigale. Përmban gjithsej 100 poezi dhe një pasthënie në formë epistule. Libri fillon me një kushtim provokativ ("Gruas së shokut tim"), ka si moto dy vargje të poetit anglez John Milton (“Në qoftë se vdekja m’bashkon me ty/ ajo do të jetë për mue vetë jeta”), ndërsa ndahet në gjashtë njësi: Ouverture, Vals edenik, Sonatë dionisiane, Simfona e sirenave, Requiem Erosit dhe Coda. “Zomb” është një libër me temë erotike, i ndërtuar sipas parimeve të madrigalit mesjetar. Ai është libër që përmban në vete elemente të shumta nga muzika klasike, jazz, bluz, rock, pop etj.; nga kinematografia botërore, nga letërsia antike, mesjetare, moderniste, bashkëkohore dhe gjithashtu nga religjionet, si: budizmi, totemizmi, judaizmi, kristianizmi dhe islamizmi.

Drama

Libri "Drama: Stefani, Halloween, Judita, Mat" (2010) përmban tri drama tragjike, të cilat për nga radhitja e numrit të personazheve shfaqin haptazi referencën te zanafilla e dramës dhe e teatrit antik grek (te Stefani, që ka vetëm një personazh, fantazia të çon te karroca e Tespisit; te Halloween futet edhe personazhi i dytë, sipas modelit të Eskilit, kurse te Judita hyn edhe personazhi i tretë, sipas modelit të Sofokliut), si dhe një tekst të frymës së Aristofanit, si relaksim për publikun. Monodrama Stefani, historia e një koleksionisti të syve, është një histori tronditëse e një koleksionisti të syve që jeton në qilarin e tij me 4998 sytë e mbledhur gjatë luftës në Bosnjë dhe Kosovë. Këtë vepër Apolloni e ka shkruar në moshën 21 vjeçare si “një elegji për dekadën e fundit të shekullit të kaluar, përkatësisht një tekst përkujtues për krimet që tronditën botën. Monodrama është histori që trajton dashurinë dhe krimin, jetën dhe vdekjen si një binom që mund të tronditë publikun.” Halloween është një histori incestuoze për natën e Halloween-it. Këtë dramë Apolloni e ka shkruar i nxitur nga leximi i një fejtoni mbi jetën e vrasësit serik Ted Bundy. Judita është dramë me motive biblike e trajtuar si një histori mitike për konfliktin mes Lindjes dhe Perëndimit, për moskuptimin mes njeriut dhe Zotit, si dhe për nënshtrimin dhe guximin. Komedia Mat është një pastish i ndërtuar mbi veprat e regjisorëve Ingmar Bergman dhe Woody Allen, mbi përballjen qesharake mes njeriut dhe vdekjes.

Ulurima e ujkut

Romani "Ulurima e ujkut" (2013) trajton shumë tema nga kënde dhe forma të ndryshme. Mes të tjerash, romani trajton edhe ndarjet e dhimbshme me të gjallët dhe të vdekurit. Romani përshkohet gjithandej nga një dëshpërim dhe tërbim, i shoqëruar edhe me një dozë humori, me shumë referenca nga muzika, piktura, filmi dhe teatri. Ngjarjet vendosen në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Itali dhe Vjenë, ku edhe është përfunduar romani.

Zazen

"Zazen" (2014) trajton fatin e një të riu kosovar, shok i autorit, që pasi mbaron studimet, kthehet në vendlindje, por ky kthim bëhet tragjik për të, pasi ai si shkollar shpërfillet nga komuna, keqkuptohet nga katundi, shpallet i çmendur nga familja. "Zazen" ndërlidh një shumësi temash: sociale, filozofike, politike, nacionale, religjioze etj. Në të rrëfehet ankthi dhe jeta tragjikomike e Zen Zabelit, i cili ka shumë ide, pak kërkesa e aspak mundësi.

Hamleti simbas Horacit

"Hamleti simbas Horacit"është tragjedi psikanalitike ku mishërohen idetë teorike të Frojdit për të dhënë një histori të mundshme të Hamletit, duke prekur temën e incestit të dyfishtë (vëlla-motër, nënë-bir) dhe temën e tradhtisë së shumëfishtë. Hamleti simbas Horacit është një pastish, apo hipertekst dramatik i ndërtuar mbi Hamletin e Shekspirit dhe mbi interpretimet e Frojdit për Hamletin si një Edip të pakryer. Tematikisht, Hamleti simbas Horacit është një histori alternative, e cila vjen si jehonë nga Orestia, Edipi mbret dhe Hamleti. Kjo dramë është shpallur fituese e çmimit vjetor për dramë "Katarina Josipi".[2]

Skenderbeu: Manuskripti i Marlout

"Skenderbeu: Manuskripti i Marlout" është një dramë e shkruar sipas parimit postmodern të dorëshkrimit, pra si gjetje e një drame elizabetiane të shekullit 16 e cila konsiderohet dramë e humbur. Për shkrimin e kësaj drame autori ka shfrytëzuar shumë materiale historike, letrare, kinematografike dhe teatrore, për të krijuar një realitet të besueshëm të kohës skenderbegiane. Këtu heroi paraqitet mes mitit dhe realitetit, si një figurë sa e madhe, aq edhe njerëzore.[3]

Mesjeta Ime

Është libër me ese autobiografike, i cilësuar edhe si autobiografi narrative-eseistike.[4] Libri përbëhet nga 10 ese me tituj latinë: Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona, Schisma, Templarius, Inquisitio dhe Memento, të cilat trajtojnë jetën e autorit dhe aktualitetin e sotëm kosovar.[5]

Kritika, ese

Përveç veprave të tij artistike, Apolloni ka shkruar edhe disa libra kritikë dhe eseistikë. Ai ka botuar dy monografi: Parabola postmoderne (2010), një studim mbi shkrimtarin Rexhep Qosja, i konsideruar shkrimtari i parë postmodern shqiptar; dhe Paradigma e Proteut (2012), një studim mbi romanin e shkrimtarit Ismail Kadare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që është romani më i përkthyer shqiptar.

Në vitin 2016, ai botoi librin Koferi i Konicës, një koleksion esesh që trajtojnë aspekte të ndryshme të letërsisë shqiptare, duke përfshirë gjuhën, vlerën letrare, autorët kryesorë dhe veprat kyçe. Në vitin 2019, ai publikoi Commentum, një projekt kritik në disa volume, ku trajtohen edhe autorë si Aristoteli, Nietzsche, Kazantzakis, Unamuno, Pavese, Borges, Sabato, Eco etj.

Në vitin 2024, Apolloni u ftua nga Universiteti i Pragës për të mbajtur një seri prej dhjetë ligjëratash mbi letërsinë botërore. Këto ligjërata më vonë u botuan si libër me titullin Predikimet e Pragës (2025).

Shpërblimet

Krijimtaria e Apollonit është shpërblyer me disa çmime letrare kombëtare, si:

  • 2010 Libri më i mirë poetik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”;[6]
  • 2013 Libri më i mirë kritik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”;
  • 2013 Romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”;
  • 2017 Drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”.
  • 2020 Romani më i mirë i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin "Një fije shprese, një fije shkrepëse"

Bibliografia

Romane:

Poezi

Drama

  • Drama: Stefani, Halloween, Judita, Mat (2010)
  • Hamleti simbas Horacit (2017)
  • Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (2018)
  • Hakmarrja e Homerit (2025)

Kritikë

  • Parabola postmoderne (2010)
  • Paradigma e Proteut (2012)
  • Koferi i Konicës (2016)
  • Commentum (2019)
  • Predikimet e Pragës (2025)

Non-fiction

  • Mesjeta ime (2019)


Referime

  1. https://www.mkrs-ks.org/?page=2,6,1608#.XVnLMcmfw0M
  2. "Ag Apolloni fitues i Çmimit "Katarina Josipi"". KultPlus. 27 tetor 2017. Marrë më 15 nëntor 2017.
  3. "'Skenderbeu: Manuskripti i Marlout' i Ag Apollonit". Zëri. 2018-06-01. Marrë më 2018-06-02.
  4. "Doli nga shtypi "Mesjeta ime" i Ag Apollonit". Rtv 21. 2019-02-11. Arkivuar nga origjinali më 12 shkurt 2019. Marrë më 2019-03-06.
  5. Isa Vatovci (2019-02-28). "Doli nga shtypi "Mesjeta ime" i Ag Apollonit". Kallxo.com. Arkivuar nga origjinali më 8 janar 2020. Marrë më 2019-03-06.
  6. https://www.mkrs-ks.org/?page=1,65

[1][2][3][4][5][6][7]

  1. Revista kulturore “Symbol”: , "OM Publisher"
  2. “Stefani” e Apollonit botohet në Austri:, "Koha.net" Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
  3. Романот „Завивањето на волкот“ од Аг Аполони доби превод на македонски јазик:,"Завивањето на волкот" Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
  4. “Zazen”, që nis me qiellin e përfundon me token: ,"Kultplus.com"
  5. “Ulurima e ujkut” e Ag Apollonit një roman revolte: ,"Koha.net" Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
  6. “Paradigma e Proteut”: ,"Shekulli.com.al"
  7. “Zazen”: ,"Sbunker.net" Arkivuar 29 qershor 2016 tek Wayback Machine