Bubli

Bubli
Fshat
ShtetiKosova Kosova
KomunaMalishevë
RajoniPrizren
Sipërfaqja
  Total
3,8 km2 (15 sq mi)
Lartësia
508 m (1,667 ft)
Popullsia
  Total
805
Targat04

Bubli është një vendbanim në komunën e Malishevës, Kosovë. Gjendet rreth 8 kilometra në perëndim të qendrës së Malishevës dhe është vendbanim fushor.[1] Shkolla e fshatit gjendet mes fshatrave Bubël dhe Damanek.

Historia

Nëpër këtë vendbanim kanë kaluar rrugët e karavanëve që bartnin mallra nga Vushtrria për në Gjakovë. Kjo dëshmohet me një urë të vjetër - Ura e Rabaxhive, e cila është meremetuar nga familja Kusari në vitin 1758. Popullsia e sotme e këtij fshati janë të ardhur nga fshatrat Panorcë, Zatriq dhe Pagarushë.

Si vendbanim me emrin Bubnja përmendet në Librin e Kujtimeve të Manastirit të Shën Trinës, afër Mushtishtit, i cili ka filluar të mbahet nga viti 1465. Në një hartë austriake të përpiluar në bazë të shënimeve të vitit 1689, është i regjistruar me emrin Bubli. Edhe në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900 është i regjistruar si vendbanim. Në vendin e quajtur Vakaf, ekzistojnë varrezat e quajtura "Vorret e Mortajës". Mbishkrimet e tyre janë në gjuhën turke osmane dhe janë të vjetra 300-400 vjet, para ardhjes së Bytyçëve nga Panorca.

Pas vitit 1912, një pjesë e madhe e fshatit është djegur nga pushteti serb. Edhe në vitin 1919 janë djegur 4-5 shtëpi. Pas këtij viti, katër familje shqiptare me 50 anëtarë janë shpërngulur në Turqi. Sipas burimeve arkivore, më 1934, pushteti i atëhershëm u kishte konfiskuar pronat 13 familjeve të këtij fshati dhe ua kishte dhënë kolonëve sllavë. Nga ky vendbanim, shumë familje janë shpërngulur në Prizren, Pejë dhe gjetiu.

Koha e Luftës së Kosovës

Gjatë Luftës së Kosovës, pothuajse i tërë fshati është djegur, ndërsa shkolla dhe ambulanca e fshatit janë granatuar. Është vrarë një banor i këtij fshati. Banorët e këtij fshati janë strehuar dhe kanë qëndruar maleve përreth në kohën e sulmeve policore dhe ushtarake serbe.

Lagjet dhe mikrotoponimet

Lagjet kryesore në Bubël janë: Bytyçi, Kastrati, Morina, dhe Krasniqi. Ndër mikrotoponimet më karakteristike janë: Udha e Rabaxhive, Fushat e Pojatave, Arat e Durakut, Arat pej livadheve, Arat e Lutës, Vrella, Kroni i Moçëm, Ura e Vjetër, Udha e Karavanëve, Kalldërmi, Varret e Murtajës, Kah Ara e Demës, dhe Zabeli Mustafë Agës.

Demografia

Popullsia sipas viteve
Viti i regjistrimit Numri i popullsisë Numri i shtëpive
1879 - 17
1905 - 12
1913 185 -
1918 152 13
1921 120 12
1948 247 36
1953 231 32
1961 223 27
1971 257 25
1981 348 27
1999 805 69

Shiko edhe

Referime

  1. Osmani, Jusuf (2006). Vendbanimet e Kosovës - Malisheva. Vëll. 19. Prishtinë: Shkrola. fq. 92. ISBN 9951-8658-3-6.

Lidhje të jashtme