Faton Hajrizi

Faton Hajrizi (lindur më: 16 shkurt 1985, Klinë të Ulët, Skënderaj - 19 korrik 2024) ishte kosovar, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në moshën 14 vjeçare, në media i njohur për një histori të gjatë penale dhe për shumë arratisje nga institucionet korrektuese të Kosovës. Historia e tij penale nisi në vitin 2000, pak pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur ai u arrestua për herë të parë si i mitur. Që nga ajo periudhë, Hajrizi u përball me disa procese gjyqësore dhe dënime nga gjykata të ndryshme të Kosovës.[1][2]

Rasti më i hershëm dhe më i njohur lidhet me vrasjen e një ushtari rus të misionit KFOR në Skenderaj më 29 shkurt 2000, për të cilën deklaroi se ishte autori, në moshën 15 vjeç, të cilën më vonë e kontestoi një ish-polic i Policisë së Kosovës pa ofruar dëshmi.[3] Gjykata e Qarkut në Mitrovicë i shqiptoi atij një masë edukuese, ndërsa në të njëjtin vendim ai u shpall fajtor edhe për vepra të tjera penale, përfshirë tentim-vrasje, vjedhje dhe keqpërdorim të automjeteve. Më vonë, në vitin 2008, ai u dënua për grabitje të armatosur dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në vitin 2019 Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi për vrasje në tentativë.[1][2]

Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimeve, Hajrizi u arratis disa herë nga qendra të ndryshme korrektuese, përfshirë institucionet në Mitrovicë, Skenderaj, Pejë, Dubravë dhe Prizren. Arratisjet u regjistruan në periudha të ndryshme ndërmjet viteve 2000 dhe 2012. Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, deri në vitin 2024 ai kishte vuajtur mbi 17 vjet burgim, ndërsa i kishin mbetur edhe disa vite të tjera dënim.[1][2]

Arratisja e fundit ndodhi më 6 korrik 2024 nga një burg i tipit të hapur në Smrekonicë të Vushtrrisë. Pak ditë më vonë, autoritetet serbe e lidhën atë me vrasjen e një zyrtari policor në qytetin e Loznicës. Më 19 korrik 2024, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se Faton Hajrizi u vra[4] gjatë një operacioni policor, teksa ishte në arrati.[1][2]

Shiko edhe

Referime

  1. 1 2 3 4 Baliu, Doruntina (2024-12-02). "Vrasje, grabitje e shumë arratisje - Kush ishte Faton Hajrizi?". Radio Evropa e Lirë. Marrë më 2026-01-10.
  2. 1 2 3 4 https://kallxo.com/lajm/kush-eshte-faton-hajrizi-njeriu-qe-u-arratis-nente-here-nga-burgjet-e-kosoves/. {{cite web}}: Mungon ose është bosh |title= (Ndihmë!)
  3. ↑ Ballkani Videos (2024-07-22), Shokon avokati Gazmend Halilaj: Faton Hajrizi nuk e vrau rusin, ishte dikush tjetër, marrë më 2026-01-11 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ↑ "Mediat serbe publikojnë pamjet nga vendi i ngjarjes: Vritet Faton Hajrizi". reporteri.net. Marrë më 2026-01-11.