India Daneze

India Daneze
Dansk Ostindien
1620–1869
Flag of India Daneze
Flag
Ngulimet daneze në Indi
Ngulimet daneze në Indi
Statusi
  • Kompania Daneze e Indisë Lindore (1620–1777)
  • Koloni Dano-Norvegjeze (1777–1814)
  • Koloni Përtejdeti Daneze (1814–1869)
KryeqytetiFortesa Dansborg
Common languagesDanisht, telugu, gjuha tamile, gjuha hindi, bengalisht
Mbreti i Danimarkës (dhe Norvegjisë deri në vitin 1814) 
• 1620–1648
Kristiani IV
• 1863–1869
Kristiani IX
Guvernator 
• 1620–1621
Ove Gjedde
• 1673–1682
Sivert Cortsen Adeler
• 1759–1760
Christian Frederik Høyer
• 1788–1806
Peter Anker
• 1825–1829
Hans de Brinck-Seidelin
• 1841–1845
Peder Hansen
Historical eraPeriudha Koloniale
• Themeluar
1620
• Disestablished
1869
MonedhaRupia Daneze Indiane
Pasuar nga
Sundimi i Kompanisë Britanike të Indisë Lindore
Raxhi Britanik
Today part ofIndia

India Daneze (Dansk Ostindien) ishte emri i vënë fotesave dhe emporeve të Danimarkës (Danimarka-Norvegjia para vitit 1814) në Nënkontinentin Indian, që ishte pjesë e Kolonive Daneze Përtejdetit. Danimarkë–Norvegjia kishte zotërime koloniale në Indi për më shumë se 200 vjet, duke përfshirë edhe qytetin e Tharangambadit në shtetin e tanishëm indian të Tamil Nadusë, Serampores në shtetin e tanishëm indian të Bengalit Perëndimor dhe Ishujt Nikobarë, tashmë pjesë të territorit të bashkimit indian të Ishujve Andaman dhe Nikobar. Prania daneze dhe norvegjeze në Indi ishte me pak domethënie për fuqitë kryesore europiane, pasi ata nuk përbënin një kërcënim ushtarak dhe as tregtar.[1] Sipërmarrjet dano-norvegjeze në Indi, si kudo tjetër, në mënyrë tipike ishin të nënkapitalizuara dhe nuk qenë kurrë të afta për ta mbizotëruar ose monopolizuar itineraret tregtare në të njëjtën mënyrë si sipërmarrjet britanike, franceze dhe portugeze.[2][3]

Megjithë disavantazhet, sipërmarrjet dano-norvegjeze arritën ti mbajnë zotërimet e tyre koloniale dhe ndonjëherë, të kishnin një pjesë të rëndësishme të tregtisë ndërkombëtare duke shfrytëzuar luftërat midis vendeve më të fuqishme dhe duke bërë tregti nën një flamur asnjanësie.[4][5] Për këtë arësye, prania e tyre u tolerua për shumë vite deri sa ngritja e Fuqisë Perandorake Britanike çoi në shitjen e të gjitha zotërimeve daneze në Indi te Britania, gjatë shekullit të XIX.

Historia

Suksesi i tregtarëve holandezë dhe anglezë në tregtinë e erëzave në shekullin e XVII qe një burim zilie mes tregtarëve danezë dhe norvegjezë.[6][7] Më 17 mars 1616, Kristiani IV, mbreti i Danimarkë-Norvegjisë, nxori një kartë që krijonte një Kompani Daneze të Indisë Lindore me monopolin e tregtisë midis Danimarkë-Norvegjisë dhe Azisë për 12 vjet.[8] Kjo do të merrte edhe dy vjet të tjerë para se të mblidhej kapital i mjaftueshëm për të financuar ekspeditën, ndoshta për shkak të mungesës së besimit nga investitorët danezë. U desh mbërritja e tregtarit dhe administratorit kolonial holandez, Marchelis de Boshouver, në 1618 për ti dhënë një shtysë udhëtimit të parë. Marcelis mbërriti si një i dërguar (ose të paktën ai pretendonte të ishte) për mbretin e Kandit, Senarat Adasin, që kërkonte ndihmë kundër portugezëve duke premtuar monopolin e të gjithë tregtisë me ishullin.[9][10] Apeli i tij ishte refuzuar nga patriotët e tij, por mundi të bindëte mbretin danez.[11][12]

Ekspedita e parë (1618–1620)

Traktati i nënshkruar mes Kristianit IV të Danimarkës dhe Boshouver (në emër të Adahasinit) në 1618. Sipas Adahasin, Boshouver nuk ishte i autorizuar për të nënshkruar një traktat të tillë në emër të tij, kështu që ai ishte i pavlefshëm. Në vazhdim, danezët kërkuan që mbreti të zbatonte kontratën. Mbreti nuk e pranoi këtë, por megjithatë nënshkroi një traktat të ri, që u jepte danezëve Trincomalin.[13]

Ekspedita e parë u nis në 1618 nën admiralin Ove Gjedde, duke marrë dy vjet për të mbërritur në Cejlon dhe duke humbur më shumë se gjysmën e ekuipazhit të saj gjatë rrugës. Me të mbërritur në maj 1620, ata e gjetën mbretin pa dëshirë për ndonjë ndihmë të huaj — duke qenë se kishte bërë marrëveshje paqeje me portugezët tre vjet më parë. Madje, për habinë e admiralit, mbreti i Kandit nuk ishte i vetmi, bile as "mbreti më i dalluar në këtë tokë".[14]

Duke mos arritur të konfirmonin kontratën tregtare dano-norvegjeze-cejloneze, dano-norvegjezët pushtuan shpejt Tempullin e Konesvaramit para se të merrnin udhëzim nga drejtori i tyre tregtar, Robert Crappe.[15][16]

Crappe kishte lundruar në kërkim të transportueses Øresund një muaj para flotës kryesore. Øresund kishte sulmuar anije portugeze pranë bregut të Karaikalit dhe ishte fundosur, me shumicën e ekuipazhit të vrarë ose të zënë rob. Kokat e dy anëtarëve të ekuipazhit ishin vendosur mbi hunjë në breg si një paralajmërim për dano-norvegjezët. Crappe dhe 13 anëtarë të ekuipazhit kishin shpëtuar nga fundosja, duke arritur në bregun ku u kapën nga indianët dhe u çuan te Raghunatha Najaku, najaku i Tanxhores (tani Thanxhavuri në Tamil Nadu).[17][18] Najaku doli i interesuar për mundësi tregtie dhe Crappe negocioi një traktat që u dha atyre fshatin e Trankuebarit (ose Tharangamabadi),[19] të drejtën për të ndërtuar një "shtëpi guri" (Fortesa Dansborg) dhe lejën për të marrë taksa.[20] Ky traktat u nënshkrua më 20 nëntor 1620.[21]

Vitet e para (1621–1639)

Vitet e para të kolonisë ishin të vështira, me administrim dhe investime të dobta, bashkuar me humbjen e pothuajse dy të tretave të të gjitha anijeve tregtare të dërguara nga Danimarka.[22] Anijet që u kthyen patën fitim nga ngarkesat e tyre, por fitimet e përgjithshme nuk i plotësonin shpenzimet e sipërmarrjes.[23] Për më tepër, vendosja gjeografike e kolonisëishte e brishtë ndaj valëve të larta të baticave që shkatërronin në mënyrë të përsëritur atë që ndërtohej — rrugë, shtëpi, ndërtesa administrative, tregje, etj.[24] Megjithëse synimi kishte qenë për të krijuar një alternativë ndaj tregtarëve anglezë dhe holandezë, gjendja e vështirë financiare e kompanisë dhe ridrejtimi i burimeve kombëtare drejt Luftës Tridhjetë Vjeçare, e çoi koloninë drejtë braktisjes së përpjekjeve për të tregtuar drejtpërdrejtë për vete dhe u bë një palë e tretë asnjanëse që bartëte mallra nga Gjiri i Bengalit.

Stema koloniale tregtare e Danimarkës

Nga viti 1625 u krijua një empor në Masulipatnam (distrikti i tanishëm Krishna i Andra Pradeshit), empori më i rëndësishëm në rajon. Zyra më të vogla tregtare u vendosën në Pipli dhe Balasore.[25][26][27] Megjithë këtë, nga viti 1627 kolonia ishte një gjendje të tillë të dobët financiare saqë kishte vetëm tre anije të mbetura dhe ishte e paaftë për të paguar tributin e rënë dakord për najakun, duke i rritur tensionet vendore.[28] Prania dano-norvegjeze ishte e padëshiruar edhe nga tregtarët anglezë dhe holandezë. Ata i panë danezët dhe novegjezët si përfitues nga mbrojta e flotave të tyre, pa bartur asnjë kosto. Megjithatë, anglezët dhe holandezët nuk mund të bënin lëvizje që ta dërrmonin përfundimisht tregtinë dano-norvegjeze, për shkak të ndërthurjes së të gjithë këtyre shteteve në luftëra në Europe—në mënyrë të veçantë, Lufta Tridhjetë Vjeçare; degëzimet në vijim te politika e jashtme e secilit shtet e heshtën në mënyrë efektive reagimin anglez dhe holandez.[29]

Ndikimi holandez (1640-1649)

  • 1640 – Përpjekja e Danimarkë-Norvegjisë për të shitur Fortesën Danesborg te holandezët për herë të dytë.
  • 1642 – Kolonia dano-norgjeze i shpall luftë Perandorisë Mogule dhe nis anije sulmuese në Gjirin e Bengalit. Brenda pak muajsh ata kishin kapur një nga anijet e perandorit mogul, e përfshinë atë në flotën e tyre (të riemërtuar Çmimi Bengalez Den Bengalske Prise) dhe i shitën mallrat në Trankuebar për një fitim thelbësor.[30]
  • 1643 – Willem Leyel, i caktuar si udhëheqësi i ri i kolonisë nga drejtorat e kompanisë në Kopenhagen mbërriti në bordin e Christianshavn Dansborgut të rrethuar për të siguruar pasuesin e tij. (Midis Willem Leyel dhe Bernt Pessart kishte nisur konflikit rreth qeverisjes së Trankuebarit)... Holanda dhe Suedia i shpallën luftë Danimarkë-Norvegjisë.
  • 1645 – Zotërimet daneze-norvegjeze të emporit ranë gjithmonë e më shumë nën kontrollin holandez. Najaku dërgoi një trupë të vogël për të sulmuar Trankuebarin[31]
  • 1648 – Kristiani IV, padroni i kolonisë, vdes. Kompania Daneze e Indisë Lindore falimenton.

Braktisja dhe izolimi (1650–1669)

Mungesa e fitimeve financiare çoi në përpjekje të përsëritura nga aksionerët kryesorë të kompanisë për ta shkrirë atë. Mbreti, Kristiani IV, u rezistoi këtyre përpjekjeve deri në vdekjen e tij në 1648.[32] Dy vjet më vonë, djali i tij, Frederiku III, e shfuqizoi kompaninë.[33]

Megjithëse kompania u shfuqizua, kolonia ishte një pronë mbretërore dhe mbante akoma një garnizon të pa informuar mbi zhvillimet e oborrit në atdhe. Pasi numri i dano-norvegjezëve ra për shkak të dezertimit dhe sëmundjeve, vendasit portugezë dhe portugez-indianë u punësuan për të shërbyer në garnizonin e fortesës deri sa, në vitin 1655, Eskild Anderson Kongsbakke ishte komandanti dhe danezi i vetëm i mbetur në Trankuebar.[1]

Një danez i zakonshëm analfabet, Kongsbakke ishte besnik ndaj vendit të tij dhe arriti ta mbante me sukses fortesën nën flamurin dano-norvegjez[34] kundër rrethimeve të njëpasnjëshme nga najaku për mos-pagimin e tributit, ndërsa kapnin anijet në Gjirin e Bengalit. Duke përdorur procedurat e shitjes së mallrave të tyre për të riparuar mbrojtjet e tij, ai ndërtoi një mur përreth qytetit dhe negocioi një mirëkuptim me najakun.[1][35]

Raporti i Kongsbakkes, i dërguar në Danimarkë nëpërmjet anijeve të tjera europiane, më në fund e bindi qeverinë dano-norvegjeze ta lehtësonte atë. Frigata Færø u dërgua për në Indi, e komanduar nga kapiteni Sivardt Adelaer, me një konfirmim zyrtar të caktimit të tij si udhëheqës i kolonisë. Ai mbërriti në maj 1669 — duke i dhënë fund izolimit 19 vjeçar.[1]

Kompania e dytë Daneze e Indisë Lindore (1670–1732)

Tregtia midis Danimarkë-Norvegjisë dhe Trankuebarit në këtë kohë rifilloi, u formua një Kompani e re Daneze e Indisë Lindore dhe mjaft stacione të reja tregtimi, të qeverisur nga Trankuebari: Odevaj Torre në bregdetin e Malabarit në 1696,[36][37] dhe Danemarksnagore,[38][39] në juglindje të Çandernagores në 1698. Mirëkuptimi me najakun u konfirmua dhe Trankuebari u lejua të zgjerohej për të përfshirë tre fshatra përreth.

Pamje e kolonisë daneze të Trankuebarit me fortesën e Dansborgut në juglindje të Indisë, 1658
  • Najaku i Thanxhavurit u përpoq të rrethonte Trankuebarin.
  • 9 qershor 1706 –Frederiku IV, mbreti i Danimarkë-Norvegjisë dërgoi dy misionarë luteranë gjermanë në Indi, Heinrich Plütschau dhe Bartholomäus Ziegenbalg – misionarët e parë protestantë në Indi. Priftërinjtë e mëparshëm nuk ishin përpjekur të konvertonin, dhe indianët e refuzonin hyrjen e kishave europiane. Duke mbërritur në vitin 1707, ata nuk u mirëpritën nga patriotët e tyre, që dyshonin se ata ishin spiunë.[40]
  • Ziegenbalg arrin të konvertoi mes indianëve që, nëpërmjet dekretit mbretëror, janë të lirë për të inkurajuar më tej kristianizimin e indianëve. Krishtërimi lidhet me njerëzit e kastave të ulëta dhe të refuzuar nga kastat e larta hindu.
  • Tensionet ngrihen midis Ziegenbalg-ut, që ishte nën autoritetin e mbretit dhe guvernatorit vendor, John Sigismund Hassius që ndjente se Ziegenbalgu pengonte tregtinë e skllevërve të Trankuebarit dhe e burgosi atë për 4 muaj.[41]
  • Ziegenbalgu u përpoq të mësonte sa të mundëte gjuhën e banorëve të Trankuebarit, duke punësuar tutorë për të mësuar portugalisht dhe gjuhën tamile, si dhe duke blerë tekste hindu. Ai gjeti mënyra për të krijuar ndarje në shoqërinë vendore në përplasje me të konvertuarit e rij në krishtërim. Ai në vijim shkroi fjalorin e parë tamil, Fjalorin Tamil-Gjermanisht dhe përkthime të librave hindu. Ai përktheu pjesë të Biblës në gjuhën tamile. Ai e përfundoi Dhjatën e Re në burg, ndërsa Dhjatën e Vjetër më vonë. Duke marrë fonde nga Evropa ai krijoi një shtypshkronjë dhe shtypi bibla tamile dhe libra. Ai u bë një shtypës librash në Indi dhe prodhoi letër. Ai krijoi një seminar për priftërinjtë indianë në Trankuebar para se të vdiste në vitin 1719.
  • Ky Mision i Trankuebarit i nxiti misionarët të përhapeshin edhe jashtë kolonisë, megjithë kundërshtimin nga mbretërit e Trankuebarit.
  • 1729 – Mbreti dano-norvegjez e detyron Kompaninë Daneze të Indisë Lindore që ti jepte atij para. Dështimi i tij për ta paguar huanë dhe inkonsistenca e tregtisë indiane e detyroi kompaninë të likuidohej.

Tregtia stabilizohet nën Kompaninë Daneze të Azisë (1732–1772)

  • 12 prill 1732 – Mbreti Kristiani VI nënshkruan një kartë të re të Kompanisë Daneze të Azisë me monopolin e tregtisë aziatike për 40 vjetë me Indinë dhe Kinën. Të dy kompanitë e mëparshme kishin falimentuar për shkak të mungesës së vazhdimsisë në tregti. Këtë herë, synimi i investorëve ishte "të vendosnin këtë tregti aziatike në mbretëritë dhe territoret tona në një bazë më konstante në kohët që do të vijnë."[42]
  • Vitet 1730 — Tregtia e Danimarkës me Kinën dhe Indinë stabilizohet, me ngarkesat nga India të mbizotëruara nga copa pambuku nga Bregdeti i Koromandelit dhe Bengalit.
  • 1752–1791 – Ndërtohet depozita e grumbullimit të piperit në Kalikut.[43][44]
  • Nëntor 1754 – Një takim i zyrtarëve dano-norvegjezë zhvillohet në Trankuebar. Merret vendim të kolonizohen Ishujt Andaman dhe Nikobar për të kultivuar piperi, kanella, kallamsheqeri, kafeja dhe pambuku.
  • Dhjetor 1755 – kolonët danezë-norvegjezë mbërrijnë në Ishujt Andaman. Kolonia përjeton shpërthimin e malarjes që bëri që ngulimi të braktisej periodikisht deri në vitin 1848, kur ai u braktis një herë e mirë. Ky ngulim sporadik çoi në përplasje me fuqitë e tjera koloniale në ishuj, duke përfshirë Austrinë dhe Britaninë.[45]
  • Tetor 1755 – Frederiksnagore në Serampore, në Bengalin e tanishëm Perandimor.[46]
  • 1 janar 1756 – Ishujt Nikobar deklarohen pronë daneze-norvegjeze nën emrin Frederiksøerne (Ishujt e Frederikut).[47]
  • Lufta e Gjedhëve e filluar për shkak të vjedhjes së lopëve.
  • 1756–1760 – Të gjitha përpjekjet e kolonizimit në ishuj dështojnë me kolonët e larguar nga malaria. Zotërimet daneze-norvegjeze për ishujt më vonë u shitën te britanikët.
  • 1763- Empori danez në Balasore, që u hap për herë të parë në 1636, u rihap prapë duke marrë fermanin nga Perandoria Maratha.[48] Britanikët e pushtuan Seramporen përgjatë vitit.
Hartë e Ishujve Nikobar nën administrimin danez, qershor 1845

Periudha e artë e Indisë Daneze (1772–1808)

  • Tregtia daneze-norvegjeze u rrit thelbësisht gjatë këtyre dekadave për shkak të tre faktorëve kyç:
    • Humbja e monopolit të Kompanisë Daneze të Azisë mbi tregtinë me Indinë në vitin 1772, duke e hapur tregtinë për të gjithë tregtarët danezë-norvegjezë. Administrimi i Trankuebarit, Serampores dhe emporeve në Bengal dhe përgjatë Bregdetit të Malabarit u mor nga kurora në vitin 1777.[49][50] Kjo e liroi kompaninë nga shpenzimet koloniale, por nuk i ndryshoi kushtet e tregtisë me Indinë – duke e lënë atë në një pozicion më të mirë financiar.
    • Rritja si në tregtinë ndërkombëtare ashtu dhe në shtimin në luftëra midis shteteve tregtare të Anglisë, Francës dhe Holandës. Kjo nënkuptonte se gjatë këtyre luftërave, tregtia nga shtetet luftuese do të bartej te shtetet asnjanëse si Danimarkë-Norvegjia për të shmangur sekuestrimet nga palët ndërluftuese.
    • Ekspansioni i Kompanisë Britanike të Indisë Lindore në Indi, veçanërisht pas Betejës së Plasejit në 1757. Pas kësaj fitoreje shumë punonjës të kompanisë morën pasuri të mëdha private në kurriz të vetë kompanisë. Si kompania, ashtu dhe Qeveria Britanike bënë përpjekje të konsiderueshme për ti parandaluar këto pasuri që të transportoheshin mbrapa në Angli në anije britanike, duke çuar në përdorimin e konkurentëve francezë, holandezë dhe danezë-norvegjezë. Kjo injektoi shumë të mëdha kapitali në tregtinë daneze-norvegjeze gjatë viteve 1770. Vlera e tregtisë, megjithatë, mbeti skajshmërisht e paqëndrueshme.
    • Në vitin 1789, Ishujt Andaman u bënë zotërim britanik.
    • 1799 – Diskutimi midis Danimarkë-Norvegjisë dhe Britanisë mbi të drejtat e një shteti asnjanës për të zhvilluar tregti me kolonitë e huaja te të cilat, normalisht nuk kishte akses gjatë kohës së paqes. Në thelb, Britania po përpiqej ta parandalonte Danimarkën nga zhvillimi i tregtisë me vendet që Britania ishte në luftë. Në atë kohë Danimarkë-Norvegjia ishte e aftë për të arritur fitime të jashtëzakonshme nga prodhimet koloniale të zotëruara nga francezët dhe holandezët në Oqeanin Indian dhe shkarkimi i tyre në tregun europian nëpërmjet Kopenhagenit.

Luftërat Napoleonike dhe rënia

Gjatë Luftërave Napoleonike, Danimarkë-Norvegjia praktikoi një politikë të asnjanësisë së armatosur, ndërsa bartëte mallrat franceze dhe holandeze nga Inditë Lindore Holandeze për në Kopenhagen. Kjo çoi në Luftërat Angleze gjatë të cilave Britania e mundi flotën daneze-norvegjeze, duke e ndërprerë treginë e Kompanisë Daneze të Azisë me Indinë dhe pushtoi Dansborgun, Balasores dhe Frederiksnagoren nga viti 1801 deri në vitin 1802,[51][52] dhe prapë, nga viti 1808 deri në vitin 1815.[53][54] Në vitin 1814 Norvegjia fitoi pavarësinë nga Danimarka.

Mbretëria e Italisë bëri një përpjekje për të blerë Ishujt Nikobar nga Danimarka midis viteve 1864 dhe 1868. Në një përpjekje për të fituar koloni nga mbretëria në lindje, Ishujt Nikobar ishin një synim meqë ata ishin gjithësesi afër braktisjes nga danezët.[55] Biago Caranti, vartës i ministrit italian të bujqësisë dhe tregtisë, Luigi Torelli, e hodhi i pari idenë në raportin e tij për Torellin në vitin 1865, ku ai përmendëte se përveç krijimit të një kolonie ndëshkimore, ishujt ishin gjithashtu të vlefshëm për shkak të vendosjes së tyre dhe potencialit për të zhvilluar plantancione duhani.[56] Një vendosje kaq e largët gjithashtu do ti sillte prestigj shtetit italian. Torelli nisi negociata që dukeshin premtuese, por dështoi për shkak të rënies së Qeverisë së Dytë La Marmora dhe largimit të tij nga posti. Negociatat u ndërprenë dhe nuk rinisën kurrë prapë.[57]

Kolonitë daneze pësuan rënie dhe britanikët më në fund i morën në zotërim, duke i bërë ato pjesë të Raxhit Britanik në Indi: Seramporeja iu shit britanikëve në vitin 1839, ndërsa Trankuebari dhe shumica e ngulimeve të vogla në 1845 (në 11 tetor 1845 u shit Frederiksnagore; në 7 nëntor 1845 u shitën ngulimet e tjera kontinentale të Indisë Daneze);[58] më 16 tetor 1868 të gjitha të drejtat daneze mbi Ishujt Nikobar, të cilët, që nga viti 1848 ishin braktisur gradualisht, iu shitën Britanisë. Ishujt u aneksuan formalisht nga Britania në vitin 1869.[59]

Trashëgimia

Fortesa Dansborg në Trankuebar u ndërtua në vitin 1620

Pasi kolonia daneze e Trankuebarit iu çedua Britanisë, Danimarka e humbi statusin e saj të veçantë tregtar dhe rolin e saj administrativ e zhvendosi në Nagapatinam. Qyteti e humbi me shpejtësi rëndësinë,[60] megjithëse ekspansioni i britanikëve në Indinë Jugore bëri që Trankuebari të bëhej një qendër për veprimtaritë misionare për disa kohë dhe një vend veçanërisht i njohur për trajnimin e priftërinjve vendas. Nga fundi i shekullit të XIX, misioni i themeluar nga Ziegenbalgu funksiononte tërësisht në mënyrë të pavarur dhe vepron edhe tani si Kisha Ungjillore Luterane Tamile.[17]

Tanimë kryesisht një fshat peshkatar, trashëgimia e pranisë koloniale dano-norvegjeze është tërësisht vendore, por mund të shihet në arkitekturën e qytezës së vogël që gjendet brenda kufijve të mureve të vjetra (dhe të zhdukur prej kohësh) të qytetit.[61] Gazetari Sam Miller e përshkruan qytezën si më i dallueshmi i ngulimeve të mëparshme europiane.[62]

Megjithëse vetëm një grusht ndërtesash koloniale mund të datohen qartësisht nga periudha daneze, shumë nga ndërtesat rezidenciale të qytezës janë ndërtuar në stilet klasike që nuk janë të ndryshme nga ato të periudhës daneze dhe që kontribuojnë në atmosferën historike. Ndërtesat e mbetura dano-norvegjeze përfshijnë një portik me një vulë mbretërore daneze të gdhendur, disa bangaloush kolonial, dy kisha dhe në radhë të parë Fortesa Dansborg, e ndërtuar në vitin 1620. Fortesa është shpallur një monument i mbrojtur nga Qeveria e Tamil Nadusë në vitin 1977 dhe tani bujt një muze kushtuar periudhës dano-norvegjeze në Indi.[17]

Nuk ka pasardhës të njohur të kolonëve dano-norvegjezë brenda ose përreth qytezës. Që nga viti 2001, danezët kanë qenë aktivë në mobilizimin e vullnetarëve dhe agjensive qeveritare për të blerë dhe restauruar ndërtesat koloniale daneze në Trankuebar (tani Tharangambadi).

Kisha e Shën Olavit në Serampore qëndron akoma. Në vitin 2017 një projekt i rëndësishëm restaurues i trashëgimisë filloi në Serampore, Bengali Perëndimor.[63]

Shiko gjithashtu

Referime

  1. 1 2 3 4 Peter Ravn Rasmussen (1996). "Tranquebar: The Danish East India Company 1616–1669" (në anglisht). University of Copenhagen. Arkivuar nga origjinali më 2 shkurt 2014. Marrë më 18 mars 2013.
  2. ↑ Ole Felbæk 1990, fq. 320–324
  3. ↑ Magdalena Naum & Jonas M. Nordin 2013, fq. 8
  4. ↑ Prem Poddar 2008, f. 99
  5. ↑ Ole Feldbæk 1986, fq. 204–218
  6. ↑ Asta Bredscdorff 2009, f. 10
  7. ↑ Jon Olafsson 1907, f. I
  8. ↑ Jon Olafsson 1907, f. I
  9. ↑ Jon Olafsson 1907, f. II
  10. ↑ Kay Larsen (1940). Guvernører, Residenter, Kommandanter og Chefer samt enkele andre fremtraedende personer i de tidligere Danske Tropekolonier (PDF) (në danisht). Arthur Jensens Forlag. fq. 15. OCLC 1629536. Sipas kontratës me mbretin, Danimarka do të kishte monopolin e tregtisë me Cejlonin për 12 vjet
  11. ↑ Sanjay Subrahmanyam 1989, fq. 43–44
  12. ↑ Jon Olafsson 1907, f. II
  13. ↑ Kåre Lauring. "Marchells Michielsz Boschouver — imperlebygger eller svindler" (PDF). Danish Maritime Museum (në danisht). fq. 93–95. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 5 mars 2016. Marrë më 25 mars 2022.
  14. ↑ Esther Fihl 2009, fq. 19–40
  15. ↑ Uno Barner Jensen 1997, fq. 11–12
  16. ↑ Holden Furber 1986, fq. 326, note n° 66
  17. 1 2 3 Rangan Datta (15 qershor 2022). "Tranquebar — A piece of Denmark on the coast of the Bay of Bengal". The Telegraph (në anglisht). My Kolkata. Marrë më 12 tetor 2023.
  18. ↑ William Foster (1906). "Introduction". The English Factories in India (1618–1621) (në anglisht). Vëll. 1. Clarendon Press. fq. xlv. Marrë më 26 maj 2022.
  19. ↑ Kay Larsen 1907, fq. 167–169
  20. ↑ Asta Bredscdorff 2009, f. 13
  21. ↑ Laurs Laursen 1916, fq. 360–366
  22. ↑ Nga 18 anijet që u nisën nga Danimarka mes viteve 1622 dhe 1637, vetëm shtatë u kthyen. Kay Larsen 1907, fq. 30-31
  23. ↑ Kjeld Erik Brødsgaard & Mads Kirkebæk 2001, fq. 9–11
  24. ↑ Daniel Jeyaraj 2006, fq. 10–27
  25. ↑ Tapan Raychaudhuri 1962, fq. 113
  26. ↑ Stephan Diller 1999, f. 217
  27. ↑ Kathryn Wellen 2015, f. 448
  28. ↑ Sanjay Subrahmanyan (1989). "The Coromandel Trade of the Danish East India Company, 1618–1649". Scandinavian Economic History Review (në anglisht). 37 (1): 49. doi:10.1080/03585522.1989.10408131. Pozicioni i dobët financiar i kompanisë së tij në 1627 çoi në dështimin e e dytë për të paguar të ardhurat e najakut të Tanxhavurit, si në Trankuebar ashtu dhe në Puduçeri, që danezët e menaxhuan për një periudhë të shkurtër në vitet 1621-25.
  29. ↑ Donald Lach (1993). Trade, Missions, Literature, Volume 3 (në anglisht). University of Chicago Press. fq. 92. ISBN 978-0-226-46753-5.
  30. ↑ Kathryn Wellen 2015, f. 448
  31. ↑ Michael Wanner 2012, fq. 41
  32. ↑ Ole Feldbæk 1981, f. 140
  33. ↑ Ole Feldboek 1991, fq. 3–27
  34. ↑ Kay Larsen 1940, f. 19
  35. ↑ Kay Larsen; Sv. E. Green-Pedersen (18 korrik 2011). "Eskild Andersen Kongsbakke". Danish Biographical Lexicon (në danisht). Marrë më 29 maj 2022.
  36. ↑ Stephan Diller 1999, fq. 236–237
  37. ↑ Alexander Hamilton 1744, f. 333
  38. ↑ Kay Larsen 1940, fq. 19
  39. ↑ Kathryn Wellen 2015, f. 448
  40. ↑ Kanikkella Suresh 2004
  41. ↑ Douglas H. Shantz 2013, f. 245
  42. ↑ Ole Feldbæk (1986). Danske handelskompagnier 1616–1843: Oktrojer og Interne Ledelsesregler (në danisht). Selskabet for udgivelse af kilder til dansk historie. fq. 91–92. ISBN 978-87-7500-159-0.
  43. ↑ William Logan (1989). "115. Powers given by the King Samoorin to the Factory of the (Danish) Royal Company". A Collection of Treaties, Engagements, and Other Papers of Importance Relating to British Affairs in Malabar (në anglisht). Asian Education Services. fq. 104. ISBN 978-81-206-0449-0.
  44. ↑ William Logan 2010, fq. 505
  45. ↑ Dhiraj Kukreja 2013
  46. ↑ August Baggesen 1840, f. 188
  47. ↑ August Baggesen 1840, f. 476
  48. ↑ Stephan Diller 1999, f. 217
  49. ↑ C. Rise Hansen 2011, f. 703
  50. ↑ Elisabeth Strandberg 1983, f. 303
  51. ↑ W. H. Carey 1907, f. 278
  52. ↑ Elisabeth Strandberg 1983, f. 332
  53. ↑ Shahabuddin M. Gani 1959, fq. 356
  54. ↑ Simon Rasten 2009, f. 44
  55. ↑ Roberto Battaglia 1958, f. 68
  56. ↑ Biago Caranti 1879, fq. 37–61
  57. ↑ Nikolaos Mavropoulos (2019). The Japanese expansionism in Asia and the Italian expansion in Africa: A comparative study of the early Italian and Japanese colonialism (në anglisht). Universiteti La Sapienza. fq. 58.
  58. ↑ W. H. Carey 1907, f. 279
  59. ↑ Sirdar Mahomed Ismail Khan (1869). "Annexation of the Nicobar Islands". India Office Records: Abstract of Letters from India 1869 (në anglisht). Qeveria e Indisë. fq. 191. Marrë më 26 maj 2022. Nën autoritetin e dërgesës suaj të 20 janarit të fundit, kemi dhënë udhëzime që një nga anijet e Madhërisë së Saj duhet menjëherë të vijoi për te Ishujt Nikobar, në mënyrë që ti marr formalisht zotërimin e tyre në emër të Qeverisë së Indisë.
  60. ↑ Kristian Grønseth 2007, f. 4
  61. ↑ Kristian Grønseth 2007, f. 10
  62. ↑ Sam Miller 2014, fq. 203
  63. ↑ KumKum Dasgupta (13 dhjetor 2017). "The Danes are back: How a Bengal town is restoring its European legacy". Hindustan Times (në anglisht).

Bibliografia