Justin Rrota
Justin Rrota | |
|---|---|
| Lindi | Justin Rrota 17 shkurt 1889[1] Shkodër, Perandoria Osmane |
| Vdiq | 20 dhjetor 1964 (75 vjeç)[1] Shkodër, Republika Popullore e Shqipërisë |
| Kombësia | Shqiptar |
| Profesioni | Albanolog; Gjuhëtar |
| Njohur për | Mësues i Popullit (1994), Profesor nderi (1994) |
Vepra të shquara | kopje të fotografuara të Mesharit të Buzukut |
Justin Rrota, lindur Ndoc Rrota (Shkodër, 17 shkurt 1889 - 20 dhjetor, 1964) ka qenë frat françeskan, arsimtar, filolog dhe historian shqiptar i letërsisë, ekspert i autorëve të hershëm në gjuhën shqipe. Pas marrjes së pushtetit nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare pas Luftës së Dytë Botërore, ndryshe prej shumë sivëllezërve të tij, i mbijetoi përndjekes nga regjimi komunist, por iu kufizuan mundësitë e botimit.[2]
Është vëllai i vogël i diplomatit Kolë Rrota, piktorit Simon Rrota dhe fotografit e folkloristit Gjon Rrota.
Biografia
U lind në Shkodër, i pagëzuar me emrin Ndoc, ishte djali i tretë i Gjush Rrotës dhe Marie Vjerdhës.[3] Mësimet e para i mori në shkollën shtëpiake të Tinës së Nikës në Serreq. Pastaj pesë klasë fillore e një klasë qytetëse i kreu te françeskanët. Më 22 gusht 1902 hyni në kolegjën françeskane, ku ishte drejtor At Fishta. Më 1904 veshi zhgunin e rishtarit për frat në Rubik e qé me këtë rast që iu dha emri Justin. Mbas një viti kaloi në Troshan ku studjoi teologji.
Gushtin e 1907 shkoi në Villach (Korincie) të Austrisë për studimet teologjike.[4] Por u kthehet pa mbushur motin për arsye shëndetësore dhe i kryen studimet në Shkodër nën drejtimin e Fishtës dhe Marlaskajt. Shugurohet meshtar me 11 gusht 1914 në Kishën e Fretënve, në Gjuhadol.[1]
Gjatë viteve 1911-1917 shërbeu si profesor i gjuhës shqipe e i besimit në shkollën françeskane në Shkodër. Korrikun e 1917, në kohën e pushtim-administrimit austro-hungarez, çeli shkollën e fshatit Plan. Kur filloi botimin gazeta "Posta e Shqypnís", u bë redaktor i së përkohshmes. U emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe i gjuhës latine në kolegjin Illyricum të françeskanëve. Më 1925 u prek nga paraliza progresive, kjo nuk e pengoi në punën e tij që e vazhdoi me këmbëngulje.
Më 1929 solli në Shqipëri tri kopje të fotografuara të Mesharit të Buzukut,[5] duke qenë edhe studjuesi më i hershëm i tij. Më 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare në Tiranë e zgjedh anëtar të tij në cilësinë e lëvruesit të gjuhës. Në periudhën e mëvonshme, veprimtaria shkencore e Justin Rrotës bie, rrjedhojë e ardhjes në pushtet të regjimit komunist dhe të sëmundjes së rëndë që e shqetësonte prej vitesh.
Ndërroi jetë dhe u varros në Shkodër më 20 dhjetor 1964.[4]
Vepra
Në qendër të interesave të tija filologjike qenë veprat e para letrare të gjuhës shqipe, dhe është falë punës së tij që autorët e hershëm të shqipes nisën të njiheshin nga gjerësia e lexuesve.[6] Ka qenë ndër të parët studjues të Mesharit të Buzukut, për të cilin shkroi dhe botoi artikuj të shumtë.[7]
Nderime
Pas vitit 1990, me përmbysjen e regjimit në fuqi, puna e tij vlerësohet, duke i dhënë titullin “Mësues i Popullit” (1994) me motivacionin: “Mësues i devotshëm e plot pasion. Ka punuar me përkushtim, duke dhënë një kontribut të shquar si gjuhëtar dhe studiues”. Një vit më vonë, në 1995 mori titullin tjetër “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës”. Edhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e nderoi me titullin “Profesor nderi” (1994).[4]
Botime
- Monumenti ma i vjetër i gjuhës shqipe – Gjon Buzuku (1555), botuar më 1930.
- Për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe, studim i 1936.
- Shkrimtari më i vjetër italo-arbëresh, Lukë Matrënga, (1592), botim I më 1932, II më 1939.
- Sintaksa e gjuhës shqipe, botim I më 1942, II më 1944.
- Analizimi i rasave të emnit në zhvillimin historik të tyne.
- Hulumtimi dhe shënjime mbi Gjon Buzukun, botuar më 1956.
- Gjuha e shkrueme ose vërejtje gramatikore, botuar në 2006.
Referime
- 1 2 3 Radovani, Fritz (2019-12-20). "At Justin Rrota O.F.M. (1889 – 1964)" [Ordo Fratrum Minorum (françeskan)]. Zemra Shqiptare. Marrë më 2026-05-02.
- ↑ Elsie 2012, f. 389.
- ↑ Kurti 2003, f. 126.
- 1 2 3 Osmani, Tomorr (16 shkurt 2009). "Atë Justin Rrota, teolog e njeri i gjuhës". Radio Vatikani. Marrë më 2026-05-02.
- ↑ Osmani, Tomorr (2026-03-16). "Theologian Justin Rrota, a prominent personality and scholar of our culture" [Teologu Justin Rrota, personalitet i shquar dhe studiues i kulturës sonë]. BalkanWeb (në anglisht). Marrë më 2026-05-02.
- ↑ Elsie 2010, f. 390.
- ↑ Elsie 2005, f. 12.
Bibliografi
- Kurti, P. Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. ISBN 99927-789-1-1.
- Elsie, Robert (2005). Albanian literature: A short history (në anglisht). London: I.B. Tauris. ISBN 1-84511-031-5.
- Elsie, Robert (2010). Historical dictionary of Albania. European Historical Dictionaries (në anglisht) (bot. 2). Lanham: Scarecrow Press. ISBN 9780810861886.
- Elsie, Robert (2012). A biographical dictionary of Albanian history (në anglisht). London; New York: Tauris. ISBN 978-1-78076-431-3.