Simon Rrota

Simon Rrota

Simon Rrota (Shkodër, 28 tetor 1887 - 27 janar 1961) ka qenë arsimtar dhe piktor shqiptar. Krijimtaria e tij përbëhet nga një sasi tabllosh me bojëra vaji sikurse dasma katolike qytetare shkodrane, petka tradicionale të punuara për sallonin e bashkisë Shkodër në vitet '30, portretin e Kara Mahmud Pashës, etj.[1] Është vëllai i diplomatit Kolë Rrota, filologut Justin Rrota dhe fotografit e folkloristit Gjon Rrota. Pas vdekjes u nderua me titullin "Piktor i Merituar" dhe më 1999 "Piktor i Popullit".

Biografia

U lind në Shkodër, i biri i Gjushit dhe Marie Vjerdhës,[2] i dyti mes vëllezërve Kolës, Justinit dhe Gjonit. Mësimet e para i mori në filloren e françeskanëve e më pas në shkollën italiane të artizanatit me mësues Saverio Polarolin, duke ndjekur ndërkohë edhe rrethin e pikturës së Kolë Idromenos. Punësohet si çirak tek Ndrek Mini deri sa thirret nën armë nga ushtria turke, së cilës i shmanget duke u hedhur në Mal të Zi prej nga gjen strehim si refugjat politik në Bari të Italisë. Me ndihmën e Polarolit u regjistrua në akademinë Brera të Milanos ku studion me mjeshtrin Kampestrini. Gjatë studimeve lidh miqësi me piktorin Mario Karminatin, kunatin e tij të ardhshëm. Në atë periudhë viziton Francën dhe Austrinë, dhe më 1914 kthehet në Shqipëri.[3]

Fillimisht punon në Lushnjë si fotograf tek vëllai i tij Gjon Rrota qe ishte njëkohësisht edhe mësues, më pas si dekorator në shoqëritë kulturore të Shkodrës. Më 1922 u emërua mësues vizatimi në Gjimnazin Shtetëror prej ku shkëputet vetëm pas 40 vjetëve. Gjatë kësaj periudhe merr pjesë në të gjitha ekspozitat e vendit si dhe në disa aktivitete ndërkombëtare.

Tradita, arti klasik dhe realiteti

Disa nga pikturat: Lekë Dukagjini

Në Itali Simoni ra në kontakt me klasicizmin e pastër. Piktorët gjenialë si Rafaeli, Veroneze, Tintoreto, Karavaxho e deri tek më të spikaturit e noveçentos lanë gjurmë tek ai. Teknika e draperive të Rafaelit ndjehet mjaft mirë tek portreti i S. P. Pistulit. Ndërsa tek portreti i së shoqes, Karlës, loja e dritë - hijeve krahas butësisë rafaeljane na flet për afinitet me Karavazhistët. Është për të ardhur keq se nga riprodhimet e dobëta artdashësit janë privuar nga ëmbëlsia dhe delikatesa e origjinalit. I dashuruar mbas sfumaturave, me tone të buta dhe të ngrohta artisti u përcjell brezave imazhin e krijesës më të shtrenjtë të jetës së tij. Karla, kjo vajzë milaneze, lë postin e sekretares stenografe në firmën e famshme farmaceutike Montekatini drejt një të ardhme aspak të sigurt pas Simonit të saj shqiptar. Prodhimtaria e pazakontë (700 vepra) si dhe frymëzimi i pandërprerë i piktorit do të ishin të pamundura pa Karlën besnike.

Romantizmin e shëndetshëm si dhe skenat e paqme bukolike Simoni do ti mbaj nën kontrollin e profesionistit serioz. Përshembull në tabllonë "Ura e Mesit" autori nuk ka si qëllim të tregojë arkitekturën e një monumenti kulturor. Harku i madh dhe i rëndë jepet pjesërisht, aq sa me hijen e vet qarkon horizontin, ujrat, dritën dhe bagëtinë duke lënë mënjanë bareshën të zhytur në një vetmi soditëse të një jete të abandonuar. Pëlhurat e tij janë ndërtuar thjeshtë dhe po thjeshtë perceptohen. I përmbajtur dhe i ngrohtë, ndonjëherë më të rradhë e freskon paletën me tone të ftohta si tek pejsazhi modest "Bora pranë Arrës së Pashës". Dëmtimi i dorës (dëmtuar... dorën) siç është konstatuar ndonjëherë më duket një lloj konforti midis recetave akademike, larg pranimit dinamik të modelit.

Referime

  1. Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. II. Shkodër: Idromeno. fq. 76–77. ISBN 978-99927-623-4-9.
  2. Kurti, P. Donat (2003). Provinça Françeskane Shqiptare (në latinisht). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 126. ISBN 99927-789-1-1.
  3. Sadikaj, Avenir (3 maj 2001). "Piktori i fundit i Rilindjes Simon Rrota dhe mesazhi i tij". albasoul.com. Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 30 janar 2022.