Aubrey Herbert

Aubrey Herbert (sqt. Obri Herbert, 3 prill 1880 – 26 shtator 1923), kolonel, diplomat, shkrimtar, ushtarak dhe mik i shquar i popullit shqiptar[1]. Themeloi “Komitetin Shqiptar në Londër” në vitin 1912 dhe ndihmoi në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1920.[2] Në vitin 1913, themeloi në Londër një Komitet Shqiptar për të udhëzuar delegacionin shqiptar në negociatat me Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Ky Komitet Shqiptar u shndërrua në Shoqatën Anglo-Shqiptare (1918), në të cilën vetë Herberti ishte president i saj.[3] Pas përfundimit të studimeve, hyri në shërbimin diplomatik të Anglisë, duke u emëruar atashe nderi në Tokio gjatë periudhës 1902–1904 dhe pastaj në Kostandinopojë (1904–05). Nga viti 1911 deri në vdekjen e tij, ai ishte anëtar i grupit konservator i Parlamentit. Gjysmëvëllai i tij më i madh, George Herbert, i cili trashëgoi dhe titullin Konti i 5-të i Carnarvon pas vdekjes së të atit, në vitin 1922 zbuloi varrin e Tutankhamunit, nën rrënojat e një fshati antik në Luginën e Mbretërve në Egjipt.[4] Me një interes të veçantë ndaj orientalistikës, Aubrey ishte një poliglot që fliste frëngjisht, italisht, gjermanisht, turqisht, arabisht, greqisht dhe shqip. Iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë. Mbante titullin Kolonel i nderuar (Colonel the Honourable) dhe Zëvendës leitnant (DL – Deputy Lieutenant).[5] Ndërroi jetë në moshën 43 vjeçare pas një operacioni të ndërlikuar.
Jetëshkrimi
Aubrey Nigel Henry Molyneux Herbert, lindi në familjen e aristokracisë së lartë angleze Herbert - Carnarvon. Ishte djali i dytë i familjes së lordit Henry Howard Molyneux Herbert, Kontit të 4-t të Carnarvonit dhe i Konteshës Carnarvon, Elizabeth Herbert (Elsie). Që i vogël pati probleme me shikimin gjë që e pengonte të bënte një jetë të lumtur si gjithë fëmijët e tjerë. Shkoi në shkollë kur ishte 13 vjeç, dhe studioi në Kolegjin Eton me një mësues privat i cili i lexonte fragmentet që duhej të përgatiste. Më pas, pasi bëri dy ndërhyrje të sukseshme në sy, vijoi studimet në Kolegjin Bolliol dhe në Universitetin e Oksfordit ku krijoi miqësi me disa personalitete të ardhshme të jetës shoqërore dhe politike të Britanisë së Madhe. Në vitin 1900 i refuzohet kërkesa që të rekrutohej në Luftën e Afrikës së Jugut dhe fill pas kësaj ai ndërmerr një sërë udhëtimesh në Lindjen e Mesme, Japoni, Jemen, Anadoll dhe Shqipëri. Në vjeshtën e vitit 1910 martohet me Mary Gertrude Vesey me të cilën pati 4 fëmijë, tri vajza dhe një djalë.[6] Në shtator të 1923, sipas udhëzimeve të mjekut të tij, detyrohet të heqë të gjithë dhembët në mënyrë që të fitonte shikimin. Kjo ndërhyrje kirurgjikale rezultoi fatale për të dhe në 26 shtator të 1923 ndahet nga jeta.[7]
Aubrey Herbert dhe Shqipëria
Kushtet historike.[8] Duke filluar me Konferencën e Paqes në vitin 1912, pas Luftës së Parë Ballkanike, në të cilën Turqia humbi pjesën më të madhe të territorit të saj në Evropë, Herbert punoi energjikisht dhe në mënyrë efektive për lirinë e Shqipërisë. Pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte vazhdimisht në rrezik të copëtohej dhe të zhdukej nga harta. Jugu u pushtua nga francezët dhe italianët, veriu nga austriakët dhe bullgarët. Në nëntor të vitit 1913, Princ Vidi (William Wied), u emërua monarku i parë i Shqipërisë. Ai mbërriti në mars të vitit 1914, pa asnjë njohuri paraprake për vendin. Aubrey Herbert do t’a quante atë të paaftë. Pas gjashtë muajsh, rebelët myslimanë e dëbuan. Ai nuk u kthye më kurrë.
Aubrey Herbert bëri tetë udhëtime në Shqipëri, midis viteve 1907 dhe 1918. Atij i lanë mbresa shqiptarët për bukurinë e tyre fizike, dhe duke qënë vetë një ushtarak, admironte aftësinë luftarake të tyre dhe i pëlqente emocioni i rrezikut, që ata nuk e përfillnin. Herbert e vlerësonte "malësorin e egër, Kiazimin" (Qazim Kukeli) shërbëtorin dhe truprojën e tij të gjatë. Qazim Kukeli i tha Herbertit: "Nëse harroj diçka ose dështoj në detyrën time, zotëria juaj duhet të më therë". Qazimi do ta shoqëronte “zotëriun” e tij anglez gjatë tërë qëndrimit në Stamboll, udhëtimeve në Ballkan, në vende tjera, e deri në Britani të Madhe. I mrekulluar nga personaliteti i tij, Herbert një ditë e kishte pyetur Qazimin se ç’ka mund të bënte për të si shpërblim. Asgjë për mua. Fol mirë për Shqipërinë kur të jepet rasti, i ishte përgjigjur Qazim Kukeli. Dhe, Herbert e bëri këtë punë duke lobuar gjatë tërë jetës së tij për Shqipërinë.[9]
Për të mbrojtur çështjen shqiptare, Herbert ngriti në Londër një komitet, qëllimi i të cilit ishte të ndikonte te Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve që do të mbahej në Londër. Që në fillim të punës, përfshiu 12 anëtarë nga deputetët e Parlamentit Britanik, dy funksionarë të lartë qeveritarë, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryeshefin e rabinëve dhe shumë dinjitarë tjerë. Puna rreth krijimit dhe vendosjes së kufijve të Shqipërisë do të shkonte edhe më keq sikur të mungonte ndikimi i Komitetit me në krye Aubrey Herbertin. Komiteti ishte pritës dhe organizator i delegacionit shqiptar që erdhi në Londër, në janar të vitit 1913, në përbërje të të cilit ishin Mehmet bej Konica, Rashit bej Dino dhe Filip Noga. Pasi që qeveria e Shqipërisë ende nuk njihej ndërkombëtarisht, ndihma e Herbertit dhe e Komitetit që i ofroi delegacionit ishte e madhe. Ndihmë e pakrahasueshme u ofrua edhe gjatë punimeve të Konferencës së Ambasadorëve, kur në Londër, në 29 prill 1913, erdhi delegacioni i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë. Delegacioni kryesohej nga Ismail Qemali, i shoqëruar nga Isa Boletini, të cilin shtypi dhe opinioni britanik e njihte si udhëheqësi i gueriles shqiptare të Kosovës dhe që në Qeverinë e Vlorës kishte marrë funksionin e komandantit të Milicisë Kombëtare të Shqipërisë. Sipas dokumenteve arkivore britanike, nxjerrë nga Arkiva e Samersetit (The Somerset Archives and Local Studies), numërohen rreth 2000 letra[10] që Herbert u ka shkruar vetëm për çështjen shqiptare parlamentarëve britanikë, politikanëve e zyrtarëve të ndryshëm, gazetarëve etj.
Në vitin 1920, pjesërisht falë përpjekjeve të Herbertit dhe ndikimit të presidentit amerikan, Woodrow Wilson, Italia tërhoqi trupat e saj nga Shqipëria dhe hoqi dorë nga pretendimet territoriale ndaj saj. Kur Shqipëria u bë anëtare e Lidhjes së Kombeve, Herberti ndjeu se e kishte arritur qëllimin e tij kryesor.
Në vitin 1921 Aubrey Herbert i dërgon këtë telegram Kryetarit të Parlamentit në Tiranë, ku i dërgon urimet për fillimin e punimeve të Parlamentit të shtetit shqiptar:[11]
Londër, më 20 prill 2021
Kryetarit të Parlamentit shqiptar, Durrës
Në emën të miqve të Ingliterës për Shqipënien, kam për detyrë t'u çoj anëtarëve të Parlamentit shqipëtar, më të flaktat urime. Jemi krejt të bindun se, patriotizmi i juaj, do të mbajë kurdoherë ato mendime të fortë, që e kanë çquar deri më sot në kohënat e shkuara, dhe që do të verë poshtë të gjitha vështirësitë, për të cilat, vendi juaj ka të [duhet t'u] bëjë ballë, dhe që, i pari Parlamenti shqiptar, do të hedhë themele të shëndoshë dhe të përjetëshme për luftën e kohës ardhur [së ardhme] kundër atyre që duan t'ju frikojnë.
Kolonel, Aubrey Herbert
28, Bruton Street, W, I
London
Herbertit iu ofrua për herë të parë froni i Shqipërisë në maj të vitit 1913 gjatë Konferencës së Dytë Ballkanike në Londër. Në shtator të vitit 1920, menjëherë pas Konferencës së Parisit, Herbertit iu ofrua kurora për herë të dytë. Por, situata e trazuar dhe e paqëndrueshme e brendshme dhe e jashtme si dhe dështimi i mbretërimit të Princ Vid-it, e bënë që t’i refuzonte modestisht të dy propozimet. Herberti e dinte se përpjekja për të qeverisur shqiptarët, vendi i të cilëve ishte thellësisht i ndarë nga feja dhe dialekti, si dhe nga ndasitë veri-jug, do ishte një mision shumë i vështirë. Lidhur me këtë, Herberti i shkruante Dukës skocez të Atholl: "Shqiptarët më kanë ftuar të jem njeriu i madh, numri 1. Nëse do të ketë garanci, do të bëj çmos. Jam shumë i dhënë pas njerëzve të veçantë dhe thashë se u preka dhe u nderova." Në shtator 1920, ai do të shprehej: “Shqiptarët janë njerëz shumë të vështirë për t'u qeverisur dhe nuk mund të pranoj të bëhem një Vid i dytë."
Në një cikël shkrimesh mbi moralin, botuar në shtypin shqiptar të viteve '20 të shekullit të kaluar (shek. XX), në njërin prej tyre, autori i artikullit ka shkruar për vlerësimin që bota e huaj bënte “për moralin, besnikërine dhe karakterin e bukur e të lartë" të shqiptareve dhe për ilustrim ka cituar: "Kolonel Herberti ka thënë: "Do të më mbeten të paharruara, tërë jetën time, dy gjëra që vëzhgova me vrejtje ne Shqipëri. Këto janë 'morali dhe besa', që gëzon ajy popull i urtë dhe i mirë””
Vlerësime dhe konsiderata për Aubrey Herbert (pas vdekjes)
Luigj Gurakuqi. Të nesërmen e vdekjes së mikut të madh të shqiptarëve, në mbledhjen e 27 shtatorit 1923 të Parlamentit Shqiptar, pasi u kontrollua pjesëmarrja dhe shumica ishin të pranishëm, u hap mbledhja dhe e mori fjalën Kryetari i tij: "Ministrija e Punëve të Jashtme na lajmëron se për fat të keq të Shqipnis, miku i vjetër e që e ka desht Shqipnin pa interesë, Kolonel Herberti ka dekë”- i njoftoi ai të pranishmit. E mori fjalën deputeti Luigi Gurakuqi, i cili theksoi: "Lajmi i zi i vdekjes së Kolonel Herbertit, i cili para lindjes së Shqipnis ka nisë me u interesue për vendin tonë e që në kohën e Konferencës së Londrës bashk me Mis Durhamin ka qenë i vetmi mik, tash që në konferencë po bisedohet mbi fatin tonë, vdekja e një miku të tillë pikëlloi gjithë zemrat e Parlamentit Shqiptar e gjithashtu dhe gjithë kombit tonë. Kolonel Herberti ka nis veprën e tij për të mirën e popullit tonë qysh në lindjen e indipendencës shqyptare e gysh atë kohë asht perpjekë me nji desinteresment të pashoq. Kudo që e ka lypë nevoja me mprojte interesat shgyptare, ai asht gjetë aty. Kujtoj se edhe në Konferencën e Paqit në Paris u ngritë e erdhi atje dhe veprat e çmueshme tijat tregojnë se sa dobi i solli çeshtjes sonë. Nji vdekje e tillë asht nji humbje e madhe për na, pse kuer të ketë nji njeri të tillë, nji mik kaq të çmueshëm e kaq pa interes, me të vërtetë ka nji shtyllë ku me i mbështet të drejtat e veta. Prandaj lus Parlamentin që ta ngarkoj kryetarin për me i çfaqë ngushllimet tona shpis' së tij dhe të baj një pushim në shej zie". Në emër të Parlamentit Shqiptar, Kryetari i Parlamentit, Eshref Frashëri, i dërgoi këtë telegram ngushëllimi bashkëshortes së Aubrey Herbert, zonjës Mary, më 2 tetor 1923: "Me tronditje shumë të fortë e të thellë, Parlamenti Shqiptar mësoi lajmin e hidhur të vdekjes së Kolonel Herbertit. Me rastin e humbjes së dhimbshme të këtij miku të madh dhe të paçmuar të Shqipërisë, i cili iu përkushtua me aq zell, sinqeritet dhe shpirtmadhësi pavarësisë dhe konsolidimit të vendit tonë, nxitoj t'ju përcjell, në emër të Parlamentit të Shqipërisë, ngushëllimet e mia më të ndjera e të thella."[12] Në Arkivin Qendror të Shtetit, ruhet telegrami që zonja Mary Herbert ka dërguar si përgjigje pak ditë më pas, në shenjë falenderimi dhe mirënjohjeje për ngushëllimet e përcjella nga populli dhe Parlamenti Shqiptar: "Taunton, 8.10.1923. Jam krenare për admirimin tuaj për burrin tim, i cili i ka përkrahur njerëzit dhe vendin tuaj për të përfituar përsosmërinë dhe për t'i përcjellë Parlamentit Shqiptar mirënjohjen time për këto fjalë prekëse e të simpatisë. Mary Herbert."
Desmond MacCarthy, shkrimtar, ka mbledhur, redaktuar dhe përgatitur për botim shkrimet e Aubrey Herbert, pas vdekjes, ka thënë: “Fisniku Herbert u nda fizikisht, por trashëgimia e tij në Shqipëri ende qëndron. Askush nuk kuptoi më mirë problemet e brendshme dhe të jashtme të shqiptarëve. Dhe nëse pyeteni për atë që Aubrey Herbert më së shumti ka arritur gjatë karrierës së tij publike, përgjigjja e parë është se ai kontribuoi me shumë se kushdo për të krijuar ekzistencën e shtetit modern të pavarur të Shqipërisë"
Joseph Swire, në librin "Shqipëria: ngritja e një mbretërie" (botuar për herë të parë në vitin 1929), arrin në përfundimin se: "Aubrey Herbert kishte punuar pa u lodhur në kauzën e pavarësisë së Shqipërisë dhe ishte ndër kontributorët kryesorë që Shqipëria vazhdoi të ekzistonte. Vdekja, më 26 shtator 1923, e kolonelit Aubrey Herbert, i cili, gysh prej vizitës së tij të parë në Shgipëri, më 1907, kishte mbrojtur pa u lodhur një çështje që e joshte natyrën e tij kalorësiake, qe një humbje e pazëvendësueshme për shgiptarët."[13]
Vlerësuar me dekoratë nga Presidenti i Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, më 21 nëntor 2002, me dekretin Nr. 3567: Aubrey Herbert (pas vdekjes) me Urdhërin “Naim Frashëri” i Argjendtë, me motivacionin: "Për ndihmesë të vyer në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht në Konferencen e Paqes në Paris (v. 1919-1921) dhe në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve"
Në shtypin shqiptar të kohës:[14]
Gazeta "Shqipëtari i Amerikës”, nr. 50, datë 29 shtator 1923, Korçë, organ i federatës “Vatra” në SHBA: "Kolloneli Aubrey Herbert vdiq - Shqipëria humbi mikun më të math e më të shkëlqyer. Parllamenti pushoj për disa minuta si shenjë zije dhe nderimi për të ndyerin Kollonel” - është kryetitulli dhe nëntitujt në faqen e parë të gazetës. Drejtori i kësaj gazete, Hasan Bitincka, në emër të personelit të gazetës, i dërgon këtë telegram familjes Herbert: "Për Lady Mary Herbert. Ngushëllimet më të përzemërta Mrs. Aubrey Herbert për humbjen e burrit të saj të dashur dhe e uron që ta ndihmojë zoti për të përballuar barrën e rëndë të këtij hidhërimi." Telegrami origjinal, i shkruar në anglisht, ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit.
Gazeta "Elbasani”, nr. 27, datë 3 vjesht’ II 1923, Elbasan, nën titullin: “Kol. Obri Herbert vdiq”, citohet: "… me vdekjen e tij, Kombi ynë, humbi një nga miqtë ma të çmueshëm. I ndjeri Kolonel Herbert asht nga ato q'i ka dhanë përkrahjen ma të madhe rilindjes tonë dhe nuk i ka pasë shpëtuë rast për pa ngritë zanin e vet për mbrojtjen e indipendencës e të drejtavet tona... Për popullin e Elbasanit, hidhërimi ishte më i madh, ngaqë populli i këtij qyteti kishte pasur rastin për ta njohur së afërmi e për t'u këshilluar prej tij, kur i ndjeri pati mirësinë për të vizituar këtë qytet në vizitën që bëri më 1913." Në të njëjtin numër, 27, të gazetës "Elbasani”, jepet dhe telegrami i dërguar nga Bashkia e Elbasanit në emër të popullit të qytetit: "Elbasani, i shoqnuem me hidhrim, ju paraqet ngushëllimet e zemrës për vdekjen e Aubrey Herbertit, që asht nga të parët Heronj në historiën e Rilindjes Shqiptare."
Gazeta "Ura e Shkumbinit", nr. 26, datë 5 vjesht’ II 1923, Elbasan, hapet me kryetitullin: "Herberti na vdiq" , e më poshtë thekson: "... duke kallur në helm e në hidhërim gjithë popullin shqiptar."
Gazeta "Drita", nr. 140, datë 5 tetor 1923, Gjinokastrë, me kryetitull: "Koloneli Aubrey Herbert vdiq. Shqipëria humbi mikun më të madh", vijon në shkrimin e artikullit: "Lajmi i hidhur i vdekjes të papritur të Kolonelit Aubrey Herbert na ka pikëlluar të gjithëve. Vdekja pa asnjë mëshirë na rrëmbeu nga mezi një mik të pa çmuar, një përkrahës të fortë të Shqipërisë. O fati ynë i keq! Zot, pse na merr miqt' e pakët! Sot të pikëlluar nga vdekja e papritur e të madhit mik Aubrey Herbert, nuk dimë e s'vendosim dot cilën të ngushëllojmë: shtëpin e tij apo një popull një milionsh që qan kolonelin e dashur me lot, dhe do të mbajë zi për gjithmonë si shënjë miqësie dhe nderimi. Po ajy është i gjallë e i paharruar nër zemrat e gjithë shqiptarëve. Emri dhe kujtimet e tia do të mos vdesin kurrë për neve. Shqipëria humbi mikun më të math, po ajy është varrosur në zemrat tona. Ngushëllime shtëpis dhe miqve të të ndyerit Kolonel Aubrey Herbert, mikut të madh të Shqipërisë."
Gazeta "Shqipëri' e Re", nr. 148-149, datë 14 tetor 1923, Kostancë (Rumani), botoi lajmin e ndarjes së papritur nga jeta të mikut të madh të sqiptarëve nën titullin: “Vdekja e Kollonel Aubrey Herbert dhe Parllamenti'” dhe thekson: "Më 27 të shtatorit ardhi lajmja e hidhur e vdekjes së filloshqipëtarit të math Kollonel Aubrey Herbert. Parllamenti ynë dëgjoj këtë lajmë me hidhërim të math dhe z. Luigj Gurakuqi tregoj gjithë shërbimet që i ka bërë kombit tonë. Parllamenti vendosi të dërgonjë ngushëllimet fëmijëvet e të ndyerit."
Gazeta "Bised' e lirë", datë 8 dhjetor 1923, f. 3, lajmin jepte nën titullin: "Mjerim në Shqipni"
Mit’hat Frashëri (Lumo Skëndo), në 1926, me shkrimin e titulluar "Një fisnik", në gazetën "Kalendari kombiar", dedikuar Aubrey Herbert, shkruante: “Mirënjohja nuk është vetëm një cilësi që i ushqen, i shton virtytin njeriut, po është edhe një detyrë. Janë do njerëz vepra dhe ndihma e të cilëve, vlen një ushtri të tërë. Kështu qe për ne, shqiptarët, i ndjeri Aubrey Herbert.”
Veprat e bamirësisë të familjes Herbert - Carnarvon në Shqipëri[15]
Para se të ndahej nga jeta, i ndjeri Herbert, la amanet që të ndihmohej Shqipëria me të gjitha mjetet e mundshme dhe e ëma, Kontesha Carnarvon, Elizabeth Herbert, në moshën 67 vjeçare, erdhi në Shqipëri, duke iu kushtuar përmbushjes së amanetit që i kishte lënë i biri. Ajo themeloi një Komitet Britaniko – Shqiptar të Ndihmave dhe ndërmori veprimtari ndihmëse për Shqipërinë me shpenzimet e veta, për të ndihmuar në shumë fusha: në jetën ekonomike, në strehimin e emigrantëve kosovarë, në fushën shëndetësore, shoqërore, arsimore e kulturore në Shqipërinë e varfër të kohës. Ajo ndihmoi duke sjellë në Shqipëri disa misione me mjeke e infermiere nga Anglia për të ndihmuar në spitalin psikiatrik në Vlorë, për të luftuar sëmundjen e malaries, ngritjen e disa qendrave shëndetësore në vendin tonë, solli inxhinierë për studimin e zonave ujëmbajtëse që ishin vatra të përhapjes së malaries dhe mori masa për tharjen e tyre duke sjellë në Shqipëri nga Amerika Fondacionin Rockefeller për të investuar në këtë fushë, ndihmoi në përgatitjen e mamive e infermiereve që të kujdeseshin për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, në përgatitjen e ligjeve për këtë qëllim, u kujdes për kushtet e të burgosurve, emancipimin e grave, mbjelljen e pemëve dhe pyllëzime etj.
Një kujdes të posaçëm tregoi Kontesha Elizabeth për strehimin e të larguarve nga Kosova për në Shqipëri, si pasojë e gjenocidit serb ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, ndihmën ekonomike dhe integrimin e tyre në jetën sociale të zonës ku instaloheshin. Dëshmi e këtij kujdesi është ngritja në vitin 1925 e një fshati të ri, me rreth 50 familje kosovare, në afërsi të Kavajës, ku ajo u ndërtoi shtëpi për t’u strehuar, u bleu lopë për t’u ushqyer e kafshë pune për të punuar tokën, grave u ofroi vegjë, (avlëmend, vegë) pambuk dhe lesh për të endur pëlhura, qilima e sixhade, të cilat shiteshin në Angli dhe të ardhurat u riktheheshin atyre që i prodhonin. Pasi u krijua ky fshat i ri, qeveria shqiptare e emërtoi fshatin e ri të ngritur prej Konteshës Carnarvon me emrin Herbert, për nder të kontributit të dhënë për Shqipërinë prej djalit të saj, Aubrey Herbertit. Fshati e mbajti atë emër deri në vitin 1939 dhe më vonë u zëvendësua me Qerret.
Veç kësaj, Kontesha Elizabeth financoi bibliotekën e parë publike në Shqipëri, "Biblioteka për Djelmërinë", e cila më vonë u njoh me emrin “Instituti Herbert”. Fondi i librave të asaj biblioteke, u bë pjesë fondit të porsa krijuar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Biblioteka u ndërtua në tetorin e vitit 1927 në një tokë të blerë në Rrugën e Shën Gjergjit dhe u hap pas vdekjes së saj, më datë 12 Maj 1929. (ish-kinema Ali Demi).
Herbert ka qenë një nga miqtë më të afërt dhe më të sinqertë të shqiptarëve dhe veçanërisht i figurave të shquara të kombit tonë si Ismail Qemali, Mithat Frashëri, Dhimitër Berati, Pandeli Vangjeli, Mbreti Zog, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mehmet Konica, Faik Konica, Çarles Telford Erikson etj. Ai deri në vdekje punoi pa pushuar për çështjen shqiptare dhe për pranimin e saj në qarqet politike e diplomatike britanike ku kërkohej zgjidhja adekuate. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë mik më të madh se Aubrey Herbert. Edhe pse nga shtresat e pasura, ai ishte i përulur ndaj shqiptarëve.[9]
Publikime të Aubrey Herbert[16]
Aubrey Herbert u nda shpejt nga jeta dhe shumë prej shënimeve, ditareve dhe letra të tjera, u botuan pas vdekjes së tij, nën kujdesin e familjes. Botimi i librit Ben kendim: a record of Eastern travel, një vit pas vdekjes, u përgatit nga Desmond MacCarthy, kurse Albania's greatest friend, u përgatit nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, i shoqëruar edhe me shënime studimore,
- Eastern songs - Edinburgh: William Blackwood & Sons, 1911.
- Mons, Anzac and Kut - London: Edward Arnold, 1919.
- Ben kendim: a record of Eastern travel - London: Hutchinson & Co,1924
- Albania's greatest friend: Aubrey Herbert and the making of modern Albania: diaries and papers: 1904-1923 - London; New York: I. B. Tauris: Centre for Albanian Studies, 2011
- With the Old Contemptibles: stories from the First World War.- London: Kindle edition, 2014 - (bashkautorësi me Frederic Coleman)[17]
Botime në shqip:[18]
- Miku i madh i shqiptarëve: Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme: ditarë dhe letra: 1904-1923.- Tiranë: Via Egnatia, 2012
Botime kushtuar Aubrey Herbert[18]
- The Man who was Greenmantle: a biography of Aubrey Herbert / Margaret Fitzherbert. - London: John Murray, 1983.
Botime në shqip:
- Aubery Herbert dhe Shqipëria e pavararur / Muharrem Shqarri. - Tiranë: ISH "Lumo Skendo", 2018
- 100 vjet, historia e katundit Herbert në Kavajë / Muharrem Shqarri. - Tiranë: ISH "Lumo Skendo", 2025
Lidhje të jashtme
Shih dhe:
Referime
- ↑ Shqarri, Muharrem (2018). Aubrey Herbert dhe Shqipëria e pavarur. Tiranë: ISH “Lumo Skëndo”. fq. 28. ISBN 9789928450937.
- ↑ Berisha, Mal. "Shembulli i familjes angleze të Aubrey Herbert". Marrë më 20 nëntor 2025.
- ↑ "Diplomati britanik Aubrey Herbert: Takimi me Isa Boletinin". US Albania Media Group. 2025-08-27. Marrë më 2025-11-20.
- ↑ Shqarri, Muharrem (2018). Aubrey Herbert dhe Shqipëria e pavarur. Tiranë: ISH “Lumo Skëndo”. fq. 33. ISBN 9789928450937.
- ↑ Aubrey Herbert dhe Shqipëria e pavarur. fq. 253.
- ↑ Aubrey Herbert dhe Shqipëria e pavarur. fq. 37.
- ↑ Aubrey Herbert dhe Shqipëria e pavarur. fq. 258.
- ↑ "Aubrey Herbert: the man who would not be king | TheArticle". TheArticle. 2023-06-25. Marrë më 2025-11-25.
- 1 2 Hoxha, Zylyftar (28 gusht 2023). "Aubrey Herbert, diplomati anglez që ndihmoi Shqipërinë në Konferencën e Londrës". www.tiranadiplomat.com. Marrë më 25 nëntor 2025.
- ↑ Destani, Bejtullah (24 nëntor 2025). "Pse Kosova mbeti jashtë Shqiperisë me 1912? Çfarë thonë dokumentet sekrete të Londrës (intervistë në RTV Dukagjini)". www.youtube.com. Marrë më 2 dhjetor 2025.
- ↑ Akademia e Studimeve Albanologjike (2019). Akte të Parlamentit Shqiptar 1920-1924. Tiranë: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. fq. 203. ISBN 978-9928-289-33-9.
- ↑ Bisedimet e Këshillit Kombëtar. Tiranë: Parlamenti i Shqipërisë. 1923.
- ↑ Swire, Joseph (2005). Shqipëria, ngritja e një mbretërie. Tiranë: Dituria. fq. 231. ISBN 9992747404.
- ↑ Aubery Herbert dhe Shqipëria e pavararur. fq. 261–268.
- ↑ Shqarri, Muharrem (2019). Kontesha Elisabeth Carnarvon. Tiranë: ISH "Lumo Skëndo". fq. 5–170. ISBN 9789928450968.
- ↑ "Aubrey Herbert", Wikipedia (në anglisht), 2025-08-30, marrë më 2025-11-21
- ↑ "WITH THE OLD CONTEMPTIBLES: Stories from the First Worl…". Goodreads (në anglisht). Marrë më 2025-11-21.
- 1 2 "Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë". www.bksh.al. Marrë më 2025-11-21.