Elizabeth Carnarvon
Elizabeth Catherine Howard (1856–1929), e cila pas martesës me Henry Herbert, 4th Earl of Carnarvon njihet si Elizabeth Herbert, Kontesha Carnarvon (Countess of Carnarvon). Djali i madh i lindur nga kjo martesë ishte Aubrey Herbert.[1] Ledi Carnarvon, kjo konteshë angleze, është e njohur për bamirësitë e saj në Shqipëri. Fillimisht, lidhjet me Shqipërinë i pati i biri, Aubrey, ushtarak i lartë dhe lord. Ai e mbrojti çështjen shqiptare në parlamentin anglez dhe më gjerë në auditoret diplomatike të botës. Ai ka pasur njohje me politikanë e figura shqiptare të para dhe pas shpalljes së pavarësisë, si Ismail Qemali etj. Këtë veprimtari e ka lënë të shkruar e të pasqyruar në një prej librave të tij. E vijoi aktivitetin e tij proshqiptar deri në fund të jetës, më 1923. Veprën e tij e vijoi e ëma e më pas e shoqja, e motra dhe i vëllai. Në vitin 1929, me nismën e Ledi Carnarvon u ngrit në Tiranë "Biblioteka për Djelmërinë". Ajo këtu ngriti edhe Institutin 'Herbert', një fondacion që punoi shumë.
Vepra e bamirësisë nga Kontesha Carnarvon, Elizabeth Herbert[2]
Para se të ndahej nga jeta, i ndjeri Aubrey Herbert, i la amanet së ëmës që të ndihmohej Shqipëria me të gjitha mjetet e mundshme dhe Kontesha Carnarvon, Elizabeth Herbert, në moshën 67 vjeçare, erdhi në Shqipëri, duke iu kushtuar përmbushjes së amanetit që i kishte lënë i biri. Ajo themeloi një Komitet Britaniko – Shqiptar të Ndihmave dhe ndërmori veprimtari ndihmëse për Shqipërinë me shpenzimet e veta, për të ndihmuar në shumë fusha: në jetën ekonomike, në strehimin e emigrantëve kosovarë, në fushën shëndetësore, shoqërore, arsimore e kulturore në Shqipërinë e varfër të kohës. Ajo ndihmoi duke sjellë në Shqipëri disa misione me mjeke e infermiere nga Anglia për të ndihmuar në spitalin e çmendinës në Vlorë, për të luftuar sëmundjen e malaries, ngritjen e disa qendrave shëndetësore në vendin tonë, solli inxhinierë për studimin e zonave ujëmbajtëse që ishin vatra të përhapjes së malaries dhe mori masa për tharjen e tyre duke sjellë në Shqipëri nga Amerika Fondacionin Rockefeller për të investuar në këtë fushë, ndihmoi në përgatitjen e mamive e infermiereve që të kujdeseshin për shëndetin e nënës dhe të fëmijës, në përgatitjen e ligjeve për këtë qëllim, u kujdes për kushtet e të burgosurve, emancipimin e grave, mbjelljen e pemëve dhe pyllëzime etj.
_07.jpg)
Një kujdes të posaçëm tregoi Kontesha Elizabeth për strehimin e të larguarve nga Kosova për në Shqipëri, si pasojë e gjenocidit serb ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, ndihmën ekonomike dhe integrimin e tyre në jetën sociale të zonës ku instaloheshin. Dëshmi e këtij kujdesi është ngritja në vitin 1925 e një fshati të ri, me rreth 50 familje kosovare, në afërsi të Kavajës, ku ajo u ndërtoi shtëpi për t’u strehuar, u bleu lopë për t’u ushqyer e kafshë pune për të punuar tokën, grave u ofroi vegjë, (avlëmend, vegë) pambuk dhe lesh për të endur pëlhura, qilima e sixhade, të cilat shiteshin në Angli dhe të ardhurat u riktheheshin atyre që i prodhonin. Pasi u krijua ky fshat i ri, qeveria shqiptare e emërtoi fshatin e ri të ngritur prej Konteshës Carnarvon me emrin HERBERT, për nder të kontributit të dhënë për Shqipërinë prej djalit të saj, Aubrey Herbertit. Fshati e mbajti atë emër deri në vitin 1939 dhe më vonë u zëvendësua me Qerret.[3]
Veç kësaj ajo financoi bibliotekën e parë publike në Shqipëri, "Biblioteka për Djelmërinë", e cila më vonë u njoh me emrin “Instituti Herbert”. Fondi i librave të asaj biblioteke, u bë pjesë fondit të porsa krijuar të Bibliotekës Kombëtare Tiranë. Biblioteka u ndërtua në tetorin e vitit 1927 në një tokë të blerë në Rrugën e Shën Gjergjit (ish-kinema Ali Demi). Biblioteka i përkushtohej të birit, mikut të madh të Shqipërisë, avokatit dhe mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve, Colonel the Honourable Aubrey Herbert (1880-1923). Biblioteka arriti në një koleksion prej 5.000 librash në gjuhët anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, gjuhë klasike etj., u shndërrua për Tiranën në bibliotekën e dytë të rëndësishme pas asaj Kombëtare. Biblioteka kishte një sallë të madhe leximi, 26 sergjenë për libra me 7 dollapë secili. Në sallë ndodhej edhe një oxhak me portretin e Aubrey Herbert, gdhendur në gur. Kontesha Carnarvon e kishte zgjedhur këtë vend nën kurorën e dendur të ullinjve si kult në kujtim të të birit, por fatkeqësisht, ndërroi jetë më datë 12 Maj 1929, pak ditë para inaugurimit. Një vlerësim për familjen fisnike Herbert-Carnarvon, është dekorata më e lartë e kohës, ”Oficere e Madhe e Urdhrit të Skënderbeut”, e dhënë me dekret mbretëror më 12 maj 1929.[4]
Referime
- ↑ "Aubrey Herbert", Wikipedia (në anglisht), 2025-08-30, marrë më 2025-11-26
- ↑ Shqarri, Muharrem (2019). Kontesha Elisabeth Carnarvon. Tiranë: ISH "Lumo Skëndo". fq. 5–170. ISBN 9789928450968.
- ↑ Shqarri, Muharrem (2025). 100 vjet, historia e katundit Herbert në Kavajë. Tiranë: ISH "Lumo Skendo". fq. 5–155.
- ↑ Hoxha, Zylyftar (28 gusht 2023). "Aubrey Herbert, diplomati anglez që ndihmoi Shqipërinë në Konferencën e Londrës". www.tiranadiplomat.com. Marrë më 25 nëntor 2025.