Historia e gjuhës shqipe
Historia e gjuhës shqipe është një udhëtim i gjatë dhe kompleks që shtrihet në rreth një mijë vjet, duke reflektuar një trashëgimi të pasur kulturore dhe gjuhësore në zemër të Ballkanit. Gjuha shqipe konsiderohet një degë e veçantë dhe e izoluar brenda familjes së gjuhëve indo-evropiane, pa ndonjë lidhje të afërt me asnjë gjuhë tjetër të gjallë. Kjo e bën atë një rast unik në historinë e gjuhëve të Evropës, si nga pikëpamja strukturore, ashtu edhe nga ajo historike.[1]
Origjina e saj mbetet një temë e hapur debati shkencor, por teoria më e pranuar e lidh shqipen me gjuhën e folur nga ilirët e lashtë, një popull indoeuropian që banonte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo hipotezë mbështetet kryesisht në dëshmitë e toponimeve, krahasimet leksikore dhe analizat fonetike, ndonëse mungesa e dokumenteve të shkruara nga ilirët e bën të pamundur një lidhje të drejtpërdrejtë. Alternativat si teza thraike apo ajo e fisit të dakëve janë propozuar nga disa studiues, por nuk kanë gjetur mbështetje të gjerë.[2]
Gjuha shqipe flitet kryesisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi (Lugina e Preshevës), Greqi (arvanitët) dhe Itali (arbëreshët), si dhe nga komunitete të mëdha në diasporë, veçanërisht në Turqi, Zvicër, Gjermani, Francë, Skandinavi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është gjuhë zyrtare në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni të Veriut, gjuhë minoritare në Mal të Zi, Serbi, Greqi dhe Itali dhe një komponent i rëndësishëm i identitetit kulturor për shqiptarët kudo që ndodhen.[3]
Lashtësia dhe origjina
Lashtësia dhe origjina e gjuhës shqipe ka qenë objekt i studimeve të shumta gjuhësore dhe historike. Hipoteza më e përhapur për prejardhjen e gjuhës shqipe është ajo ilire, e mbështetur nga studiues si Eqrem Çabej, Norbert Jokl, Shaban Demiraj dhe Eric P. Hamp,[4] si dhe është përmendur nga Wilhelm Meyer-Lübke. Kjo hipotezë lidh shqipen me një gjuhë indo-evropiane e cila në lashtësi është folur në Ballkanin Perëndimor, që zakonisht identifikohet me ilirët, një popull i lashtë i rajonit. Kjo hipotezë mbështetet kryesisht në dëshmi toponomastike, antroponime, substrate leksikore dhe krahasime fonetike, pasi dëshmitë e shkruara të ilirishtes janë jashtëzakonisht të rralla.
Alternativat tjera si p.sh. teza thrake apo dakike janë propozuar nga disa studiues, por nuk kanë gjetur mbështetje të gjerë për shkak të mungesës së lidhjeve të qëndrueshme gjuhësore. Megjithatë, shqipja ruan një substrat arkaik që dëshmon për një zhvillim të pavarur dhe të gjatë në rajonin ballkanik.
Në vitin 2023, një studim i avancuar i publikuar në revistën shkencore Science konfirmoi se gjuha shqipe është një nga tri gjuhët më të vjetra indo-evropiane ende të gjalla, krahas greqishtes dhe armenishtes.[5] Ky hulumtim, i bazuar në modele filogjenetike gjuhësore dhe të dhëna të ADN-së së lashtë, analizoi 109 gjuhë moderne dhe 52 gjuhë historike indo-evropiane, duke sugjeruar se origjina e familjes indo-evropiane daton rreth 6000-8000 vjet më parë. Gjuha shqipe, sipas këtij studimi, ka ruajtur një autonomi të theksuar strukturore dhe leksikore, duke dëshmuar jo vetëm për lashtësinë e saj, por edhe për autoktoninë e popullit shqiptar në Ballkan.[6]
Arbërorët dhe gjuha shqipe
Që nga shekulli XI, burimet historike fillojnë të përmendin shqiptarët si një komunitet etnik i veçantë, ndërsa gjurmët e gjuhës shqipe dalin në dritë në dokumente të ndryshme mesjetare. Këto dëshmi janë kyçe për të kuptuar formimin e identitetit gjuhësor dhe etnik shqiptar.
Përmendja më e hershme e shqiptarëve si një popull i veçantë daton në vitet 1079–1080, në një kronikë të historianit bizantin Mihail Ataliati, ku përmendet një revoltë e vitit 1043 në rajonin e Themës së Dyrrahut. Më konkretisht ai përmend se Albanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Konstantinopojës dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të dukës së Dyrrahiumit. Pra ata përshkruhen si një komunitet i dallueshëm etnik dhe territorial. Kjo përmendje është e rëndësishme jo vetëm për identifikimin etnik, por edhe për vendosjen e shqiptarëve në një kontekst historik të dokumentuar.[7]
Në shekullin XII, arbërorët përmenden edhe nga Ana Komnena në veprën e saj me titull Aleksiada shkruar rreth vitit 1148.[8]
Ndërkaq, gjuha shqipe përmendet për herë të parë në burime të shkruara më datën 14 korrik 1284, në aktet gjyqësore të Raguzës (Dubrovniku i sotëm, Kroaci). Dokumenti lidhet me hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro de Volcio nga Belena, ku një dëshmitar, Matheu, biri i Markut nga Mençe, deklaronte:
– Dëgjova një zë duke thirrur në mal në gjuhën shqipe. (latinisht: - Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca.)[9][10]
Ky citim konsiderohet si dëshmia më e vjetër e njohur për ekzistencën e shqipes së folur. Vlen të theksohet se nuk bëhet fjalë për një tekst të shkruar në shqip, por për një referencë të drejtpërdrejtë që tregon se gjuha shqipe ishte përdorur dhe kuptuar në një kontekst të përditshëm të komuniteteve të asaj kohe. Kjo ka një rëndësi të veçantë për historinë e gjuhës dhe për studimet mbi shqiptarët mesjetarë.[11]
Rasti i dytë, njëzet e tre vjet më vonë, gjendet në një përshkrim të Shqipërisë në veprën anonime Descriptio Europae Orientalis (1308).[12] Kjo vepër mesjetare latine trajton vendet e Evropës Juglindore, sidomos ato të Gadishullit Ballkanik. Mendohet se autori ka qenë një prift frëng i urdhrit dominikan, i dërguar nga kisha. Përshkrimi anonim përfshin kapituj mbi Greqinë bizantine, Rashën, Bullgarinë, Ruteninë, Hungarinë, Poloninë, Boheminë si dhe një kapitull mbi Shqipërinë, duke ofruar një dëshmi të rrallë për këtë vend dhe popull në fillim të shekullit XIV. Mes tjerash aty thuhet:
– Sepse shqiptarët kanë një gjuhë të ndryshme nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, aq sa nuk kuptohen fare me kombet e tjera. (latinisht: - Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclauis ita quod in nullo se intelligunt cum aliis nationibus.)
Rasti i tretë, ku përmendet gjuha shqipe, gjendet në një vepër të shkruar nga një shtegtar i krishterë gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë në vitin 1322. Shkrimet e shtegtarëve të tillë janë burime të rëndësishme për njohjen e realiteteve të Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. Në këtë rast, dy shtegtarë angloirlandezë,[13] Symon Semeonis dhe Hugo Iluminatori (Simon Simoni dhe Hugo Iluminatori), kaluan nëpër Shqipëri dhe Simoni la një përshkrim të hollësishëm të udhëtimit në veprën e tij me titull Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam. Aty mes tjerash thuhet:
- Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë dhe Rumanisë, që ka një gjuhë të vetën. (latinisht: - Albania est provincia inter Sclavoniam et Romaniam, per se linguam habens.)
Rasti i katërt, kur përmendet drejtpërdrejt ekzistenca e gjuhës shqipe, e kemi në vitin 1330, në veprën me titull, Directorium ad passagium (Udhëzime për kapërcimin e detit).[14] Ky shkrim është një traktat latin shkruar nga Guillaume Adae ose Burkhardi (Brokardi). Në këtë vepër autori shënon fjalinë tashmë të njohur në historinë e gjuhës shqipe:
– Edhe pse shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ata megjithatë përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre. (latinisht: - Licet Albaneses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris.)
Kjo dëshmi është e rëndësishme për të kuptuar autonominë gjuhësore të shqipes në mesjetë dhe për të konfirmuar se ajo ishte një gjuhë e konsoliduar dhe në përdorim.
Në vitin 1462 kemi dokumentin Formula e pagëzimit, shkruar nga Pal Engjëlli, kryepeshkop i Durrësit, që është fjalia e parë e njohur në gjuhën shqipe. E përfshirë në një dokument latin, që dëshmon përdorimin praktik të shqipes në kontekste fetare dhe është një gur themeli për historinë e shkrimit shqip.[15]
Shkrimi dhe konsolidimi gjuhësor
Në vitin 1555 u shkrua Meshari i Gjon Buzukut që paraqet librin e parë të plotë në gjuhën shqipe, i shkruar në dialektin gegë dhe përfaqëson një moment historik në zhvillimin e shkrimit shqip. Meshari është një tekst liturgjik katolik, i përkthyer dhe përshtatur nga latinishtja, që dëshmon jo vetëm për ekzistencën e një tradite të përkthimit dhe përpunimit gjuhësor, por edhe për një sistem të konsoliduar gramatikor, leksikor dhe ortografik. Gjuha e përdorur në Meshar është e pasur, me një sintaksë të ndërlikuar dhe një morfologji të zhvilluar, që tregon se shqipja e shekullit XVI ishte një gjuhë funksionale për shprehje të thella teologjike dhe filozofike.
Meshari është shkruar me alfabetin latin, të përshtatur për tingujt e shqipes, dhe përmban një ortografi të qëndrueshme, ndonëse jo të standardizuar. Ai përfshin edhe elemente të gjuhës së folur, duke reflektuar një përpjekje për ta afruar tekstin me besimtarin e zakonshëm. Ky libër është një monument i gjuhës shqipe, jo vetëm për vlerën e tij gjuhësore, por edhe për rolin që luajti në ruajtjen e identitetit kulturor në një periudhë të vështirë historike.
- Dialektet
Që nga kjo periudhë, shqipja ndahej në dy dialekte kryesore:
- Gegërishtja (veri), e folur në Shqipërinë veriore, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi. Ajo karakterizohet nga ruajtja e hundores, fleksibiliteti sintaksor, dhe një sistem zanorësh më i gjerë. Gegërishtja ka qenë dialekti dominues në letërsinë e hershme shqipe, përfshirë veprat e Buzukut, Bogdanit dhe Bardhit.
- Toskërishtja (jug), e folur në Shqipërinë jugore dhe në diasporën arvanite. Ajo ka një sistem më të thjeshtuar fonetik, me humbje të hundores dhe një strukturë më të ngurtë morfologjike. Toskërishtja do të bëhej më vonë baza e gjuhës standarde, sidomos pas Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972.
- Dialekti istrian (Dialekti i Istrias) është një dialekt historik (i zhdukur) i gjuhës shqipe, që flitej në fushën e Poreçit, në gadishullin e Istrias, në Kroaci, deri në fund të shekullit të 19-të.[16]
Dialektet nuk janë thjesht variante fonetike, por bartin trashëgimi të ndryshme kulturore, letrare dhe historike, duke pasuruar mozaikun gjuhësor shqiptar. Gegërishtja ruan një traditë të fortë epike dhe folklorike, ndërsa toskërishtja ka qenë më e pranishme në zhvillimin e letërsisë moderne dhe të gjuhës standarde. Përveç këtyre, ekzistojnë edhe nën-dialekte si labërishtja, çamërishtja, arbërishtja (Itali) dhe arvanitishtja (Greqi), që dëshmojnë për shtrirjen dhe diversitetin e shqipes në hapësira të ndryshme gjeografike dhe historike.[17]
Periudha osmane dhe mbijetesa gjuhësore
Gjatë sundimit pesëshekullor të Perandorisë Osmane, gjuha shqipe gjeti lëvrim si në qerthullin verior me tekstet liturgjike, teologjike dhe leksikografike të Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit. Tekste të cilat qenë për një përdorim te ngushtë dhe ngushtësisht të jetës fetare, të ndikuar nga Kundër-Reforma.[18]
Me qenësinë shtetërore osmane shqipja u lëvrua më tej me shkrimin arab, kryesisht nga poetët që më pas u njohën si Bejtexhinjtë, prej të cilëve më të përmendurit janë Nezim Frakulla, Sulejman Naibi dhe Hasan Zyko Kamberi.
Krahas këtyre zhvillimeve në gjeografinë amë të gjuhës, mërgata historike e arbëreshëve pati gjithashtu lëvrues me rëndësi duke filluar nga Jul Variboba dhe deri te Jeronim de Rada.
Përpos kultivimit me shkrim latin nga qerthulli katolik i veriut me arbëreshët, dhe letërsisë me shkrim arab, ka patur kontribute në shkrimin e shqipes edhe me alfabet grek, ku vlen për t'u përmendur kontributi i Gregor Gjirokastritit, Jani Vretos dhe Kostandin Kristoforidhit.
Rilindja Kombëtare dhe alfabeti
Në shekullin XIX, Rilindësit shqiptarë e panë gjuhën si themelin e identitetit kombëtar, duke e trajtuar atë jo vetëm si mjet komunikimi, por si simbol të vetëdijes historike dhe politike të një kombi që synonte lirinë. Në një kohë kur shqiptarët jetonin të ndarë në katër vilajete osmane dhe përballeshin me rrezikun e asimilimit kulturor nga fqinjët, gjuha u bë mjeti kryesor për bashkimin shpirtëror dhe ideologjik.
Figura të shquara si Jeronim de Rada, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Pashko Vasa, Jani Vreto, Andon Zako Çajupi dhe Zef Jubani kontribuan në krijimin e një letërsie kombëtare, duke shkruar vepra në shqip, për shqipen dhe për shqiptarët. Ata përkthyen, hartuan abetare, botuan gazeta dhe libra, dhe u angazhuan në debatin për alfabetin, duke kuptuar se pa një sistem të përbashkët shkrimi, nuk mund të kishte një gjuhë të unifikuar.
Në këtë periudhë, përdorimi i alfabetit ishte i fragmentuar: disa përdornin alfabetin arab, të tjerë grek, cirilik, latin apo kombinime tjera, varësisht nga zona gjeografike dhe ndikimet fetare. Kjo situatë e vështirësonte komunikimin dhe përhapjen e dijes në shqip.
Në vitin 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit mes datave 14 dhe 22 nëntor, në qytetin e Manastirit (sot Bitola, Maqedoni e Veriut), u mblodhën përfaqësues nga shoqëri kulturore, arsimore dhe fetare shqiptare nga të gjitha trevat. Kongresi vendosi, përdorimin e alfabetit latin me 36 shkronja, duke unifikuar shkrimin e shqipes dhe duke hedhur bazat për një gjuhë standarde. U miratuan dy variante të alfabetit latin (i Stambollit dhe i Bashkuar), por më vonë u konsolidua forma që përdorim sot.
Ky vendim ishte një akt i rëndësishëm politik, kulturor dhe gjuhësor, që synonte bashkimin e shqiptarëve përtej dallimeve dialektore, fetare dhe rajonale. Ai u pa si një hap drejt pavarësisë kulturore dhe si një mjet për arsimimin masiv në gjuhën amtare, duke i dhënë shqipes një status të barabartë me gjuhët e tjera të zhvilluara të Evropës.[19]
Standardizimi dhe gjuha moderne
Pas Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, nisi një periudhë e re për zhvillimin institucional të gjuhës shqipe. Në dekadat që pasuan, u krijuan struktura arsimore dhe akademike që synonin përhapjen e gjuhës së njësuar në shkolla, administratë dhe media. Megjithatë, mungesa e një norme të përbashkët gjuhësore vazhdonte të ishte pengesë për komunikimin dhe për zhvillimin e një letërsie kombëtare të qëndrueshme.
Më 27 dhe 28 prill të vitit 1968 u organizua Konsulta Gjuhësore e Prishtinës që përfaqësonte një moment kyç në historinë e standardizimit të gjuhës shqipe në Kosovë dhe viset shqiptare të ish-Jugosllavisë. Konsulta ishte organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ky organizim mblodhi 150 intelektualë nga trevat shqiptare për të zyrtarizuar përdorimin e normës letrare të gjuhës shqipe në tekstet mësimore, botime dhe media. Ngjarja shënoi një hap të rëndësishëm drejt unifikimit gjuhësor mbarëkombëtar dhe përgatiti terrenin për pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve të Kosovës në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Konsulta u vlerësua si akt kulturor dhe politik që forcoi identitetin kombëtar përmes gjuhës së përbashkët.
Përpjekjet për standardizim kulmuan në vitin 1972, me Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, të mbajtur në Tiranë. Ky kongres mblodhi gjuhëtarë, pedagogë, shkrimtarë dhe përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, për të vendosur mbi normën e gjuhës letrare. U miratua një standard i bazuar kryesisht në toskërishten (rreth 80%), me përfshirje të elementeve nga gegërishtja (rreth 20%), duke synuar një kompromis funksional dhe të zbatueshëm në nivel kombëtar.
Kjo gjuhë standarde u bë norma zyrtare për arsimin, administratën, mediat dhe botimet në të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe diasporën. Ajo u përkrah nga institucionet shtetërore dhe u përfshi në tekstet shkollore, duke ndikuar në formimin gjuhësor të brezave të rinj.
Megjithatë, ky standard ka qenë objekt debatesh, sidomos për përfaqësimin e gegërishtes në letërsi dhe arsim. Studiues nga veriu i Shqipërisë dhe Kosova kanë shprehur shqetësimin për lënien në hije të trashëgimisë gegë. Së fundmi, janë ndërmarrë nisma për rishikimin e normës drejt një modeli më gjithëpërfshirës.
Pavarësisht sfidave, gjuha shqipe moderne vazhdon të zhvillohet, të pasurohet dhe të përshtatet me nevojat e kohës, duke ruajtur rolin e saj si shtyllë e identitetit kombëtar dhe si mjet i fuqishëm për komunikim, arsim dhe krijimtari.
Gjuha shqipe në diasporë
Arbëreshët në Itali dhe Arvanitasit në Greqi përfaqësojnë dy degë të rëndësishme të diasporës së hershme shqiptare, të cilat kanë ruajtur forma arkaike të gjuhës shqipe që datojnë nga shekujt XV–XVI. Këto komunitete u shpërngulën nga trojet shqiptare kryesisht për shkak të pushtimeve osmane dhe u vendosën në territore të reja, ku arritën të ruajnë gjuhën, zakonet dhe identitetin e tyre etnik përmes traditës gojore, fesë dhe kulturës familjare.
Arbërishtja, e folur nga arbëreshët në rajonet e Kalabrisë, Sicilisë dhe Pulias, është një variant i gegërishtes së shekullit XV, me ndikime të dukshme nga italishtja dhe latinishtja, por me ruajtje të strukturave të vjetra sintaksore dhe leksikore. Ajo ka një traditë të pasur letrare, me figura si Jeronim de Rada, Gavril Dara i Ri, Zef Serembe dhe Zef Skiroi, të cilët shkruan vepra në arbërisht dhe kontribuan në Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Arvanitishtja, e folur nga arvanitasit në Greqi, është një variant toskërishtje që ka pësuar ndikime të shumta nga greqishtja, por ka ruajtur një numër të madh fjalësh dhe strukturash të vjetra shqipe. Megjithëse sot është në rrezik zhdukjeje për shkak të asimilimit gjuhësor, ajo mbetet një burim i çmuar për studimet albanologjike, veçanërisht në fushat e fonetikës historike dhe etnolingvistikës.
Të dyja këto variante janë pasuri gjuhësore dhe kulturore me vlerë të madhe, jo vetëm për historinë e shqipes, por edhe për kuptimin e zhvillimit të saj jashtë kufijve etnikë. Ato dëshmojnë për qëndrueshmërinë e gjuhës shqipe, për rolin e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar, dhe për ndikimin e saj në formimin e vetëdijes historike të diasporës shqiptare.
Përveç diasporës historike, gjuha shqipe është e pranishme dhe aktive në komunitete të mëdha shqiptare në vende si Turqia, Gjermania, Franca, Skandinavia, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. Në Turqi, ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë të shpërngulur gjatë shekujve XIX–XX, shqipja është ruajtur kryesisht në mjedise familjare dhe kulturore, megjithëse përdorimi publik është i kufizuar. Në Gjermani dhe Zvicër, ku emigracioni shqiptar u rrit ndjeshëm pas viteve ’90, janë krijuar shkolla plotësuese në gjuhën shqipe, media komunitare dhe organizata kulturore që promovojnë ruajtjen e gjuhës. Në Francë, Skandinavi, SHBA dhe Kanada, shqipja përdoret në mënyrë të qëndrueshme në familje, komunitete fetare, shkolla të fundjavës dhe rrjete sociale, duke ndihmuar në ruajtjen e identitetit gjuhësor ndër breza. Megjithëse sfidat e asimilimit janë të pranishme, veçanërisht te brezat e rinj, diaspora shqiptare po ndërmerr nisma për mësimin dhe promovimin e shqipes, duke e mbajtur atë gjallë si gjuhë e trashëgimisë dhe e lidhjes me atdheun.[20]
Shih edhe
Referime
- ↑ Demiraj, Shaban (1988). Gjuha shqipe dhe historia e saj. Shtëpia Botuese e Librit Universitar.
- ↑ "Historia dhe origjina e gjuhës shqipe". Shqipopedia. 2019-12-24. Marrë më 2025-09-28.
- ↑ "Historiku i gjuhës shqipe". Trashëgimia Kulturore Shqiptare. 2014-11-21. Marrë më 2025-09-19.
- ↑ "Gjuhëtari amerikan Eric Hamp për shqipen". Gazeta Dita. Arkivuar nga origjinali më 29 maj 2019. Marrë më 2025-09-23.
- ↑ Heggarty, Paul; Anderson, Cormac; Scarborough, Matthew; King, Benedict; Bouckaert, Remco; Jocz, Lechosław; Kümmel, Martin Joachim; Jügel, Thomas; Irslinger, Britta; Pooth, Roland; Liljegren, Henrik; Strand, Richard F.; Haig, Geoffrey; Macák, Martin; Kim, Ronald I. (2023-07-28). "Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages". Science (në anglisht). 381 (6656): eabg0818. doi:10.1126/science.abg0818.
{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: Numri i artikullit si numër faqeje (lidhja) - ↑ Latifi, Petrit (2025-04-07). "Paul Heggarty: The Albanian Language is the Oldest Indo-European Language". Balkan Academia (në anglisht). Marrë më 2025-09-19.
- ↑ admin (2021-12-28). "PËRMENDJET MË TË HERSHME TË SHQIPTARËVE DHE TË SHQIPES". FJALA e LIRË. Marrë më 2025-09-30.
- ↑ "I pari i një kështjelle në historinë e Evropës". KultPlus. 2019-08-11. Marrë më 2025-09-24.
- ↑ Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond (1976). Migrations and invasions in Greece and adjacent areas (në anglisht). Noyes Press. fq. 57. ISBN 978-0-8155-5047-1.
- ↑ Zeitschrift für Balkanologie (në gjermanisht). R. Trofenik. 1990. fq. 102.
- ↑ "-Dëshmia e parë mbi gjuhën shqipe, daton në vitin 1285 e lidhet me malësinë e Raguzës – Dielli | The Sun". 2015-02-10. Marrë më 2025-09-19.
- ↑ Tibor Živković, Vladeta Petrović, Aleksandar Uzelac, Dragana Kunčer: Anonymi Descriptio Europae Orientalis : Anonimov opis istočne Evrope. January 2013. Edition: Izvori za srpsku istoriju. Publisher: Istorijski institut. Editor: Srđan Rudić. ISBN 978-86-7743-102-0
- ↑ "Two Irish Travellers in Albania in 1322 | PDF | Albanians | Albania". Scribd (në anglisht). Marrë më 2025-09-20.
- ↑ Elsie, Robert (2003). Early Albania: A Reader of Historical Texts, 11th–17th Centuries (në anglisht). Otto Harrassowitz. fq. 28 - 30.
- ↑ Plus, Kult (2023-11-08). "Sot, 562 vjet më parë u shkrua dokumenti i parë shqip, "Formula e pagëzimit" e Pal Engjëllit". KultPlus. Marrë më 2025-09-28.
- ↑ "Albanian language - Dialects". Britannica.com Inc. Marrë 2 Mars 2012.
- ↑ Shuteriqi, Dhimitër S. (1971). Historia e letërsisë shqipe. Prishtinë: Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
- ↑ Çabej, Eqrem (1977). "Gjon Buzuku dhe gjuha e tij". Studime gjuhësore. VI: 25.
Duke qenë se veprën e shkroi aty nga mesi i shekullit të XVI-të, në një moshë kur ka qenë sigurisht burrë i pjekur, mund të themi se ai rroi dhe u zhvillua në atë shekull. Ç'ndikime ushtroi kjo kohë kaq e turbullt mbi autorin, jetën e tia e formimin e tij si shkrimtar, nuk mund të thuhet asgjë. Fakti që ky e nisi veprën 20 mars 1554 dhe e mbaroi me 5 janar 1555.
- ↑ "Gjuha shqipe dhe historiku i saj". Gazeta Koha Jonë. 2021-04-29. Marrë më 2025-09-19.
- ↑ Qosja, Rexhep (1984). Historia e letërsisë shqipe: romantizmi. Prishtinë: Rilindja. ISBN 978-99927-1-324-2.