Isa Mustafa
Isa Mustafa | |
|---|---|
![]() | |
| Kryeministri i 2-të i Kosovës | |
| Në detyrë 9 dhjetor 2014 – 9 shtator 2017 | |
| Presidenti | Atifete Jahjaga Hashim Thaçi |
| Paraprirë nga | Hashim Thaçi |
| Pasuar nga | Ramush Haradinaj |
| Kryetari i Prishtinës | |
| Në detyrë 14 dhjetor 2007 – 26 dhjetor 2013 | |
| Paraprirë nga | Ismet Beqiri |
| Pasuar nga | Shpend Ahmeti |
| Kryetar i Lidhja Demokratike e Kosovës | |
| Në detyrë 7 nëntor 2010 – 14 mars 2021 | |
| Paraprirë nga | Fatmir Sejdiu |
| Pasuar nga | Lumir Abdixhiku |
| Ministri i Ekonomisë dhe Financave | |
| Në detyrë 1991–1999 | |
| Kryeministri | Bujar Bukoshi |
| Paraprirë nga | Pozita u themelua |
| Pasuar nga | Pozita u shpërbë |
| Të dhëna vetjake | |
| U lind më | 15 maj 1951 Prishtinë, |
| Partia politike | Lidhja Demokratike e Kosovës |
| Bashkëshortja/et | Qevsere Mustafa |
| Fëmijët | 3 |
| Arsimimi | Universiteti i Prishtinës |
| Nënshkrimi | ![]() |
Isa Mustafa (lindur më 15 maj 1951, Prapashticë), është një politikan kosovar në pension. Mustafa ishte kryetar i Prishtinës nga dhjetori 2007 deri në dhjetor 2013 dhe shërbeu si Kryeministër i Kosovës nga dhjetori 2014 deri në shtator 2017. Ai ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) midis 2010 dhe 2021.
Jeta e hershme
Mustafa lindi në fshatin e Prapashticës, në Malësinë e Gollakut të rajonit të Prishtinës, Kosovë më 15 maj 1951. Prindërit e tij janë shqiptarë të Kosovës.[1] Ai dhe familja e tij flasin gegërisht. Shkollën fillore dhe gjimnazin e përfundoi në Prishtinë, ndërsa vijoi studimet e larta në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ku fitoi një diplomë master dhe doktoraturën.[1] Në vitin 1974 e filloi veprimtarinë profesionale si ekzaminues në Universitetin e Prishtinës.[1]
Karriera politike
Në vitin 1984 u angazhua në funksionin e kryetarit të qeverisjes komunale komuniste në Prishtinë, funksion të cilin e mbajti deri në vitin 1988. Më 1991 u angazhua në funksionin e drejtorit të Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe si Ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës.
Gjatë periudhës së luftimeve ishte aktiv në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Pas luftës, kryesisht, është angazhuar në punën shkencore dhe hulumtuese në Institutin Riinvest dhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës "Dardania", anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës së Re të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Kosovës, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit Amerikan në Prishtinë dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës.
Në vitin 2007 si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u zgjodh kryetar i komunës së Prishtinës. Ndërsa, më 7 nëntor 2010 Isa Mustafa në Kuvendin e 7-të zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës me 235 vota u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës duke e mundur kundërkandidatin Fatmir Sejdiu i cili mori 124 vota.
Në kuadër të programeve të bashkëpunimit dhe ngritjes profesionale e shkencore ka qëndruar disa herë në Universitete të jashtme.
Ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në disa projekte vendëse dhe ndërkombëtare në fushën e zhvillimit ekonomik, sidomos ato që kanë të bëjnë me politikat fiskale, arsimin dhe zhvillimin ekonomik lokal. Ka botuar disa tekste universitare, tekste për shkolla të mesme si dhe punime të tjera shkencore dhe profesionale në vend dhe jashtë vendit.
Është anëtar i rregullt i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës nga dhjetori i vitit 2012.
Isa Mustafa ishte pjesë e kabinetit të Presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu si këshilltar për ekonomi.
Jeta personale
Mustafa është i martuar me Qevsere Mustafën dhe ka dy djem e një vajzë. Ai është deklaruar si mysliman që ka agjëruar për muajin e Ramazanit.[2]
Referime
- 1 2 3 "Biografia". isamustafa.info. Arkivuar nga origjinali më 21 korrik 2011. Marrë më 7 nëntor 2010.
- ↑ "Isa Mustafa: E kam agjëruar Ramazanin edhe sa isha kryeministër, porosisja kafe por nuk e pija". Gazeta Online Reporteri.net. 2022-11-13. Marrë më 2026-08-11.
Lidhje të jashtme
| Zyrat politike | ||
|---|---|---|
| Zyra e re | Ministër i Ekonomisë dhe Financave 1991–1999 |
Pozita u shpërbë |
| Parardhësi | Kryetari i Prishtinës 2007–2013 |
Pasardhësi |
| Parardhësi | Kryeministri i Kosovës 2014–2017 |
Pasardhësi |
| Parardhësi | Kryetar i Lidhjes Demokratike 2010–2021 |
Pasardhësi |
- Artikuj me deklarata pa burim informacioni
- Lindje 1951
- Njerëz që jetojnë
- Kryetarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës
- Myslimanë shqiptarë
- Kryetarë të Prishtinës
- Kryeministra të Kosovës
- Absolventë të Universitetit të Prishtinës

.svg.png)