Labëria (gazetë)

Gazeta LABERIA Labëria (periodike e pavarur). Gazetë e Shoqatës Kulturore Atdhetare "Labëria", "Nderi i Kombit". Kryeredaktor: Albert Zholi -nga viti 2008 dhe në vazhdim..Më parë Lirim Deda deri 2008.



Ismail Kadare, ka shkruar se: “Gazeta “Labëria” ka qënë për mua, një nga surprizat e këndshme, larg këtij agresiviteti që karakterizon shtypin shqiptar"

***

DRITËRO AGOLLI KA THËNË: “ NUK DO BËHESHA KY SHKRIMTAR QË JAM SOT, PO TË MOS KISHA MËSUAR NË LABËRI. GAZETA LABËRIA ËSHTË PASQSYRË E SAJ”


REXHEP QOSJA, KRYETAR NDERI I SHOQATËS “LABËRIA” ËSHTË SHPREHUR SE: “ LABËRIA E KA LINDUR DHE RILINDUR SHQIPËRINË.”

****


Gazeta korrekte “Labëria” dhe kryeredaktori Albert Zholi zëdhënës perfekt të Shoqatës “Labëria”, “Nderi Kombit”.

Nga: Prof. Ago Nezha

Përbërja e lartë cilësore e shoqatës Labëria, ka krijuar premisa të vazhdueshme për ta bërë atë faktorë ndikues në jetën e vendit, siç ka ndodhur në realitetin shqiptar. Qysh nga krijimi i saj dhe deri në ditët e sotme në drejtim të shoqatës Labëria kanë qenë intelektual të shquar të saj. Një pjesë e tyre kanë ndërruar jetë, qysh nga kryetari i parë Halil Qendro, nën/kryetarët Enver Guga,Maliq Lila, Dasho Matodasho, e deri te poeti e kryeredaktori i talentuar Lirim Dede, të cilët i kujtojmë me mirënjohje për kontributin e tyre. Njëkohësisht respekt tregojmë për ata drejtues të vazhdimësisë në vite si Sekretari i Përgjithshëm Xhemil Çeli në katër kuvende dhe pasuesit e tij Petrit Ruka e Dorian Koçi, nën/kryetarët Gafur Duda, Lavdie Nanaj, Sejmen Gjokoli e deri më të rinjtë Agim Çiraku, Agim Rrapaj e Robert Çelo, si dhe sekretarët Albert Zholi e Bashkim Qeli, që kanë prurë një frymë të re në shoqatë. E në rast se këtë do ta quajmë në mënyrë metaforike trurin e shoqatës, ajo s’do funksiononte dot pa zemrën e saj të shëndoshë, që janë biznesmenët me kontributet e tyre në vite. Nga lartësia e 25 viteve unë dua të falënderoj kontribuesit e pa kursyer për realizimin e veprimtarive si nën/kryetarët e shoqatës të ndierin Enver Guga, legjendarin e deri sotëm Gafur Dudaj, Kastriot Zoto, Fatmir Toçi, e duke ardhur te më të rinjtë që ju afruan pas Kuvendt të 5-të të Gjirokastrës si Dr. Bujar Leskaj, Agim Çiraku, Agim Rrapi dhe prurjet e fundit të admirueshme si Ardian Resuli e Vullnet Sina. Të dy krahët e shoqatës, kanë funksionuar si një orkestër për ta çuar shoqatën në lartësitë që ndodhet sot. Gazeta “Labëria” E gjithë puna dhe veprimtaria e suksesshme e shoqatës do të ishte e mangët në rast se nuk do kishte zëdhënësen e saj Gazetën “Labëria”. Qysh nga lindja e saj e deri më sot ajo ka pasqyruar jetën social-ekonomike të trevës së Labërisë.

Gazeta jonë Labëria

Një punë të lavdërueshme kanë bërë kryeredaktorët e saj qysh nga krijimi me kryeredaktor Pëllumb Tare, për shumë vjet Lirim Dede, e tashmë Albert Zholi plot 10 vjet si kryeredaktor e ka ngritur shumë lart nivelin e saj, me nidhmën e botuesve Fatmir Toçi, Gafur Dudaj dhe tashmë të Agim Çirakut. Por ajo që desha të veçoj është se gazeta “Labëria”, pas Kuvendit të 5-të të shoqatës, me botues Agim Çirakun e Gafur Dudën dhe me përkujdesjen e drejtorit të Gazetës “Telegraf”, Engjëll Musai, nën drejtim e gazetarit të palodhur Albert Zholi, ka pësuar një ndryshim cilësor si në formë, që botohet me ngjyra ashtu dhe në përmbajtje. Identitet i një krahine është polifonia, që transmeton në breza, historinë, kulturën,traditat, zakonet dhe ndjenjat e komunitetit. Polifonia labe është një thesar kulturor dhe shpirtëror që shoqata Labëria ka ditur ta promovojë si pasaportën e saj në eventet kombëtare e ndërkombëtare. Në mbyllje të shkrimit desha të citoj thënien e Profesor Qoses gjatë një vizite në trevat e Labërisë, që thotë: “Labëria siç e përjetova unë, Labëria shpirtërore është Shqipëria natyrore, e kjo domethënë Shqipëria etnike. Dhe po aty, Kënga Labërishte është shembulli më i mirë i ndritshëm i vetëdijes së pa ndarë, i vetëdijes gjithëkombëtare shqiptare.

Me profesionalizmin dhe përkushtimin e kryeredaktorit Albert Zholi, gazeta është bërë tribunë e mendimit të lirë të çdo labi, pavarësisht hierarkisë shoqërore.

12 Dhjetori, ditëlindja e Shoqatës dhe gazetës Labëria

SHKRUAR NGA PROF. DR. AGO NEZHA12 DHJETOR 2020


Në 12 Dhjetor Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”, mbush 29 vjet nga krijimi i saj. Në këta 30 vite demokraci në Shqipëri, shënon një moshë për ta pasur zili. Një koincidencë e pakëndshme, që për dy vjet rresht nuk mund t’i festojmë përvjetorët e saj si më parë, me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë mbarëkombëtar, për shkaqe të njohura, vitin e kaluar pengoi tërmeti i 26 Nëntorit ndërsa këtë vit për pamundësi tubimesh nga rreziku i pandemisë. Lindja e pluralizmit politik në vitet 1990 dhe vendosja e demokracisë në Shqipëri ishte një proces që erdhi jo natyrshëm si në vendet e tjera lindore, por nëpërmjet një urrejtje, mllefi, e hakmarrje klasore, që buronte nga grupime të ndryshme shoqërore të integruar në parti politike me ide konfuze, të ashtuquajtura të majta e të djathta. Ato u pozicionuan në dy pole, si në dy poligone qitje, si fraksione antagoniste, por jo konkurruese, që minonin zhvillimin dhe frymën demokratike qysh në lindjen e saj. Shoqata Labëria, u krijua si një nevojë në pluralizmin e ideve në 12 Dhjetor të vitit 1991, nga një grup intelektualësh idealistë të trevës së Labërisë, me cilësi të thella patriotike dhe të frymëzuar nga tradita e Klubit Atdhetar “Labëria”, i ngritur në 23 Tetor të vitit 1908 në Vlorë, ku President Nderi u zgjodh Ismail Qemali, ndërsa Kryetar Xhemil Bej Vlora. Ajo lindi në dimrin e acartë të politikës shqiptare, ku partitë ishin kthyer në një kopsht me gjemba që shponin e helmonin njëra-tjetrën me urrejtjen e kohës, ndërsa shoqatat ishin një kopsht kolor që i bashkonin e vëllazëronin njerëzit pa dallime partiake, për të amortizuar valvulat e tensioneve të larta politike, që morën karakter antagonist. Zëri, idetë, mendimet, vetëdija atdhetare, që u shqua shoqata Labëria, ishin mendimet dhe ndjenjat e njerëzve përparimtarë. Shoqata Labëria u krijua me mision për të transmetuar vlerat e larta patriotike, traditat, zakonet, kulturën, virtytet, si dhe historinë e lavdishme të trevës së Labërisë. Krijimi i saj ngjalli sa gëzim e shpresë në qarqet patriotike, aq dhe pakënaqësi e reaksion në qarqet reaksionare, antishqiptare. Fqinjët tanë jugorë e pritën me shqetësim krijimin e këtij organizmi shoqëror, gjë që na kujton thënien e Napolon Zervës, që “Le të ketë një çik Shqipëri, por të mos ketë Labëri”. Nga ditëlindja e shoqatës e deri më sot, që mbushen 29 vjet jetë, ajo ka pësuar evolucion të fuqishëm, duke ecur mes baticave dhe zbaticave për të përmbushur misionin e saj patriotik dhe për t’u ngjitur në majat e suksesit ku është sot, që mban mbi krye kurorën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës. Veprimtaria e saj ka qenë permanente, intuitive dhe gjithëpërfshirëse për çështjet më të mprehta patriotike, duke dhenë kontributin e saj pa kompromis, në mbrojtje të vlerave atdhetare e kulturore të kombit. Historia e jetës së Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria”, qysh nga krijimi e deri më sot, është përballja dhe denoncimi i të gjitha akteve antishqiptare, që kanë dalë në skenë nga faktorë politikë të brendshëm dhe të jashtëm. Nëpërmjet veprimtarive, tubimeve dhe deklaratave të herëpashershme, ajo ka mbajtur qëndrime kritike ndaj shfaqjeve dhe fenomeneve që cenojnë identitetin kombëtar. Janë të njohura publikisht qëndrimet e papajtueshme të Shoqatës Labëria ndaj ngritjes së varrezave greke në Kosinë të Përmetit dhe në Boboshticë të Korçës, për vetëdeklarimin e popullsisë sipas etnisë dhe fesë, për hapjen e shkollave greke në Jug të vendit, për mohimin e të drejtave të Çamërisë në trojet e tyre, për problemin e asosacioneve serbe në Kosovë, për vendosjen e kufirit mes Malit të Zi dhe Kosovës. Ajo ka qënë në koherencë të çdo ngjarje dhe veprimi cinik që cenon ndjenjat dhe ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar dhe ka reaguar fuqishëm. Ka dënuar përplasjet e qarqeve shoviniste greke me komunitetin e Himarës, që e ka identifikuar popullatën e kësaj treve me minoritetin grek, kur dihet historikisht se krahina e Himarës ka qenë kryeqendra e Labërisë duke pasur nën juridiksonin e saj 52 fshatra, të bregut, Kurveleshit e deri në Delvinë. Në vijimësi, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka dënuar incidentin e Bularatit në Gjirokastër, ku shumë turma histerike të ekstremistëve grek provokuan luftë-nxitje dhe urrejtje etnike, nëpërmjet parullave të turpshme antishqiptare se: “Vorio-Epiri është Greqi”, “sëpatë dhe zjarr ndaj qenve shqiptarë”, etj. Pa dashur të evidentoj reagimet dhe deklaratat e shumta në këto 29 vjet, deklarata e fundit që mund të përmendja është solidariteti i Labërisë me qëndrimin e luftëtarëve të UÇK-së, që padrejtësisht me tendenca serbofile gjykohen sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Një nga veprimtaritë kulmore unikale të Shoqatës Labëria, është denoncimi i marrëveshjes së detit me Greqinë nga qeveria shqiptare duke i dhuruar Greqisë 344 km sipërfaqe ujore. Për këtë qëllim u morën firmat e 70 shoqatave mbarëkombëtare duke filluar nga shoqata “Kosova” te “Çamëria” dhe u organizua një tubim denoncues, ku zgjoi dhe opozitën e atëhershme, që kishte rënë në gjumë. Ky ishte një akt patriotik që sensibilizoi gjithë opinionin shoqëror. Në kuadrin e vitit të Skënderbeut dhe 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shoqata Labëria, pasi kishte bërë një takim në Preshevë sëbashku me Shoqatën “Nermin Vlora”, me 100 gra e vajza me emrin “Vlora”, organizoi në Prishtinë një aktivitet me të gjithë ata kosovarë që kanë emra me prejardhje nga krahina e Labërisë duke filluar nga emri Labëri Luzha, që e kemi dhe anëtare Kryesie të shoqatës Labëria dhe vazhdon me Vlora, Saranda, Argjiro, Amantia, Vjosa, Shqipe, Himara, Çamëria, Vlorian, Orik e dhjetëra emra të tjerë. Mesazhi që përcillte ky aktivitet, ishte se emri dhe gjuha janë identiteti kombëtar, që po bjerrin dukshëm veçanërisht te qytetarët e Shqipërisë. Në fjalën e tij përshëndetëse Akademiku Rexhep Qosja, u shpreh se: “Këtë aktivitet nuk e ideon dhe as nuk e realizon dot në këto nivele kaq të larta as shteti, pa folur për shoqata, veç Shoqatës Labëria”. Shoqata Labëria një qëndrim tejet kritik ka mbajtur ndaj kremtimit të dy festave jubilare, 100 vjetorit të Pavarësisë dhe 70 vjetorit të Çlirimit, që u kaluan pa vlerësimin e duhur nga qeveritë e kohës. Për turpin e qeverisë demokratike, në 100 vjetorin e Pavarësisë u mor një bust me basoreliev të aksidentuar nga magazinat e Muzeut Historik Kombëtar dhe u vendos karshi Kryeministrisë, pranë një bunkeri. Shoqata Labëria, i ka bërë propozim kryetarit të Bashkisë së Tiranës z. Veliaj, dhe ka marrë premtimin e tij, që të vendos një monument madhështor në një shesh qendror, pasi është figura e dytë kryesore e kombit pas Heroit Kombëtar Skënderbeut. Sensibiliteti i genit lab për çështjen kombëtare është i njohur në mbarë trevat shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Këtë dukuri e përligjin më së miri dhe fjalët e arta të korifenjve të letrave shqipe, që janë sa jugorë aq dhe veriorë, por jo lebër. Noli i madh shkruante se: “Kur lëngon Shqipëria zgjohet Labëria” dhe kur të vdes të më përcillni me këngë labësh dhe labeshash”. Shkrimtari i madh Dritëro Agolli ka thënë: “Nuk do bëhesha ky shkrimtar që jam sot, po të mos kisha mësuar në Labëri”. “Kur është sëmurur liria, kur e ka zënë gripi atë, i pari që e ndien këtë grip apo këtë sëmundje është Labëria dhe jo vetëm e ndien, por ajo merr masa dhe për ta shëruar”. Akademiku Kosovar Rexhep Qosja, njëherazi dhe kryetar nderi i Shoqatës Labëria është shprehur se: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Ndërsa kleriku dhe shkrimtari Shtjefën Gjeçovi, që shkoi dhe luftoi bashkë me lebërit në luftën e 1920, nga Vlora i shkruante Kryepeshkopit të Shkodrës: “Imzot, kur të vij në Shkodër do t’u bëj të flisni labçe, se vlonjati për Shqipërinë jep fëmijën, djeg shtëpinë dhe fal pasurinë”. Në rrugëtimin e gjatë 29 vjeçar, shoqata ka pësuar një evolucion të dukshëm nga njëri kuvend në tjetrin. Kuvendi i parë u mbajt në Tiranë në 5 Qershor 1998, nën kujdesin e sekretarit të Përgjithshëm Xhemil Çeli dhe Kryetarit Halil Qendro. Kuvendet e tjera u mbajtën respektivisht, i dyti në Vlorën e flamurit në 21 Maj 2001, i treti në Himarë në 7 Maj 2005, jo rastësisht, por për t’u thënë himarjotëve dhe qarqeve antishqiptare se Himara është Labëri. Por në këtë kuvend nuk munguan diversionet e kryetarit të Bashkisë Himarës, Bollanos, që kërkoi me të gjitha mjetet ta pengojë zhvillimin e punimeve duke shkruar dhe parulla në greqisht, në gjithë Himarën, se Himara nuk është Labëri, por është Greqi, poshtë Labëria, etj. Kuvendi i katërt u mbajt në Kuç të Vlorës 21 Nëntor 2009, për të evokuar një ngjarje madhore të Kongresit të Labërisë, që ka zhvilluar punimet në Kuç më 28 Nëntor-4 Dhjetor të vitit 1924, me 300 delegatë nga gjithë trevat shqiptare, nga Kosova te Çamëria, ku u nis të vinte dhe Noli, por u kthye nga trazirat e kohës. Kuvendi i pestë u mbajt në kryeqendrën e kulturës labe, në Gjirokastër në 24-25 Maj 2014, ku shënoi disa arritje kulmore me prurje të shumta intelektualësh dhe biznesmenë të rinj që e freskuan dhe fuqizuan shoqatën. Kjo situatë lexohet te fjala përshëndetëse e Presidentit Moisiu, që tha: “Këtë shoqatë të mirëorganizuar, do ta kishte zili çdo parti dhe çdo qeveri”. Por fatkeqësisht qeveritë paradë në këta 30 vite, s’kanë treguar asnjë përkrahje për shoqatat. Ato kanë favorizuar parti fantazmë, që s’kanë anëtarë veçse kryetar dhe qeveria i ka bërë me zyra e me lokale, që i mbajnë dhe sot, ndërsa Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” ende s’ka një strehë nga shteti. Kuvendi i gjashtë u mbajt në Vlorë më 8-9 Dhjetor 2018, ku shënoi dhe ndryshimin e emërtimit, nga shoqatë kulturore atdhetare, në shoqatë atdhetare kulturore, siç ka qenë dhe është misioni i saj, duke bërë dhe ndryshime të tjera në statut që i dikton vetë karakteri dinamik i shoqatës. Një thesar i çmuar i Shoqatës Labëria janë grupet polifonike, që janë arkiv i gjallë në shekuj i historisë, kulturës, traditave, zakoneve dhe frymës patriotike. Por edhe kjo pasuri e vyer, është lënë jetim nga Ministria e Kulturës që merret me miset dhe qeveritë heshtin. Falë biznesmenëve të Labërisë duke filluar nga i ndieri Enver Guga, veterani Gafur Duda, Kastriot Zoto, Fatmir Toçi, Dr. Bujar Leskaj, të pasuar nga Agim Çiraku, Agim Rrapi, Vullnet Sina dhe Ardian Resuli, këto grupe po i mbijetojnë shpërbërjes, por sakrifica është në limitet ekstreme. Akademiku Rexhep Qosja, Rilindas i kohës tonë, gjatë një vizite që bëri në krahinën e Labërisë, është shprehur se: “Labërinë siç e përjetova unë, Labëria shpirtërore është Shqipëria natyrore, e kjo domethënë Shqipëria etnike. Dhe po aty, kënga Labërishte është shembulli më i mirë i ndritshëm i vetëdijes së pa ndarë, i vetëdijes gjithëkombëtare”. E gjithë veprimtaria e shoqatës Labëria ka gjetur jehonë nëpërmjet zëdhënëses së saj gazetës “Labëria”, që ka përcjellë në dinamikë tërë jetën dhe aktivitetin në qendër dhe në shoqatat e rretheve. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e kryeredaktorit Albert Zholi, ajo është bërë tribunë e mendimit të lirë të çdo labi, pavarësisht hierarkisë shoqërore. Shkrimtari i madh Ismail Kadare, ka shkruar se: “Gazeta “Labëria” ka qënë për mua, një nga surprizat e këndshme, larg këtij agresiviteti që karakterizon shtypin shqiptar. Kumti i saj jepet që në krye, ku janë vënë vargjet e famshme të populli: “… Pse lufton a derëzi. As për mua as për t’i, Po për gjithë Shqipëri”! Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, i përshëndet dhe i uron të gjithë lebërit kudo që janë, brenda dhe jashtë vendit, të kenë jetë e shëndet dhe një vit të mbarë e të suksesshëm.

Stafi gazetes- Kryeredaktor: Albert Z.Zholi

Prof. Dr. Ago Nezha (Kryetar Kolegjumi). Redaktorë: Agim Hila, Arben Saliu, Ahmet Banushi, Hamza Malaj, Halo Abazi, Lavdije Gjika, Petrit Koçiaj, Rasip Hoxha, Skënder Hasko, Sulejman Mato.

Në rrethe: Bylysh Koka (Durrës), Dasho Matodashaj (Vlorë), Luan Qendro (Sarandë), Izet Çulli (Tepelenë), Albert Stroka (Memaliaj), Lirim Muhaj (Fier).

Në diasporë: Hekuran Biba (Nju Jork), Anton Kote (Florida), Nexhip Alpan (Turqi).

-E vetmja gazete periodike e rregullt