Agentes in rebus

'Agentes in rebus' (ἀγγελιαφόροι angeliafóroi, lajmëtarët, ose μαγιστριανοί, magistrianoí, njerëzit e magjistrit[1]) ishin shërbimi korrier dhe agjentët e përgjithshëm të Perandorisë së vonë Romake dhe Bizantine të qeverisë qendrore nga shekulli IV deri në shekullin e VII.

Historia

Data e saktë e themelimit të tyre është e panjohur. Ata përmenden për herë të parë në vitin 319, por mund të datojnë nga reformat e Dioklecianit në fundin e shekullit të III, kur do të zëvendësonin agjentët më të hershëm dhe shumë të urryer frumentarii. Administrata qendrore perandorake kishte akoma nevojë për korrierë dhe këtë funksion do ta përmbushnin agentes in rebus. Fillimisht ata vepronin si bartës mesazhesh, por në vijim do të mernin një larmi detyrash—vetë titulli përkthehet "ata që janë aktivë në çështje". Ata binin nën juridiksionin e magister officiorum (magjistri i zyrave), në këtë mënyrë kishin emrin alternativ grek magistrianoi.[1] Në vijim ata u shfuqizuan diku në fillim të shekullit të VIII, pasi shumica e funksioneve magister u mor nga logothetēs tou dromou.[1] Përmendja e fundit e një agens in rebus vjen nga kronika e Theofanes Konfesori, ku magistrianos Paul është regjistruar pasi ishte dërguar në një ambasadë në vitin 678.[2]

Mbretëria Ostrogote

Schola e agentes in rebus e Perandorisë Perëndimore nuk pushoi së ekzistuari kur Perëndimi do të binte, por agjencia pësoi një shndërrim përgjatë dekadave vijuese. Në kohën e Mbretërisë Ostrogote, funskioni i agentes tashmë ishte trashëguar nga dy lloje të rinj zyrtarësh, comitiaci, që ishin romakë dhe saiones, që ishin gotë. Këta agjentë përgjigjeshin drejtpërdrejtë te mbreti dhe ekzistonin jashtë strukturës tradicionale të pushtetit brenda mbretërisë. Dëshmitë sugjerojnë përgjegjësi të ndryshme midis dy llojeve të agjentëve, megjithëse ata me gjasa shpesh bashkëpunonin me njëri tjetrin për shkak të interesave të mbivendosura të dy grupeve të qytetarëve.[3] Comitiaci dihet se kanë qenë përgjegjës për punët në lidhje me romakët, si transportuesit në oborr që nuk shfaqeshin dhe merreshin me zyrtarë të korruptuar romakë, megjithëse comitiaci nuk duket se kanë pasur ndonjë autoritet ushtarak, as ishin të armatosur si kolegët e tyre gotë. Saiones, që ishin një pjesë e oborrit got, ishin përgjegjës për punët që lidheshin me njerëzit e mbretit, gotët, duke shërbyer si mbrojtës për zyrtarët, duke arrestuar kriminelët, rekrutimin për ushtrinë dhe marinën si dhe mbikëqyrjen e ndërtimit të fortesave. Civilët mundeshin gjithashtu tu kërkonin saiones të ndërhynin në emër të tyre në situata të paspecifikuara, për të cilat një saio do të merte një pagesë. Saiones kishin një varg përgjegjësish dhe ishin pabesueshmërisht të manovrueshëm për shkak të marrëdhënies së tyre me mbretin dhe oborrin mbretëror.[4]

Organizimi dhe funksioni

Agentes in rebus u formuan në një schola të pallatit dhe njëlloj me shërbime të tjera publike të Dominatit, shërbimi i tyre ishte i militarizuar dhe konsiderohej një militia. Në fakt, agentes ishin të ndarë në pesë rangje, të mara nga oficerët e rinj të kalorësisë: equites, circitores, biarchi, centenarii dhe ducenarii.[5] Në vitin 395 caktohej një për çdo provincë, në vitin 357 caktoheshin dy për çdo provincë, ndërsa pas vitit 412 caktoheshin më tepër. Secili anëtar i agentes in rebus normalisht promovohej në degë të tjera të qeverise. Kodi i Justinianit vëren për më tepër se agentes gëzonin imunitet nga ndjekja si civile ashtu dhe kriminale, përveç kur skanksionohej ndryshe nga magister officiorum.[6] Agentes e lartë caktoheshin rregullisht në postin e princeps officii të prefekturave pretoriane, prfekturat urbane dhe dioqeza, duke ushtruar kështu kontroll mbi burokracinë e këtyre departamenteve dhe duke e pakësuar pavarësinë e tyre.[7]

Për sa i përket funksionit të tyre, historiani i shekullit të VI Prokopi i Çezaresë në veprën e tij Historia Sekrete vëren se:

«Perandorët e mëparshëm, në mënyrë që të merrnin informacion më të shpejtë në lidhje me lëvizjet e armikut në secilin territor, rrebelime apo aksidente të paparashikuara në qytetet individuale dhe veprimet e guvernatorëve dhe zyrtarëve të tjerë në të gjitha pjesët e perandorisë, dhe gjithashtu në mënyrë që ata që paguanin tribut vjetor ta bënin këtë pa rreziqe ose vonesa, kishin themeluar një shërbim të shpejtë të korrierëve publikë[8]

Pasi shërbimi menaxhonte komunikimet dhe sistemet e komunikimeve brenda perandorisë, detyrat e tyre përfshinin mbikëqyrjen e rrugëve dhe bujtinave të cursus publicus (sistemi postar publik), bartjen e letrave, ose verifikimin se udhëtarët mbante garancinë e duhur (evectio), ndërsa përdornin cursus. Detyra të tjera të caktuara për agentes in rebus përfshinin rolin e zyrtarëve të doganave, mbikëqyrjen e punëve publike dhe strehimin e ushtarëve.[1] Ata përdoreshin edhe për të mbikëqyrur arrestimin e zyrtarëve të lartë sipas kërkesës, për të shoqëruar romakët e rëndësishëm në ekzil (si Joan Gojarti në vitin 404) dhe madje të asistonin në përforcimin e rregullimet qeveritare të kishës.[9] Amian Marcelini dhe Prokopi i Çezaresë vërejnë edhe përdorimin e tyre si ambasadorë në mjaft raste.[10]

Detyra të tjera përfshinin mbikëqyrjen e burokracisë provinciale dhe dërgimin e urdhërave perandorakë, shpesh duke qëndruar në zonë për të siguruar zbatimin e tyre. Duke qenë jashtë kontrollit të guvernatorëve provincialë, disa agentes, curiosi (διατρέχοντες, diatrechontes) caktoheshin si inspektorë dhe vepronin si një lloj agjentësh sekretë,[1] për të cilin ata morën reputacionin si një forcë policie sekrete.[11] Pasi detyrat e tyre të zakonshme i çuan ata në kontakt me çështje me shqetësim të madh për oborrin dhe pasi ata raportonin në oborr mbi gjithçka, ata shikonin ose dëgjonin për misionet e tyre të ndryshme, agentes mund të konsiderohen se kishin një funskion inteligjence, në kuptimin më të gjerë modern të termit.[1] Ky rol, ashtu si dhe pushteti i tyre i jashtëzakonshëm, i bëri ata të frikshëm: filozofi i shekullit të IV, Libanius i akuzonte ata për abuzime të rënda, duke terrorizuar dhe zhvatur provincialët, "Qenë stani që i ishin bashkuar tufës së ujqërve". Sidoqoftë, shumica e tyre operonin mjaft hapur, megjithëse pretendimi se ishin agentes që operonin si një polici sekrete moderne me siguri është i tepruar.[12]

Numrat e agentes in rebus prirej drejtë inflacionit,[1] dhe trupat shiheshin me një masë mosbesimi nga perandorët, që përpiqeshin në mënyrë të përsëritur të rregullonin madhësinë e tyre:[12] 1,174 në vitin 430 sipas një ligji të Teodosit të II dhe 1,248 nën Leonin e I (457474).[13] Ediktet perandorake gjithashtu rregullonin promovimin e tyre, i cili bazohej rreptësisht te përvoja, me përjashtime vjetore të dy oficerëve, të cilët perandori mund ti ngrinte në detyrë sipas dëshirës.[14]

Në kulturën popullore

  • Romani i historisë alternative i Harry Turtledove, Agent of Byzantium, paraqet një magistrianos si protagonistë eponim.
  • Romani historik i Gillian BradshawImperial Purple, i vendosur në shekullin e V, paraqet një nga agentes dhe magister officiorum si antagonistë.
  • Në veprën e John Conroe, Demon Accords, Agents in Rebus (A.I.R.) u themelua në fund të Luftës Revolucionare nga patriotët, duke evoluar në vijim në një agjenci inteligjence abuzive dhe nënseksion i operacioneve të zeza të qeverisë amerikane.
  • Seria e Q. V. Hunter, Embers of Empire paraqet karrierën e një agens fiksional në fundin e shekullit të IV.

Shiko gjithashtu

Referime

  1. 1 2 3 4 5 6 7 Kazhdan 1991, ff. 36–37.
  2. Theophanes, Annus Mundi 6178
  3. Wiemer, Hans-Ulrich (2023). Theoderic the Great: King of Goths, Ruler of Romans (në anglisht). Yale University Press. fq. 147. ISBN 978-030027185-0.
  4. Arnold, Jonathan; Bjornlie, Shane; Sessa, Kristina (2016). A Companion to Ostrogothic Italy (në anglisht). Brill. fq. 66. ISBN 978-900431593-8.
  5. Kelly 2004, ff. 20, 40.
  6. Kodeksi i Justinianit, XII.20.4
  7. Kelly 2004, ff. 96, 210.
  8. Prokopi i Çezaresë, Historia Sekrete, XXX
  9. Sinnegen 1959, f. 248.
  10. Sinnegen 1959, f. 249.
  11. Jones & Tomlin 2015.
  12. 1 2 Kelly 2004, f. 207.
  13. Kodeksi i Theodosit, VI De Agentibus in rebus 27.23; Kodeksi i Justinianit, XII.20.3
  14. Kelly 2004, f. 212.

Bibliografia