Kancelari i Gjermanisë
| Kancelar Federal i Republikës Federale të Gjermanisë
Bundeskanzler der Bundesrepublik Deutschland | |
|---|---|
![]() | |
![]() | |
| Dega ekzekutive e qeverisë | |
| Stili | Zoti Kancelar (Normal) Shkelqësia e tij/saj (diplomatik)[1] |
| Statusi | Kreu i qeverisë |
| Anëtar/e i | Kabineti Këshilli evropian |
| Selia | Kancelaria Federale, Berlin (parësor) Palais Schaumburg, Bonn (dytësor) |
| Nominues | Presidenti i Gjermanisë |
| Emërues |
|
| Kohëzgjatja e detyrës | korrespondon me periudhën legjislative të Bundestagut, e rinovueshme |
| Instrumenti konstitues | Kushtetuta e Gjermanisë |
| Mbajtësi inaugurues |
|
| Themelimi |
|
| Zëvendës | Zëvendëskancelari i Gjermanisë |
| Faqja zyrtare | bundeskanzlerin |
Kancelari i Gjermanisë, zyrtarisht Kancelari Federal i Republikës Federale Gjermane (Gjermanisht: Bundeskanzler der Bundesrepublik Deutschland) është kreu i qeverisë dhe shefi ekzekutiv i Gjermanisë, si dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura Gjermane gjatë kohës së luftës. Kancelari zgjidhet nga Bundestagu me propozimin e Presidentit dhe pa debat (neni 69 i Kushtetutës së Gjermanisë).[2]
Mbajtës aktual i zyrës është demokristiani Friedrich Merz, i cili u zgjodh Kancelar në vitin 2025.
Historiku i zyrës së Kancelarisë
Zyra e kancelarit ka një histori të gjatë, që rrjedh që nga Perandoria e Shenjtë Romake, kur posti i kryekancelarit gjerman zakonisht mbahej nga kryepeshkopët e Mainzit. Titulli është përdorur ndonjëherë i ngjashëm edhe në disa shtete të Evropës gjermanishtfolëse. Zyra moderne e kancelarit u krijua me lindjen e e Konfederatës së Gjermanisë së Veriut dhe pozicionin e parë të Kancelarit Federal e ka mbajtur Otto von Bismarck, i cili u bë Kancelar Federal në vitin 1867. Me zgjerimin e këtij shteti federal në Perandorinë Gjermane në vitin 1871, titulli u riemërua në Reichskanzler (që do të thotë "Kancelar perandorak"). Me kushtetutën e Gjermanisë të vitit 1949, titulli i Bundeskanzler u ringjall.
Roli i kancelarit ka ndryshuar gjatë periudhave të ndryshme. Nga viti 1867 deri në 1918, kancelari ishte i vetmi ministër përgjegjës në nivel federal. Ai u emërua nga Presidiumi Federal (d.m.th. mbreti prusian; që nga viti 1871 quhet Perandor). Sekretarët e Shtetit (Staatssekretäre) ishin nëpunës civilë në varësi të kancelarit dhe të ngjashëm me ministrat. Përveç detyrave të tij ekzekutive, kushtetuta i dha kancelarit vetëm një funksion: kryesimin e Bundesratit (Këshillit Federal), organi përfaqësues i shteteve (i cili së bashku me Rajhstagun ishte organi ligjvënës i Rajhut). Kancelari ishte gjithashtu pothuajse gjithmonë ministër-president i shtetit të Prusisë. Në mënyrë indirekte, kjo i jepte atij fuqinë mbi Bundesratin, duke përfshirë edhe kompentenca për shpërbërjen e parlamentit.
Në tetor 1918 u ndryshua kushtetuta për të kërkuar që kancelari të kishte besimin e parlamentit. Rreth dy javë më vonë, kancelari Max von Baden deklaroi abdikimin e perandorit dhe megjithëse i mungonte autoriteti kushtetues, ia dorëzoi detyrën e tij Friedrich Ebertit të Këshillit Revolucionar të Deputetëve Popullorë.
Sipas Kushtetutës së Vajmarit të vitit 1919, kancelari ishte kreu i një qeverie kolegjiale. Kancelari emërohej nga presidenti i Rajhut, sd bashku meministrat,me tij, që propozoheshin me rekomandimin e kancelarit. Kancelari kishte detyrën për të përcaktuar udhëzimet e qeverisë. Në realitet ky pushtet ishte i kufizuar nga nevojat e qeverive të koalicionit dhe nga pushtetet e presidentit të Rajhut.
Kur nazistët erdhën në pushtet më 30 janar 1933, Kushtetuta e Vajmarit de fakto u la mënjanë. Pas vdekjes së Presidentit Hindenburg në vitin 1934, Adolf Hitler, lideri i partisë naziste dhe kancelari i atëhershëm, mori kompetencat e presidentit. Titulli i ri zyrtar u bë Führer und Reichskanzler (që do të thotë "Udhëheqës dhe Kancelar Perandorak").
Kushtetuta e vitit 1949 e riktheu pozicionin e Kancelarit në krye të ekzekutivit dhe i dha kancelarit kompetenca shumë më të mëdha sesa ato qe ekzistoning gjatë Republikës së Vajmarit, ndërkohë që e zvogëloi fuqimisht rolin e presidentit. Gjermania sot përmendet shpesh si një "demokraci kancelare", duke reflektuar rolin e kancelarit si shef ekzekutiv i vendit.
Që nga viti 1867, 33 individë kanë shërbyer si kryetarë qeverie të Gjermanisë, Gjermanisë Perëndimore ose Gjermanisë Veriore, pothuajse të gjithë me titullin Kancelar.
Kancelari Federal (1949–sot)
Kushtetuta gjermane e vitit 1949, e njohur ndryshe si Ligji Bazë (Grundgesetz), i jep kancelarit kompetenca të gjera për të udhëhequr politikën e qeverisë. Për këtë arsye, disa vëzhgues i referohen sistemit politik gjerman si një "demokraci kancelare". Edhe pse posti i kancelarit shpesh konsiderohet si më i fuqishmi në sistemin politik gjerman dhe shihet si i tillë brenda publikut gjerman, ai është vetëm posti i tretë më i lartë, pas kreut të shtetit, Presidentit të Gjermanisë dhe Presidentit të Bundestagut, një pozicion i ngjashëm me kryetarin e parlamentit federal.
Cilado parti e madhe (CDU/CSU ose SPD) që nuk mban kancelarinë zakonisht e quan kandidatin/en e saj kryesor për zgjedhjet federale "kandidat-kancelar". Qeveria federale përbëhet nga kancelari dhe ministrat e kabinetit.
Kancelari i parë i kësaj periudhe Konrad Adenauer, krijoi shumë precedentë që vazhdojnë edhe sot të ndiqen dhe vendosi kancelarinë si fokusin e qartë të pushtetit në Gjermani. Sipas dispozitave të Ligjit Bazë, që i jepte atij fuqinë për të vendosur udhëzime për të gjitha fushat e politikës, Adenauer ia atribuoi vetes pothuajse të gjitha vendimet kryesore. Ai shpesh i trajtonte ministrat e tij thjesht si zgjerime të autoritetit të tij dhe jo si kolegë. Ndërsa pasardhësit e tij kanë qenë më pak dominues, kancelari ka fituar mjaft autoritet ex officio (përveç kompetencave të tij/saj kushtetuese) saqë Gjermania shpesh përshkruhet nga ekspertët e ligjit kushtetues si një "demokraci kancelarie".
Kancelari apo Kancelarja përcakton përbërjen e Kabinetit Federal. Presidenti emëron dhe shkarkon zyrtarisht ministrat e kabinetit, me rekomandimin e kancelarit/es. Shkarkimet e ministrave, nuk kanë nevojë për miratim parlamentar. Sipas ligjit bazë, kancelari/ja mund të caktojë numrin e ministrave të kabinetit dhe të diktojë detyrat e tyre specifike. Kancelari Ludwig Erhard kishte kabinetin më të madh, me 22 ministra, në mesin e viteve 1960. Helmut Kohl kryesoi me mbi 17 ministra në fillim të mandatit të tij të katërt në vitin 1994; kabineti i vitit 2002, i dyti i kancelarit Gerhard Schröder, kishte 13 ministra dhe kabineti Angela Merkel më 22 nëntor 2005 kishte 15.
Zëvendëskancelari
Kancelari duhet të emërojë një nga ministrat e kabinetit si zëvendëskancelar (neni 69.1 i ligjit bazë). Zëvendëskancelari mund të zëvendësojë kancelarin, nëse mungojnë ose nuk është në gjendje të kryej detyrën. Megjithëse kancelari është teorikisht i lirë të zgjedhë çdo ministër kabineti, në qeveritë e koalicionit, udhëheqja e partisë së dytë më të madhe të koalicionit zakonisht cakton një nga ministrat e tyre për postin, të cilin kancelari e emëron në përputhje me rrethanat.
Nëse mandati i kancelarit përfundon ose nëse jepet dorëheqja, Bundestagu duhet të zgjedhë një kancelar të ri. Presidenti i Gjermanisë mund t'i kërkojë ish-kancelarit të veprojë si kancelar derisa të zgjidhet një mbajtës i ri i postit, por nëse ata nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, presidenti mund të emërojë gjithashtu zëvendëskancelarin si ushtrues detyre.
Lista e kancelarëve federalë
| Portreti | Emri (Lindja–Vdekja) |
Mandati | Partia politike |
Zëvendëskancelari(ët) | Kabinetet | ||
|---|---|---|---|---|---|---|---|
| Periudha | Kohëzgjatja në detyrë | ||||||
| 1 | ![]() |
Konrad Adenauer (1876–1967) |
15 shtator 1949 – 16 tetor 1963 |
14 vjet, 1 muaj, 1 ditë | CDU | Franz Blücher (1949–1957) Ludwig Erhard (1957–1963) |
I II III IV |
| 2 | ![]() |
Ludwig Erhard (1897–1977) |
16 tetor 1963 – 1 dhjetor 1966 |
3 vjet, 1 muaj, 15 ditë | CDU | Erich Mende (1963–1966) Hans-Chr. Seebohm (1966) |
I II |
| 3 | ![]() |
Kurt Georg Kiesinger (1904–1988) |
1 dhjetor 1966 – 22 tetor 1969 |
2 vjet, 10 muaj, 21 ditë | CDU | Willy Brandt (1966–1969) | I |
| 4 | ![]() |
Willy Brandt (1913–1992) |
22 tetor 1969 – 7 maj 1974 |
4 vjet, 6 muaj, 15 ditë | SPD | Walter Scheel (1969–1974) | I II |
| Zëvendëskancelari Walter Scheel shërbeu si kancelar në detyrë nga 7 maji deri më 16 maji 1974. | |||||||
| 5 | ![]() |
Helmut Schmidt (1918–2015) |
16 maj 1974 – 1 tetor 1982 |
8 vjet, 4 muaj, 15 ditë | SPD | Hans-D. Genscher (1974–1982) Egon Franke (1982) |
I II III |
| 6 | ![]() |
Helmut Kohl (1930–2017) |
1 tetor 1982 – 27 tetor 1998 |
16 vjet, 26 ditë | CDU | Hans-D. Genscher (1982–1992) Jürgen Möllemann (1992–1993) Klaus Kinkel (1993–1998) |
I II III IV V |
| 7 | ![]() |
Gerhard Schröder (l. 1944) |
27 tetor 1998 – 22 nëntor 2005 |
7 vjet, 26 ditë | SPD | Joschka Fischer (1998–2005) | I II |
| 8 | ![]() |
Angela Merkel (l. 1954) |
22 nëntor 2005 – 8 dhjetor 2021 |
16 vjet, 16 ditë | CDU | Franz Müntefering (2005–2007) Frank-W. Steinmeier (2007–2009) Guido Westerwelle (2009–2011) Philipp Rösler (2011–2013) Sigmar Gabriel (2013–2018) Olaf Scholz (2018–2021) |
I II III IV |
| 9 | ![]() |
Olaf Scholz (l. 1958) |
8 dhjetor 2021 – 6 maj 2025 |
3 vjet, 4 muaj, 28 ditë | SPD | Robert Habeck (2021–2025) | I |
| 10 | ![]() |
Friedrich Merz (l. 1955) |
6 maj 2025 – Në detyrë |
Në detyrë | CDU | Lars Klingbeil (në detyrë) | I |
Shiko dhe këtë
Referime
- ↑ "Ratgeber für Anschriften und Anreden" (PDF) (në gjermanisht). Bundesministerium des Innern – Protokoll Inland. fq. 40.
- ↑ Parliamentary Council of the Federal Republic of Germany. "Basic Law for the Federal Republic of Germany". Wikisource (në anglisht). Wikimedia. Marrë më 24 nëntor 2020.
{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)


.jpg)


.jpg)






