Arkitektura Otoniane

Brendësia e Kishës së Shën Mikaelit në Hildershajm

Arkitektura Otoniane është një stil arkitekturor i cili evoluoi gjatë sundimit të perandorit Otoni i Madh. Stili u zhvillua në Gjermani dhe zgjati nga mesi i shekullit të X deri në mesin e shekullit të XI.[1][2]

Historia

Kisha e Shën Mikaelit, Hildeshajm

Arkitektura Otoniane e mer frymëzimin e saj nga Arkitektura Karolinge dhe Bizantine.[1][2] Ajo huazon gjithashtu nga arti i krishter.[3] Ky stil arkitekturor është një shembull i një kombinimi të arkitekturës së krishterë ashtu si dhe stileve gjermanike dhe mesdhetare.[4] Mjaft e ndikuar nga Arkitektura Karolinge, madje Otoni I barti kolona mermeri nga Italia për ti përdorur në kishat e tij në Gjermani. Megjithëse ka karakteristika shumë të ngjashme me Arkitekturën Karolinge, dallimi është në arkitektët otonian që përdornin elemente klasike në mënyrë të përkryer për të krijuar atë që njihet si Arkitektura Otoniane.[5] Përveç disa shembujve të ndikuar nga Kapela Palatine tetëkëndore e Akenit siç është Ottmarsheim (shekulli XI, Alsacë) dhe absida e Abacisë së Trinisë së Shenjtë në Esen, arkitektura fetare prirej të dallonte nga plani i qendërzuar. E frymëzuar nga bazilika romake mbetet konkuruese, Megjithëse Arkitektura Otoniane ruan tipare karolinge me funde të dyfishta me absida në të dy skajet e kishës.

Harta e Perandorisë Otoniane në shek. e XI

Arkitektura Otoniane, veçanërisht në krijimin e kishave, është e ndikuar nga bazilika romake. Kishat nga kjo periudhë paraqesin navata dhe absida të gjata.Inxhinieria arkitekturore e ndërtesave të tyre mbështetet fortë te matematika, e cila mund të shihet se si në strukturat otoniane matjet janë përllogaritur nga njësitë katrore dhe se sa simetrike janë planet e brendshme dhe të jashtme.[4] Një veçori e dalluar e këtij stili janë fashat e holla në muret e jashtme të ndërtesave të bëra prej guri. Kjo veçori e dizajnit zë fill nga Italia dhe stilet arkitekturore Romake. Kjo mund të shihet veçanërisht në kishat nga kjo periudhë dhe është në mënyrë tipike duke u përdorur thjesht si një veçori e dizajnit.[6] Kisha e Shën Mikaelit në Hildesheim është një nga kishat e rralla otoniane që ruan akoma stilin e saj dallues arkitekturor.[7] Në kishat otoniane dhe karolinge, përdorimi i mjaft altarëve, transeptëve, ashtu si dhe kriptave do të bëhej më i theksuar.[8] Vëllai i Otonit të Madh, Bruno i Madh, punoi për të dizenjuar, ndërtuar ashtu si dhe rikonstruktuar shumë ndërtesa në stilin arkitekturor Otonian.

Funksioni

Kisha abaciale e Shën Servatiusit dhe kështjella e Kvetlinburgut

Arkitektura e mbijetuar Otoniane zbulon se funksioni i ndërtimit të këtyre ndërtesave të mëdha ishte kryesisht fetar dhe qeveritar.[9][10] Mbretërit Otonianë, tepër të ndikuar nga sundimi i Karlit të Madh dhe perandoria e tij, u përpoqën të theksonin rëndësinë e besimit të krishter. Duke nisur me Otonin e I, ata e arritën këtë duke bashkuar rolet e tyre si mbretër dhe udhëheqës fetarë të kohës, duke lidhur kishat e mëparshme të sundimit të mëparshëm sakson nëpërmjet dhurimeve bujare të tokave për kishat.[11][12]

Façata perëndimore e Katedrales së Tririt pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s

Arkitektura Otoniane luajti një rol në ritualet e Perandorisë së Shenjtë Gjermaniko-Romake, siç ishte kurorëzimi i perandorëve dhe vendi i varrimit të anëtarëve të familjes mbretërore.[10] Përmasat dhe vendosja e këtyre ndërtesave u bë thelbësore për rëndësinë e tyre pasi ato shërbenin për të legjitimuar autoritetin mbretëror dhe të krishter.[9] Aftësia për të mbledhur një audiencë të madhe për të dëshmuar për ritualet dhe ceremonitë mbretërore të kohës e rritën në rëndësi pasi mbretërit otonian u përpoqën të ruanin madhështinë dhe shkallën e Karolingëve. Kjo mund të ketë çuar në adoptimin e kishave për të shërbyer si vende të adhurimit dhe salla grumbullimi për ceremonitë zyrtare.[13]

Arkitektura e këtyre ndërtesave lehtësonte gjithashtu traditën monastike. Vende si Kisha e Shën Mikaelit nën peshkop Bernvardin, shërbyen edhe si një vend për krijimin e relikeve dhe dorëshkrimeve edhe si një vend për depozitimin e këtyre krijimeve të shenjta.[14] Shkolla të tjera katedraleje, siç ishte ajo e Majncit, do të rinovoheshin për prodhimin e tyre të dorëshkrimeve të iluminuara, duke përfshirë Codex Sangallensis 398.[15] Megjithë pelegrinazhin personal të Otonit të III në Romë dhe Aken, shumë pak pelegrinazhe të dokumentuara ndodhën në vitet e Dinastisë Otoniane (919–1024).[16] Megjithatë, vendndodhjet do të prisnin më shumë vizitorë, kur pelegrinazhi do të fitonte popullaritet në vitet e mëvonshme.

Shëmbëlltyrat

Gjermani

Pikërisht në zonën gjermane mund të shihen shembujt më të mirë të ndirtimeve monumentale të Periudhës Otoniane, megjithëse pjesa më e madhe e katredaleve të themeluara në atë periudhë do të tronditej thellësisht në shekujt pasues, si Katedralja e Magdenburgut, e themeluar në vitin 955 nga Otoni i Madh, që paraqiste një strukturë bazilikale me transept të dyfishtë dhe që u shkatërrua nga një zjarr i dyfishtë.

Hildeshajm

Kisha e Shën Mikaelit të Hildeshajmit, kullëzat-fanarë

Në Saksoninë e Ulët kryevepra e kësaj periudhe është kisha abaciale e Shën Mikaelit në Hildeshajm, me plan të gjeneruar nga skema gjeometrike me tre katrorë: një qendror i navatave dhe dy gati binjakë në skaje, një me transeptin dhe tre absida, një me një absidë të thellë me ambulator të vendosur mbi kriptën. Është një nga shëmbulltyrat e ruajtura më mirë të Arkitekturës Otoniane. Edhe lartësia është përllogaritur mbi përpjesëtime harmonike të llojit matematik (1/1, ½ ose 1/3) dhe ka një vizion si solidë gjeometrikë të përcaktuara nga muraturat e lëmuara dhe kompakte, që ndërthuren në një lojë të zbrazëtash dhe të plotash. Në brendësi shtyllat dhe kolonat alternohen midis navatave dhe në skaje të transepteve gjenden të ashtuquajturit kore të engjëjve (në katin e sipërm Matroneu i Engjëjve), me dritare që zvogëlohen në lartësi sipas raportesh matematike.

E urdhëruar në mënyrë të famshme nga peshkop Bernvardi, ndërtimi filloi në vitin 1010 dhe do të përfundonte nga vitit 1033, pas vdekjes së Bernvardit. Kisha ka marë famë për bujtjen e disa veprave të artit dhe relikuareve para se atë më vonë të zhvendoseshin në Katedralen e Hildeshajmit.[17]

Saksonia Anhalt

  • Katedralja e Magdeburgut (Saksonia Anhalt): u themelua në vitin 937 një kishë e parë kushtuar Shën Mauricit. Punimet u financuan nga Otoni i I dhe pasqyrojnë stilin Romanik. Ndërtesa ishte madhështore dhe i ekuilibruar; kishte me shumë gjasa një navatë qendrore me katër anësore, një gjerësi prej 41 metrash dhe një gjatësi prej 80 metrash. Lartësia vlerësohej në rreth 60 metra. Kisha u zgjerua në vitin 955, kur do të veçohej me statusin e katedrales. Por do të shkatërrohej në vitin 1207 nga një zjarr. Ndërtesa e tanishme është në stilin gotik.
  • Kishat otoniane të Kvetlinburgut (Saksonia Anhalt) Shën Servatiusi, Shën Viperti, Shën Mëria.

Këln

Rreth mesit të shekullit të XI një kantier i rëndësishëm ishte Kisha e Shën Mërisë në Kapitol në Këln, e themeluar si vend kulti i një konventi të dashur nga perandori, do të ndërtohej me porosi të abateshës Hilda, duke përfundohej në vitin 1065. Trupi i kishës me tre navata karakterizohet nga harkata të rregullta mbi shtylla deri në absidata madhështore, të rrethuara nga një ambulator, i krijuar si vijim i navatave anësore, dhe të mbuluara me volta. Racionaliteti i planit garanton ekuilibër dhe madhështi.

Kisha e Shën Pantaleonit u ndërtua në Këln, Gjermani. Fillimisht, në shekullin e IX vendi i kësaj ndërtese zihej nga një kishë e vogël jashtë qytetit të Këlnit. Më vonë, rinovimet për të shndërrua kishën do të bëheshin nga patron arkipeshkv Brunoja, vëllai i vogël i Otonit të Madh. Kisha, e lidhur me familjen mbretërore Otoniane, shërbeu si vend varrimi si për Brunon në vitin 965, ashtu dhe për gruan e Otonit të II në vitin 991.[10]

Spajer

Ndërtimi katedrales së Spajerit u promovua nga Konradi II, pak pas zgjedhjes së tij në vitin 1024. Ajo u shenjtërua në vitin 1061. Navata qendrore monumentale, e mbuluar me tarracë të sheshtë, ndërsa navatat anësore kanë volta, është veçanërisht e zhvilluar në gjatësi dhe lartësi. Hapsira ritmohet nga gjysmë-kolona të bashkangjitura me shtylla, falë gjatësisë së jashtëzakonshme të të cilave që shkon përtej kleristorit, ku mbajnë harqe pak poshtë artikulimit të tavanit: jehonë që vetë faqja e murit nis të trajtohet si një element plastik për tu modeluar, nëpërmjet variacioneve në elementet arkitekturore, për të arritur efekte të veçanta. Në kriptë, panteoni i perandorëve të Dinastisë Salike, gjenden edhe këtu gjysmë-kolona të mbështetura në shtylla, duke shërbyer si mbështetje për harqet, i japin një qartësi mjaft të dukshme strukturës mbajtëse. Kisha do të rindërtohej në Periudhën Romanike, prandaj sot pamja e saj origjinale njihet vetëm nëpërmjet rindërtimeve dhe vizatimeve.

Genrode

Pamje e kishës abaciale të Gernrodes.

Fatmirësisht mund të kihet një ide nëpërmjet studimit të Kishës së Shën Ciriakut në Genrode apo Kishës së Gernrods, e ndërtuar midis viteve 960 dhe 965. Kisha abaciale e Gernrodes, e njohur si Kisha e Sankt Ciriakus, u urdhëruar nga margravi Geron. Trupi i saj qendror është i përbërë nga tre navata të shkurtra, të rrethuara nga transepti lindor dhe westwerk-u, përkrahë të cilit janë vendosur dy kulla shkallare. Këtyre elementeve tipikë karolingë u shtohen risitë e ndryshme, mbi të gjitha në lartësi, si alternimi i kolonave (që theksojnë kampatën e vetme në vend të zhvillimit gjatësor të navatës), muratura e trashësuar masive, harkadat gjysmë të verbra në brendësi të galerive në navatën qendrore, racionaliteti gjeometrik; ndërsa te kapitelet kundërvihet një inventivë fantazioze, ku midis gjetheve të skalitura të një stili korintik të stilizuar shfaqen koka njerëzish: të gjitha elemente strukturore dhe dekorative, që i paraprijnë Arkitekturës Romanike.

Arkitektura e saj dallon nga shumë shembuj të tjerë të Arkitekturës Otoniane, për shkak se këndet e ndërtesës nuk formojnë kënde të mirëfillta të drejta.[17] Megjithë formën e saj të parregullt, ndërtesa mban modelin standard otonian të bazilikës. Veçori të tjera të dallueshme të kishës përfshijnë harqet e brendshme të stilit Longobard, të cilat janë vetëm stilistike dhe një tavan i sheshtë druri.[17]

Majnc

Katedralja e Majncit, e quajtur edhe Katedralja e Shën Martinit, u ndërtua rreth vitit 975 nën arkipeshkv Viligisin. Fillimisht, siti mbante një ndërtesë romake ose franke para se Viligisi të vendoste ta zgjeronte atë, duke krijuar bazilikën e stilit otonian të ndarë në dy presbiterë me një transept të madh perëndimor.[15] Kjo bazilikë e stilit kishtar do të pësonte dëmtime të rënda nga zjarri në ditën e shenjtërimit të saj në vitin 1009, duke çuar në rindërtimin e saj prapë në vitin 1036.[18] Ajo u dogj prapë në vitin 1081, duke lënë vetëm pak nga veçoritë origjinale otoniane në katedralen mederne, përkatësisht katet e poshtme të shkallëve rrethore të kullave dhe pjesë të skajit perëndimor.

Esen

Rimarja e motiveve karolinge është tipike për këtë periudhë, por ato gjithmonë do të modifikohen, madje shtrembërohen, si në kishën abaciale të Trinisë së Shenjtë të Esenit, e cila ndjek modelin e Kapelës Palatine të Akenit, ku harkadat e dyfishta nuk mbajnë asnjë kupolë, kështu që kujtojnë shembullin e Akenit, por nuk kanë të njëjtën valencë strukturore.

Francë

Kisha e Saint-Pierre-aux-Nonnains në Metz, punime të perandorit Otoni i Madh për një abaci benediktine kushtuar murgjëve. Restaurimi u ideua për të qenë me pamje Para-Romanike; është një nga pak ndërtesat që ruajnë këtë pamje. Në Alsacë ruhen disa monumente, rreth qyteteve të Rinit, që mund të konsiderohen se i përkasin Artit Otonian. Dy lloj faltoresh e karakterizojnë shekullin e XI: ndërtesa me plan qendror, rrethor apo katërfletësh përreth një bërthame qendrore dhe bazilika.

  • Në skajin e lokalitetit të Avolsheim, kapela e vjetër e Shën Ulrikut e ngritur rreth vitit 1000 në formë tetrakonke, karakteristike të ndërtesave me plane qendror, ruan një kompleks të rrallë pikturash murale të shekullit të XIII;
  • Kisha e abacisë së Eshout, e ndërtuar rreth vitit 1000, riprodhon një lloj të veçantë bazilike me një transept të gjerë poshtë;
  • Katedralja e parë e Strasburgut, kripta e të cilës mbijeton akoma.

Ka gjithashtu shëmbëlltyra interesante në Lorenë (bregu i djathtë i Mozës formonte kufirin me Perandorinë Gjermaniko-Romake):

  • Katedralja e Verdunit dhe plani i saj Romaniko-Renan;
  • Kisha e Notre-Dame de Mont-devant-Sassey me kriptën dhe kullën e saj të hyrjes (tour-porche);
  • Tour-porche e kishës abaciale të Saint-Michel de Saint-Mihiel;
  • Katedralja primitive e Metzit (shekulli XI) dhe kripta e saj e vogël otoniane e ruajtur nën korin e tanishëm.

Itali

Përveç katedraleve të mëdha në Evropë, haset formimi i një sistemi kishëzash të vogla rurale, që do të favorizonin një riorganizim administrativ të territorit. Edhe në Itali pati shumë nga këta shembuj, midis të cilëve spikat Pieve di Gallaiano, me pagëzimore, të frymëzuara nga modeli i San Satiros, mor më monumentale për masat masive të përdorura në muratura.

Midis vepramë më domethënëse të shekullit të XI në Itali është Kisha e Santa Maria Maggiore-s në Lomello (1025-1040), me tre navata me një transept të ulur, origjinaliteti i të cilit qëndron në harqet e mëdha transversale që përshkojnë navatën dhe në dekorimin e faqeve të murit të navatës qendrore: këtu shtyllat vijojnë në lezena deri në kleristerium, ndërsa harqet që ndajnë navatat mbështeten mbi gjysmë-kolona që bashkangjiten me vetë shtyllat anësore; kështu kapitelet (të thjeshta ose pllaka mermeri horizontale) gjenden pak a shumë vijime të shtyllave në faqen e murit dhe formojnë një motiv që kujton kryqin.

Interesante janë edhe kripta e Katedrales së Ivreas, mbetja e vetme e ndërtesës së zhvilluar midis viteve 969 dhe 1002, me bashkangjitjen tipike otoniane të shtyllave dhe kolonave, apo Bazilika e Sant'Abbondio-s në Komo, që paraqet zgjidhje të ngjashme.

Një moment të veçant kalimi shënon Abacia e Pomposa-s, e shenjtëruar në vitin 1026 nga abat Guidoja, miku personal i Henrikut të III, ku do të shtohej një portik me skulptura që duket se parathonë përdorimin e relieveve në façatat romanike. Edhe kulla kambanare e magister Deusdedit (1063), është një shembull i hershëm i një tipologjie ndërtimore që do të përhapej në të gjithë Italinë: me bazë katrore dhe me muratura masive, paraqet një varg fashash lombarde në secilin kat midis të cilëve hapen dritare me përmasa gjithmonë e më të mëdha: nga mazgalli në kuadriforën e madhe në nivelin e nëntë.

Vende të tjera

Shiko gjithashtu

Citime fundase

  1. 1 2 Curl, James Stevens (2006). "Otonian Art". A Dictionary of Architecture and Landscape Architecture (në anglisht) (bot. i 2të). Oksford [Angli]; Nju Jork: Oxford University Press. ISBN 978-0-19-172648-4.
  2. 1 2 "Ottonian". Art & Architecture Thesaurus (në anglisht). Getty Research.
  3. ↑ Henry A. Millon; Raymond Bloch; William Fleming; John Boardman; Albert Bush-Brown; Peter Cannon-Brookes. "Ottonian Period in Western Architecture and The Christian West". Encyclopædia Britannica (në anglisht). William Culican; Robin David Middleton; Andrew Henry Robert Martindale; Herbert Hoffmann; Martin J. Kemp; David John Watkin; Jan Joseph Marie Timmers; Robert L. Scranton; Sandra Millikin; David R. Coffin; Hugh Sinclair Morrison; Henri Stern; David Talbot Rice; Arthur Voyce; John Zukowsky. Marrë më 25 mars 2022.
  4. 1 2 "The Ottonians – Boundless Art History". Lumen (në anglisht). Marrë më 2 prill 2022.
  5. ↑ Peter Huenink (1989). "Pre-Romanesque Architecture". përmbledhur nga Joseph R. Strayer (red.). Dictionary of the Middle Ages (në anglisht). Charles Scribner’s Sons.
  6. ↑ Schapiro, Meyer (dhjetor 1959). "A Note on the Wall Strips of Saxon Churches". Journal of the Society of Architectural Historians (në anglisht). 18 (4): 123–125. doi:10.2307/987901. JSTOR 987901.
  7. ↑ "St Mary's Cathedral and St Michael's Church at Hildesheim". Whc.unesco.org (në anglisht).
  8. ↑ Javier Martínez Jiménez (2022). "5. The resilience of the late antique city in southern Gaul during Romanesque period". përmbledhur nga Jiménez, Javier Martínez; Sam Ottewill-Soulsby (red.). Remembering and Forgetting the Ancient City. Impact of Ancient City (në anglisht). Vëll. II. Oxbow Books. fq. 109–136. ISBN 978-1-78925-817-2.
  9. 1 2 Hause, Melissa Thorson (1992). "A Place in Sacred History: Coronation Ritual and Architecture in Ottonian Mainz". Journal of Ritual Studies (në anglisht). 6 (1): 133–157. ISSN 0890-1112. JSTOR 44398530.
  10. 1 2 3 Sanderson, Warren (1970). "The Sources and Significance of the Ottonian Church of Saint Pantaleon at Cologne". Journal of the Society of Architectural Historians (në anglisht). 29 (2): 83–96. doi:10.2307/988643. ISSN 0037-9808. JSTOR 988643.
  11. ↑ Thompson, James Westfall (prill 1918). "Church and State in Mediaeval Germany. II". The American Journal of Theology (në anglisht). 22 (2): 199–232. doi:10.1086/479921. ISSN 1550-3283.
  12. ↑ Leyser, Karl (1979). Rule and Conflict in An Early Medieval Society: Ottonian Saxony (në anglisht). Edward Arnold. ISBN 978-0-7131-6218-9.
  13. ↑ Warner, David A. (prill 2001). "Ritual and Memory in the Ottonian Reich: The Ceremony of Adventus". Speculum (në anglisht). 76 (2): 255–283. doi:10.2307/2903447. ISSN 0038-7134. JSTOR 2903447.
  14. ↑ Peter Barnet; Michael Brandt; Gerhard Lutz, red. (2015). "Medieval Treasures from Hildesheim". Parergon (në anglisht). 32 (1): 216–218. doi:10.1353/pgn.2015.0002. ISSN 1832-8334.
  15. 1 2 Rodríguez Viejo, Jesús (prill 2019). "The Performative Manuscript: Art, Agency and Public Ritual in Ottonian Mainz". The Journal of Ecclesiastical History (në anglisht). 70 (2): 229–264. doi:10.1017/S0022046918002646. ISSN 0022-0469.
  16. ↑ Warner, David A. (2003). Otto III, Emperor (në anglisht) (bot. i 2-të). Gale. fq. 715. ISBN 978-078767694-0.
  17. 1 2 3 Bithell, Jethro, red. (26 qershor 2019). "XIV German Architecture and Sculpture". Germany: A Companion to German Studies (në anglisht). Routledge. fq. 534–562. doi:10.4324/9780429278044-14. ISBN 978-0-429-27804-4. Marrë më 18 dhjetor 2024.
  18. ↑ Georgi, Bettina; Liebl, Ulrike; Ullmann, Ernst (2003). "Mainz Cathedral". përmbledhur nga Laura Williams Macy (red.). Grove Art (në anglisht). Macmillan. doi:10.1093/oao/9781884446054.013.90000369876. ISBN 978-1-884446-05-4. Marrë më 6 dhjetor 2024.

Bibliografia

Lidhje të jashtme