Arkitektura Longobarde

Brendësia e Kishës së Santa Sofias, Benevento

Arkitektura Longobarde përbëhet nga bashkësia e veprave arkitekturore të realizuara gjatë sundimit të longobardëve (568-774), me qëndrim që në Italinë Jugore do të vijonte deri në shekullin e X-XI (Langobardia Minor) dhe të porositura nga mbretërit dhe dukët longobardë.

Veprimtaria arkitekturore e zhvilluar në Langobardia Maior në pjesën më të madhe ka humbur, më së shumti për shkak të rindërtimeve pasuese të ndërtesave të shenjta dhe profane të ndërtuara midis shekullit të VII dhe të VIII. Pjesërisht Tempullthi Longobard i Cividale del Friuli, i mbetur në shumicë e paprekur, ndërtesat civile dhe fetare të Pavias, Monzas apo vendeve të tjera janë rimodeluar gjerësisht në shekujt pasues. Akoma të plota mbeten vetëm pak ndërtesa, ose sepse të përfshira në zgjerimet pasuese - si Kisha e San Salvatores në Bresha -, ose sepse periferike dhe me përmasa modeste - si Kisha e Santa Maria foris portas në Castelseprio.

Dëshmi më tepër besnike ndaj formës origjinale gjenden, përkundrazi, në Langobardia Minor. Në Salerno kapela palatine, tashmë pjesë e Kompleksit Arkeologjik të San Pietro a Corte, ishte salla e fronit të Arekit II në brendësi të pallatit të ndërtuar nga ai në shekullin e VIII mbi mbetjet e një strukture termale romake. Në Benevento ruhen Kisha e Santa Sofias, një pjesë e gjerë e mureve dhe Rocca dei Rettori, shembujt e vetëm të mbijetuar nga arkitektura ushtarake longobarde, ndërsa dëshmi të tjera janë ruajtur në qendra më të vogla të Dukatin e Beneventos dhe Spoletos.

Një bashkësi prej shtatë vendesh të dendura në dëshmi arkitekturore, pikturore dhe skulptororeArtit Longobard, të përfshira në vargun e vendeve "I Longobardi in Italia. I luoghi del potere (568-774 d.C.)", është futur në Listën e vendeve të trashëgimisë botëroreUNESCO-s në qershor 2011.

Konteksti historik

Zotërimet longobarde rr. 740, në shtrirjen maksimale

Të mbërritur në Itali në vitin 568, longobardët nuk do të arrinin kurrë ta pushtonin tërësisht Gadishullin Italik dhe mbretëria e tyre mbeti gjithmonë e ndarë në dy zonë qartësisht të dallueshme: Langobardia Maior, përkuese me Italinë e sotme Veriore deri në Tushia dhe më ngushtësisht të kontrolluar nga mbretërit e vendosur në Pavia, dhe Langobardia Minor, në Italinë Qedrore dhe Jugore. Për më tepër mbretëria ishte e ndarë në dukate të ndryshme, prirjet autonomiste të të cilëve do të vazhdonin deri në rënien e mbretërisë (774), megjithëse në rënie progresive në favor të pushtetit qendror. Fragmentimit të pjesshëm politik, gjithësesi, nuk i përkon një mungesë homogjeniteti kulturor: shoqëria longobarde i ruajti karakteristikat dhe vijat evoluese të përbashkëta në të gjithë territoret, duke favorizuar zhvillimin e një arti me veçori të dallueshme të përbashkëta.

Afrimi progresiv midis sunduesve të rinjë longobardë dhe popullsive vendase, paralel me përzierjen e hierarkive shoqërore, do të favorizohej nga proçesi i konvertimit në krishtërimin kanonik të nisur nga Dinastia Bavareze që do të arrinte në shekullin e VIII në një integrim që, megjithëse kurrë i plotë, mundësoi pjesëmarrjen e të dyja komponenteve të mbretërisë në zhvillimin e Artit Longobard, sa e bën shpesh të pamundur të dallosh origjinën etniko-kulturore të artistëve.

Zhvillimi artistik i arkitekturës fetare, civile dhe ushtarake longobarde përjetoi ndikime të shumta nga traditat e tjera evropiane: veçanërisht do të ndikohej nga raportet, fillimisht nga prejardhja e modeleve dhe në vijim nga kontaminimi drejtë formave të reja dhe origjinale espresive, me traditën paleokristianeRomës dhe me atë bizantine të afermuar në Ravenë.[1] Në kontekstin evropian, funksion të ngjashëm modeli dhe pikë referimi patën raportet politike, por edhe artistike dhe kulturore, me Perandorinë Bizantine, ndërsa me mbretërinë franke fluksi i njohurive dhe stilemave pati më tepër drejtim të anasjelltë.

I rëndësishëm, në kuadrin fetar që nxitja e dhënë nga sovranë të ndryshëm longobardë (Teodolinda, Liutprandi, Desideri) në themelimin e manastireve, instrumente në të njëjtën kohë të kontrollit politik të territorit dhe të ungjillizimit në kuptimin kanonik të të gjithë popullsisë së mbretërisë. Midis manastireve të themeluara gjatë periudhës longobarde, spikat Abacia e Bobios, e themeluar nga Shën Kolombani.

Veçori

Një pjesë e mureve të Beneventos në Portën Arsa, porta romake përgjatë Via Appia e përfshirë në ndërtimin pasues ushtarak longobard

Ndërtesat më të vjetra të ngritura në periudhën longobarde në Itali dhe në veçanti në kryeqytetin e mbretërisë, Pavia, në pjesën më të madhe janë shkatërruar ose janë modifikuar gjerësisht në periudhat pasuese; megjithatë, është e mundur të identifikohet një prirje zhvillimi në drejtim antiklasike nëpërmjet mbetjeve të paktë akoma të dukshme dhe disa rindërtime grefike. Kisha e shkatërruar paveze e Santa Maria alle Pertiche paraqiste, për shembull, një plan tipikisht romak – tetëkëndor me deambulator dhe rreth të brendshëm kolonash -, por trupi shumë i lartë qendror përbënte një strukturë tërësisht të pashembullt.

Në të njëjtën mënyrë, pagëzimorja e San Giovanni ad Fontes e Lomellos shënoi shkëputjen nga kompaktësia paleokristiane nëpërmjet vertikalizmit të tetëkëndëshit qendror.[1] Megjithë humbjen e pjesës më të madhe të ndërtesave të ngritura midis shekullit të VI dhe të VII, gjurmët e mbijetuara janë të mjaftueshme për të konfirmuar veprimtarinë arkitekturore të porositur nga longobardët, që në ndërtimin e godinave prestigjioze civile dhe fetare shikonin, ashtu si romakët, një mjet për të afirmuar dhe legjitimuar autoritetin e tyre.[2]

Midis shekullit të VII dhe të VIII Arkitektura Longobarde do të evoluonte në një drejtim origjinal: u rregjistrua një rimëkëmbje e interesit rreth aritit klasik, siç dëshmojnë referime të shumta ndaj shprehjeve artistike të zonës mesdhetare. Gërshetimi i modeleve të ndryshme, ndonjëherë edhe në mënyrë kontradiktore dhe zhvillimi i teknikave të reja ndërtimore do të kulminonin në ndërtime të ngritura gjatë mbretërimit të Liutprandit (712-744), në veçanti në Cividale del Friuli. Longobardët do ti përmirësonin me kalimin e kohës të raporteve me nënshtetasit e tyre romanikë dhe do të tregonin një shtysë drejtë një rilindjeje kulturore;[1] në fushën arkitekturore, ndërtesa të ndryshme longobarde të kësaj periudhe, nga Tempullthi Longobard i Cividale në Kishën e San Salvatores në Bresha, do të shfaqnin jehona ravenase.[3]

Nxitje të veçantë morën në këtë periudhë themelimi i manastireve, qoftë si shfaqje e besimit të financuesit, qoftë si krijim i vendeve të strehimit për të mirat dhe, ndonjëherë, vetë personat që vendosnin themelimin e tyre. Mbreti Desider (756-774), i imituar nga dukë të shumtë, do ti jepte prirjeve të tilla një shtysë, duke promovuar sipërmarrje ambicioze arkitekturore, që nuk gjenjë krahasim në Evropën e asaj periudhe.[2]

Nëse në Langobardia Maior zhvillimi autonom i Artit Longobard do të njihte një pushim në vitin 774, në vijim të humbjes së Desiderit ndaj frankëve të Karlit të Madh dhe nga përfshirja pasuese të Mbretërisë Longobarde në Perandorinë Karolinge, në Langobardia Minor rrugëtimi artistik i Artit Longobard mundi të vijonte të zhvillohej akoma për shekuj, deri në mbërritjen e normanëve (shekulli XI). Por njëtrajtshmëria thelbësore arkitekturore longobarde dëshmohet nga ndërtesa më e rëndësishme longobarde në Italinë Jugore, Kisha e Santa Sofias në Benevento: e ndërtuar në shekullin e VIII, që ndjek qartësisht modelin me trup qendror të lartë të Kishës së Santa Maria alle Pertiche, por e integruar nga elemente bizantine si artikulimi i volumeve, shenjë e raportit dialektik dhe jo thjeshtë refuzim me modele të ndryshme kulturore,[1] dhe vetë struktura bazë, që ndërlidhet me Bazilikën e Shën SofisëKostandinopojës.[3]

Pa një traditë të vetën arkitekturore, longobardët iu drejtuan mjeshtrive vendore, falë edhe ekzistencës së një industrie të ndërtimit tashmë të organizuar në korporata dhe specializime të afta të garantonin nevele të larta ekzekutive. Për këtë motiv, ndaj njëtrajtshmërisë së përgjithshme artistike të komplekseve monumentale të dashura nga longobardët iu bashkangjit një lloj varieteti zbatues, me përngjasime të ndryshme: më të theksuara qenë trajtat me prejardhje merovinge në Neustri, ndërsa patën ndikime më të mëdha bizantine në Dukatin e Friulit, edhe pse në një rrjet referimesh dhe imitimesh reciproke të përbashkëta në të gjithë Italinë.[2]

Kronologjia

Ecuria kronologjike e punimeve ndërtimore të veprave kryesore arkitekturore longobarde, nga të cilat ruhen mbetje ose të dhëna. Në raste të shumta nuk bëhej fjalë për ndërtime ex novo, por për restaurime, rinovime dhe rindërtime, edhe radikale, të ndërtesave të mëparshme, që i përkisnin Arkitekturës Paleokristiane apo asaj romake. Datat e sjella janë ato të lidhura me ndërtesa të ndryshme nga tradita, apo që përkojnë me periudhën e mbretërimit të sovranit që do të promovonte punimet në bazë të burimeve.

Shekulli VI

Bazilika Autarena (Fara Gera d'Adda), absida
  • rr. 585 - Bazilika Autarena (Fara Gera d'Adda)
  • rr. 595 - Palazzo Reale, Monza
  • rr. 595 - Bazilika e San Giovanni Battista, Monza
  • ndërtesa të tjera që i përkasin shekullit të VI, por për të cilat nuk njihen datat e sakta të ndërtimit:
    • Muret e Beneventos, pjesa e parë.

Shekulli VII

  • rr. 610 - Kompleksi i San Giovanni Battista, Torino
  • 614 - Abacia e San Colombano-s (Bobio)
  • rr. 635 - Bazilika e San Giovanni Battista (Pavia)
  • rr. 650 – Kisha e Sant'Eusebios (Pavia)
  • 657 - Manastiri i San Salvatores (Pavia)
  • rr. 662- 671 - Bazilika e San Michele Maggiore-s (Pavia)
  • rr. 671- 688 - Kisha e Sant'Agata al Monte (Pavia)
  • 677 – Kisha e Santa Maria alle Pertiche (Pavia)
  • 680 – Kisha e San Pietro in Vincoli (Pavia)
  • rr. 680 - Palazzo Reale (Pavia), zgjerime të Perktaritit (Porta Palatina)
  • ndërtesa të tjera që i përkasin shekullit të VII, por për të cilat nuk njihen datat e sakta të ndërtimit:
    • Pagëzimorja e San Giovanni ad Fontes (Lomello)
    • Manastiri i Santa Maria Teodotes (Pavia)
    • Bazilika e San Giovanni Evangelista (Castelseprio), rindërtim
    • Kisha e Santo Stefano Protomartire (Rogno)
    • Rocca dei Rettori (Benevento)
    • Faltorja e San Michele Arcangelo (Monte Sant’Angelo), rindërtim
    • Tempullthi i Klitumnit (Campello sul Clitunno)

Shekulli VIII

Kisha e San Salvatores (Spoleto), navata
  • rr. 730-740 - Bazilika e San Pietro in Ciel d'Oro (Pavia)
  • rr. 730 - Palazzo Reale (Corteolona)
  • rr. 730 - Manastiri i Santa Cristina-s
  • rr. 730-740 - Palazzo Reale (Pavia), zgjerime të Liutprandit (kapela palatine)
  • rr. 740 - Kompleksi peshkopal i patriarkut Kallist (Cividale del Friuli)
  • rr. [[749[[-756 – Kisha e San Marinos (Pavia)
  • rr. 750 - Tempullthi Longobard (Cividale del Friuli)
  • 753 - Manastiri i Santa Giulia-s me Kishën e San Salvatores (Bresha)
  • 758 - Badia Leonense (Leno)
  • 760 Manastiri i San Felices (Pavia)
  • 760 – Kisha e Santa Sofias (Benevento)
  • 760-770 - Muret e Beneventos, zgjerime të Arekit të II
  • rr. 774 - Konventi i Santa Sofias (Benevento)
  • rr. 774 - Palazzo di Arechi II në Salerno
  • ndërtesa të tjera që i përkasin shekullit të VIII, por për të cilat nuk njihen datat e sakta të ndërtimit:
    • Manastiri i Torbas (Castelseprio), kripta dhe ristrukturimi i Torriones
    • Kisha e Santa Maria delle Cacce (Pavia)
    • Manastiri i San Pietro in Verzolo (Pavia)
    • Kisha e San Teodoros (Pavia)
    • Bazilika e Santa Marias (Cubulteria)
    • Kisha e San Salvatores (Spoleto)
    • Abacia e San Pietro in Valle (Ferentillo)

Shekulli IX

  • rr. 830-840 – Kisha e Santa Maria foris portas (Castelseprio)

Arkitektura e në Langobardia Maior

Pavia

Kisha e Sant'Eusebios (Pavia), kripta

Qendra më e rëndësishme e kulturës longobarde do të ishte Pavia, kryeqyteti i mbretërisë, por ku pjesa më e madhe e ndërtesave të ngritura midis shekullit të VII dhe të VIII është shkatërruar ose ka pësuar modifikime radikale mbi të gjitha midis shekullit të XI dhe të XII. Por mbeten, përkrahë fragmenmteve arkitekturore të ruajtura në museo civico (midis të cilave plutejtë e njohur të Teodotes dhe korpusi më i pasur i epigrafik i Periudhës Longobarde), rindërtimeve grafike dhe disa mbetje akoma të dukshme.

E themeluar në vitin 677 dhe tashmë e shkatërruar, Kisha e Santa Maria alle Pertiche ia detyron emrin e saj traditës së vjetër longobarde, me prejardhje pagane, të nderimit me shtylla apo hunj të ngulur në tokë (pikërisht perticae) të luftëtarëve të rënë në beteja të largëta.[4] Me plan rrethor, kishte një deambulator që formonte një unazë, të kufizuar nga gjashtë kolona. Trupi qendror, në dallim nga bazilika të tjera me plan rrethor si ato të Kostandinopojës apo Ravenës, ishte tepër i lartë dhe qe referenca më e afërt për arkitekturat pasuese, si Kapela Palatine e Akenit apo Kisha e Santa Sofias në Benevento.[1] Një shembull longobard i të njëjtës tipologji i mbijetuar deri më sot është Pagëzimorja e San Giovanni ad Fontes, në Lomellon e afërt.

Manastiri i San Felices, Pavia

Ndërtesa kryesore fetare paveze në Periudhën Longobarde qe Kisha e Sant'Eusebios, atëherë e ndërtuar si katedrale ariane nga Rotari (636-652) dhe në vijim qendra e konvertimit në krishtërimin perëndimor të longobardëve, e nisur nga Teodolinda dhe në vijim e mbështetur, pikërisht në Pavia, nga mbreti Ariperti I (653-661) dhe nga peshkopi Anastas. Nga shekulli VII mbijeton deri sot kripta, që, megjithëse e rimodeluar në Periudhën Romanike, tregon akoma disa kapitelë, dëshmi e rrallë e Skulpturës Longobarde që tregon një largim nga Arti Klasik nëpërmjet formah origjinale të frymëzuara nga argjendaria.[1]

Edhe Kisha e Santa Maria delle Cacce, e themeluar në shekullin e VIII nga Rakisi, ruan disa dritare dhe kriptën e ndërtesës origjinale longobarde,[5] ndërsa elemente arkitekturore të Periudhës Longobarde ruhen në Kishën e San Giovanni Domnarum (e themeluar nga mbretëresha Gundeperga në vitin 654) dhe në Manastirin e San Felice-s, të themeluar nga Desideri rreth vitit 760. Kisha e San Marinos, e themeluar nga mbreti Astulf midis viteve 749 dhe 756 (në të cilën pastaj do të varrosej), ruan nga ndërtesa origjinale pjesë të mureve dhe absidës, ndërsa në brendësi të saj gjenden fragmente plutejsh dhe një mbishkrim i priftit Gisulf nga shekulli VIII.

Mbetjet e mangëta të Periudhës Longobarde të Bazilikës së San Pietro in Ciel d'Oro, e ndërtuar sipas traditës nga Liutprandi për të bujtur mbetjet mortore të Shën Agustinit dhe tërësisht e rindërtuar midis shekullit të XI dhe të XII, ashtu si dhe Bazilika e San Michele Maggiore (e themeluar nga mbreti Grimuald), Manastiri i Santa Maria Tedotes (themeluar nga mbreti Kunipert midis viteve 679 dhe 700) dhe të Palazzo Reale, ndërtesa kryesore civile e Arkitekturës Longobarde, e shkatërruar në shekullin e XI. Tërësisht të humbura janë ndërtesat longobarde të Manastirit të San Salvatores, themeluar nga mbreti Ariperti I në vitin 657.[6]

Monza

Qyteti i Monzës u përdor si kryeqytet veror i mbretërisë, mbi të gjitha me nxitjen e Teodolindës, mbretëreshë e longobardëve nga viti 589 deri në vitin 626. Sovrania do të ndërtonte një pallat mbretëror si rezidencë verore dhe i bashkangjiti një kapelë palatine kushtuar Shën Gjon Pagëzorit (rr. 595). Shpej oratori u zgjerua dhe shndërrua në një bazilikë, kushtuar po Gjon Pagëzorit, që në vitin 603 ishte pa dyshim tashmë e shenjtëruar, sa që abati Secondo di Non mundi të pagëzonte të birin e Teodolindës dhe Agilulfit, trashëgimtarin e fronit, Adalualdin. Pallati dhe bazilika do të shkatërroheshin tërësisht midis shekullit të XIII dhe të XIV për ti bërë vend ndërtimit të Katedrales së tanishme të Monzës; nga ndërtesat longobarde kanë mbetur vetëm pak materiale ndërtimore dhe një kullë e përfshirë në absidën e katedrales së tanishme. Burime të shkruara dëshmojnë se bazilika ishte me tre navata dhe e paraprirë nga një atrium kuadriportik.[7]

Kastelseprio

Kisha e Santa Maria foris portas (Castelseprio), eksteriori

E shkatërruar midis viteve 1490 dhe 1492, edhe kompleksi i shenjtë i San Giovanni-t të Torinos nga kardinali Domenico Della Rovere,[8] aktualisht dëshmia kryesore arkitekturore longobarde e Neustrisë jashtë Pavias është zona arkeologjike e Kastelseprios (Vareze), qytezë e vjetër, e braktisur longobarde.[9] Në vijim të shkatërrimit të zhvilluar nga viskontët në fundin e shekullit të XIII, të fortesës kodrinore longobarde, shembull i lidhjes së drejtpërdrejtë me arkitekturën ushtarake romake të castrum, mbeten vetëm disa gjurmë arkeologjike, që megjithatë lejojnë të identifikohet një ind banimi që dëshmon ripërdorimin longobard të çitadelës së mëparshme romake dhe një rrethim imponues me mure.[2]

Shekullit të VIII i përket themelimi, pranë mureve i Manastirit të Torbas; Kisha e Santa Marias, e rindërtuar gjatë Mesjetës së Vonë, ruan akoma gjurmë të dukshme të një kambanoreje me plan katror, një kripte me ambulakër dhe mbetje të vogal afreskesh të ndërtimit origjina.[10]

Akoma e plotë është nga ana tjetër Torrionja, në krye të mureve rrethuese; e ndërtuar me material të rekuperuar nga castrum romak, i përket ndoshta Periudhës së Ostrogotëve dhe në periudhën e vonë longobarde do të bashkangjitej me manastirin, që do të zinte katin e parë dhe të dytë si vendvarrim dhe orator. Në këtë fazë bëjnë pjesë afresket, pjesërisht të ruajtur, që paraqesin badesën Aliperga dhe një Jezus midis shenjtësh dhe apostujsh[10] me një ikonografi që përngjason në disa aspekte atë të Tempullthit të Cividales.[2]

Kompleksi kryesor fetare i Kastelseprios ishte Bazilika e San Giovanni Evangelista me pagëzimoren tetëkëndore bashkangjitur, të ristrukturuara nga longobardët në shekullin e VII dhe sot në rrënoja; ndërsa akoma e plotë është Kisha e Santa Maria foris portas, që i përket fazës së fundit të Periudhës Longobarde (por ka të ngjarë që ndërtimi të jetë pak më i vonë, në vitet e parë të mbizotërimit karoling[9]) dhe që bujt një nga ciklet më të rafinuara pikturore të Mesjetës së Hershme.[2]

Kisha e Santo Stefano Protomartire (Rogno), façata

Bergamo

Pranë Bergamos, seli e një prej dukateve më të rëndësishme longobarde të Austrisë Longobarde, ruhen disa gjurmë ndërtimesh të vjetra fetare longobarde, gjerësisht të modifikuara në periudhat pasuese.

Në Fara Gera d'Adda Bazilika Autarena, e themeluar nga Autari (584-590), fillimisht kishte një strukturë bazilikore me tre navate me faqe muresh të veshura me tulla; nga ndërtimi origjinal tashmë mbetet vetëm absida qendrore, poligonale, së jashtmi e ritmuar nga lezena të sheshta të përputhura me harqe të plota. Midis lezenave qendrore të absidës ishin futur hapje të ngushta monofore.[11]

Në Rogno, në Val Camonica, Kisha e Santo Stefano Protomartire ruan façatën longobarde që i përket shekullit të VII, pastaj të përfshirë në rimodelimet pasuese. Gjurmët e mbetura lejojnë të identifikohet një portal me hark të plotë, i hapur me tulla në façatën prej guri, të kryesuar nga tre dritare (njëra prej të cilave në vijim e mbyllur me mur), edhe ato me harqe të plota dhe me tulla, përkrahë dhe me përmasa të njëllojta.[12]

Breshia

Brendësia e Kishës së San Salvatores (Breshia)

Midis monumenteve longobarde të Breshas, për vlerën arkitektonike spikat Kompleksi konventual i Santa Giulia-s, që përfshin Kishën e San Salvatores. Manastiri, i themeluar në vitin 753 nga mbreti Desider (atëherë akoma dukë i Breshias) dhe nga gruaja e tij, Ansa, që vunën në krye të kompleksit bijën Anselperga si badesë të parë, edhe pse do të rimodelohej dhe pasurohej gjerësisht në shekujt pasues, sa që stilit karakteristik longobardë do ti shtoheshin tipologji të tjera të shumta arkitekturore, përveç afreskeve të Paolo da Caylina. Nga bërthama origjinale ruhet struktura me tre navate të ritmuara nga kolona dhe kapitele pjesërisht të periudhës klasike dhe ripërdorur në ndërtesën e re, pjesërisht të prodhimit bizantin, dhe pjesërisht krijime origjinale in loco. Kisha me transeptin me tre absida, ishte dekoruar tërësisht nga stuko dhe afreske, sa përbënin me Tempullthin e Cividales një nga aparatet më të pasura dhe të ruajtura më mirë të zbukurimeve Mesjetës së Hershme. Në pjesën më të madhe të humbura, dekorimet e kriptës, edhe ajo me tre absida, pjesorisht ruahet korredi liturgjik prej mermeri.[2]

Një tjetër monument arkitektonik longobard i breshan është Abacia Leonense, mananstiri i vjetër benedektin i themeluar nga Desideri në vitin 758 pranë Lenos me qëllim përhapjen e Rregullit Benedektin në zonën e Ultësirës Padane. Tashmë nga abacia e vjetër mbeten vetëm mbetjet arkeologjike, nga të cilat janë zbuluar sende të ndryshme monastike.[13]

Brendësia e Tempullthit Longobard (Cividale del Friuli)

Cividale

Një nga monumentet më të shquar dhe më mirë të ruajtur të Arkitekturës Longobarde gjendet në Cividale, kryeqendër e dukatit të rëndësishëm të Friulit, dhe i ashtuquajturi Tempullth Longobard.[14] Dëshmi e Rilindjes Liutprandease, do të ndërtohej rreth mesit të shekullit të VIII, me gjasa me nismë të Astulfit (duka i Friulit nga viti 744 deri në vitin 749 dhe mbret i longobardëve nga viti 749 deri në vitin 756) si kapelë palatine, në vendin ku dikur ngrihej Gastaldia. Kur kjo e fundit do të shndërrohej në manastir tempullthi do të merte emërtimin "oratorio di Santa Maria in Valle".

Përbëhet nga një sallë me plan katror, me presbiter nën një lozhatë me tre kampata me voltë barrelë paralele. Krahu perëndimor ishte faqja e vjetër e hyrjes dhe ku gjenden mbetje të rëndësishme të një dekorimi të jashtëzakonshëm me stuko dhe afreske; në frizë në nivelin e sipërm, të mbivendosur lirisht ndaj elementeve arkitekturore të ndërtesës, si dritare, spikasin gjashtë figara në reliev shenjtoresh, në stuko, të ruajtura jashtë zakonisht mirë.[15] Absida fillimisht kishte mozaikë, por tashmë nuk kanë mbetur gjurmë të dekorimit.[2] Tempullthi është veçanërisht i rëndësishëm sepse shënon bashkëjetesën e motiveve pastërtisht longobarde (në friza, për shembull) dhe një rimarrjeje të modeleve klasike, duke krijuar një lloj continuum aulik të pandërprerë midis Artit Klasik, Artit Lonbobard dhe Artit Karoling (në kantieret e të cilëve shpesh punuan mjeshtri longobarde, si në Bresha) dhe Otonian.[16]

Gati tërësisht i humbur, po në Cividale, është Kompleksi Ipeshkvnor që i përket patriarkut Kallisto, që në vitin 737 kishte spostuar selinë ipeshkvnore nga Akuileja në Cividale,[16] të përbërë nga një bashkësi ndërtesash që përfshinin bazilikën, Pagëzimoren e San Giovanni Battista dhe Pallatin Patriarkal. Gërmimet arkeologjike ka nxjerë në dritë vetëm pak gjurmë të veprave arkitekturore, por kanë lujuar që të rikuperohen disa nga artifaktet më të rafinuara të Skulpturës Longobarde, si Kroi Pagëzimor i Patriarkut Kallisto dhe Altarin e dukës Rakis.[2]

Arkitektura e Langobardia Minor

Dukati i Beneventos

Rocca dei Rettori, e parë nga veriut. Majtas Torrione-ja, pjesa e vetme, e mbetur nga ndërtimi origjinal longobard

Qendra kryesore politike dhe kulturore e Langobardia Minor, Benevento, kryeqyteti i Dukatit të Beneventos nga viti 774, ruan disa nga mbetjet arkitekturore të ruajtura më mirë, falë autonomisë së princave longobardë deri në shekullin e XI. Akoma besnike të planit origjinal është Kisha e Santa Sofias, e themeluar në vitin 760 nga Areki II; ndërtimi i një ndërtese fetare me ndikim të fort monumental ishte pjesë e politikës së tij të prestigjit, që do të zhvillohej edhe nëpërmjet si mecenatizmit] arkitekturor.[2]

E karkaterizuar nga një plan qendror dhe nga një strukturë origjinale me kamare të yjëzuara, zotëron tre absida dhe mbetje të rëndësishme afreskesh në mure. Referimet artistike janë të shumëfishta: nga një krahë, trupi qendror i lartë mbështetet te tradita e vetë longobardëve tashmë e afirmuar në Pavia, te Kisha e Santa Maria alle Pertiche; ndërsa nga krahu tjetër, artikulimi i volumeve qartëson raportet dialektike me Arkitekturën Bizantine.[1]

Frymëzimet monumentale të Arekit u përkthyen në një strukturë komplekse, të ritmuar nga kolona dhe shtylla të renditura në formë ekzagoni qendror dhe një dekagoni koncentrik. Bazat dhe kapitelet e kolonave janë shembuj të ripërdorimit të materialeve të Periudhës Klasike, të zgjedhura me kujdes. Bashkangjitur me Santa Sofian ndodhej edhe një manastir femëror, tërësisht i Periudhës Romanike; nga ndërtesa e mëparshme longobarde ruhen vetëm disa gjurmë të kolonadës.[2]

Beneventoja ruan akoma një pjesë të madhe të mureve dhe të Rocca dei Rettori (fortesa e Oratorëve), shembujt e vetëm të mbijetuar të arkitekturës ushtarake longobarde. Muret, të ngritura midis shekullit të VI dhe të VII dhe të zgjeruara në shekullin e VIII nga Areki II, ngrihen mbi një themel me blloqe gurësh gëlqerorë dhe shtuforë, ndërsa pjesa më e lartë është një opus incertum guralecësh lumorë të lidhur me smalt, me skalitje të parregullta tullash dhe gurësh të rikuperuar nga zhvatja e ndërtesave më të vjetra. Te rrethimi me mure bëjnë pjesë edhe pjesë të mbijetuara të mureve romake, me disa porta (si Port'Arsa, e hapur drejtë Via Appia); në gjendje rrënojash janë kullat që plotësojnë në intervale muret, mes të cilave Kulla e Vargonjve.[17]

Rocca dei Rettori ishte fortifikimi më i lartë i citadelës së Beneventos; nga Periudha Longobarde mbetet Torrione-ja këndore, ndërsa pjesa tjetër e këhtjellës është pasojë e rimodelimeve pasuese. E lartë 28 metra, Torrione-ja ka plan poligonal dhe në faqet e saj dallohen gurë të ndryshëm me prejardhje nga ndërtesa të Periudhës Romake. Së jashtmi hapen dritare bifore ogivale, ndërsa mbi tarracë ngrihen dy kullëza.[18]

Façata e Bazilikës së Santa Maria di Cubulteria (Alvignano)

Qendra minore të Dukatit të Beneventos

Në afërsi të Beneventos, në Alvignano, Bazilika e Santa Maria di Cubulteria është një shembull i sintezës midis stilemave longobarde dhe stilemave bizantine: e ndërtuar midis shekullit të VIII dhe të IX mbi mbetjet e një tempulli romak, ka tre navata të ritmuara nga shtylla tullash të kryesuara nga harqe të plota. Brendësia, skajshmërisht lineare, mbyllet nga një absidë e verbër gjysmë rruzullore, ndërsa së jashtmi façata e shtyllëzuar karakterizohet nga një protir dhe nga portale dh dritare monofore me hark të plotë, po tërësisht në tulla.[19]

Në territorin e Dukatit të Beneventos ngrihej edhe Faltorja e San Michele Arcangelo, e ndërtuar para mbërritjes së longobardëve, por e përshtatur nga ata si faltore kombëtare duke nisur nga pushtimi i tyre i Garganos, në shekullin e VII. Pas konvertimit në krishtërimin kanonik, luftëtarët gjermanikë do t’i rezervonin një adhurim të veçantë Kryeëngjëllit Mikel, të cilit i atribuan virtyte luftëtare dikur të adhuruara në perëndisë gjermanike Odin,[2] i dalluar si veçanërisht i afërt me longobardët që nga miti i tyre i origjinës.[20]

Spoleto

Presbiteri i Kishës së San Salvatores (Spoleto)

Në Spoleto, seli e një tjetër dukati të madh të Langobardia Minor, frymëzimi monumental i dukëve longobardë u shfaq në rimodelimin e Kishës së San Salvatores, tashmë bazilikë paleokristiane e shekullit të IV-të V dhe gjerësisht e rinovuar në shekullin e VIII. Me tre navata, ka një presbiter tripjesësh të mbuluar nga një voltë me bazë tetëkëndore; brendësia e ka humbur dekorimin origjinal me stuko dhe pikturat, por ruan trabeacionin e pasur me frizë dorike, të vendosur mbi kolona gjithashtu dorike (në navatë) ose të korintike (në presbiter). Nga façata origjinale e shekullit të VIII, e ritmuar nga lezena dhe e ndarë në dy rende nga një kornizë, e ka humbur dekorimin e pasur, përveç kornizave të dritareve dhe tre portaleve të skalitura me motive klasike.[2]

Pranë Spoletos, në Campello sul Clitunno, ngrihet Tempullthi i Klitumnit. Në këtë rast, në dallim nga veprat e tjera arkitekturore longobarde, zbukurimet e skalitura janë origjinale dhe jo ripërdorime të elementeve të Periudhës Romake; punimi i tyre, gjithësesi, futet përsosmërisht në hullinë e Skulpturës Romake, sa që deri Andrea Palladio besonte se Tempullthi ishte vepër origjinale e Periudhës Perandorake. Është një sacellum korintik tetrastil in antis i pasuruar nga dy portikë anësorë; në tre krahë shtrihet një arkitra me një lutje Zotit në karaltere romakë maiuskul katrorë, shembull shumë i rrallë i epigrafisë monumentale të [[Mesjeta e hershme|Mesjetës së Hershme.[2]

Në Ferentillo, në Valnerina, Abacia e San Pietro in Valle ruan navatën origjinale që i përket shekullit të VIII dhe dy pllaka të altarit kryesor, të skalitura në basoriliev, midis të cilave Lastra di Orso.

Pamje ajrore e Kështjellës së Arekit

Salerno

Në vitin 774 princi i Beneventos, Areki II, vendosi ta zhvendoste oborrin e tij në Salerno, që u popullua me shumë familje longobarde, duke nisur mbi tre shekuj mbizotërimi longobard me Principatën longobarde të Salernos. Qyteti mori rëndësi dhe u ndërtuan shumë vepra, midis të cilave rezidenca mbretërore, nga e cila mbeten gjurmë të shpërndara në qendrën historike. Kjo rezidencë (tani gati tërësisht e zhdukur) ishte një ndërtim, në të cilën bashkangjitej kapela palatine (tashmë Kisha e San Pietro a Corte). Mbetjet e këtij kompleksi arkeologjik longobard të San Pietro a Corte në qendrën historike të Salernos janë dëshmia e vetme arkeologjike e arkitekturës pallatore të Periudhës Longobarde të mbetura në Italinë Jugore.

Edhe muret e Salernos u rindërtuan nga Areki dhe nga pasuesit e tij, duke krijuar një sistem mbrojtës trekëndor të Salernos longobarde, të përqëndruara në Kështjellën e Arekit. Princat longobardë të Salernos do të ndërtonin një dyzinë kishash, midis të cilave ato të San Massimo-s, Sant'Andrea de Lavinas dhe Santa Maria de Lamas,[21] ku gjenden dëshmitë më të mira (megjithëse fragmentare) të Pikturës Longobarde në Salerno.[22]

Shiko gjithashtu

Citime fundore

  1. 1 2 3 4 5 6 7 Pierluigi De Vecchi; Elda Cerchiari (1991). "I Longobardi in Italia". L’arte nel tempo (në italisht). Vëll. 1.2. Milano: Bompiani. fq. 309–314. ISBN 88-450-4219-7.
  2. 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 "Italia Langobardorum. Centri di potere e di culto (568-774 d.C.) - I beni oggetto della candidatura", documento a sostegno della candidatura a patrimonio dell'umanità Unesco" (PDF) (në italisht dhe anglisht). Ministero per i Beni e le Attività Culturali. 29 dhjetor 2012. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 13 mars 2013.
  3. 1 2 Piero Adorno (1992). "L'Alto Medioevo". L’Arti Italiana (në italisht). Vëll. 1.2. D’Anna. fq. 564.
  4. Sergio Rovagnati (2003). I Longobardi (në italisht). Milano: Xenia. fq. 102–103. ISBN 88-7273-484-3.
  5. Hugo Blake; Donata Vicini (1995). "Santa Maria delle Cacce [Pavia]: lo scavo archeologico del 1979". përmbledhur nga Hugo Blake (red.). Archeologia urbana a Pavia (në italisht dhe anglisht). Vëll. 1. Comune di Pavia, Musei Civici. fq. 162–191. Marrë më 19 maj 2021.
  6. "MONASTERI REGI O IMPERIALI". Monasteriimperialipavia.it (në italisht).
  7. "Duomo di Monza. Dalle origini al '300". Duomomonza.it (në italisht). Uebsajti zyrtar i bazilikës.
  8. Giovanni Battista Semeria. Storia della Chiesa Metropolitana di Torino (në italisht). Torino. fq. 219–220.
  9. 1 2 Pierluigi de Vecchi; Elda Cerchiari (1991). "I Longobardi in Italia". L’Arte Italiana (në italisht). Vëll. 1.2. Milano: Bompiani. fq. 346–349. ISBN 88-450-4219-7.
  10. 1 2 Pier Giuseppe Sironi (1997). Castelseprio. Storia e monumenti (në italisht). Tradate, Colombo. fq. 134–145.
  11. Lorenzo Moris; Alessandro Pellegrini (2003). Sulle tracce del romanico in provincia di Bergamo (në italisht). Bergamo: Provincia di Bergamo. fq. 248.
  12. Lorenzo Moris; Alessandro Pellegrini (2003). Sulle tracce del romanico in provincia di Bergamo (në italisht). Bergamo: Provincia di Bergamo. fq. 209.
  13. Baronio, Angelo (2002). "Il "dominatus" dell'abbazia di San Benedetto di Leno". L'Abbazia di San Benedetto di Leno. Mille anni nel cuore della pianura padana, Atti del convegno, Leno 26 maj 2001 (në italisht). Bixia Sacra. fq. 129–162. Arkivuar nga origjinali më 15 nëntor 2011.
  14. Vittorio Foramitti (2008). "1. Il Tempietto Longobardo. Descrizione Generale e Cenni Storici". Il Tempietto longobardo nell'Ottocento: Selvatico, Valentinis e i Primi Restauri dell’Oratorio di S. Maria in Valle di Cividale (në italisht). Edizioni del Confine. fq. 9–14. ISBN 978-88-87768-10-7.
  15. "Tempietto longobardo: gli apparati decorativi del termpietto". Tempiettolongobardo.it (në italisht). Arkivuar nga origjinali më 9 korrik 2023. Marrë më 11 janar 2026.
  16. 1 2 Pierluigi de Vecchi; Elda Cerchiari (1991). "I Longobardi in Italia". L’Arte nel tempo (në italisht). Vëll. 1.2. Milano: Bompiani. fq. 315–317. ISBN 88-450-4219-7.
  17. Flavia Belardelli (korrik 2006). ""Il paramento lapideo povero" delle mura longobarde di Benevento: criteri di individuazione e intervento" (në italisht). Soprintendenza per i beni architettonici, paesaggistici, storico-artistici ed etnoantropologici per le province di Caserta e Benevento. Arkivuar nga origjinali më 15 nëntor 2011.; Marcello Rotili (1986). Benevento romana e longobarda. L’immagine urbana (në italisht). Napoli: La Stampa di Ercolano.
  18. Flavia Belardelli (korrik 2006). "La Rocca dei Rettori a Benevento" (në italisht). Soprintendenza per i beni architettonici, paesaggistici, storico-artistici ed etnoantropologici per le province di Caserta e Benevento. Arkivuar nga origjinali më 13 qershor 2007.; Almerico Meomartini (1979). I monumenti e le opere d’arte della città di Benevento (në italisht). Benevento: De Martini.
  19. "Scheda della basilica sul sito della Pro loco alvignanese". Alvignano.net (në italisht). Arkivuar nga origjinali më 22 tetor 2010.
  20. Georg Waitz, red. (1878). Monumenta Germaniae Historica – Scriptores rerum Langobardicarum et Italicarum saeculae VI–IX. Annales Hildesheimenses (në latinisht). Hanover: Impensis Bibliopolii Hahniani.; Paul Diakoni; Erkemberti (1990). "Libri I, 8". përmbledhur nga Italo Pin (red.). Storia dei Longobardi: in appendice Storia dei Longobardi di Benevento di Erchemberto (në italisht). Edizioni Studio Tesi. fq. 8–9. ISBN 978-88-7692-231-2.
  21. "Chiesa di Santa Maria de Lama". amientesa.beniculturali.it (në italisht). Marrë më 19 shkurt 2025.
  22. "La chiesa di Santa Maria de Lama". Progettostoriadellarte.it (në italisht). Marrë më 21 shkurt 2025.

Bibliografia

Lidhje të jashtme