Miniatura Paleokristiane

Kryqi kopt, nga Codex Glazier, shekulli IV-V, një dorëshkrim kopt i Biblës

Miniatura Paleokristiane paraqet dorëshkrimet e para të krishtera të iluminuara me zbukurime dhe miniatura, në Antikitetin e Vonë dhe Mesjetën e Hershme. Me rrallësi të madhe, disa nga këta kodikë janë të njohur vetëm nga kopje të bëra në periudhën e mëvonshme. Format bartin dëshmi të kalimit nga arti monumental (basorelievet) në pikturën në pergamenë, që lulëzoi në Miniaturën Insulare dhe Merovinge.

Historia

Krishti me Apostujt, vizatim nga Papirusi PSI 920, shekulli V, Museo Archeologico Nacionale di Firence

Në kundërvënie me Artin Romak pagan, krishtërimi i mbështeste përmbajtjen e tij në tekstet e shenjta të Biblës, duke i përshtatur dorëshkrimet me ilustrime dh iluminime, të rëndësisë së lartë në proçesin e ruajtjes dhe përhapjes së shkrimeve. Duke e shoqëruar këtë rritje të prodhimtarisë gjithashtu me zhvillimin e teknikave të mjeteve të prodhimit të dorëshkrimeve. Deri atëherë përdoreshin rrotullat e papirusit, të cilat nuk lejonin liri të madhe artistike në lidhje me iluminimin. Rrotullimi dhe çrrotullimi i vazhdueshëm i rrotulave] të papirusit shkaktonte degradimin e bojës. Me futjen e pergamenës, në shekullin e II p.e.s., e cila mund të palosej pa e dëmtuar, do të shfaqeshin librat e parë me lidhje të pasura prej druri dhe dekorime në metal dhe gurë të çmuar, kodikët (vellum codex) në pergamena velum, ku liria formale dhe kromatike nuk kufizohej nga materiali.

Codex Purpureus Rossanensis, ose Ungjijtë e Rosanos, rr. 550, scriptoria e Antiokisë

Nga shekulli IV do të prodhoheshin libra të krishtera për përdorim liturgjik, ashtu si dhe për studim privat dhe si libra ekspozimi për qëllime ceremoniale dhe zbukuruese.[1] Prodhimi i kopjeve të Biblës në tërësinë e saj ishte shumë i rrallë për shkak të shpenzimeve të konsiderueshme që kërkonte pergamena dhe iluminimi i saj. Codex Washingtonianus është një shembull i hershëm i një libri që përmban të katër ungjijtë, në greqisht, i shkruar në shekullin e IV-V.

Nga shekulli VII tekste të veçanta të ungjijve caktoheshin në ditë të caktuara në kalendarin liturgjik; më parë leximet e ungjijve shpesh kryeheshin nëpërmjet librave në sekuencë.[2] Portretet e ungjillorëve ishin një tipar i posaçëm i dekorimit të tyre.[3] Ungjillarët e iluminuar në mënyrë luksoze ishin kryesisht një veçanti kryesisht e Mesjetës së Hershme, pas ungjillarët ose një leksionar i përgjithshëm gradualisht do të bëhej më i zakonshëm për përdorime liturgjike dhe tekstet e tjera u bënë gjithashtu të favorizuara për dekorime të rafinuara. Libra të tillë ishin Tabelat Kanonike, përmbledhje biblike, fjalorë dhe materiale të tjera të shpjeguese të krishtera. Librat latinisht shpesh përfshin epistularet e Shën Jeronimit dhe Eusebit të Çezaresë, që shpjegonte Kanonet Eusebiane.[4]

Kostandini i Madh vendosi një scriptorium në pallatin e tij dhe ka të ngjarë të kenë qenë të paranishëm iluminatorë apo miniatorë, por asnjë prej tyre nuk ështër ruajtur. Megjithatë ekzistojnë disa fragmente papirusesh të iluminuar në Egjipt, që provojnë se kishte një traditë të hershme bizantine të dorëshkrimeve të iluminuar. të tilla janë rastet e kodikëve të lashtë të Zanafillës së Vjenës, Codex Sinopensis dhe Codex Purpureus Rossanensis (i cili vjen nga jugu i Italisë Bizantine) ose madje Zanafilla prej pambuku, e cila me shumë gjasa vjen nga Egjipti. Tre dorëshkrimet e sipërpërmendur përbëjnë pararendësit e të ashtuquajturëve Kodikë të Purpurtë: dorëshkrime të miniuara luksoze në të cilët teksti shkruhet në përgjithësi në ar dhe argjend mbi pergamenë të ngjyrosur në purpur, me një përzierje të karmines dhe të kaltrës.[5]

Codex Sinopensis ose Ungjijtë e Purpurtë të Sinopit, shekulli VI

Në një pikë mendohet i kufizuar për tu përdorur për perandorët romak ose bizantinë, megjithëse në një letër të Shën Jeronimit në vitin 384, ai shkruan me përçmim për gratë e pasura romake librat e të cilave shkruheshin në ar mbi velum të purpurtë dhe të veshur me xhevahire.[6]

Uncialët e Purpurtë ose Kodikët e Purpurtë janë një grup i mirënjohur i këtyre dorëshkrimeve, ekzemplari i parë i dëshmuar është një përmbledhje e panegjerikësh kushtuar Kostandinit të Madh. Dorëshkrime në greqisht të shekullit të VI të Besëlidhjes së Re, ku përfshihen: Codex Purpureus Petropolitanus, Codex Sinopensis, Codex Rossanensis, Codex Beratinus,[7][8] Unciali 080, etj. Ndërsa në latinisht janë gjashtë dorëshkrime të tjera: Codex Vercellensis, Codex Veronensis Codex Palatinus, Codex Brixianus, Codex Purpureus Sarzanensis dhe Codex Vindobonensis Lat. 1235. Ka gjithashtu një kodik të purpurtë të shkruar në gjuhën gotike: Codex Argenteus. Ndërsa është përfshihet edhe nnjë dorëshkrim i Besëlidhjes së Vjetër: Zanafilla e Vjenës.

Nga bota bizantine, Kodikët e Purpurtë do të kalonin te Karolingët dhe nga këta te Otonianët në Perëndim, duke u bërë një tipologji e pranishme në gjithë miniaturën evropiane të Mesjetës së Hershme. Prirja e stilit miniues prirej më shumë drejtë figurave hieratike dhe më abstrakte sesa në periudhën e mëparshme. Ungjijtë Rabbula, të cilët vijnë nga Mesopotamia dhe datojnë nga viti 586, largohen më tepër nga ky stil, me ngjyra më kontrastuese dhe forma më gjeometrike.[9]

Kodiku i Beratit në një pullë postare të Shqipërisë

Ajo pak që dihet nga shekulli i V e në vijim paraqet një larmi të pasur kromatike, që fillimisht pati shumë ndikim nga struktura hapsinore dhe gjeometizimi i pikturës greko-romake. Në mënyrë që të optimizohej përdorimi i hapsirës së pergamenës, përshkrimi i ngjarjeve nuk paloset në fasha horizontale, por ndjek një vijë imagjinare të lakuar, ku momentet e ndryshme ndjekin njëri-tjetrin pa ndërprerje, të ashtuquajturin continuous narration.[10][11]

Me përhapjen e monakizmit, qendrat e kulturës evropiane do të bëheshin manastiret, në të cilët scriptoria-t kopjonin veprat e lashta, duke mundësuar përcjelljen te brezat e ardhshme. Krishtërimi çoi në një humbje të interesit rreth realitetit të perceptuar nga ndjesorët dhe do të zhvillonte një stil figurativ ku çdo element fitonte vlerë vetëm ndërsa ishte metaforë e botës trashendentale. Çdo figurë kështu bëhej një simbol dhe nuk kishte nevojë për të qenë realiste, përkundrazi pikërisht për të nxjerë në pah funksionin simbolik, do të kodifikoheshin një varg stilizimesh dhe konvencionesh figurative.[12] Në këtë mënyrë do të zhvillohej një marrëdhënie e ngushtë ndërmjet tekstit dhe imazheve, me iniciale figurative (nga figura njerëzore ose shtazore) dhe të historiuara (me skena të vogla ose dekore bimore), margjine të dekoruara, monograma në faqe të plotë për shkronjat e para të tekstit, tabela kononike, imazhe didaktike dhe mnemonike. Ky proçes me siguri u ndikua nga ndjeshmëria lineare dhe zbukuruese e popujve barbarë.

Në këto scriptoria anashkaloheshin ose refuzoheshin librat e konsideruar të dëmshëm, që do të zhdukeshin në mënyrë të pashmangshme, ndërsa riprodhimi i veprave më të lashta e tejkalonte aparatin ilustrues, që lihej pas dore pasi konsiderohej shumë i vështirë për tu kopjuar apo tashmë i pakuptueshëm për ata që tashmë ishin të lidhur me një kulturë figurative të ndryshme.[12]

Për shkak të këtij stilizimi dhe ndikimit të Artit Barbar, në Evropën Perëndimore aftësia për të paraqitur figurën njerëzore gati do të zhdukej, duke shërbyer më shumë si element dekorativ sesa si paraqitje realiste e trupit njerëzor, siç haset në dorëshkrimet e Periudhës Merovinge, në shkollën longobarde dhe franko-longobarde, në dorëshkrimet visigote dhe në prodhimtarin insulare të Arkipelagut Britanik. Nëse në Periudhën e Antikitetit të Vonë dorëshkrimet më të pasura me imazhe kishin qenë biblat, në këtë periudha mer rëndësi dekorimi i ungjijve, i librave të sakrametarëve dhe më vonë, mesharët dhe librat e korit.

Miniatura Merovinge

Miniatura Merovinge
Missale Gothicum i krijuar në një scriptorium meroving rr. 700
Legis salica krijuar nga Vandalgari, shek. VIII, Biblioteka abaciale e Sank Gallenit

Miniatura Merovinge është miniatura e prodhuar në Mbretërinë Franke (lat. Regnum Francorum) nga fundi i shekullit të VII deri në shekullin e VIII, në kohën e sundimit të merovingëve. Me formë kryesisht zbukuruese, kjo miniaturë karakterizohej nga iniciale me formë solide gjeometrike, me vija dhe rrathë që përngjasojnë modelet e antikitetit të vonë, dhe ballina me harkada dhe kryqëzime. Imazhet figurative pothuajse mungonin tërësisht. Duke nisur nga viti 700 dekorimi zoomorf do të niste të shfaqej dhe të bëhej kështu mbizotërues, sa në disa dorëshkrime të Abacisë së Chelles faqe të tëra janë përbëhen nga gërma të formuara nga kafshë. Në dallim nga miniuatura bashkëkohore insulare, e karakterizuar nga një dekorim i dendur dhe në disa raste mbingarkuar, stili meroving synonte një faqe të pastër.

Scriptorium më i vjetër prodhimtar i mbretërisë franke qe, në atë periudhë, Abacia e Luxeuil, e themeluar nga murgu irlandez Kolombani i Bobios në vitin 590 dhe e shkatërruar në vitin 732 nga saraçenët. Abacia e Korbit, e themeluar në vitin 662, do të zhvillonte një stil të vetin, ndërsa edhe Chelles dhe Laoni do të ishin qendra aktive të prodhimtarisë. Vepra misionare e britanikut Vilibrord midis frizonëve (rreth vitit 690), e kërkuar nga majordomi meroving Pepini i Herstalit, kontribuoi pastaj në intensifikimin e shkëmbimeve midis artit/kulturës franke dhe insulare. Nga viti 750, do të ndikonte mërgimi në kontinent i murgjëve britanikë në arrati nga sulmet norrene, Miniatura Merovinge do të ndikohej fortësisht nga ajo insulare: një ungjillar i Abacisë së Ekternakut (Triri, Dombibliothek, Cod. 61 olim 134) tregon bashkëpunim të dukshëm mjeshtrish merovinge dhe irlandeze.

Gjithmonë në fazën e dytë të Periudhës Merovinge, disa scriptoria të Galisë Veriore (Luxeuil, Chelles, etj.) do të sendërtonin shkrime kursive, më të shkathta dhe praktike, të përmbledhura nën emrin "Shkrimi Meroving".[13]

Me fundin e Dinastisë Merovinge nga Pepini i Shkurtri në vitin 751 dhe lindjen pasuese të Perandorisë Karolinge, miniatura franke do të përfshihej nga një rinovim i thellë. Në fakt qe ndër format e përfshira më masivisht në rilindjen kulturore të promovuar nga i biri dhe trashëgimtari i Pepinit, Karli i Madh, e ashtuquajtura "Rilindja Karolinge" dhe Miniatura Karolinge do të bëhej mjeti themelor i përhapjes së stilit artistik dhe të mesazhit politik kulturor të dinastisë së re, Karolingëve.

Pa e arritur kurrë përkryerjen dhe rafinimin e homologëve insularë apo të mëvonshëm karolingë, dorëshkrimet e miniuara merovinge dëshmojnë megjithatë një art të arrirë dhe një stil origjinal që do të njihte në vijim ende zgjatime në gjysmën e dytë të shekullit të VIII.[13][14]

Mbretëritë merovinge në kulmin e tyre (edhe saksone dhe bretonët i bënë homazhe mbretërve merovingë, megjithëse në kohë të ndryshme)

Porositësit

Dinastia Merovinge qe familja sunduese e frankëve nga mesi i shekullit të V deri në vitin 751. Do të shfaqeshin për herë të parë si "mbretër të frankëve" në ushtrinë romake të Galisë Veriore. Në vitin 509 kishin bashkuar nën sundimin e tyre të gjithë frankët dhe romakët e Galisë Veriore. Do të pushtonin pjesën më të madhe të Galisë, duke mundur visigotët (507) dhe burgundët (534), dhe do ta shtrinin sundimin e tyre në Reti (537). Në Germania Magna, alemanët, bavarët dhe saksonët do të pranonin mbizotërimin e tyre. Mbretëria Merovinge ishte më e madhja dhe më e fuqishmja nga shtetet e Evropës Perëndimore në vijim të shkatërrimit të perandorisë së Teodorikut të Madh.

Emri dinastik, nga latinishtja mesjetare Merovingii apo Merohingii ("bijtë e Meroveut"), rrjedh nga një formë franke e pa dëshmuar, e afërt me anglishten e vjetër Merewīowing të dëshmuar,[15] me mbaresën -ing që është një sufiks tipik patronimik gjermanik. Emri rrjedh nga mbreti gjysmë-legjendar Meroveu. Në dallim nga gjenealogjitë mbretërore anglo-saksone, Merovingët nuk kanë afermuar kurrë se rrjedhin nga një zot, as se ka prova që konsideroheshin mbretër të shenjtë.

Flokët e gjatë të Merovingëve i dallonin midis frankëve, që zakonisht i mbanin flokët të shkurtër. Bashkëkohësit ndonjëherë i quanin "mbretërit flokë-gjatë" (latinisht reges criniti). Një meroving të cilit i ishin prerë flokët nuk mund të mbretëronte dhe një rival mund të hiqej nga trashëgimia duke e qethur dhe duke e dërguar në një manastir. Merovingët përdornin edhe një emër dallues. Një nga emrat e tyre, Clovis (ose Klodoveu), do të evoluonte në Ludvig dhe ka mbetur i zakonshëm mes mbretërve francezë në formën Louis deri në shekullin e XIX.

I fundmi i Merovingëve, pikturë e Évariste-Vital Luminais, që paraqet prerjen e flokëve të Kilderikut III.

Mbreti i parë Meroving i njohur qe Kilderiku I (i vdekur në vitin 481). I biri i tij Klodoveu I (vdekur në vitin 511) u konvertua në krishtërim, bashkoi frankët dhe pushtoi një pjesë rtë madhe të Galisë. Mbretërimi i Klodoveut u coptua mes katër trashëgimtarëve (Klotari I, Klodomiri, Teodoriku I dhe Kildeberti I), sipas zakoneve të kohës që i konsideronin pushtimet territoriale një mënyrë të trashëgimisë personale të pronave të tundshme, të cilat vazhdonin politikën atërore të zgjerimit në kurriz të burgundëve dhe turingëve, dhe me aneksimin e Burgonjës, të çeduar nga mbreti ostrogot Vitiges. Ndonjë vështirësi e hasur nga Kildeberti I në politikën e tij të ndërhyrjes në Itali si aleat i bizantinëve kundër longobardëve nën mbretin Autari, rezistenca e të cilit, megjithëse me fate të alternuara, e shtyti mbretin frank të mos ngulmonte në përpjekjen për të marë Italinë Veriore. Katër bijtë e Klotarit, i mbijetuar i i fundi i bijve të Klodoveut, e ndanë nga ana e tyre prapë mbretërinë në po aq rajone, që në vitet pasuese do të zgjeroheshin edhe falë pushtimeve drejtë lindjes dhe drejtë jugut: Austrasia, Neustria, Burgonja dhe Akuitania. Me përjashtim të katër periudhave të shkurtëra (558–561, 613–623, 629–634, 673–675), mbretëria franke mbeti e ndarë në këtë mënyrë deri në vitin 679. Pas kësaj do të ndahej përsëri vetëm një herë në dyvjeçarin 717–718.[16]

Duke nisur nga shekulli VI, mbretëria franke pësoi një krizë jo vetëm ekonomike, për vështirësitë e bujqësisë, por mbi të gjitha politike nga coptimi i pushtetit për shkak të dobësisë kronike të mbretërve Merovingë, që, për këtë arsye, do të quheshin “rois fainéants”, dhe që bëri që mjaft shpejtë pushteti i tyre të dobësohej në favor të postit të [majorit të pallatit (apo majordomit), funksionari më i lartë mbretëror, mbajtësit e të cilit ditën ti shtynin me mjeshtri sovranët në një rol gjithmonë e më simbolik për tu përpjekur, me rezultate të ndryshme, të eliminonin dinastistinë dekadente. Në vitin 656 majordomi Grimoaldi I u përpoq të ngjiste në fronin e Austrasisë të birin e tij Kildebertin të Adoptuarin. Grimoaldi u arrestua dhe u dënua por i biri i tij mbretëroi deri në vitin 662, kur u restaurua Dinastia Merovinge. Kur mbreti Teodoriku IV vdiq në vitin 737, majordomi Karl Marteli, heroi që kishte ndërprerë në Betejën e Poitiersit (732) Ekspansionin Islamik në Evropë, vijoi të qeversite mbi një Gali të ribashkuar pa një mbret deri në vdekjen e tij në vitin 741. Dinastia Merovinge u restaurua në vitin 743, por në vitin 751 i biri i Karl Martelit, Pepini i Shkurtri, do të rrëzonte të fundit të Merovingëve, Kilderikun e III, dhe do të kurorëzohej, duke përuruar Dinastinë Karolinge.

Simbolet e ungjilltarëve – fundi i shek. VIII

Jeta fetare

Jeta fetare në Mbretërinë Merovinge ishte e organizuar përreth dy qendrash mjaft të dallueshme: (I) qytetet, trashëgimtare të drejtpërdrejta të qyteteve të antikitetit të vonë nga të cilat ruhen mure, rrugë, ndërtesa parësore, ku peshkopi zhvillonte, përveç rolin klerik, rolin politik të funskionarit të pushtetit mbretëror; dhe (II) manastiret e themeluara nga murgjit irlandezë dhe anglezë. Peshkopët ishin atëherë, gjithmonë e më ambiciozë, të fuqishëm dhe të pasur dhe nuk arrinin ta ndërprisnin dekadencën intelektuale, viktima e parë e të cilës qe kultura latine klasike.

Me përjashtim të disa qendrave urbane ku mendimi mbeti i gjallë, si në Laon, megjithatë qenë manastiret që siguronin kopjimin e librave për të shpëtuar të paktën kulturën e krishterë. Këto mjeshtri qenë bartëse të një forme të posaçme dhe tashmë të zhvilluar arti, të "Artit Insular", shkrirje e elementeve kelte dhe anglo-saksone, që kishte zhvilluar një formë të vetën të miniaturës: "Miniatura Insulare". Shën Kolumbani (540 rr.-615), mbërriti në Francë nga Irlanda rreth vitit 590 me dymbëdhjetë bashkë-vëllezër dhe do të vendosej në Vosges, ku ndërtoi Manastirin e Luxeuil. Bashkë me besimin misionar, arti i ishullit të tij të lindjes filloi në këtë mënyrë të përhapej në Regnum Francorum të sunduar nga Merovingët. Nën mbrojtjen e pasardhësve të Klodoveut, ndikimi i të cilëve, siç u paratha, arrinte edhe skajet veriore të Mbretërisë Longobarde në Itali, murgjit dhe librat e Shën Kolombanit do të përhapeshin në Evropë, duke arritur Lombardinë ku, në vitin 612, Kolombani do të themelonte Manastirin e Bobios.

Ndikime

Shpesh vërehet ndikimi bizantin në veçanti. Disa historianë kanë shtruar idenë se miniatorët merovingë ndonjëherë mernin si model motivet e gjetura në tesha lindore me relike të mbështjella: për shembull Sakramentari i Gelonit duket për disa pikëpamje shumë afër dorëshkrimeve bizantine.[17] Një nga stilemat karakteristike të Miniaturës Merovinge, teksti i inkuadruar në një arkitekturë fiktive në formë portiku (p.sh. Ungjillari i Gundoinit) përngjason pastaj shembuj bizantinë më të vjetër: për shembull Kanonet Eusebiane në fletën 4 të Ungjillarit Rabula.

Siç u tha, scriptoria të ndryshme merovinge qenë të ndikuara nga Minaiatura Insulare duke qenë shumë abaci të themeluara apo të drejtuara nga abatë irlandezë apo nga Northumbria. Në këto punishte, stili meroving në krijim nën hijen e atij insular dhe pastaj do të përzihej, duke krijuar forma hibride dhe vepra me stil të përzier. Kjo është veçanërisht rasti i Abacisë së Ekternakut, ku në gjysmën e parë të shekullit të VIII do të prodhohej Ungjillari i Tririt. Stili që u zhvilluar në Ekternak është zhvilluar në një rrymë të veçantë artistike të njohur si "Shkolla franko-saksone".[18][19]

Paleografia

Siç u tha, në fazën e dytë të Periudhës Merovinge, disa scriptoria të Galisë Veriore, në veçanti në Luxeuil, Chelles dhe Korbi (që do të ishte në vijim palestër e rëndësishme për zhvillimin e shkrimit karoling),[20][21][22] do të krijonin shkrime kursive, më të shpejta për tu shkruar kundrejtë uncialëve ose gjysmë-uncialëve të trashëguar nga lashtësia, duke krijuar të ashtuquajturin shkrim meroving.[13]

Tipologji dorëshkrimesh të prodhuar

Dorëshkrimet e prodhuar në këtë periudhë qenë thelbësisht të kushtuar ndaj prektikës së kultit në brendësi të manastireve dhe jo për ungjillizimin masiv të popullsisë. Librat ungjillorë janë në këtë mënyrë më të rrallë sesa mesharët, sakramentarët, leksionarët, etj., të paktën midis dorëshkrimeve të miniuar. Jehonë të madhe gëzuan edhe librat e Etërve të Kishës, si shkrimet e Agustinit të Hiponës apo të papa Gregorit të I.[23]

Zbukurimet

Stili i Miniaturave Merovinge janë në pjesën më të madhe zbukuruese dhe paraqitjet e figurave njerëzore janë tepër të rralla dhe verifikohen vetëm në fund të periudhës. Llojshmëri të ndryshme zbukurimesh identifikuese gjenden në dorëshkrimet merovinge.

Dorëshkrimet nuk përmbajnë nistore të mëdha në të gjithë faqen si në veprat insulare. Teksti nis përgjithësisht me një nistore të integruar apo një titull të dekoruar, të shoqëruar nga harqe që inkuadrojnë tekstin me një lloj arkitekture fiktive: për shembull Sakramentari Gelasian përmban në fillim të çdo pjese të mesharit dizajnin e një portiku, që inkuadron dhe kolonizon tekstin.[24][23]

Kujdes i veçant i kushtohej punimit të shkrimit të tekstit. Ndërsa artistët insularë zbukuronin tepër faqe të tëra të dorëshkrimeve të tyre me motive gërshetuese me dorë të lirë, artistët merovingë përdornin sistematikisht vizore dhe kompas për të vizatuar nistoret. Me gjasa fryt i po këtij vullneti për rregull dhe qartësi është shpikja e shkrimit meroving për të lehtësuar leximin.[13] Nistoret dhe ndonjëherë disa fjalë të tëra të tekstit dekoroheshin me motive bimore dhe zoomorfe (mbi të gjitha shpendë dhe peshq) që përziheshin me motive gjeometrike abstrakte.

Pak nga pak, këto kafshë do ta linin formën e tyre gjeometrike për të marë një pamje gjithmonë e më realiste. Në disa dorëshkrime shfaqen nistoret e para zoomorfe dhe antropomorfe në historinë e miniaturës. Bëhet fjalë për gërmë që shërbenin si korniza për paraqitjen e një kafshe apo të një qenieje njerëzore, por që përbëhen nga një apo më shumë nga këto qenie që formojnë gërmën apo pjesët e saj të ndryshme: për shembull në fletën n. 132 të Sakramentarit Gelasian, gërmat e fjalës «NOVERIT» janë formuar nga shpendë dhe peshq. Artisti i ngarkuar me këto dekorime përgjithësisht ishte vetë shkruesi i ngarkuar me kopjimin e tekstit.[25]

Motivi kristian pothuajse i kudogjendur është kryqi. Ndonjëher mbulon një faqe të tërë, ndonjëherë të integruara në një faqe qilim, si në dorëshkrimet irlandezë.[26]

Shembujt e parë të paraqitjes njerëzore

Paraqitjet njerëzore do të shfaqeshin rreth fundit të kësa periudhe, nuk janë në kuptimin e ngushtë iluminacione historiate, do me thënë paraqesin një skenë të marë nga Bibla apo një skenë historike. Dorëshkrimi i parë i mbijetuar që përfshin paraqitje njerëzore është Sakramentari i Gellones. Ndërsa portretet e ungjillorëve dhe një figurë e Jezusi në fron me engjëj shfaqet për herë të parë, në Ungjillarin e Gundoinos,[23] sipas disave i prodhuar me rastin e kurorëzimit të Pepinit të Shkurtrit (751).

Qendrat kryesore të prodhimit

Përveç pak përjashtimeve, vendprodhimi i saktë i dorëshkrimeve merovinge nuk është e sigurtë dhe ndonjëherë vihet në diskutim.

Kjo seli peshkopale, e themeluar nga Shën Remigiusi i Reimsit në fillim të shekullit të VI, përbënte një përjashtim të rëndësishëm, ndër të tjera, ndaj rënies kulturore të qyteteve. Gjithmonë i mbizotruar nga peshkopët e tij, Laoni qëndroi gjatë Periudhës Merovinge dhe Karolinge, një qendër e gjallë artistike dhe intelektuale, dhe në veçanti abacia kolombiane e Saint-Vincent-it.

Dorëshkrimet kryesore:

Në vitin 590, Shën Kolumbani do të themelonte Abacinë e Luxeuil-it në Vosges dhe, brenda pak dekadave, scriptorium-i i manastirit fitoi një reputacion të lartë për cilësinë e veprave të tij. I plaçkitur dhe shkatërruar nga saraçenët, që masakruan të gjithë murgjit, në vitin 731 ose 732, abacia do të ringritur nga Karli i Madh që do t’ia besonte Benediktinëve. Abacia i ka dhënë emrin një dorëshkrimi të njohur, por të cilit nuk është e mundur ti afirmohet me siguri prodhimi pranë scriptorium-it të tij. Gjendet në dorëshkrime të ndryshme, vendi i prodhimit të të cilëve mbetet kundërthënës:

  • Epistolam Joannis ad Parthos tractatus decem, Shën Agustini i Hiponës, i datuar rreth vitit 669, në Morgan Library & Museum (M.334).[29]
  • I ashtuquajturi Leksionari i Luxeuil-it, BNF, Lat. 9427.
  • Riti galik (lat. Missale Gothicum), sakramentar i prodhuar rreth vitit 700.
  • Vatikan, reg. lat. 317. Codex Ragyntrudis, tekste të Etërve të Kishës, Biblioteka e Katedrales së Fuldës (Hesia, Gjermani).
  • Vepra të Shën Agustinit, rreth vitit 730, aktualisht në Herzog August Bibliothek të Volfënbytëlit (Saksonia e Ulët (Veisenburg 99), Gjermani).

E vendosur në Somme, afër Amiens, Abacia e Korbi u themelua nga Baltilda (mbretëresha e Neustrisë). Dorëshkrimet e prodhuar aty përdornin motive më pak zoomorfe por më shumë zbukurime si "syri i kaut" (një rreth me një pikë në qendër). Nga mesi i shekullit të VIII gjejmë gjithmonë e më shumë motive gërshetimesh.[30]

Dorëshkrimet kryesore:

  • Komenti i Ezekielit i papa Gregorit të I (çereku i II i shekullit të VII), Biblioteka e Shën Petersburgut (QVI14).[31]
  • Regulli i Shën Bazilit, rreth vitit 700. Libër i konservuar në Bibliotekën Kombëtare Ruse të Shën Petersburgut.
  • Hexaemeron i quajtur Shën Ambroz,[N 1] gjysma e dytë e shekullit të VIII, BNF.
  • Një dorëshkrim i Ekspozicion mistik mbi Kantikun e kantikëve të Justit të Urgellit, rr. 700, Biblioteca Vallicelliana, Romë (B.62).

Shela, në departamentin e Seine-et-Marne, qe selia e një pallati meroving. Në vitin 584 Kilperiku I do të vritej aty me porosi të përfaqësuesit të pallatit të Landry, dashnor i Fredegundës, gruas së mbretit. Një abaci e parë murgeshash u themelua nga mbretëresha Klotildë në shekullin e VI. Do të rindërtohej në shekullin e VII ngaa Batilda, gruaja e Klodoveut të II. Historiani Bernard Bischoff ka treguar se nëntë murgesha të kësaj abacie, emrat e të cilave njihen, kopjuan dhe ilustruan në fund të Periudhës Merovinge, tre dorëshkrime për arkikapelanin e Karlit të Madh, peshkop Ildeboldin e Këlnit. Këta janë dorëshkrimet (Ms.) 63, 65, 67, nga fundi i shekullit të VIII, tashmë në bibliotekën e Katedrales së Këlnit.

Scriptorium-i i Abacisë së Saint-Denis, i mbrojtur nga Karl Marteli dhe Pepini i Shkurtri, është ndoshta, sipas disa historianëve, vendi i prodhimit të një prej dorëshkrimeve të miniuara më të famshëm meroving: Sakramentari Gelasian (Biblioteca Apostolica Vaticana, Reg. lat. 316.) që rregjistron ndryshimet e liturgjisë së papa Gelasit të I.

Portreti i Shën Lukës, Ungjillari i Shën Agustinit, shekulli VI, i cili do të ndikonte shumë në Artin Insular

Miniatura Insulare

Miniatura Insulare i referohet prodhimtarisë së dorëshkrimeve të miniuar në manastiret irlandeze, skoceze, anglezo-veriore dhe në manastiret kontinentalë të themeluar nga hiberno-skocezët ose anglo-saksonëtmidis shekujve të VI dhe të IX.[32][33] Midis këtyre dorëshkrimeve janë: Kathaku i Shën Kolombit, Libri i Durrow-t, Ungjijtë e Durhamit, Libri i Kells, etj.[34]

Ungjillari i Durhamit MS A 17, shekulli VI

Këta, bashkë me të tjerë të papërmendur, tregojnë ngjashmëri të mëdha në stilin artistik, në shkrim dhe në traditën tekstuale, duke u mundësuar studjuesve ti grupojnë në të njëjtën familje. Arti insular i librave karakterizohej kryesisht nga përdorimi i një dekorimi abstrakt me strukturë lineare të vazhdueshme, me motive dekoruese, mbi të gjitha me gërshetime, të futura në skema të përpikta gjeometrike, dhe nga perdorimi i ngjyrave të gjalla, të vendosura për kontrast, që përbëjnë pjesë thelbësore të kompozimit. Në tërësi, stil është në këtë mënyrë fuqimisht anti-realist dhe shkëputet qartësisht nga miniatura e lashtë romake dhe nga ajo Bizantine.

Miniatura Insulare do të zhvillohej pas konvertimit të Irlandës nga Shën Patriku në shekullin e IV-V. Mbizotëronin dy lloje dorëshkrimesh: ungjij të formatit të vogël për tu përdorur nga predikuesit dhe misionarët ose në kultin privat (psh.: Libri i Dimës dhe Libri i Ripërtypjes) dhe vepra me përmasa të mëdha, rezervuar për shëbimet liturgjike në manastire, psh.: i famshi Libri i Kells.[35]

Miniatura Visigote

Kultura Visigote përkon me periudhën midis Dyndjeve Barbare në Gadishullin Iberik gjatë shekullit të V dhe rënies së Mbretërisë Visigote në vitin 711. Kjo kulturë nuk është aq shumë ajo e pushtuesve barbarë se sa e Spanjës Hispano-Romake, e cila vijoi dhe madje lulëzoi plotësisht gjatë kësaj periudhe. Dorëshkrime të shumta janë prodhuar nga kjo periudhë, në qendra të ndryshme si Mérida, Toledo, Zaragoza ose Sevilje. Është pikërisht në këtë qytet të fundi që gjendej intelektuale më i shquar i kohës, Isidori i Seviljes, autor i Etimologiae.

Megjithatë nga kjo periudhë ështër ruajtur një dekorim i vetëm figurativ në një dorëshkrim, Verona Orational. Është një trëndafil erërash në një koleksion lutjesh tani në bibliotekën kapitulare të Katedrales së Veronës, por e krijuar në Tarragonë. Ky dekorim është frymëzuar nga një motiv i lashtë, aty i kristianizuar nga prania e kryqit.

Dorëshkrime të tjera të iluminuara visigote të ruajtura akoma kufizohen në iniciale të vogla të ngjyrosura. Për pjesën tjetër, mundet vetëm të hamendësohet lloji i dekorimeve që mund të ekzistonin mbështetur në dorëshkrimet e kopjuara nga modelet visigote. Ndikimi më i dukshëm në dorëshkrimet e periudhës pasuese është prania veçanërisht shkrim: minuskuli visigot, i krijuar në këtë kohë, vijoi të përdorej në scriptoria-t monastike spanjolle deri në shekullin e XII.[36]

Disa dorëshkrime të shquara

Faqja e pasme e fletës 2 nga fragmenti Qedlinburg Itala, shek. IV/V, Berlin, Staatsbibliothek Preussischer Kulturbesitz

Itala e Kuedlinburgut

Doërshkrimi më i vjetër romak është Itala e Kuedlinburgut, e cila daton nga shekulli V. Miniaturat janë vendosur në korniza katrore ose drejtkëndore, në vend të vizatimit të lirshëm, të cilat zënë të gjithë faqen të cilës ato i japin një "efekt dritareje". Format e figurave dhe kuajt janë reminishent të atyre të gjetura në basorelievet romake.

Fatmirësisht, si pasojë e dëmtimeve të faqeve, boja ishte larguar në disa vende dhe u zbuluan udhëzimet e sakta që i ishin dhënë piktorit miniator: "Bëjë një profet me një a kitharë, një tjetër me një fyell dyjar, një të tretë më një cimbal dhe pastaj Saulin dhe shërbyesin e tij të ri duke profesuar gjithashtu me psalterion". Më vonë, në Periudhat Romanike dhe Gotike, udhëzimet jepeshin me skica të vizatuara nxitimthi.

Bibla e Leonit të I

Megjithëse janë zhdukur, vepra të tjera të kësaj periudhe njihen nga kopjet që i janë bërë. Ky është rasti me Biblën e Leonit të I. Në shekullin e IX, miniatorët e Shkollës së Tursit do ti mernin modelet e tyre nga iluminimi i kësaj bible.

Në shekullin e VI, literatura shekullare praktikisht nuk ishte më e paraqitur në dorëshkrimet e iluminuara. Librat synohej të përdoreshin përjashtimisht nga kishtarët. Do të shfaqeshin modele të reja, në veçanti faqet e plota me kolona gjysmë-rrethore midis të cilave organizoheshin kanonet e konkordancës ungjillore, të vendosr nga Eusebi i Çezaresë.

Ungjillari i Shën Augustinit

Në vitin 596, papa Gregori I e dërgoi Agustinin e Kanterbërit për të ungjillizuar anglo-saksonët. Atij ju besua një ekzemplar i Ungjijve, pikturat e të cilit do të ndikonin te artistët e Shkollës së Kanterbërit në shekullin e VIII.

Pentateuku i Ashburnhamit

Në fund meriton të përmendet një dorëshkrim tepër kureshtar: Pentateuku i Tursit, i njohur si Pentateuku i Ashburnhamit. Dorëshkrimi me gjasa është bërë në Afrikën Veriore, në shekullin e VII në një punishte që nuk ishte ndikuar akoma nga arabët. Ajo që mbetet nga kjo bibël janë 19 faqe të plota të iluminuara, që paraqesin skena nga krijimi i botës deri te eksodi i hebrejve nga Egjipti të drejtuar nga Mojsiu.

Këto piktura i kanë intriguar specialistët pasi mund të vërehen analogji të pangatërrueshme me ato të Beatusit. Për shembull, në fletën 6 mund të shihet një sfond i formuar me tre fasha të gjera horizontale të ngjyrosura, si ato të gjetura në dorëshkrimet mozarabe. Në fletën 9, paraqitja e Përmbytjes është strukturuar si disa që mund të shihen te Beatusi. Kjo është ajo që mund të ketë çuar në mendimin se vepra është iluminuar në jugun e Spanjës.

Faqe të tjera paraqiten si ndërtesa "të fragmentuara", në të cilat skenat e interiorit ose eksteriorit zhvillohen (për shembull në fletën 25). Iluminimet përfshijnë një larmi personazhesh, kafshësh dhe bimësh. Ky dorëshkrim shquhet për përmbajtje imazhesh që dëshmojnë mbi jetën e përditshme të një botë të cilën e njohim shumë pak: veprimtari kulinare, ndërtim godinash, punë në fusha, lindje dhe varrime, rritje, etj.

"Qytetërimi i pasqyruar në miniaturat e kësaj bible, janë zhdukur dhe ne tashmë nuk kemi pika referimi që të na lejojnë ne ti pozicionojmë midis veprave të tjera të të njëjtës periudhë. Duket si ndonjë Atlantidë të cilën vetëm një dorëshkrim i iluminuar, që rastësia na e ka dërguar duke na lënë një mirazh" — Carl Nordenfalk

Fauna dhe flora janë atë të rajoneve afër shkretëtirave dhe përforcojnë hipotezën mbi origjinën gjeografike të veprës, pa lejuar një përcaktim përfundimtar.

Artikujt të ndërlidhur

Shpjegime

  1. ↑ Hexaemeron ("Homeli mbi Hekzameronin"), është një vepër e Shën Bazilit (329-379) shumë i famshëm në kohën e tij. Gregori i Nisës (rr. 335-395) dhe vëllai i tij Gregor Nasianseni (rr. 329-390), mik i autorit, dhe shumë të tjerë do ta lavdëronin maksimalisht. Shën Ambrozi (rr. 330/340-397) do ta përkthente veprën në latinisht.

Citime në fund të faqes

  1. ↑ Robert G. Calkins (1983). Illuminated Books of the Middle Ages (në anglisht). Cornell University Press. fq. 31. ISBN 050023375-6.
  2. ↑ Robert G. Calkins (1983). Illuminated Books of the Middle Ages (në anglisht). Cornell University Press. fq. 18-19. ISBN 050023375-6.
  3. ↑ Robert G. Calkins (1983). Illuminated Books of the Middle Ages (në anglisht). Cornell University Press. fq. 23-29. ISBN 050023375-6.
  4. ↑ Robert G. Calkins (1983). Illuminated Books of the Middle Ages (në anglisht). Cornell University Press. fq. 25, 148–150. ISBN 050023375-6.
  5. ↑ H. L. Kessler (1994). "Codici Purpurei". Enciclopedia dell’arte medievale (në italisht). Istituto dell’Enciclopedia Italiana.
  6. ↑ Paul Needham (1979). Twelve Centuries of Bookbindings 400–1600 (në anglisht). Pierpont Morgan Library/Oxford University Press. fq. 21. ISBN 978-0-192-11580-5.
  7. ↑ Shaban Sinani (2011). Kodikët e Shqipërisë në "Kujtesën e Botës": studim monografik (në shqip dhe anglisht). Naimi. ISBN 978-992810903-3.
  8. ↑ Shaban Sinani (2015). Berat, Beratinus, Buhara: një udhëtim historik-kulturor nëpër mijëvjeçarët e qytetit. Naimi. ISBN 978-992810987-3.
  9. ↑ J. Durand (1999). L’art byantin (në frëngjisht). Éditions Pierre Terrail. fq. 37–40. ISBN 2-87939-218-7.
  10. ↑ Edward Maunde Thompson; George Charles Williamson (1911). "Miniature". Encyclopædia Britannica (në anglisht). Vëll. XVIII (bot. i 11-të). Cambridge University Press. fq. 523–528.
  11. ↑ Edward Maunde Thompson (1911). "Illuminated Mss.". Encyclopædia Britannica (në anglisht) (bot. i 11-të). Cambridge University Press. fq. 312–320.
  12. 1 2 Paolo De Vecchi; Elda Cerchiari (1999). I tempi dell’arte (në italisht). Bompiani. fq. 162–164.
  13. 1 2 3 4 Patrick Perin (1997). "Merovingi". Enciclopedia dell’ Arte Medievale (në italisht). Romë: Istituto dell’Enciclopedia Italiana.
  14. ↑ E. Kitzinger (2005). Arte altomedievale (në italisht). Torino: Einaudi. fq. 71–72.
  15. ↑ P. Babcock, red. (1993). Webster's Third New International Dictionary of the English Language, Unabridged (në anglisht). Springfield, MA: Merriam-Webster Inc. fq. 1415.
  16. ↑ P. Brezzi (1978). La civilta del medioevo europeo (në italisht). Vëll. 1. Eurodes. fq. 100 etj.
  17. ↑ Carl Johan Adam Nordenfalk (1977). Manuscrits Irlandais et Anglo-Saxons: L'enluminure dans les îles Britanniques de 600 à 800 (në frëngjisht). Paris: Éditions du Chêne. fq. 51. ISBN 978-2-85108-116-2.
  18. ↑ Carl Johan Adam Nordenfalk (1977). Manuscrits Irlandais et Anglo-Saxons: L'enluminure dans les îles Britanniques de 600 à 800 (në frëngjisht). Paris: Éditions du Chêne. fq. 88. ISBN 978-2-85108-116-2.
  19. ↑ E. Kitzinger (2005). Arte altomedievale (në italisht). Torino: Einaudi. fq. 71–72.
  20. ↑ E. L. Skip Knox. "Carolingian Handwriting". History of Western Civilization (në anglisht). Boise State University. Arkivuar nga origjinali më 28 qershor 2005. Marrë më 8 gusht 2022.
  21. ↑ "Caroline Minuscule Predates Charlemagne" (në anglisht). Heidelberg University. 9 janar 2013.
  22. ↑ M. L. Colish (1999). Medieval Foundations of the Western Intellectual Tradition, 400–1400. The Yale Intellectual History of the West (në anglisht). Yale University Press. fq. 67. ISBN 978-030007852-7.
  23. 1 2 3 Carl Johan Adam Nordenfalk (1977). Manuscrits Irlandais et Anglo-Saxons: L'enluminure dans les îles Britanniques de 600 à 800 (në frëngjisht). Paris: Éditions du Chêne. fq. 44. ISBN 978-2-85108-116-2.
  24. ↑ Alain Erlande-Brandenburg; Patrick Périn. "Mérovingiens / Art mérovingien". Encyclopædia Universalis (në frëngjisht).
  25. ↑ Carl Johan Adam Nordenfalk (1977). Manuscrits Irlandais et Anglo-Saxons: L'enluminure dans les îles Britanniques de 600 à 800 (në frëngjisht). Paris: Éditions du Chêne. fq. 44-47 dhe 51. ISBN 978-2-85108-116-2.
  26. ↑ Carl Johan Adam Nordenfalk (1977). Manuscrits Irlandais et Anglo-Saxons: L'enluminure dans les îles Britanniques de 600 à 800 (në frëngjisht). Paris: Éditions du Chêne. fq. 44–46. ISBN 978-2-85108-116-2.
  27. ↑ Monod, Gabriel (1885). Études critiques sur les sources de l’histoire mérovingienne (në frëngjisht). F. Vieweg.
  28. ↑ "Manuscrits de la bibliothèque de Laon". manuscrit.ville-laon.fr (në frëngjisht).
  29. ↑ "Notice de la Morgan Library". corsair.themorgan.org (në anglisht).
  30. ↑ Carl Johan Adam Nordenfalk (1977). Manuscrits Irlandais et Anglo-Saxons: L'enluminure dans les îles Britanniques de 600 à 800 (në frëngjisht). Paris: Éditions du Chêne. fq. 52. ISBN 978-2-85108-116-2.
  31. ↑ "Gregorius Magnus. Homiliae in Ezechielem liber I. 8th c. France (Corbie)". nlr.ru (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 9 nëntor 2013. Marrë më 2 gusht 2022.
  32. ↑ Françoise Henry (1974). The Book of Kells (në anglisht). Alfred A. Knopf. fq. 150–151. ISBN 0-394-49475-X.
  33. ↑ L. R. Laing (1975). The Archaeology of Late Celtic Britain and Ireland, c. 400-1200 AD (në anglisht). Taylor & Francis. fq. 390-392.
  34. ↑ Françoise Henry (1968). Irish Art Durgin the Viking Invasion (në anglisht). Irish Province of the Society of Jesus. fq. 89.
  35. ↑ B. Meehan (1995). Le Livre de Kells (në anglisht). Thames & Hudson. fq. 9–10. ISBN 287811090-0.
  36. ↑ John Williams (1977). Early Spanish Manuscript Illumination (në anglisht). G. Braziller. fq. 11-13. ISBN 978-0-8076-0866-1.

Bibliografia