Shtetësia Romake

Diplomë ushtarake pas Honesta missio, që i jepte shtetësinë romake të birit të Likaius Birsit

Shtetësia Romake (civitas) ishte një status politik dhe ligjor i privilegjuar i zotëruar nga individët e lirë në lidhje me ligjin, pasurinë dhe qeverinë. Shtetësia në Romën e Lashtë ishte e ndërlikuar dhe mbështetej mbi shumë ligje, tradita dhe praktika kulturore të ndryshme. Ekzistonin mjaft lloje të ndryshme shtetësie, të përcaktuara gjinia, klasa dhe përkatësitë politike të dikujt, dhe detyrimet ose pritshmëritë do të varionin përgjtë Perandorisë Romake.

Historia

Dokumenti më i vjetër i disponueshëm tashmë që detajon të drejtat e qytetarisë është Dymbëdhjetë Tabelat, të miratuara rreth vitit 449 p.e.s..[1] Shumë nga teksti i Tabelave ekziston vetëm në fragmente, por gjatë kohës së Romës së Lashtë Tabelat do të paraqiteshin të plota në Forumin Romak për tu parë nga të gjithë. Tabelat detajojnë të drejtat e qytetarisë në lidhje me proçedimet gjyqësore, pronësinë, trashëgiminë, vdekjen dhe (në rastin e grave) sjelljen publike. Nën Republikën Romake, qeveria zhvillonte një census çdo pesë vjetë në Romë për të mbajtur një rregjistrim të qytetarëve dhe familjeve të tyre. Pasi Perandoria Romake do të përhapej, kështu do të bënte edhe praktika e zhvillimit të censusit.[2]

(e gjelbër e errët) Perandoria Romake në vitin 117 të e.s.. (E gjelbër e hapur) shtetet kliente nën Perandorinë Romake në vitin 117 të e.s.

Shtetasit romakë pretej të kryenin disa detyrime (munera publica) ndaj shtetit në mënyrë që të mbanin të drejtat e tyre si qytetarë. Dështimi për të kryer detyrat e qytetarisë mund të rezultonte në humbjen e privilegjeve, siç shihet gjatë Luftës së Dytë Punike, kur burrat që refuzuan shërbimin ushtarak e humbën të drejtën e tyre për të votuar dhe u nxorën nga tributë e tyre të votimit.[2] Gratë përjashtoheshin nga taksimi i drejtpërdrejtë dhe shërbimi ushtarak.[3] Cilido që jetonte në ndonjë provincë të Romës duhet të rregjistrohej me censusin. Shtrirja e saktë e detyrimeve të qytetare varionte përgjatë shekujve.

Shumë nga ligji romak përfshinte të drejtat dhe funksionet e qytetarisë rreth preçedentëve ligjorë. Dokumentet nga shkrimtari romak Valer Maksimi tregojnë se gratë romake në shekujt e mëvonshëm ishin të afta të vërtiteshin lirisht rreth forumit dhe të sillnin shqetësimet sipas interesit të tyre, duke mundësuar që ato të vepronin në një mënyrë që të përfaqësonin familjen dhe statusin e tyre.[3]

Shumë nga baza jonë për kuptimin e ligjeve romake vijnë nga dixhesti i perandor Justinianit.[4] Dixhesti përmban rregullat e jurive dhe interpretimet e tyre të ligjeve romake dhe ruanin shkrimet e autorëve ligjorë romakë.

Perandor Karakala

Edikti i Karakalës

Edikti i Karakalës (zyrtarisht Constitutio Antoniniana në latinisht: "Kushtetuta [ose Edikti] i Antoninit") ishte një edikt i nxjerë në vitin 212 perandori romak Karakala, që shpallte se të gjithë burrat e lirë në Perandorinë Romake do të ishin qytetarë të plotë dhe të gjitha grave e lira të perandorisë u jepeshin të njëjtat të drejta si gratë romake, me përjashtim të dediticii, banorë që ishin bërë subjekte të Romës nëpërmjet dorëzimit në luftë dhe skllevërve të liruar.

Nga shekulli para Karakalës, shtetësia romake tashmë kishte humbur shumë nga përjashtueshmëria e saj dhe ishte bërë më shumë e disponueshme midis banorëve përgjatë provincave të ndryshme të Perandorisë Romake dhe midis fisnikëve si mbretërit e vendeve kliente. Përpara ediktit, megjithatë, një numër domethënës i provincialëve nuk ishin qytetarë romakë, por gëzonin Të Drejtat Latine.

Veprat e Apostujve të Biblës tregojnë se Pali i Tarsusit ishte një qytetar romak nga lindja – megjithëse e paspecifikuar qartësisht se cilës klasë qytatrie – një fakt i cili pati rol të konsiderueshëm në ecurinë e karrierës së Palit dhe Besimin e Krishterë.

Llojet e qytetarisë

Qytetaria në Romë mund të fitohej nëpërmjet mënyrave të ndryshme. Të lindje si një qytetar që të dy prindërit ishin qytetarë të lirë të Romës.[5] Një tjetër mënyrë ishte nëpërmjet përmbushjes së një shërbimi publik, siç ishte shërbimi në forcat aksiliare jo romake. Qyetet mund të fitonin shtetësinë nëpërmje zbatimit të Ius Italicum, ndërsa banorët e një qyteti provincial të perandorisë mund të zgjidhnin personat për postet publike dhe kështu i jepnin zyrtarit të zgjedhur shtetësinë.[6]

Kishte klasa qytetarie të cilat do të varionin përgjatë kohës. Klasat në vijim do të ekzistonin në kohë të ndryshme.

Cives Romani

Cives Romani ishin qytetarët e plotë romakë, që gëzonin mbrojtje të plotë ligjore nën ligjin romak. Cives Romani ndaheshin në dy klasa:

  • Non optimo iure që gëzonin ius commercii dhe ius conubii[a][7] (të drejtat e pronësisë dhe martesës).
  • optimo iure, që gëzonin këto të drejta ashtu si dhe ius suffragii dhe ius honorum (të drejtat shtesë për të votuar dhe për të mbajtur poste).

Latini

Latini ishin një klasë qytetarësh që gëzonin Të Drejtat Latine (ius Latii), ose të drejtat e ius commercii dhe ius migrationis (të drejtën për të mërguar), por jo ius conubii. Termi latini fillimisht i referohej latinëve, qytetarë të Lidhjes Latine që do të viheshin nën kontrollin romak në fun të Luftërave Romako-Latine, por që në vijim do të bëhej një përcaktim ligjor në vend të një etnie apo kombësie. Statusi i të drejtave latine mund tu caktohej klasave të ndryshme të qytetarëve, siç ishin skllevërit e liruar, cives Romani të dënuar për krime, ose kolonëve romakë.

Socii

Nën ligjin romak, qytetarët e një shteti tjetër që ishte aleat me Romën nëpërmjet një traktati u caktohej statusi i socii. Socii (të njohur edhe si foederati) mund të fitonin disa të drejta ligjore nën ligjin romak në shkëmbim të praninimt të rekrutimit në shëmbimin ushtarak, d.m.th., magjistratët romakë kishin të drejtë të rekrutonin ushtarë nga shtete të tilla për legjionet romake. Megjithatë, shtetet foederati që dikur ishin pushtuar nga Roma përjashtoheshin nga pagimi i tributit ndaj Romës për shkat të traktatit të statusit të tyre.

Pakënaqësia në rritje me të drejtat e caktuara ndaj socii dhe me kërkesat në rritje për fuqi punëtore të legjioneve (për shkak të Luftërave të zgjatura Jugurtine dhe Kimbrike) do të çonte në vijim në Luftën Sociale të viteve 91–87 p.e.s. në të cilën aleatët italianë do të rrebeloheshin kundër Romës.

Lex Julia (emërtimi i plotë: Lex Iulia de Civitate Latinis Danda), i kaluar në vitin 90 p.e.s., ju jepte të drejtat e cives Romani të gjithë Latini dhe shteteve socii që nuk kishin marrë pjesë në Luftën Sociale, ose që dëshironin ti ndërprisnin menjëherë armiqësitë. Kjo do të shtrihej te të gjithë shtetet italiane socii kur lufta do të përfundonte (përveç Gallia Cisalpina), duke i eleminuar efektivisht socii dhe Latini si përcaktime ligjore dhe shtetësie.

Provinciales

Provinciales ishin ata banorë që ishin nën ndikimin ose kontrollin romak, por që u mungonin të drejtat e foederati, që në thelb kishin vetëm të drejtat e ius gentium (rregullat dhe ligjet mbi kombet nën sundimin romak).

Peregrini

Një peregrinus (shumës peregrini) fillimisht ishte çdo person që nuk ishte një qytetar i plotë romak, do me thënë dikusht që nuk ishte anëtar i cives Romani. Me shtrirjen e ligjit romak për të përfshirë më shumë shkallëzime të statusit ligjor, ky term do të përdorej më pak, por termi peregrini do të përfshinte ata të statusit Latini, socii dhe provinciales, ashtu si dhe subjektet e shteteve të huaja.

Shtetësia për klasat e ndryshme shoqërore

Individët që i përkisnin një klase të posaçme shoqërore në Romë kishin versione të modifikuara të qytetarisë.

  • Gratë Romake kishin një formë të kufizuar të qytetarisë. Ato nuk lejoheshin të votonin ose të kandidonin për poste civile ose publike. Të pasurat mund të merrnin pjesë në jetën publike duke financuar projekte ndërtimore ose duke sponsorizuar ceremoni fetare dhe evente të tjera. Gratë kishin të drejtën për pronë vetjake, të angazhoheshin në sipërmarrje dhe të merrnin divorcin, por të drejtat e tyre ligjore varionin përgjatë kohës. Martesat ishin një formë e rëndësishme e aleancës politike gjatë Republikës. Gratë romake gjendeshin nën mbikëqyrjen e etërve të tyre (pater familias) ose të afërmve të tyre më të afërt meshkuj nga ana e etërve (agnate).[4]
  • Qytetarët e shteteve kliente dhe aleate (socii) të Romës mund të mernin një formë të kufizuar të qytetarisë romake si Të Drejtat Latine. Këta qytetarë nuk mund të votonin ose të zgjidheshin në zgjedhje.
  • Skllevërit e liruar ishin ish-skllevër që kishin fituar lirinë e tyre. Atyre nuk u jepej automatikisht qytetaria romake dhe u mungonin privilegje si kandidimi për magjistraturat ekzekutive. Fëmijët e dy prindërve skllevër të liruar lindnin si qytetarë të lirë; për shembull, babai i poetit romak Horac ishte një skllav i liruar.
  • Skllevërit konsideroheshin pronë dhe u mungonte personaliteti ligjor. Përgjatë kohës, ata do të fitonin pak mbrojtje nën ligjin romak. Disa skllevër lirohehsin nëpërmjet manumisionit për shërbimet e kryera, ose nëpërmjet një parashikimi testamentar, kur pronari i tyre vdiste. Kur liroheshin, ata përballeshin me pak pengesa, përtej stigmës normale shoqërore, për të marë pjesë në shoqërinë romake. Parime se një person mund të bëhej qytetar me ligj, në vend se nga lindja ishte e rrënjosur në mitologjinë romake; kur Romuli do ti mundëte sabinët në betejë, ai u premtoi robërve të luftës që ndodheshin në Romë se ata mund të bëheshin qytetarë romakë.

Të drejtat

Qytetarët romakë gëzonin një larmi të posaçme privilegjesh brenda shoqërisë romake. Qytetarët meshkuj kishin të drejtën për të votuar (ius suffragi) dhe mbanin postet shtetërore (ius honorum, të disponueshme vetëm për aristokracinë).[5] Ata gjithashtu zotëronin ius vitae necisque, "të drejtën e jetës dhe vdekjes." Krerët meshkuj të familjeve romake (pater familias) kishin të drejtën për të përfaqësuar cilindo nga fëmijët e tyre në çdo moshë, megjithëse kjo duket se më së shumti rezervohej në vendosjen mbi rritjen e një fëmije.[4]

Më përgjithësisht të drejtat përfshinin: të drehtat e pronësisë (ius census), për të hyrë në marrëveshje (ius commercii), ius provocationis, e drejta për të apeluar vendimet e funksionarëve,[5] e drejta për të paditur dhe për tu paditur, për të patur një gjyq ligjor dhe të drejtën e imunitetit nga disa taksa dhe detyrime të tjera ligjore, veçanërisht rregullat dhe rregulloret vendore.

Reliev që paraqet një ceremoni martesore. Museo di Capodimonte

Në lidhje me familjen romake, qytetarët romakë zotëronin të drejtën e ius conubii, të përcaktuar si e drejta për një martesë ligjore në të cilën fëmijët nga bashkimi do të ishin gjithashtu qytetarë romakë. Burimet e hershme romake tregojnë se gratë romake mund ti humbisnin të drejtat e tyre individuale si qytetare kur hynin në një martesë manus. Një një martesë manus, një grua do të humbiste çdo pronë që ajo zotëronte individualisht dhe do ti jepej burrit të saj, ose pater familias së saj. Martesat manus ishin ndaluar gjerësisht nga koha e Augustit dhe gratë qëndronin nën mbrojtjen e pater familias të tyre. Pas vdekjes së tij, të dy burri dhe gruaja nën mbrojtjen e pater familias do të konsideroheshin sui iuris dhe do të ishin ligjërisht të pavarur, të aftë për të trashëguar dhe zotëruar prona pa miratimin e pater familias së tyre.[4] Gratë romake gjithësesi do të hynin në një tutela, ose mbikëqyrje. Një tutor i një gruaje funksiononte ngjashmërisht si një pater familias, por ai nuk kontrollonte pronësinë dhe zotërimet e një gruaje dhe përgjithësisht ishte përgjegjës vetëm për ti dhënë leje kur një grua donte të kryente veprime të caktuara ligjore, siç ishte lirimi i skllevërve të saj.[4]

Zyrtarisht, dikush duhet të kishte statusin e qytetarit romak për tu rekrutuar në legjionet romake, por kjo kërkesë ndonjëherë anashkalohej dhe bëheshin përjashtime. Ushtarët qytetarë mund të rriheshin nga centurionët dhe oficerët madhorë për arsye të lidhura me disiplinën. Jo qytetarët u bashkoheshin auxilia dhe e fitonin qytetarinë nëpërmjet shërbimit.

Duke pasuar ligjet Porciane të fillimit të shekullit të II p.e.s., një qytetar romak nuk mund të torturohej ose të fshikullohej dhe mund t’i ndryshonin dënimet me vdekjeekzil vullnetar, përveç kur gjendej fajtor për tradhëti. Nëse i akuzuari për tradhëti, një qytetar romak kishte të drejtën për tu gjykuar në Romë dhe madje nëse dënohej me vdekje, asnjë qytetar romak nuk mund të dënohej me kryqëzim.

Ius gentium ishte njohja ligjore, e zhvilluar në shekullin e III p.e.s., e gamës në rritje ndërkombëtare të çështjeve romake dhe nevojës që ligjet romake të mereshin me situata midis qytetarëve romakë dhe personave të huaj. Ius gentium qe në këtë mënyrë një kodifikim ligjor romak i ligjit ndërkombëtar të kohës gjerësisht të pranuar dhe mbështetej mbi ligjin tepër të zhvilluar tregtar të poliseve greke dhe të fuqive të tjera detare. Të drejtat e parashikuara nga ius gentium konsideroheshin të zotëruara nga të gjithë personat; në këtë mënyrë ishte një koncept i të drejtave të njeriut në vend të të drejtave të bashkangjitura me shtetësinë.

Ius migrationis ishte e drejta për të ruajtur nivelin qytetarisë së dikujt përgjatë zhvendosjes në një polis me status të krahasueshëm. Për shembull, anëtarët e cives Romani e ruanin civitas të tyre të plotë, kur mërgonin në një koloni romake me të drejta të plota ligjore: një colonia civium Romanorum. Latinët e kishin gjithashtu këtë të drejtë dhe ruanin ius Latii të tyre nëse zhvendoseshin në një shtet të ndryshëm latin ose koloni latine (Latina colonia). Kjo e drejtë nuk ruante nivelin e qytetarisë nëse dikush zhvendosej në një koloni me status ligjor më të ulët; qytetarët e plotë romakë duke u zhvendosur në një Latina colonia uleshin në nivelin e ius Latii dhe një mërgim dhe uleje e tillë në status duhet të ishte një akt vullnetar.

Romanizimi dhe shtetësia

Mauzoleu i Julii, i vendosur përgjatë Via Domitia, në veri të dhe pak jasht hyrjes së qytetit, i datuar rr. 40 p.e.s. dhe është një nga mauzoletë e ruajtur më mirë të Periudhës Romake. Një kushtim është skalitur mbi arkitrarin e ndërtesës në drejtim të rrugës së vjetër romake, i cili shkruan: SEX • M • L • IVLIEI • C • F • PARENTIBVS • SVEIS (Sekstius, Marku dhe Lucius Julius, bijtë e Gaiusit, paraardhësve të tyre). Besohet se mauzoleu ishte varri i nënës dhe babait të tre vëllezërve Julii dhe se babai, për shërbime ushtarake ose civile, mori qytetarinë romake dhe privilegjin e bartjes së emrit të Julii

Shtetësia romake përdorej gjithashtu si një mjet i politikës së jashtme dhe kontrollit. Kolonive dhe aleatëve politikë do tu jepej një formë "e ulët" e shtetësisë romake, duke pasur disa nivele të shkallëzuara të qytetarisë dhe të drejtave ligjore ( Të Drejtat Latine ishin një nga to). Premtimi i përmirësimit të statusit brenda rruzullit romak të ndikimit dhe rivaliteti me fqinjët për statusin, e mbajti të përqëndruar fqinjët dhe aleatët e Romës mbi status quo-në e kulturës romake, në vend se të përpiqeshin të shkëputeshin apo ta përmbysnin ndikimin e Romës.

Dhënia e qytetarisë aleatëve dhe popujve të pushtuar qe një hap jetësor në proçesin e romanizimit. Ky hap qe një nga mjetet dhe idetë më origjinale politike (në atë pikë të historisë).

Më parë, Aleksandri i Madh ishte përpjekur ti "përziente" grekët e tij me persët, egjiptianët, sirianët, etj. në mënyrë që ti asimilonte popujt e pushtuar të Perandorisë Perse, por pas vdekjes së tij, kjo politikë u shpërfill gjerësisht nga pasuesit e tij.

Pllakatë për dhënien e qytetarisë romake (municipium) qytetit të Volubilis nën sundimin e Klaudit, Marok

Idea nuk ishte për ti asimiluar, por për ta kthyer një armik të mundur dhe potencialisht rrebel (ose bijtë e tyre) në qytetarë romakë. Në vend të prisnin për rrebelimin e pashmangshëm të një populli të pushtuar (ose një fisi apo qytet-shteti) si Sparta dhe helotët e pushtuar, Roma u përpoq ti bënte ata që ishin nën sundimin e saj të ndjenin se kishin një rol në sistem.[6] Aftësia e individëve të lindur jo romakë për të fituar shtetësinë romake gjithashtu mundësonte qëndrueshmëri të rritur për ata që ishiin nënshtruar dhe sistemin e nënndarjes brenda llojeve të ndryshme të shtetësisë të lejuara nga sunduesit romakë të punonin në bashkëpunim me elitat vendore nëpër provinca.[6]

Romanitas, nacionalizmi romak dhe shuarja e tij

Me vënien në jetë të romanizimit dhe kalimit të brezave, një ndjenjë e re filloi të shfaqej brenda terrorit romak, Romanitas ose mënyra romake e jetesës, ndjenja dikur fisnore që e kishte ndarë Evropën filloi të zhdukej (megjithëse asnjëherë tërësisht) dhe të përziente me grupimin e ri patriotizmin e importuar nga Roma me të cilin do të ishte e aftë të ngjitej në të gjitha nivelet.

Romanitas, Romaniteti ose Romanizmi do të zgjaste deri në vitet e fundit të ekzistencës së pars occidentalis, një kohë në të cilën tribalizmi i vjetër dhe proto-feudalizmi me origjinë kelte, deri atëherë të fjetur, do të rishfaqeshin, duke u përzier me grupet e reja etnike me origjinë gjermanike. Kjo vërehet në shkrimet e Gregori i Tursit, që nuk përdor dikotominë galo-romako-franke, por përdor emrin e secilit prej gens të asaj kohe që ekzistonte në Gali (arverni, turoni, lemovici, turnacenses, bituriges, franci, etj.), duke e konsideruar veten një arverni dhe jo një galo-romak; duke qenë parë marrëdhëniet midis vendasve dhe frankëve jo si romakët kundër barbarëve, siç besohej në mënyrë popullore, por si në rastin e Gregorit të Tursit, një marrëdhënie bashkëekzistence midis arvernëve dhe francëve (franci) si të barabartë.

Duhet kujtuar gjithashtu se Klovisi I kishte lindur në Gali, kështu sipas Ediktit të Karakalës, kjo e bënte atë një qytetar romak nga lindja, përveç njohjes nga perandor Anastasius I Dikori si konsull i Galisë, kështu që pozicioni i tij i pushtetit përforcohej, përveç të qenit i konsideruar nga subjektet e tij galo-romakë si një mëkëmbës legjitim i Romës; duke kuptuar se Romanitas nuk u zhduk në një mënyrë të tillë të beftë, do ti vërente efektet e tij shekuj më vonë me Karlin e Madh dhe Translatio imperii.

Shiko gjithashtu

Shënime

  1. Ndonjëherë, por në mënyrë më pak të saktë, e shkruar connubii

Citime fundore

  1. Pharr, Clyde; Johnson, Allan Chester; Coleman-Norton, Paul Robinson; Bourne, Frank Carde. Ancient Roman Statutes: Translation, With Introduction, Commentary, Glossary, and Index (në anglisht). Yale University Press. Marrë më 3 tetor 2022 nëpërmjet avalon.law.yale.edu.
  2. 1 2 Dolganov, Anna (2021). "Documenting Roman Citizenship". përmbledhur nga Ando, Clifford; Lavan, M. (red.). Imperial and Local Citizenship in the Long Second Century (në anglisht). Oxford University Press. fq. 185–228.
  3. 1 2 Chatelard, Aude; Stevens, Anne (2016). "Women as Legal Minors and Their Citizenship in Republican Rome". Clio: Women, Gender, History (në anglisht) (43): 24–47. ISSN 2554-3822. JSTOR 26242541.
  4. 1 2 3 4 5 Evans, Judith Grubbs (2002). Women and the Law in the Roman Empire: A Sourcebook on Marriage, Divorce and Widowhood (në anglisht). Routledge Taylor & Francis Group. ISBN 0-415-15240-2. OCLC 891208950.
  5. 1 2 3 Chatelard, Aude; Stevens, Anne (2016). "Women as Legal Minors and Their Citizenship in Republican Rome". Clio: Women, Gender, History (në anglisht) (43): 24–47. ISSN 2554-3822. JSTOR 26242541.
  6. 1 2 3 Martin, Jochen (1995). "The Roman Empire: Domination and Integration". Journal of Institutional and Theoretical Economics (JITE) / Zeitschrift für die gesamte Staatswissenschaft (në anglisht dhe gjermanisht). 151 (4): 714–724. ISSN 0932-4569. JSTOR 40751853.
  7. Charlton T. Lewis; Charles Short. "contŭbernālis, cōnūbĭum". A Latin Dictionary (në anglisht). Marrë më 3 prill 2024 nëpërmjet Perseus.tufts.edu.

Bibliografia

Burime të lashta

Burime historiografike moderne

Lidhje të jashtme