Cliens

Lawrence Alma-Tadema, Një audiencë te Agripa. Fenomeni i clientes ishte shumë i zhvilluar në Periudhën Perandorake, madje edhe gratë mundnin të bëheshin patrona. Disa cliens përvetësuan trashëgimin e Matidias, ëmta e Mark Aurelit, duke shkaktuar një çështje të diskutuar.

Cliens (në shumës clientes), në të drejtën romake, ishte ai qytetar që, sipas pozicionit në shoqëri, gjendej të përmbushte një varg detyrimesh përkundrejtë një patronus, nga ana e tij i detyruar përkundrejtë cliens. Marrëdhënia quhej "Marrëdhënie patronati". Ky pozicion ndonjëherë gjendej në kufirin e nënshtrimit (applicatio) fizik ose psikologjik.

Historia

Krijimi i klientelës, i zhvilluar në fillim të historisë së Romës, si raport juridik, do të merte një përmasë thelbësisht shoqërore në Periudhën Perandorake.

Dionisi i Halikarnasit ia atribuon krijimin e marrëdhënies midis cliens dhe patronus Romulit që, pasi e kishte ndarë popullin romak në patricë dhe plebej, do të përcaktonte një raport hierarkik, duke u atribuar patricëve patronatin e plebejve.[1] Midis detyrimeve të clientes do të ishin ato për të ndihmuar ekonomikisht patronus-in kur nevojitej, si martesa e bijave, ta lironte kur zihej rob dhe mbahej peng, dhe të merte pjesë në shpenzimet që patronus-i duhet të përballonte për të arritur një magjistraturë.[2] Në origjinë clientes nuk kishin personalitet juridik, pasi përfaqësia e tyre aktive dhe pasive në gjykatë i përkiste patronii, që mbi ta vepronin si patres familias.[3]

Në kohën e Trajanit ky zakon ishte aq i përhapur sa ishte vendosur për çdo familje fisnike një tarifë, sportularia, që përkonte me gjashtë sesterca për personë.[4] Shpesh sportularia ishte një burim për të mbijetuar: avokatë pa çështje, mësues pa nxënës, artistë pa porosi paraqiteshin në portën e patronus për mbijetesën e përditshme.[5] Edhe ata që kishin një zanat i shtonin një zë të vogël sportularia-s së të ardhurave të tyre dhe para se të shkonin në punë, akoma para se të bëhej ditë, viheshin në radhë për sportularia-n.[6]

Rëndësia e një të fuqishmi matej me klientelën që në mënyrë të zhurmshme e zgjonte çdo mëngjes për salutatio matutina. Dominus do të kishte humbur reputacion nëse nuk do ti dëgjonte ankesat apo kërkesat për ndihmë dhe nuk do tu përgjigjej përshëndetjeve[7] të turmës që e priste në agim. Një proçedurë e rreptë e rregullonte këtë rit të përditshëm të klientelës. Cliens mund edhe të arrinte shtëpinë e patronus në këmbë në vend të një vigu por, detyrimisht duhet të mbante togë dhe jo të guxonte ta thërriste konfidencialisht me emër: manjatit duhet ti drejtoheshe gjithmonë duke e quajtur dominus, përndryshe ndëshkoheshe duke u kthyer në shtëpi me duar bosh. Detyrimi i togës, veshje e njëfarë rëndësie dhe kështu e kushtueshme, përbënte një vështirësi për shumë: ndodhte atëherë që të ishte vetë patronus që ia dhuronte në raste të veçanta dhe të posaçme bshkë me pesë ose gjashtë libra argjent çdo vit.

Shumë autorë latinë, mbi të gjitha ata që vinin nga provincat romake (për shembull poeti Marcial), e përjetonin personalisht gjendjen e cliens, që megjithatë u garantonte atyre avantazhe dhe mbështetje të llojeve të ndryshme.

Karakteristikat

Turni për të pritur klientelën nuk vendosej në bazë të radhës së mbërritjes, por në bazë të rëndësisë shoqërore, prandaj pretorët i tejkalonin tribunët, eques të lirët dhe këta të fundit libertët.[8]

Gratë nuk merrnin pjesë në këtë asistencë të përditshme as si patrona, as si clienta, përveç rastit të vejushave që kërkonin për vetë atë që patronus kishte bërë për cliens tashmë të vdekur apo kur cliens sillte pas në këmbë apo në vig gruan e keq-katandisur dhe me gjasa të sëmurë për ta shtyrë zotërinë për dhurata më bujare.[9]

Reliev i një sarkofagu të shek. III, që paraqet katër stinët (horae) dhe katër personazhe që presin në portën e jetës së përtejme, ngjashmërisht si clientes prisnin në portën e patronus në orët e para të mëngjesit.[10]

Salutatio matutina, sportula dhe parasitus

Plotësimi i detyrimeve reciproke midis cliens dhe patronus shfaqej në mënyrë të përditshme me zakonin e quajtur salutatio matutina (përshëndetja e mëngjesit),[11][12][13] e cila e detyronte cliens të ngrihej herët në mëngjes për të shkuar te shtëpia e patronus të tij për ta përshëndetur atë dhe për të marrë ushqime, para ose ndonjë dhuratë tjetër (sportula – trastë e vogël, shportë ose torbë)[14], ndërsa ai e vinte veten në dispozicion për çfarëdolloj gjëje që patronus mund ti kërkonte (për shembull, për ta shoqëruar atë në ndonjë event publik, ndërsa ai ishte i detyruar të shprehte miratimin dhe mbështetjen e tij). Atij që patronus do t’ia kthente përshëndetjen, duke e thirrur në emër, ishte një shenjë konfidence dhe njohjeje.

Rendi i pritjes përcaktohej nga rangu i cliens. Nuk duhet të harroje trajtimin që duhet ti rezervoje patronus që mbante titullin dominus. Në varësi të numrit të clientes, salutatio mund të zgjaste shumë (deri në hora secunda apo tertia).[15] Sado që e bezdisshme që ishte për patronus-in të zhvillonte këtë ritual të përditshëm, të mos i priste kërkesat dhe lutjet e clientes të tij, apo të mos i përgjigjej përshëndetjes, konsiderohej një humbje e reputacionit për të.

Struktura e Domus (shtëpia familjare e fisnikërisë romake) përfshinte një pjesë në hyrje që mundësonte pritjen e clientes; megjithëse ishte e zakonshme tu lejohej hyrja në hapsirën më private sipas rangut të tij apo nivelit të konfidencës (më të ulëtit takoheshin në hyrje, ndërsa disave u lejohej të vinin deri te peristili). Në Pompe ruhet një bankë guri në façatën e një shtëpie, ku prisnin dëgjesat clientes. Ishte provë e prestigjit të një familjeje që çdo mëngjes përballë shtëpisë së saj të priste një numër i madh clientes.

Kuint Tulius Ciceroni (vëllai më i vogël i Mark Tullius Ciceronit), te De petitioniis consularibus, dallon tre klasa clientes: ata që vijnë për të të përshëndetur në shtëpinë tënde, ata që të takonin në forum dhe ata që të ndiqnin kudo, dhe këshillonte pranimin e vlerësimit përjashtimisht të të parëve, për të shmangur abuzimin e shpeshtë që disa clientes të vinin për të përshëndetur patronii të ndryshëm gjatë të njëjtës ditë; Ai këshillon gjithashtu sjelljen sa më shumë të ishte e mundur në forum, pasi numri i clientes që shoqëronin një kandidat përcaktonte reputacionin e tij.

Në qytetin e Romës (duke marrë parasysh se kostoja e jetesës ishte më e shtrenjtë se në qytetet e tjera), vlera e dy sestercave konsiderohej e përshtatshme në fillim të Periudhës Perandorake (në kohën e Trajanit, gjashtë sesterca), për zakonin e pagesave të përditshme ndaj clientes. Itshte e zakonshme që cliens të përmendeshin në testamente duke u lënë një pjesë të trashëgimisë. Kapriçot ekstravagante të patronus dhe lajkatimi dhe servilizmi i clientes, mund të arrinin nivele qesharake, siç denonconte Petroni,[16] Juvenali dhe satiristë të tjerë.

Me fjalën parasitus (paraziti), e prejardhur nga fjala greke παράσιτος (parásitos, bashkëjetesë) përkufizoheshin negativisht clientes të konsideruar si përtacë që jetonin me mbështetjen e patronii të tyre.

Llojet

Gjendja e të qenit cliensPeriudhën Romake ndodhte në forma të ndryshme:

  • deditio, usufructus e pronës publike (për shembull pjesë të ager publicus) me konçesion (in precarium) të patronatit që përvetësonte këtë pronë;
  • detyrimi për të pritur në shtëpi clientes dhe për tu ardhur në ndihmë në rast nevoje;
  • detyrimi për të ftuar ndonjëherë clientes për drekë;
  • sportula (trasta), një furnizim periodik i me sende, e quajtur kështu sepse pikërisht me trasta barteshin këto sende;
  • shuma parash.

Ndërsa cliens i detyrohej patronus të vetë votën në asamble (votimi shprehej publikisht) dhe duhet ta ndihmonte kuroqoftë që angazhohej në luftë.

Shiko gjithashtu

Citime fundore

  1. Dionisi i Halikarnasit, Antiquitates Romana, II, 9, 3.
  2. Dionisi i Halikarnasit, Antiquitates Romana, II, 10, 2.
  3. Dionisi i Halikarnasit, Antiquitates Romana, II, 10, 1.
  4. Mark Valerio Marciali (1877). "Book VI. To Julius Martialis. Epigram LXXXVIII. To Cæcilianus". përmbledhur nga Henry George Bohn (red.). The Epigrams of Martial (në anglisht). George Bell and Sons. fq. 301–303.
  5. Juvenali (1836). "Satire I: Reasons for Writing Satire". përmbledhur nga P. Austin Nuttall (red.). The Satires of Decimus Junius Juvenalis (në anglisht). Përkthyer nga William Gifford. Nichols and Son. fq. 1–8.
  6. Plini i Riu (1890). "III.12". The Letters of the Younger Pliny (në anglisht). Përkthyer nga John Delaëare Leëis. Londër, Angli: Kegan Paul, Trench, Trübner & Co. fq. 72–108.
  7. Mark Valerio Marciali (1877). "Book I. To the Reader. Epigram XLIX. To Licinianus". përmbledhur nga Henry George Bohn (red.). The Epigrams of Martial (në anglisht). George Bell and Sons. fq. 48–50.
  8. Juvenali (1836). "Satire I: Reasons for Writing Satire". përmbledhur nga P. Austin Nuttall (red.). The Satires of Decimus Junius Juvenalis (në anglisht). Përkthyer nga William Gifford. Nichols and Son. fq. 1–2.
  9. Juvenali (1836). "Satire I: Reasons for Writing Satire". përmbledhur nga P. Austin Nuttall (red.). The Satires of Decimus Junius Juvenalis (në anglisht). Përkthyer nga William Gifford. Nichols and Son. fq. 2–4.
  10. Melissa Barden Dowling (2004). "A Time to Regender: The Transformation of Roman Time". Time and Uncertainty (në anglisht). Brill. fq. 183–185.
  11. Josep Maria Ruiz Simon (20 korrik 2010). "La salutatio matutina". invitacionalahistoria.blogspot.com (në spanjisht).
  12. Jérôme Carcopino (1971). La vita quotidiana a Roma (në italisht). Universale Laterza.
  13. Philippe Aries; Georges Duby (2001). La vita privata, in 5 volumi (në italisht). Editori Laterza.
  14. L. J. Patrich; K. Holum (2003). "A Schedule of Fees (Sportulae) for Official Services from Caesarea Maritima, Israel". Zeitschrift für Papyrologie und Epigraphik (në anglisht dhe gjermanisht). 145: 273–300.
  15. Carlos Cabanillas; Santiago Apóstol (2003). "La vida cotidiana en Roma". Santiagoapostol.net (në spanjisht). Arkivuar nga origjinali më 10 prill 2012.
  16. Tit Petronius Arbitri (1913). Michael Heseltine (red.). Petronius; Seneca: Apocolocyntosis (në anglisht). Vëll. 1. Satyricon. William Heinemann. fq. 316–319.

Bibliografia

  • Alberto Angela (2007). Una giornata nell'antica Roma. Vita quotidiana, segreti e curiosità. Rai Eri (në italisht). Mondadori. ISBN 978-88-04-56013-5.
  • Tit Petronius Arbitri (1913). Michael Heseltine (red.). Petronius; Seneca: Apocolocyntosis (në anglisht). Vëll. 1. Satyricon. William Heinemann.
  • Philippe Aries; Georges Duby (2001). La vita privata, in 5 volumi (në italisht). Editori Laterza.
  • Carlos Cabanillas; Santiago Apóstol (2003). "La vida cotidiana en Roma". Santiagoapostol.net (në spanjisht). Arkivuar nga origjinali më 10 prill 2012.
  • Jérôme Carcopino (1971). La vita quotidiana a Roma (në italisht). Universale Laterza.
  • Melissa Barden Dowling (2004). "A Time to Regender: The Transformation of Roman Time". Time and Uncertainty (në anglisht). Brill. fq. 183–185.
  • Andrea Giardina (1993). L'uomo romano (në italisht). Economica Laterza.
  • Andrea Giardina (2005). Profili di storia antica e medievale (në italisht). Vëll. 1. Laterza Edizioni Scolastiche.
  • Dionisi i Halikarnasit, Antiquitates Romana, II.
  • Juvenali (1836). "Satire I: Reasons for Writing Satire". përmbledhur nga P. Austin Nuttall (red.). The Satires of Decimus Junius Juvenalis (në anglisht). Përkthyer nga William Gifford. Nichols and Son. fq. 1–8.
  • Mark Valerio Marciali (1877). Henry George Bohn (red.). The Epigrams of Martial (në anglisht). George Bell and Sons.
  • Ugo Enrico Paoli (2005). Vita romana (në italisht). Oscar Mondadori.
  • L. J. Patrich; K. Holum (2003). "A Schedule of Fees (Sportulae) for Official Services from Caesarea Maritima, Israel". Zeitschrift für Papyrologie und Epigraphik (në anglisht dhe gjermanisht). 145: 273–300.
  • Plini i Riu (1890). "III.12". The Letters of the Younger Pliny (në anglisht). Përkthyer nga John Delaware Lewis. Londër, Angli: Kegan Paul, Trench, Trübner & Co. fq. 72–108.
  • Josep Maria Ruiz Simon (20 korrik 2010). "La salutatio matutina". invitacionalahistoria.blogspot.com (në spanjisht).

Lidhje të jashtme

Definimi i cliens tek WikiFjalori